Islami: Politikat djathtiste dhe majtiste u bënë bashkë kundër ndarjes së Kosovës - Bota Sot
Islami: Politikat djathtiste dhe majtiste u bënë bashkë kundër ndarjes së Kosovës

Intervista

Islami: Politikat djathtiste dhe majtiste u bënë bashkë kundër ndarjes së Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 16 shtator 2019 Në ora: 08:01
Gazmend Islami dhe Albin Kurti

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami, i cili ka arritur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, duke u bërë pjesë e listës me kandidatë për deputetë, ka shpalosur pikat në të cilat janë pajtuar me Albin Kurtin.

Islami, në intervistë ka thënë se ka qenë i domosdoshëm ky koalicion, ndonëse ai dhe partia e tij janë djathtiste ndërsa Vetëvendosje majtiste. Sipas tij, vendi gjendet në një krizë dhe para ndarjes, kështu që ata bashkuan forcat për ta ndalur Thaçin nga kjo ide dhe lanë anash frymën politike për të mirën e Kosovës.

Ai mendon se PDK-ja veç është bërë gati për opozitë, teksa zotohet se të gjithë ata që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje, do të japin llogari kur në krye të qeverisë do të vije Albin Kurti.

“Bota sot”: Ju keni vendosur të hyni në listën me Vetëvendosjen. Në cilat pika u pajtuat?

Gazmend Islami: Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për mosnënshtrim ndaj politikanëve të krimit dhe korrupsionit, na e “shkeli syrin” dhe arritëm që partinë e Albin Kurtit t’i bashkojmë forcat për fitoren e madhe të 6 tetorit. Pikat tjera bashkëpunuese në të cilat u pajtuam, janë: Çkapja e shtetit, Zhvillimi ekonomik, Rrugëtimi drejt bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, Burgosjen e të gjithë politikanëve kriminelë, të cilët kanë përfituar në kurriz të popullit, Strategjinë për ta dërguar Kosovën drejt rrugës evropiane. Jam i bindur që së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, do e kthejmë Kosovën ashtu siç e do zemra e çdo shqiptari. Krenare, heroike, të drejtë dhe të ndërgjegjshme.

“Bota sot”: Pse Gazmend Islami po kandidon për deputet në Lëvizjen Vetëvendosje, kur partia juaj, Balli Kombëtar Demokrat, njihet si parti e djathtë, ndërkaq Vetëvendosje e majtë. Si erdhi deri bashkimi juaj me Vetëvendosjen, duke qenë se jeni të kundërt për nga fryma politike?

Gazmend Islami: Kur vendi është pranë humnerës nga njerëz të papërgjegjshëm, frymat politike të djathta e të majta bien poshtë, ndërsa duhet bashkimi i forcave të njerëzve të pa korruptuar dhe atyre që nuk dëshirojnë ta shohin Kosovën të ndarë në marrëveshje të Brukselit. Ka qenë i domosdoshëm bashkimi i forcave të Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si dy partitë me qëndrimin më të palëkundur sa i përket idesë së Thaçit për ndarje të Kosovës. Pra, këtë herë kemi të bëjmë me njerëz që e shpëtojnë Kosovën, e jo me fryma djathtiste dhe majtiste.

“Bota sot”: Cilat janë çështjet kryesore që do ti shpalosni në Kuvend , nëse futeni si deputet?

Gazmend Islami: Sigurisht se ikja e të rinjve nga Kosova për të gjetur një jetë më të mirë, është shumë shqetësuese për ne. Ndalja e korrupsionit, zhvillimi ekonomik, përmirësimi i kushteve për investitorë të huaj, janë pikat primare ku ne përmes tyre synojmë që të hapim vende të reja pune për rininë kosovare, e jo që ata pa dëshirën dhe vullnetin e tyre të lëshojnë atdheun e tyre. Gjithashtu, qëndrimi ynë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm në marrëveshjen me Serbinë, do të qëndrojë e palëkundur gjithmonë dhe ne do të punojmë vazhdimisht kundër atyre që për interesa të tyre personale dhe për të shpëtuar kokën e tyre nga Gjykata Speciale, synojnë që të falin tokë të Kosovës. Ne do t’i ndalojmë ata.

Bota sot: Çfarë mendimi keni për koalicionin AAK-PSD dhe Nisma –AKR?

Gazmend Islami: Lidhur me koalicionin AAK-PSD, mendoj se janë dy subjekte që njëra ka përfituar nga ky koalicion, ndërsa tjetra ka humbur. PSD-ja do të fitojë pasi do arrij që të mbetet në Kuvend dhe do të kaloj pragun, pasi ata e dinin se nuk kanë asnjë shans për ta futur qoftë edhe një deputet në Kuvend, ndërsa AAK-ja do humb vota nga prezenca e PSD-së. Mendoj se ata do të renditën të katërt në zgjedhje dhe nuk kanë asnjë shans që të dalin më lartë. Ndërsa, sa i përket koalicionit NISMA-AKR, mendoj se është koalicion shumë liberal dhe ata po mbajnë kontakte pozitive me të gjitha partitë e mëdha dhe po presin momentin që pas zgjedhjeve të futen në koalicionin qeverisës, mirëpo partia fituese në zgjedhje duhet të analizojë të kaluarën e këtyre partive dhe të jenë të kujdesshëm me ta. Por, populli do t’iu tregojë atyre se nuk kanë përmbushur pritshmëritë në legjislaturat e kaluara dhe do t’i dënojnë me votë.

“Bota sot”: Çfarë pritni nga PDK-ja në këto zgjedhje?

Gazmend Islami: PDK-ja e ka kuptuar humbjen dhe ka filluar t’i bëj gati karriget e opozitës. Ka ardhur koha që ata ta shijojnë politikën opozitare dhe të japin llogari për atë se çfarë ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Unë e vlerësojë listën e tyre me njerëz të rinj dhe jo të përfshirë në aktakuza, mirëpo ata të vjetrit që po mundohen të fshehën dhe të zhdukën pas sloganit të rrejshëm “jo korrupsion”, do të japin llogari para gjykatave të drejta, që do t’i sjellë Lëvizja Vetëvendosje pas datës 7 tetor, ku do të jemi fitues absolut në zgjedhje.

“Bota sot”: Si e vlerësoni ofertën e Vetëvendosjes drejtuar, LDK,-së dhe refuzimin e kësaj të fundit?

Gazmend Islami: Lëvizja Vetëvendosje ka treguar një sinqeritet të madh karshi LDK-së. Mirëpo, këta të fundit e kanë humbur një shans, që pas disa kohe do të quhet “shans i humbur historik”. LDK-ja ka një kandidate për kryeministre të respektueshme, mirëpo problemi është që në garë do të jetë edhe Albin Kurti, për të njëjtin post. Kjo i shkakton probleme Vjosa Osmanit e cila do ta shijojë humbjen. Gjithashtu, të gjithë e dimë, përveç Vjosa Osmanit, se nëse ajo zgjidhet kryeministre do të kontrollohet nga treshja e të vjetërve të LDK-së, të cilët e dimë kush janë. Nëse e analizojmë gjendjen e LDK-së, e shohim se nuk ka asnjë aderim të ri në këto zgjedhje. Madje është larguar një person si Shpejtim Bulliqi i cili ka pasur respekt të veçantë nga elektorati i LDK-së, me qëndrimin e tij karshi demarkacionit.

“Bota sot”: A keni ndonjë plan konkret për ta prezantuar në Kuvend për ndalimin e presidentit Thaçi për marrëveshjen e tij Kosovë –Serbi dhe idenë e tij për “ korrigjim të kufijve” ?

Gazmend Islami: Ardhja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet me Albin Kurtin kryeministër, do të thotë një qeveri e guximshme për të marrë mbi supe përgjegjësit që i takojnë, e jo të ikë nga ato përgjegjësi, si ish kryeministri Haradinaj i cili në vend se të shkojë vet në Bruksel, e la në dorë të Thaçit e pastaj e kritikonte nga qoshet e qeverisë. Albin Kurti do ta marrë vet në dorë çështjen e dialogut dhe me mbështetjen tonë do të arrijmë një marrëveshje historike, pa territor të prekur, pa asociacion brenda Kosovës dhe do të jetë e pëlqyeshme nga shtetet e QUINT-it.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje po fiton pothuajse në çdo sondazh, por sa janë pritshmëritë brenda partisë?

Gazmend Islami: Brenda Lëvizjes Vetëvendosje është e qartë se ka mobilizim të jashtëzakonshëm në teren , e po ashtu edhe ballistët nga e gjithë Kosova por edhe nga Shqipëria janë mobilizuar që më 6 tetor në mbrëmje, rezultatet të tregojnë se fituese është Lëvizja Vetëvendosje. Po ashtu falënderojmë të gjithë diasporën për mobilizimin e tyre të jashtëzakonshëm që të ndihmojnë në këtë fitore të madhe.

“Bota sot”: Shumë aderime kanë ndodhur në VV brenda pak javëve, cili është mendimi juaj për këto aderime?

Gazmend Islami: Të gjitha aderimet në Lëvizjen Vetëvendosje janë njerëz me mendje të ndritur, të cilët jo vetëm që i zëvendësojnë të larguarit në PSD e të cilët tradhtuan votën e popullit, por këta njerëz vlejnë trefish më shumë se ta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...