Ilir Ferati, i riu nga Istogu që synon të jetë zëri i të rinjve në Kuvendin e Kosovës

Intervista

Ilir Ferati, i riu nga Istogu që synon të jetë zëri i të rinjve në Kuvendin e Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 shtator 2019 Në ora: 08:15
Ilir Ferati

Mban numrin 55 në listën për deputetë të LDK-së, në zgjedhjet e 6 tetorit. Ilir Ferati është djali i ish kryetarit të Istogut, Fadil Ferati. Si anëtari i Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, Ferati synon postin e deputetit, që të përfaqësojë qytetarët e Istogut. Iliri thotë se nuk mund ta zë vendin e babait të tij, por që nuk do i ndahet mësimeve dhe rrugës së tij, derisa ndihet më përgjegjës ndaj qytetarëve, pasi është djali i Fadilit. Ai është i bindur se LDK do të dalë fituese në zgjedhje dhe se Vjosa Osmani do të jetë kryeministrja e ardhshme e Republikës së Kosovës. Sa i përket një bashkëpunimi të mundshëm paszgjedhor, ai thotë se preferon të mos ketë me PDK-në. Ndërsa, në lidhje me dialogun, Ferati vlerëson se duhet të vazhdojë nën udhëheqjen e kryeministres Vjosa Osmani.

“Bota sot”:  Jeni kandidat i LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës. Pse vendosët t’i futeni kësaj gare?

Ilir Ferati:Jam pjesë e strukturave të LDK-së dhe angazhimeve politike qysh në rininë e hershme dhe për momentin jam anëtar i Këshillit të përgjithshëm të LDK-së dhe anëtar i kryesisë së LDK-së, dega në Istog. Mendoj që ka qenë një proces i natyrshëm, dhe me përfshirjen e të rinjve të LDK-së në garën për deputet, jam nominuar dhe votuar unanimisht nga kryesia e degës së LDK-së në Istog që të jem kandidat që do ta përfaqësoj Istogun në Parlamentin e Republikës!

“Bota sot”: Jeni djali i ish kryetarit të Istogut, z.Fadil Ferati. A po e ndiqni rrugën e tij dhe a ka qenë dëshirë e tij që ju të merreni me politikë?

Ilir Ferati: Vendin e tij nuk mund ta zë. Mirëpo të qenit djali i Fadilit, duke marrë parasysh  që përkrahjen që ai e gëzonte tek qytetarët e Istogut, normalisht që më bën më  përgjegjës ndaj qytetarëve. Jam rritur dhe edukuar nga babi në atë mënyrë që gjithmonë të jem i sinqertë dhe fjalën e dhënë ta mbaj - dhe ashtu do mbetem  gjithmonë! Mësimeve dhe rrugës së tij nuk do i ndahem asnjëherë, dhe në politikëgjithmonë do jem në shërbim të qytetarit, siç ka qenë Fadili!

“Bota sot”: Pse duhet ta votojnë Ilir Feratin?

Ilir Ferati: Së pari synoj të fitoj besimin e qytetarëve istogas, me të cilët jam rritur dhe jetoj bashkë me ta. Vlerat njerëzore dhe të arriturat profesionale, më bëjnë  që të jem afër sfidave dhe preokupimeve që bashkëqytetarët e mi i kanë. Sfida që janë të përbashkëta me të gjithë qytetarët e Republikës. Mund të them se jam unë ai, një qytetar istogas i cili sfidat dhe problemet e qytetarëve po dëshiron që t’i ngrit në nivel qendror, duke dhënë maksimumin e tij që atyre t’i gjendet zgjidhja! Republika jonë ka nevojë për njerëz të rinj, për të hapur perspektiva të reja e zgjidhje të reja për rininë tonë, shtetin tonë!

“Bota sot”: Nëse fiton postin e deputetit do të jesh përfaqësues i popullit. Çfarë do të bësh për qytetarët?

Ilir Ferati: Besimin e marrë nga qytetarët do e kthejë në rezultate për ta. Do përdori të gjitha mekanizmat parlamentar që më lejohen, që zëri qytetar të dëgjohet në Parlamentin e Kosovës. Që sfidat e qytetarëve dhe veçanërisht të të rinjve të mos mbeten vetëm klishe politike - por të  adresohen një e nga një në parlament. Unë do vazhdoj të jem Iliri, një qytetar istogas, i cili ka nderin dhe përgjegjësinë që bashkëqytetarët e tij t’i përfaqësoj dhe të jetë gardian i të drejtave të tyre në nivelin qendror.

“Bota sot”: A mendoni se është më mirë që LDK të shkoj e vetme në zgjedhje apo të bëhej koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje?

Ilir Ferati: Mendoj që udhëheqësit e partisë kanë bërë ç’është e mundur për të arritur një koalicion parazgjedhor me VV-në, por për disa arsye ai nuk ishte i mundur. Në këto rrethana, besoj që është mirë që LDK po garon e vetme në zgjedhje. LDK ka program dhe kandidatë për kryeministre znj. Vjosa Osmanin me ekipin e saj të shkëlqyer. Andaj besoj shumë në LDK!

“Bota sot”: A mendoni se LDK do të dalë e para në zgjedhje?

Ilir Ferati: Absolutisht, po. LDK, me kandidaten për kryeministre znj. Vjosa me ekipin e saj do dalë fituese e këtyre zgjedhjeve. Vjosa Osmani do të jetë kryeministrja e ardhshme e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”:Me cilat parti mund të ketë një koalicion të mundshëm paszgjedhor LDK?

Ilir Ferati: Strukturat drejtuese të LDK-së, kryesia dhe këshilli drejtues me unanimitet kanë votuar që të mos ketë koalicion me PDK-në. Sa i përket partive tjera mendoj që LDK si fituese është hapur për bashkëpunim pas zgjedhor.

“Bota sot”: Z. Ferati, çka duhet të ndodhë me taksën nëse LDK vjen në Qeveri?

Ilir Ferati:Mendoj se tashmë është e ditur për mbarë opinionin qëndrimi i partisë mbi këtë temë..

“Bota sot”: Po sa i përket dialogut me Serbinë i cili është i pezulluar prej kohësh, cila është zgjidhja?

Ilir Ferati:Unë mendoj që dialogu duhet të vazhdojë, ai do të udhëhiqet nga Kryeministrja e ardhshme e Kosovës bashkë me partnerët e saj. Dialogu duhet të shfrytëzohet si mjet që na shpie në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë - ku Serbia njeh pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj, të shpallur në vitin 2008.

“Bota sot”: Si e komentoni fjalorin e kandidatëve për deputetë që po përdoret në debate televizive, derisa ka pasur raste që ka eskaluar në përleshje fizike?

Ilir Ferati:Nuk jam i prirë t’i komentoj deklaratat e të tjerëve andaj secili prej nesh ka përgjegjësi ndaj qytetarëve për atë që bën dhe thotë, andaj besoj që qytetari do të dije të vlerësojë më së miri me 6 tetor!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat