Kosovën e rëndoi shumë pasurimi i shpejt i disa politikanëve

Intervista

Kosovën e rëndoi shumë pasurimi i shpejt i disa politikanëve

Nga: Valon Rogova Më: 2 shtator 2019 Në ora: 09:51
Daut Dauti

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Daut Dauti, theksoi arsyet që e shtynë që të anëtarësohet në Lëvizjen Vetëvendose.

Për Daut Dautin, Lëvizja Vetëvendosje, është një nga partitë më serioze në vend. Sipas Daut Dautit, Kosovën e pasluftës e rëndoi shumë pasurimi i shpejtë i shumë personave që, pothuajse s’kishin asgjë, e sot posedojnë miliona. Sipas tij, Kosova asnjëherë s’i mori seriozisht bisedimet me Serbinë.

Aderimet në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë të ndalur. Ato, tashmë, pothuajse janë bërë të ditëpërditshme. Ditë më parë, anëtarësim në Vetëvendosje, ka bërë dhe Daut Dauti, një veprimtar shumë i shquar për çështjen kombëtare në tërësi dhe jo vetëm.

Me shkrimet në shtypin britanik dhe paraqitjet në mediat (televizionet dhe radiot) britanike është i njohur për debatet që për temë kanë Kosovën dhe Ballkanin. Me paraqitjet e tija publike dhe botimet e ndryshme konsiderohet edhe si njohës i politikës së jashtme britanike ndaj Ballkanit, e kryesisht ndaj hapësirës shqiptare.

Ishte vet Albin Kurti, i cili njoftoi për aderimin e Dautit.

Ndërkaq, në një intervistë ekskluzive për ‘’Bota sot’’, Dauti, theksoi arsyet që e çuan tek Lëvizja Vetëvendosje. Ai, e cilësoi Vetëvendosjen si një partitë më serioze në vend. Një arsye tjetër që Dauti, zgjodhi të shkojë në Vetëvendosje është se në një masë të madhe Vetëvendosje i përgjigjet asaj që ai dëshiron të zbatojë apo përfaqësojë.

Dauti, apeloi që, intelektualët dhe personat publik me reputacion të shëndoshë, nuk duhen që të rrinë indiferent. Ai, bëri thirrje që të gjithë, në një mënyrë tjetër, të jenë pjesë e vendimmarrjes.

Dauti, nuk është pjesë e Vetëvendosjes ngase nuk mundi të ishte në partitë tjera.

Ai, tha se në kohën e mëparshme, ka pasur simpati edhe për parti tjera politike, se për atë kohë ato kanë pasur diçka që mund t’i ketë pëlqyer, por se asnjëherë deri në atë pikë sa të anëtarësohet, asnjë përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Dauti: Të qëndrosh anash nuk është punë e mirë e intelektualit

Qëndrimi i Albin Kurtit është qëndrim liberal demokrat apo ajo që është social demokrate në Evropë. Social Demokratët, në botë janë bartës të proceseve politike në secilin shtet pothuajse.

Dauti, tha se idetë që i përfaqëson apo promovon Albini e kanë zhvilluar Evropën. E kanë zhvilluar ekonominë.

‘’Tash unë jam gazetar, natyrisht jam marrë me publicistik dhe me shkencë kom botuar artikuj të ndryshëm shkencor e hulumtues. Nga njerëzit si unë kërkohet që të mos anojnë politikisht, por të qëndrosh anash nuk është punë e mirë e intelektualit’’, tha ai.

Dauti është i idesë që intelektuali nuk duhet të mbajë anë në ndonjë punim apo kurdo kur shpjegojnë fenomen por që, në anën tjetër, duhej të jenë pjesë përbrenda që të ndikoj nga brenda.

‘’Unë besoj që intelektuali nuk duhet të marrin anë kur e shpjegojnë një fenomen por megjithatë ne jemi krijesa dhe mund të kemi simpati ose jo simpati për një subjekt politik. Unë kam pas simpati që moti për Vetëvendosjen dhe kam menduar që kam kontribuar mjaftë nga jashtë por ne e dimë, së paku unë jam i bindur që disa gjëra nuk ndryshojnë pa u përfshi vetë në politikë. Pa shkuar tek vendi ku merren vendimet. Deri tash unë jam munduar që të ndikoj në procesin e vendimmarrjes, por tashti e kam pa që duhet të zhytet në të. Unë nuk jam i pari që mendoj kështu. Deri tash shumë George Orëell dhe Cuelho po sidomos Orëell porosit vazhdimisht që gazetarët por edhe intelektualët duhet të marrin anë politike mirëpo jo gjatë shkrimit të artikujve por të përfshihesh në procesin politik sepse të qëndrosh indiferent nuk është veti e intelektualit dhe nga kjo unë mendoj mund të ndryshojë diçka’’, tha ai.

Dauti, ndër të tjera, tha se Kosova vazhdon të jetë një nga vendet më të varfra në rajon dhe në botë. Nisur nga ky fakt, ai është i mendimit se, një herë e përgjithmonë do të duhej të ndodh ndryshimi.

Njerëzit, gjegjësisht qytetarët nuk do të duhej t’i mbanin shpresat tek bashkatdhetarët dhe ndihmesat e tyre. Ata, më në fund, do të duhej t’i japin goditjen e fundit shkaktarëve të kësaj gjendjeje dhe rrjedhimisht të ndodh ndryshimi madh me Vetëvendosjen.

‘’Kosova është vendi më i varfër në Evropë. Kosova duket mirë për shkak ndoshta ndihmave nga jashtë që merr nga bashkatdhetarët tanë që janë në diasporë dhe kjo duket që e lehtëson jetën, por në fakt me kushtet moderne qeveria nuk krijon vende të punës. Qeveria krijon kushte për investime nga jashtë. Këto qeveritë e mëparshme që ishin, për fat të keq e kanë mbyll rrugën e qarkullimit të lirshëm të parasë. E kanë mbyll edhe tregun e punës duke e orientuar kah familjet e tyre, kah vetë ata, kah farefisi e të gjithë personave që kanë të bëjnë me ta’’, tha ai.

Do të respektohet meritokracia

Dauti, tha se me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, do të krijohen jo vetëm vende të reja të punës por dhe sigurimet e punëtorëve. Rrjedhimisht do të kishte një barazi ekonomike.

Është e dhimbshme – siç tha Dauti – që sot e kësaj dite, punëtori, sidomos ai në privat, jo vetëm të jenë me pagë minimale por të jenë pa siguri.

Punëtori i sotëm privat, ndjehet i pasigurt dhe se kjo do të ndryshoj me Vetëvendosjen në pushtet.

‘’Punë dhe pare kanë ata që vetëm janë të lidhur me pushtetin. Për mua ka qenë atraktive në Lëvizjen Vetëvendosje që këto barriera të zhduken dhe të kemi një qasje natyrale ndaj pushtetit dhe një qasje natyrale ndaj ekonomisë. Dhe nëse kjo ndodh e që besoj fort do të ndodh me Vetëvendosjen atëherë njerëzit do të hyjnë në punë me merita dhe atëherë njerëzit do të jetojnë me meritokraci. Qeveria do të kujdeset edhe pasi që punëtori do të hyjë në punë për mirëqenien e tij, për sigurinë e tij, për punën e pensioneve që janë anashkaluar me të madhe deri tashti. Ekziston një rrezik potencial për të punësuarit, sidomos në sektorin privat se edhe nëse gjejnë punë, nuk janë të siguruar. Paga e ultë, sigurime s’ka, thjesht s’ka asgjë. Nuk është fundi problemit nëse ke gjet punë. Me qeverisjen e re të Vetëvendosjes do të ndryshoj gjithçka për të mirë. Do të respektohet së pari konkursi i cili deri tash nuk është përfillë fare. Sepse siç e dimë konkurset kanë dal veç figurativisht ngase në punë, në të shumtën e rasteve, kanë hy të pameritorët’’, tha ai.

I sapo-aderuari është i idesë se Vetëvendosje do ta hapë rrugën dhe do t’i ofroj vendet e punës atyre që e meritojnë pavarësisht se kush janë ata, qofshin të Vetëvendosje apo partive tjera.

Ndryshe, sipas tij, nuk ka lëvizje përpara, nuk ka zhvillim nëse bëhet seleksionimi jo parimor.

Ai, shtoi se Vetëvendosje nuk është për një mënyrë të qeverisjes e cila ka ndodh deri tash dhe kjo është një shpresë se do t’i ndryshojmë gjërat për të mirë.

E kjo, jo vetëm për ta bërë qarkullimin e parasë lirshëm por edhe të bëhet një ekonomi e qëndrueshme.

‘’Siç e përmenda edhe kur për këta punëtorët që edhe kur punojnë dalin probleme edhe ma të mëdha. Nuk është veç problemi i mungesës së sigurisë por edhe niveli i ultë i pagës minimale. D.m.th ne duhet pasur synim që të përcaktohet një pagë normale për mbijetesë në sektorin privat. Limitin e epërm nuk mund ta përcaktojmë por të ulëtin, gjithsesi. Në këtë mënyrë të ndjehet i sigurt ai që shkon sot në punë, përndryshe nuk do të ecim përpara’’, tha ai.

Një veprim të këtillë, për hir të së vërtetës, janë munduar ta bëjnë edhe partitë tjera, por që, çuditërisht gjithçka harrohej dhe lihej anash. Në disa raste, sidomos qeveria e fundit, ka dhënë sqarimet e saj duke përmend faktin se Kosova ka buxhet të vogël ekonomik por Dauti i rrëzoi këto teori duke thënë se kur ka vullnet dhe dëshirë për punë, hapën rrugët.

‘’Kur ekziston vullneti për të bërë diçka, gjendet rrugët. Kur ka vullnet dhe dëshirë gjendet rrugëdalja. Unë besoj që me Vetëvendosjen do të gjendet rrugëdalja’’, tha ai.

Dauti: Me Serbinë duhet të bisedojmë si palë të barabarta

Serbia nuk u ndëshkua nga Bashkësia Ndërkombëtare për atë se çfarë është bërë në Kosovë. Madje, atë, e favorizoj duke i bërë të barabarta me Kosovën. E krejt kjo, sipas tij, ka ndodh për shkak se pala e Kosovës asnjëherë s’i morri seriozisht bisedimet me Serbinë.

‘’Në njëfarë mënyre lufta me Serbinë ka përfunduar në mënyrë jo natyrale. Serbia e ka humb luftën dhe në historinë e luftërave dhe historinë njerëzore ata të cilët e humbin luftën, ata ndëshkohen. Serbia e ka humbur luftën dhe nuk është ndëshkuar për krimet që i ka bërë. Nga ana tjetër, Bashkësia Ndërkombëtare e ka detyruar edhe Serbinë/ por edhe Kosovën të veprojnë sikur gjithçka është në rregull dhe ne tash të fillojmë bisedimet. Bisedimet nuk kanë pasur sukses, e keni pa deri tash për atë arsye se pala kosovare asnjëherë nuk ka qenë e barabartë me atë serbe. Ne jemi dëshmitar që ka pas disa bisedime dhe janë arritur disa marrëveshje, por Serbia nuk i ka respektuar asnjëherë. Nëse një palë nuk e respekton marrëveshjen atëherë bisedat kanë ndodh kotë’’, tha ai.

Sipas tij, qëndrimi i Vetëvendosjes është që mos të jetë refuzues ndaj bisedimeve me Serbinë.

‘’Me Serbinë ne e dimë që do të duhej të bisedojmë, por duhet biseduar si palë të barabarta dhe të mos jemi vetëm ne ata që do të duhej t’i respektoj marrëveshjet, por të shkojë në mënyrë reciproke’’, tha ai.

Ai, tha se gjatë gjithë kohës pothuajse, përgjithësisht, në grupet e palës së Kosovës nuk ishin njerëzit e duhur.

‘’Kryesisht nuk kanë qenë njerëzit e duhur në anën e Kosovës për të zhvilluar bisedimet, por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi kuadro. Faji qëndron tek qeveritë e mëparshme që i kanë marrë njerëzit e tyre për me marrë paga, e jo për me e kryer punën ashtu siç duhet’’, tha ai.

Për Dautin, nuk është se pala e Kosovës është e dobët, që nuk ka njerëz, por nuk e gjeti mënyrën e duhur për t’u paraqitur si ekip ndaj Serbisë. Në anën tjetër, është e mundshme dhe e besueshme, thotë ai, që Serbia ka ekip të fortë se ata merren me diplomaci pak më herët se ne, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të jemi inferior ndaj tyre.

‘’Nëse e gjejmë rrugën e duhur do të jemi barabartë me ta’’, tha Dauti.

Ai, tha se ka ardhur koha që të mos i jepet më besimi x-personave të caktuar, që identifikohen me UÇK-në. Nuk është halli i pjesëtarëve të UÇK-së, ngase sipas tij, Vetëvendosje do të mund ta përfaqësoj dinjitetshëm luftën.

‘’Njerëzit identifikohen me njërën apo tjetrën parti për shkak të luftës. Por kjo ka ndryshuar. Vetëvendosje njësoj do të mund të përfaqësoj interesat e luftëtarëve apo invalidëve të luftës njësoj si partitë që vijnë nga lufta’’, tha ai.

“Nuk ka shans që të ndodh pasurimi i shpejtë në mënyrë të drejtë”

Kosovën, përveç tjerash, sipas Dautit e rëndoi shumë edhe pasurimi i shpejtë i shumë personave që, pothuajse s’kishin asgjë ndërkohë sot posedojnë miliona.

‘’Nëse dikush, kushdo qoftë, bëhet milioner brenda një afati shumë të shkurtër, dikush duhet ta bëj pyetjen: Ku i more ti ato pare. Familjari mirë do të duhej ta bënte kjo pyetje se dihet vetvetiu që këto pare janë marrë në mënyrë jo ligjore dhe kjo të çon ty tek një e keqe’’, tha ai.

Ai, tha se shoqëria dhe institucionet nuk qenë të gatshme për t’i dalë ballë filan politikanit e ta pyet thjesht: Nga këto para?

‘’Dhe nuk e kemi shtruar asnjëherë çështjen: Me persona që u pasuruan jashtëligjshëm. Nuk ka shans që të ndodh pasurimi i shpejtë në mënyrë të drejtë. Pra me persona që janë milionerë, natyrisht që duhet të ndodh distancimi. Është mënyra e hetimeve nga populli për politikanët apo organeve kompetente që përfaqësojnë popullin. Për fat të keq kjo pyetje nuk është ba se ne e dimë që praktikisht cilët janë ata njerëz që kanë në vitet e mëparshme pa asnjë lekë në xhep dhe tashti kanë miliarda e miliona’’, tha ai.

Pas këtyre zgjedhjeve, me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet do të ndryshojnë gjërat dukshëm. Përveç kësaj, ai është i mendimit se do të krijohet një shoqëri e re që do t’i ndëshkoj ata që e kanë keqpërdor rrugën normale të zhvillimit ekonomik.

‘’Zhvillimi i ndërdijës të njeriut mund të ndikohet edhe nga politika. Nëse hapet rruga në politikë apo qeveri, kur ta shohin njerëzit që edhe qeveria e politikanët janë kundër pasurimit të shpejtë, atëherë edhe populli e ndryshon mendimin dhe ta përkrahë qeverinë dhe instiktivisht populli ndryshon për të mirë’’, tha ai.

Albini nuk i përjashtoi të pakënaqurit

Lëvizja Vetëvendosje, fitoi fuqi politike bukur të madhe në vitin 2017, por, pas kësaj, pësoi një tronditje me braktisjen e kësaj partie nga disa persona, të cilët ishin pjesë e saj që nga koha edhe kur u krijua.

Dauti, tha se në fillim ndoshta mund të jetë dukur tragjike, por se tash ka kaluar gjithçka dhe se braktisja e tyre nuk vihet re fare.

‘’Përçarja në Vetëvendosje nuk ka ndodh për shkak të Albinit. Ata kishin një problem tjetër që për mua nuk është i qartë ende problemi i tyre. Ata në fakt u tërhoqën vet. Albini nuk i përjashtoj ata. Ajo ishte një veprim i tyre i palogjikshëm dhe që edhe sot e kësaj ditë s’e kam të qartë. Për sa kam mujt me biseduar me njerëz dhe lexuar nga shtypi, nuk e kam të qartë por di që Albini nuk i ka përjashtuar ata’’, tha ai.

Për fund, Dauti, sidomos për qeverinë e fundit, tha se ishte totalisht e papërgjegjshme. Ai, tha se, taksa e vënë ndaj produkteve serbe, ishte thjesht një veprim për të ra në sy më shumë dhe jo një vendim që presupozohej të ishte në të mirën e vendit.

‘’Taksa ishte euforike dhe se po tregohet qartë se nuk ka pas efektin e duhur. Mallrat serbe vazhdojnë të jenë prezente. Madje, vënia e taksës ishte gabim për shkakun se, gjithë ai mall që hyn brenda nuk taksohet tek shteti po tek xhepat e personave të caktuar’’, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat