BIK-u e shkarkon imamin nga Peja, ai e pret liberalizimin e vizave për ta lëshuar Kosovën

Intervista

BIK-u e shkarkon imamin nga Peja, ai e pret liberalizimin e vizave për ta lëshuar Kosovën

Më: 2 shtator 2019 Në ora: 15:11
Drilon Gashi

Imami nga Peja Drilon Gashi të cilin Bashkësia Islame e Kosovës me vendim të Myftiut Naim Tërnava e shkarkoi me datë 29 gusht 2019, në një intervistë për  Express ka folur rreth vendimit të BIK-ut për shkarkimin e tij si imam në xhaminë e fshatit Vitomiricë të Pejës. Imami Gashi ka thënë se BIK-u është rreshtuar krah organizatave ekstremiste që nuk pranojnë mendimin ndryshe. Ai ka treguar tri nga nga arsyet pse Bashkësia Islame e Kosovës e suspendoi nga puna.

Gashi është shprehur se një jofetar i drejtë është më i mirë te Zoti se një mysliman zullumqar. Ai po ashtu ka thënë se nuk beson se drejtësia në Kosovë do të vendosë në favor të tij edhe nëse i padit BIK-un në gjyq. Gashi ka deklaruar se pas suspendimit nga puna do të pres liberalizimin e vizave për të ikur nga Kosova.

Në vendimin e BIK-ut për ndërprerjen e kontratës së punës përmendet edhe arsyetimi se deklaratat e juaja kanë shkaktuar pakënaqësi në territorin e Kosovës. A mendoni se BIK-u iu ka referuar gabimisht të gjithë popullit të Kosovës si të pakënaqur me qëndrimet e juaja?

Gashi: Nuk është e vërtetë që unë kam shkaktuar pakënaqësi në tërë territorin e Kosovës, përkundrazi, në adresën time kam mbi 500 mesazhe miradije, si f.v.:

“Jam shumë krenar që edhe në Kosovë paska kësi hoxhe si ju…
Shyqyr Zotit që ju gjeta, sepse disa hoxhallarë gati se më patën qitë feje…
Pashë që ju jeni një hoxhë shqiptar, mendjehapur, multidimensional dhe tepër i arsyeshëm, e jo ligjërues dogmatik.
Ju përgëzoj për qasjen, guximin dhe ambicien.
Nuk kuptoj si ka mundësi që ju me qenë pengese për Bashkësinë islame!
Zoti të dhënt durim, se nuk është e thjeshtë të meresh me një popull si i joni.
Mos u dorzoni kurrë dhe mos lejoni që tju frikësojnë, sepse ju jeni në rrugë të drejtë dhe koha do të punojë për ty.
E vërteta nuk mund të triumfojë pa një dozë të theksuar të guximit.
Të uroj shëndet dhe gjitha tmirat në jetë.
Do ta keni përkrahjen dhe respektin tim gjithmonë”…

Kur shoh mesazhe të tilla përgëzuese, marr jetë dhe energji pozitive për të vazhduar më tutje.

Është e vërtetë që një pjesë e madhe e popullit tonë janë lodhur nga ligjërimet e hoxhallarëve dogmatik, të cilat nuk po pjellin tjetër pos urrejtje, përçarje, antikombëtarizëm, islam politik që –sipas meje- është më i rrezikshëm se lufta serbe ndaj shqiptarëve. Keni me e thënë në të ardhmen: DRILONI NA KA THËNË.

Në arsyetimin e tyre shkruan se edhe kolegët imam janë ankuar, gjë e cila nuk është e vërtetë. Asnjë deklaratë e shkruar nuk ekziston që koleget e mij të cilët janë anëtarë në këshillin e kryesisë së Pejës, që dëshmon se janë ankuar kundër meje. Janë vetem pollavra te Enes Gogës dhe Muzli Arifajt. E vërteta qëndron se këshilli i Pejës nuk ka në dorë asgjë dhe tjetër kush vendos aty. Gënjeshtra, manipulime dhe mashtrime të tilla ka pas edhe ma heret. Zatën për shkak të kësaj, ata janë intervistuar edhe nga policia e Kosovës.

Në fillim pata marrë edhe një mori vërejtjesh, me pretekstin se xhemati i xhamisë janë ankuar kundër meje,  por kur kam pyetur xhematin e xhamisë dhe lagjes përreth, që të gjithë më kanë përkrahur, bile ata patën mbledhur edhe dy peticione si revoltë e shkarkimit tim. Por nën këtë sistem, peticionet nuk ka vlerë.

Ka edhe shumë hoxhallarë që pajtojnë me idetë e mia, ma kanë thënë vet, por ata nuk e kanë guximin e reagimit dhe publikimit të asaj që mendojnë. Jo vetëm kaq, por disa prej tyre ngurrojnë që të dalin edhe në ‘selfie’ bashkë me mua, nga frika se do t’i gjejë ajo që me gjeti mua.

Tmerr, padrejtësi, jodemokraci, komunizëm, tamam sikur në kohën e partisë.

A mendoni se vendimi i BIK-ut për përjashtimin e juaj nga puna është antikushtetuese përshkak të cenimit të lirisë së mendimit dhe shprehjes?

Gashi: Çdo institucion, parti, kompani, etj. ka ligjin dhe rregulloret e saja të punës, dhe ti –për sa kohë që punon me ta- duhet t’i rrespektosh ato dhe hierarkinë. Është dyftyrësi që të sillesh arrogant ndaj asaj që t’i ke nënshkru me dorën tënde.

Mirëpo, askund në kushtetutën dhe rregulloret e BIK-ut nuk shkruan që mendimi islam ka stagnuar, apo se në qoftëse e pranon Teorinë e Evolucionit dhe shkencën ti do të largohesh nga puna, perkundrazi.

Vërejtjet dhe shantazhimet e tyre fëmijërore kundër meje filluan që prej ditës së parë të emërimit tim si imam në Xhami, derisa u ftova në Komisionin Disiplinor.

Myftiu Naim Terrnava dhe Kryeimami Sabri Bajgora kanë qenë të informuar paraprakisht për këto mendime. Nuk është e arsyeshme që për të njëjtat, të shkarkohem pas dy viteve e gjysmë pune.

BIK-u me këtë vendim ka treguar se nuk respekton mendimin e lirë dhe laicitetin e shtetit të Kosovës. Jo vetem qe operon si institucion antikushtetues, por edhe promovon veten si mbikushtetues. 

Pse unë nuk bën ta shpreh një mendim në facebook apo YouTube, e hoxhallarët e tjerë të kenë të drejtë të hapin radio e televizione?!

Mua më është cënuar liria e mendimit dhe e shprehjes.

Vetëm pse pranova evolucionin dhe postova disa shkrime në internet të shkarkohem nga puna?!Kjo është krim.

A është Bashkësia Islame sipas jush përkrahëse e doktrinës vehabiste?

Gashi: Me këtë veprim, BIK-u është rreshtuar krah organizatave ekstremiste, që nuk janë në gjendje ta pranojnë mendimin ndryshe, por dështirojnë tua imponojnë të tjerëve me forcë.

Çdo mendim tjeter jasht kornizave te mentalitetit dhe njohurive e bindjeve te tyre, ata e përkthejnë si shkelje të fesë, thua ti se vetëm ata janë poseduesit e të vërtetës absolute, njëjtë sikurse Vehabitë.

BIK-u, përkundrazi po mundohet të rehabilitojë ideologjinë vehabiste, e cila kohë më parë i qoi bijtë dhe bijat tona në ISIS. Vehabistët sot kanë zënë pozita kyqe në këtë institucion, ndërsa për mua nuk mund të ketë as edhe një xhami në një fshat siç është Vitomerica.

Nuk kam menduar që në vendin tonë, Islami radikal të fitojë mbështetje të gjerë si tani.

Në momentin kur ne kundërshtojm interpretimin e tyre , ata na akuzojnë që kemi kundërshtuar Kuranin! Kjo është metodologji dhe mendësi ISIS-te.

Me të njëjtin pretekst, sundimet monarkiste zullumqare i kanë përsekutuar e vrarë mendimtarët dhe filozofët e dalluar përgjatë gjithë historisë.

Cilat janë pikat kyçe ku ju nuk pajtoheni me Bashkësinë Islame rreth interpretimit të fesë?

Gashi: Bazë e fesë islame është Kurani, por rreth tij më pas janë formuar shumë sekte dhe ka shumë interpretime. 

Kurani thërret në ‘ixhtihad’, në përdorimin e mendjes dhe racionalitetit dhe kundërshton imitimin e verbër të etërve. Ndërsa BIK-u po vazhdon të jetë pre e disa interpretimeve sektare të vjetra, të kohës para osmane dhe nuk pranon ixhtihadin.

Në vendim, ata kanë përmendur tri gjëra si më kryesoret, në të cilat -sipas tyre- unë paskam mohuar fenë!

1-Pranimi i evolucionit, që sipas tyre i bie që njeriu e paska prejardhjen prej majmunit.

Mirëpo unë asnjëherë në jetën time nuk kam thënë dhe as që kam besuar se njeriu e ka prejardhjen prej majmunit apo se Zoti nuk e ka krijuar njeriun. Kjo është injorancë e tyre dhe paragjykim.

Evolucionin që kam pranuar, është Evolucioni Teistik, pra nuk kam mohuar Zotin, por kam thënë që Zoti ka përdorur Evolucionin si ligj bilogjik për të krijuar speciet e gjalla, siç e thonë të gjitha qarqet zyrtare të shkencës bashkohore.

Ku është problemi këtu?

Ne kemi nevojë të heqim dorë nga shenjat e injorancës që varen mbi kokën tonë dhe duhet të jemi mjaft modest për sa i përket të dhënave shkencore.

BIK-u duhet të përgatitë kuadro që e studjojnë islamin komfor të arritura shkencore te kohes dhe drejt vlerave te pluralizmit modern.

2- Arsyeja e dytë -sipas tyre- qenka mohimi i xhinëve, shejtanit dhe sehireve.

Ajo që unë kam deklaruar, është se fantazmat, shtrigat dhe magjia janë bestytnij dhe legjenda të cilat nuk mund t’i mvishen Kuranit.

Në të kaluarën pleqtë tanë, nga padituria, shumë dukuri i kanë quajtur “prekje e xhinit”, ndërsa sot është zbuluar se ato janë si shkak i hipnozës, epilepsisë, sëmundjeve dhe çrregullimeve tjera të njohura në shkencë dhe mjekësi.

Disa sëmundje të caktuara konsideroheshin të jenë shkaktuar nga shpirtrat e këqinj, por më vonë, u provuan të jenë baktere ose viruse.

Të gjithë ata yshtës dhe namatisës që pretendojnë se bëjnë sehire apo magji të bardha, të zeza apo të verdha, nxjerrin djaj nga trupi dhe shërojnë të çmendurit apo të “xhindosurit” nga prekjet, të gjithë ata pa përjashtim, ose janë injorantë për mjekësinë bashkohore, ose gënjeshtarë të paskrupullt që i mashtrojnë njerëzimin dhe u marrin lek paushall.

Hoxhallarët që u besojnë rrenave të këtyre tipave, kanë rënë pre e mashtrimeve të tyre dhe neper emisione me ta nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se ua shtojnë atyre edhe më shumë xhematin simpatizantë, vizitat dhe paratë.
Sehiret edhe sipas dijetarëve që Bashkësia Islame pretendon se i ndjek, Ebu Hanife, Ebu Jusufi dhe Muhamed ibën Hasen Shejbani, nuk janë hak dhe nuk kanë realitet. Realiteti i vetë i tyre është se ato janë bartje fjalësh, trika hesapi dhe mashtrim syri.

Këtë qëndrim e përkrahin qindra dijetarë klasik dhe bashkëkohorë. Nëse unë paskam bërë kufer -siç më kanë akuzuar- pse paskam mohuar realitetin (hakikatin) e sehireve, atëherë qafirë qenkan edhe gjithë këta dijetarë!

Hoxhallarët që pretendojnë se xhindi është gogoli apo shpirtrat e padukshëm, nuk kanë argument kuranor.

Fjala ‘xhinn’ e përdorur në kuran, sipas fjalorëve të gjuhës arabe nënkupton çdo krijesë të panjohur, të largët, gjallesën që jeton larg teje zakonisht. Pra si nocion përdoret për çdo gjë që ka konotacionin e fshehjes, padukshmërisë, izolimit dhe largësisë. Mund t’i thuhet njeriut të huaj, por përdoret edhe për krijesat e tjera të cilat jetojnë të fshehura si f.v. gjarpëri, qeni, pleshti, bakteri, etj.

Nuk jam i vetmi që kam dhënë këtë interpretim. Muḥammad Abduh, një jurist egjiptian islam, studiues fetar dhe reformator liberal, që ishte një nga figurat themelore të Modernizmit Islamik, para pesëdhjetë viteve ka menduar kështu. Mendoj që Bashkësia Islame ka nevojë për librat e këtij iluministi, e në veçanti për revistën ‘Al Menar’.

3-Pika tjetër që ma kanë zënë për të madhe është deklarata ime që edhe jomuslimanët mund të shkojnë në parajsë.

Ajo që kam thënë është se budisti, çifuti, i krishteri dhe të tjerët, mund të shpetojnë, nëse ata respektojnë moralet njerëzore dhe nuk u arrin fytyra e vërtetë e fesë, për arsye se Zoti nuk e obligon askënd përtej mundësisë së tij.
Shumica e atyre që ne i quajmë (qafira-mohues) në të vërtetë nuk janë qafira, sepse qafiri është ai që përgënjeshtron dhe mohon pas diturisë, e ata nuk kanë ditur që të përgënjeshtrojnë, sepse ne nuk e kemi paraqitur e as përfaqësuar islamin në mënyrën e duhur.
Emërtimi fetar sheriatik i duhur në të drejtën e atyre që ne i quajmë (qafirë) duhet të jetë (njerëz) e jo ‘apostat’.

Nuk lejohet që ta quajmë mohesin qafir derisa të sigurohemi që ia kemi paraqitur atij islamin me një paraqitje të vërtetë dhe të saktë, e jo paraqitje të shtrembëruar. Nëse ia kemi paraqitur islamin e shtrembëruar, ai është i arsyetuar gjithashtu.
Kjo nuk do të thotë që Zoti nuk do t’i gjykojë atë për vrasjen, zullumin, vjedhjen dhe krimet e tjera që i kanë bërë, sepse këto krime nuk arsyetohen sipas natyrshmërisë, logjikës dhe kodit njerëzor. Ata sigurisht që do të merren në llogari për këto krime.
Kombet dhe popujt e tjerë janë të arsyetuar pse nuk janë myslimanë, sepse ata nuk po shohin të myslimanët tjetër gjë pos vrasje, shkelje të të drejtave, shtrembërim të njerëzores, gënjeshtër dhe racizëm, e këto gjëra nuk janë feja e Zotit, absolutisht.

Kjo është ajo që kam thënë, dhe kështu thotë edhe Kurani, nëse ju e lexoni me vemendje.

A mendoni se udhëheqësit e BIK-ut kanë qasje fashiste dhe raciste ndaj ateistëve në Kosovë?

Gashi: Sa i përket ateistëve, ata nuk janë të njëjtë.

-Një  lloj prej tyre është arrogant, nuk bën hulumtim dhe mohon në atë mënyrë që mundohet të tallet me fetë dhe të vërtetat. 
-Në mesin e tyre kemi edhe kërkuesin serioz që vdiq para gjetjes së përgjigjeve dhe kurrë nuk e lëndonte askë.

A nuk ndryshojnë?

Është shumë e çuditshme me disa njerëz dhe hoxhallarë që pretendojnë t’i kenë marrë çelsat e ahiretit në dorën e tyre e të cilët deklarojnë se filan jomyslimani do të jetë midis xhehenemit, kur ata nuk dinë se çfarë kishte në zemrat e tyre. Kjo me të vërtetë është një çasje fashiste ndaj krijesave të Zotit.

Këta hoxhallarë nuk janë në gjendje të polemizojnë në mënyrë njerëzore me kundërshtarët e tyre, e lerë më me ateistë, sepse konsiderojnë që vetën ata janë bijtë e Zotit në tokë.

Kush janë ata njerëz që marrin rolin e Zotit dhe i gjykojnë krijesat e tij qysh se në këtë botë se ku do të jenë në Ditën e Kiametit?! 

Allahu xh.sh. është Zot i gjithë njerëzimit e jo vetëm Zoti i Myslimanëve. Kur’ani është për të gjithë njerëzimin. Në Islam dhe në Kuran ekziston univerzaliteti. Më i miri te Zoti është ai që është ruajtur nga zullumi dhe ka qenë i devotshëm, e jo ai që thjeshtë ka dëshmuar me fjalë goje se është mysliman.

Doktrina e tyre nuk është domosdoshmërisht kushtetuta nën të cilën punon Zoti i Botëve.

Sipas asaj që kam kuptuar nga Kurani, më parë do të digjen në zjarr ata klerikë e hoxhallarë që në emër të Zotit dhanë delikte fetare për vëllavrasje dhe shkatërruan vendet e tyre me luftëra sektariste, sesa ajo gruaja e ndershme në Japoni që nuk i bëri zullum askujt, apo Ummu Kulthum (Nexhmije Pagarusha e arabëve) që përmes këngës së saj futi në zemrat e njerëzve harenë dhe lumturinë.

Pra, një jofetar i drejtë është më i mirë te Zoti se një mysliman zullumqar që mundohet ta mashtrojë Zotin dhe popullin me një fjalë goje apo agjërim Ramazani.

Për sa kohë ka qenë e caktuar kontrata juaj e punës të cilën e ka ndërprerë BIK-u?

Gashi: Kontrata që pata nënshkruar, më vonë kuptova që ishte një kontratë e cila nuk bazohet në ligjin e punes, edhe pse ne kushtetutën e BIK-ut shkruan se BIK vepron sipas ligjeve te shtetit.

Kontrata ka qenë deri më 31 dhjetor 2019, por kur më kanë suspenduar, më kanë suspenduar deri më 1 prill 2020, me çka edhe e kanë konfirmu se unë do të jem në punë me dy të tretat e pagës deri me 1 prill 2020.

Si duket, ju paskan dhimbsur ato 250 eurot që po i merja dhe më përjashtuan totalisht në këtë kohë, në kohën kur vendi ynë po përballet me fushatën elektorale dhe zgjedhjet e parakohëshme.

A do të ndërmerrni masa ligjore kundër vendimit të BIK-ut për përjashtim nga puna?

Gashi: Jam i zhgënjyer edhe prej drejtësisë në Kosovë. Unë para një kohe, kur më suspenduan, bëra një ankesë në Inspektoriatin e Punës, por ajo mu kthye negative.

Edhe nëse do t’i padis në gjyq për mohimin e të drejtës dhe lirisë individuale të shprehjes, nuk besoj që do të ketë ndonjë efekt.

Jam i martuar dhe kam pas vetes edhe tre fëmijë. Deri më tani po jetoja me qera. Nuk shoh më asnjë perspektivë në vendlindjen time, përpos atë ditë kur të bëhet liberalizimi i vizave, edhe të iku diku larg, siç emigroi edhe vëllau im. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat