Driton Selmanaj: Albin Kurti gaboi, LDK nuk do të tradhtojë besimin e elektoratit 

Intervista

Driton Selmanaj: Albin Kurti gaboi, LDK nuk do të tradhtojë besimin e elektoratit 

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 6 shtator 2019 Në ora: 08:25
Driton Selmanaj

Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Bota sot”, ka thënë se qeveria e PAN-it ishte një nga qeveritë më të këqija që nga paslufta. Madje, ai, ndër të tjera, tha se kjo qeveri ishte e ngjashme me qeverinë e parë të pasluftës.

Selmanaj, deklaroi se, pritjet për një fitore bindëse të LDK-së janë shumë të mëdha dhe se në koalicionet pas-zgjedhore, është e preferuar Lëvizja Vetëvendosje.

Më tej, Driton Selmanaj, theksoi se letra e Albin Kurtit e dërguar për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ishte jo serioze dhe dashakeqëse. Ai, tha se Kurti, nuk është dashur të sillej ashtu, e veçmas jo nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Bota sot”: A mund të na thoni si u qeverisë vendi përgjatë dy viteve nga koalicioni PAN?

Selmanaj: Qeverisja e PAN-it edhe për nga logjika qeverisëse edhe nga përbërja është e njëjta me qeverinë e përkohshme të pasluftës në Kosovë. Edhe njerëzit e mbajnë në mend qeverisjen e atëhershme dhe cilat kanë qenë dobitë e asaj qeverie. Nuk ka pas kurrfarë dobie përkundrazi ka pas dëme të cilat edhe sot pas 20 vitesh nuk kemi arritur me dhanë adresë, me i dhanë zgjidhje. E tashti, qeveria e përkohshme e vitit 1999-2000 na erdhi e u instalua në 2017-tën. Dhe normalisht e vazhduan aty ku e kishin lënë: abuzimin maksimal me paranë publike, abuzimin maksimal me gjithçka që lidhet me shtetësinë e Kosovës dhe me të mirën publike në Kosovë. D.m.th, përpjekjet e tyre ishin që ta ndajnë hisen në ministritë e tyre dhe secili të plaçkisë sa mundet në mënyrë që t’i mbushin xhepat e tyre bosat e partive politike. Unë mendoj, që kjo qeveri 2017-2019 ka qenë ndër më të këqijat ose ndoshta jo më të këqijat. por më e keqja në historinë e parlamentarizmit dhe demokracisë në Kosovë. Uroj që kurrë kjo të mos përsëritet sepse logjikë të tillë të keq menaxhimit Kosova nuk ka pasur asnjëherë. Dëmet që janë i shkaktuar Kosovës në çdo aspekt pothuajse si në raport me BE-në, si me SHBA-në, si me shtetet mike të Kosovës dhe po ashtu në kontekstin e brendshëm një degradim qeverisës. Prandaj kjo ishte qeveria më e keqe dhe që uroj të Kosova të mos ketë fatin që kurrë të mos ketë një qeveri të këtillë.

“Bota sot”: Ramush Haradinaj e ofroi dorëheqjen për shkak të thirrjes nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Ndërkohë, ende pa u mbyll çështja, ai rikandidoi përsëri. Cili do të ishte komenti juaj?

Selmanaj: Kjo s’ka pasur lidhje me Gjykatën Speciale. Dorëheqja apo largimi i tij ka ndodhur për shkak se ai e ka parë që është çështje javësh që ai do të rrëzohet. Dhe kur e ka nuhatë rrëzimin ai ka zgjedh që të shitet si viktimë në popull në kuptimin që: Ja për shkak të Gjykatave unë detyrohem të largohem se përndryshe unë jam i mirë dhe e dua Kosovën. Kjo është hipokrizi e tij. Nuk ka qenë fare e vërtet që ai për këtë arsye dha dorëheqjen. Përkundrazi ai ka dashur ta shfrytëzoj për konsum të brendshëm politik dhe kjo është sjellje e ultë prej politikanit sepse nëse ki dhanë dorëheqje për intervistë, atëherë si ka kuptim që të vazhdosh e të pretendosh të marrin përsëri postin e njëjtë? E dimë që gjykatat kanë procedura, prokuroria kur fillon fazën e intervistimit mund të shkojë ndoshta me vite deri në gjykimin final. Po për shkak të një interviste në cilësinë e të dyshuarit dhe të rikandidosh prapë është hipokrizi. Sikur z.Haradinaj do të thoshte se unë po japë dorëheqje dhe deri sa të pastrohem plotësisht me drejtësinë unë s’do të jem pjesë e garës politike, kjo do të kuptohej drejtë por loja e tij e cila u sill, është një lojë prefide. Kjo ishte një aventurë krejtësisht të brendshëm politikë dhe që s’ka të bëj fare me parime.

“Bota sot”: Pamë një entuziazëm të madh për koalicionin LDK-Vetëvendosje. Ndërkohë që ky koalicion nuk u realizua në këtë fazë. Cili është komenti juaj për letrën e kryetarit të Lëvizjes Albin Kurti drejtuar z.Isa Mustafa?

Selmanaj: Në fakt kishte një bashkëpunim të mirë opozitar në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes në Parlamentin e Kosovës dhe shumë njerëz kanë pritë që opozita aktuale të kthehet në qeverinë e ardhshme e Kosovës. Dhe nga frika e situatave të kaluara ku pesë minuta pa u bërë dymbëdhjetë arriheshin koalicione, atëherë njerëzit kërkonin që kjo të ndodhte në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ne kemi shprehur gatishmëri që t’jemi bashkë dhe me një listë të përbashkët por normalisht për LDK-në, posti i kryeministrit ka qenë i panegociueshëm. Kjo s’i ka pëlqyer Lëvizjes Vetëvendosje sepse si duket ata kanë menduar që të bëjnë pazare politike me LDK-në. Dhe letra publike pas takimeve shumë miqësore që kanë ndodh mes z. Kurtit dhe z. Isa Mustafa mendojmë që ka qenë një lojë e tyre sepse nuk arrihen marrëveshjet me letra publike. Takimet miqësorë të filluara e të vazhduara në mes të dy liderëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes është dashur të përfundojnë me takime miqësore sepse shihet një mundësi që LDK-ja dhe Vetëvendosje të qeverisin bashkë. Por tendenca me të kaluar në publik përmes rrjeteve sociale është shprehje e tendencës së tyre për të mos ndodh ajo, për të mos ndodh koalicioni. Sepse kërkesa e z. Kurtit ishte që ne të hapnim front në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes e jo me PDK-në e partitë tjera. Ka dashur ta transformoj garën me të tjerët në garë mes nesh. Ka qenë i gabuar hapi i Albin Kurtit. Vendimi LDK-së ka qenë shumë i drejtë dhe koha po e dëshmon që ka qenë vendim i menduar dhe i analizuar mirë.

Për fat të mirë, populli e lexoj drejtë dhe e kuptoj drejtë qëllimin e tij.

“Bota sot”: A do të ndikoj keq kjo tek elektorati i LDK-së?

Selmanaj: Jo, përkundrazi. Unë mendoj që elektorati i LDK-së e ka parë vendosmërinë e LDK-së dhe sikur po i jep legjitimitet LDK-së që sillu me dinjitet e integritet në raport me të gjithë sepse s’mund të tjerët të na përcaktojnë rregullat e lojës. Ne jemi parti serioze që do të festojmë së shpejti 30 vjetorin dhe të tjerët ndoshta edhe dy dekada s’mund ta mbërrijnë në moshën që sot e kemi. Ndoshta papërvoja e tyre politike bën që bëjnë sjellje shpesh herë edhe jo racionale por do ta marrin përgjigjen sa herë kërkohet, një përgjigje pra të vendosur nga LDK.

“Bota sot”: Po për reagimet e Vetëvendosjes pas mosarritjes së koalicionit parazgjedhor, do të mund të na thoni diçka?

Selmanaj: Në fakt ata vazhdimisht kanë kërkuar që një prej kandidatëve të mundshme të LDK-së, të ishte Vjosa Osmani. Ata kanë pasur bindjen që kjo s’mundet të ndodh. Prandaj e kanë marrë me shumë sportivitet duke menduar se do të jenë figura që mund të mos jenë të pranueshme për ta. Në momentin kur kemi vendos për Vjosa Osmanin atëherë i kemi gjet të papërgatitur. Prandaj, kanë provu të kapitalizojnë diçka nga ai moment politik por kanë gabuar, mendoj që kanë gabuar. Dhe koha po e dëshmon që njerëzit sot dinë të gjykojnë dhe vlerësojnë. Po i lexojnë shumë lehtë çfarëdo përpjekje të pasinqertë dhe jo serioze që dikush – dikush i bën në momentet e caktuara.

“Bota sot”: Si do të mund të shkoi situata në koalicionet paszgjedhore?

Selmanaj: Gjithçka varet se si Lëvizja Vetëvendosje vendos të sillet në fushatë. Ne si LDK kemi ftuar të gjitha subjektet politike që të sillen në përputhje me një kulturë politike, të respektojmë njëri tjetrin dhe më pasur të ecim tutje. Pra gjithçka varet nga sjelljet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga diskursi që zgjedh. Për neve referinciale mbetët Lëvizja Vetëvendosje në koalicion paszgjedhor.

Ne si Këshill i Përgjithshëm kemi vendos vija të kuqe që në asnjë variant as parazgjedhor e as paszgjedhor të ketë koalicion me PDK. E kemi përjashtuar mundësinë që Lidhja Demokratike e Kosovës të ketë koalicion me PDK-në. ndërkohë me të tjerët jemi të hapur, por me një dozë preferenciale me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Bota sot”: Kreytari i PDK-së çdo ditë përmend luftën ndaj korrupsionit si dhe partia tjetër, AAK-ja përmend se i duhen Kosovës për të qenë 100% shtet. Çfarë mund t’na thonit për këtë?

Selmanaj: Është qasje qesharake e tyre. Kjo është përpjekje për të fyer inteligjencën e këtij populli. Një çasje hipokrite e PDK-së. PDK-ja në Kosovë ka kultivu korrupsionin dhe elementet e tjera të grupeve kriminale në vend. PDK-ja ka instalu sistem të hajnisë, të kleptokracisë në të gjitha poret e jetës në Kosovë. PDK-ja është çka investon më së shumti që korrupsioni të jetë kulturë e sjelljes në Kosovë. Dhe tashti, figurat e njëjta, të thirren që ne do ta luftojmë korrupsionin, është jo vetëm mosbesuese por kjo i bie sikur ujkut t’ia besosh kopenë e deleve. D.m.th kjo është aq e pakuptimtë, është thjesht një situatë tragjikomike. Por e rëndësishmja është që populli po e kupton dhe po qesh me këtë me këtë slogan qesharake të PDK-së. Ndërkaq, ata të tjerët që thonë se jemi njëqind për qind shtet, është mirë të jenë të qëndrueshëm e të thonë se jemi njëqind për qind për ta mjelë, vjedh e plaçkitë shtetin e Kosovës.

“Bota sot”: A mendoni se do të jeni favoritë në zgjedhjet e 6 tetorit?

Selmanaj: Qeverisja dyvjeçare e z. Mustafa ka tregu një kulturë tjetër qeverisje në Kosovë sepse për herë të parë LDK-ja ka qevërise dhe ka vendos një standard shumë më të vlerësueshëm të qeverisë. Më pas shkatërrimi që i ndodhi Kosovës nën qeverisjen e PAN-it. Trendi është tejet pozitiv që LDK-ja ka shumë mundësinë që të jetë bindshëm e para dhe më pasur ka mundësi të qeverisë me vendin. Unë jam i sigurt që LDK-ja po rritet për shkak të qeverisjes mirë që kishte Isa Mustafa dhe për shkak të keqqeverisjes së këtyre tjerëve. LDK-ja është e vetmja shpresë. Ne vetëm një gjë duhet të kemi parasysh: Të kemi kujdes dhe që këtë besim të popullit ta kthejmë me punë dhe me veprime konkrete. Ndryshe, me produktivitet maksimal për të përmirësuar jetën e njerëzve në Kosovë. Në Kosovë sot problemin themelor e kemi si ta kthejmë shpresën për të jetuar në Kosovë sepse këtu është mbytë shpresa për një jetë të dinjitetshme në Kosovë. Kosova është e jona dhe se ky vend meriton respekt dhe një qeverisje më të mirë dhe që do të ketë mundësi njerëzit e saj të projektojnë të ardhmen e vet.

“Bota sot”: I përmende të gjitha këto. A ka kuadër LDK-ja që, të bëj gjithë këto që thatë më sipër?

Selmanaj: LDK-ja ka kuadër. Jo vetëm këta që po shihen në televizion por janë një plejadë e madhe që janë prapa LDK-së, që s’iu ka dhënë mundësia për të dalë në televizion, por që në fakt punojnë shumë ndershmërisht për LDK-në. Prandaj, kjo ka pru bindjen tek njerëzit që LDK-ja është e vetmja shpresë, jo që flet por që kujdeset shumë për Kosovën. Po të mos ishte LDK-ja, respektivisht aktiviteti i saj opozitar, sot do t’i kishim raportin e tmerrshëm me ndërkombëtaret. Do ta kishim të ndarë Kosovën. Do ta kishim kufirin tashmë të vendosur në lumin Ibër, për mos me thanë edhe më këndej. Krejt këto përpjekje të errëta për Kosovën, LDK-ja i ka ndalë.

“Bota sot”: A ekziston mundësia qoftë dhe minimale të realizoj koalicionin LDK-ja me PDK-në, apo LDK-ja ka vijë e kuqe për PDK-në?

Selmanaj: Absolutisht që do të zbatohet. LDK-ja në një rrethanë tjetër, ka pasur  vendim tjetër që ka qenë në kundërshtim me kërkesën e elektoratit dhe që ka shku në koalicion me PDK-në. Përkundër që LDK-ja ka qeverisë mirë, është trajtu keq nga PDK-ja. Prandaj unë mendoj që ka qenë rasti i fundit që LDK-ja i ka dhanë mundësi bashkëpunimit me PDK-në. Ka marrë fund gjithçka një herë e përgjithmonë me PDK-në për një periudhë të gjatë kohore. Për aq kohë sa ajo parti të shëndrrohet vërtet në parti politike e jo me këto çfarë është sot. PDK-ja më së paku është parti politike. Jam i bindur që LDK-ja në asnjë variant nuk do të tradhtoj besimin e elektoratit.

 “Bota sot”: Çfarë do të ndodh me LDK-në, nëse populli nuk ua beson votën?

Selmanaj: Ne, nëse eventualisht populli Kosovës nuk na jep votën për të qeverisur me Kosovën, më mirë është të vazhdojmë në opozitë por assesi me PDK-në. PDK-ja e ka dëshmuar që është shkatërruesja e shtetit të Kosovës edhe si e tillë ajo meriton që të jetë në opozitë për një kohë shumë të gjatë. Me partitë tjera është e hapur LDK-ja. Edhe më AAK-në edhe me Nismën por gjithmonë ka një dozë preferenciale me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Bota sot”: Cila do të duhej të ishte qasja e LDK-së në raport me dialogun me Serbinë?

Selmanaj: Ne kemi përpiluar një platformë brenda LDK-së. Dialogu është e vetmja formë e cila mund të rezultojë me paqe reciproke por assesi nuk guxojmë që për hir të paqes të cenojmë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Kufijtë për neve janë të pandryshueshëm. Unitaliteti i shtetit në kontekstin e sistemit politik të ndërtuam tashmë është i paprekshëm dhe do të duhej të përfundoj me njohjen reciproke. Nuk ka formë tjetër që LDK-ja e shef në kontekstin e dialogut.

“Bota sot”: Po për taksën që e vuri qeveria e mëparshme?

Selmanaj: Për LDK-në, mënyra si është vënë taksa ka qenë shumë diskutabile. E pamenduar dhe e pa analizuar mirë. Por tash ne kemi një fakt: taksa ekziston, taksën e kemi dhe si e tillë LDK-ja nuk do angazhohet që kjo taksë të hiqet shpejtë. Taksa është aty por do të duhej të mendonim për masa reciprociteti. Çfarëdo që Serbia sjellë ndaj Kosovës ne të sjellim ndaj saj. Deri sa Serbia nuk ndërron qasje. Në momentin kur ndërron qasje, është një situatë tjetër dhe atëherë do të mendojmë për veprimet tona politike.

“Bota sot”: A ka ndonjë metodë të caktuar për adresimin e krimeve të luftës për të patur minimalisht një kërkim falje nga Serbia?

Selmanaj: Ne, në fakt fillimisht e kemi Gjykatën Speciale e cila do të trajtoj një pjesë të krimeve të luftës e pasluftës e po ashtu në Kosovë e kemi prokurorinë dhe gjykatat të cilat është desht të merren e të adresojnë krimet e luftës. LDK-ja do të angazhohet që prokuroria dhe gjyqësia e Kosovës të bëjnë punën e saj të pavarur dhe pa ndikime politike. Në mënyrë që të gjitha ato krimet të cilat janë zhvilluar gjatë dhe pasluftës duhet të marrin adresimin e saj por gjithsesi në funksion të arritjes së paqes reciproke në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në ndërkohë sigurisht do të kërkohet diçka, e a do të jetë kjo kërkimfalja publike janë modalitete që do të diskutohen në proces. Por a do të duhej të ndodhte diçka e tillë? Normalisht që do të duhej të ndodhte. Armiqësitë shekullore nuk zgjidhen lehtë dhe nuk përfundojnë shpejtë. Prandaj jemi në fazën ku dy shtetet respektive, Kosova dhe Serbia kanë zgjedhur rrugën drejtë BE-së dhe që kanë shumë punë për të bërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat