Xhaferi thotë se zgjedhjet nuk janë në interes të qytetarëve, por në interesa personale

Intervista

Xhaferi thotë se zgjedhjet nuk janë në interes të qytetarëve, por në interesa personale

Më: 22 shtator 2019 Në ora: 14:58
Talat Xhaferi

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka folur për arritjen e konsensusit që të miratohet Ligji për punën e Prokurorisë dhe me këtë t’i hapë rrugë Këshillit Evropian që në tetor të sjellë vendim pozitiv për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut.   

Xhaferi shprehet se ai u ka dhënë kohën e duhur të gjithë faktorëve që të mund të reflektojnë kundrejt asaj se çka është interes i qytetarëve, interes i shtetit, duke i vënë interesat e së ardhmes së shtetit mbi interesat partiake.

Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, njëherësh thekson se çfarëdo që të jetë vendimi i Këshillit Evropian për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut, një situatë të tillë dhe në këto momente kyçe me interes për qytetarët dhe vendin, si zgjidhje nuk i sheh zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Radio Evropa e Lirë: Zotri Xhaferi, hulumtimet të cilat i ka realizuar Instituti për Demokraci, ka nxjerrë në pah se më shumë se 60 për qind e të anketuarve janë shprehur se qeveria është ajo që ka kontroll të plotë mbi punën e Parlamentit, ndërkohë që më shumë se 70 për qind e të anketuarve besojnë se deputetët më shumë mbrojnë interesat e partisë sesa interesat e qytetarëve. Si i komentoni ju këto të dhëna?

Talat Xhaferi: Deputetët në Parlament janë të zgjedhur përmes listave partiake, dhe mbështetjen nga qytetarët nuk e kanë marrë drejtëpërdrejtë kushtimisht thënë deputetët, por e kanë marrë subjektet politike. Normal se në atë përzgjedhje ka kontribuar dhe përzgjedhja e personave në listat e partive politike, që në esencë mbështetje kanë fituar subjektet politike dhe përfaqësimi është përmes subjekteve politike.

Unë e çmoj çdo vendim dhe vlerësoj edhe atë perceptim të qytetarëve, por edhe mendoj se ne bëjmë punë që të ndryshojmë atë perceptim dhe realisht dallon kjo përbërje parlamentare në kuptimin e pozicionimit të statusit të ndërnacional në kuptimin e ndarjes së pushtetit në kontekst pozitiv, pa marrë parasysh perceptimet që janë për momentin. Unë i vlerësoj dhe kundrejt atyre përpiqem të menaxhojë me institucionin që atë perceptim të qytetarëve ta përcjellë deri tek deputetët. Nëse i shihni seancat parlamentare, gjatë udhëheqjes sime gjithmonë potencoj se puna e deputetit duhet të reflektojë kundrejt perceptimit të qytetarëve dhe ajo të përmirësohet.

Kundrejt relacionit Parlament – Qeveri unë e kuptoj se për 20 vite të plota ka pasur perceptim se gjithçka është qeveria dhe askush tjetër dhe është vështirë për të ndryshuar këtë, por edhe në këtë drejtim mendoj se kjo përbërje parlamentare dhe udhëheqja ime, menaxhimi im me Parlamentin ka ndryshuar konceptin e raportit Parlament – Qeveri në kontekst të kushtimisht thënë ushtrimit të pushtetit ekzekutiv kundrejt pushtetit legjislativ dhe nëse i referoheni punës së Parlamentit dhe punës së komisioneve përkatëse se sa shqyrtime publike, sa debate publike janë ndërmarrë brenda komisioneve ku kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët edhe të qeverisë dhe anasjelltas.

Në kontekstin e seancave ku kemi pyetjet e deputetëve, prezenca e ministrave, e qeverisë, relacioni për t’u përgjigjur në kohë mendoj që ai perceptim është ndryshe nga kjo që është krijuar, unë e çmoj atë megjithatë përsëri them se me gjithë këtë punë që bën Parlamenti, për këto tre vite sa jam duke drejtuar parlamentin, nuk mund të përmbysim perceptimin negativ që është zhvilluar gati se tre dekada të politikbërjes në Maqedoninë e Veriut.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Xhaferi, ndonëse është bërë praktikë që për më shumë çështje vendimet të mirren pasi të arrijnë ujdi liderët e partive politike dhe jo debati të shtrohet në institucionin ligjvënës. Kjo praktikë a e atakon punën e institucionit ligjvënës?

Talat Xhaferi: Nuk atakohet pozicioni i Parlamentit. Së paku sistemi politik, organizimi politik në vend është i tillë që në të shumtën e rasteve ligjet dhe miratimi i ligjeve ngërthen në vete edhe përcaktimet e ngushta politike si dhe interesat e ngushta të partive politike që janë përbërës të jetës politike në vend dhe për tejkalim të dallimeve për çështjeve politike s’do mend që janë përgjegjës liderët për të tejkaluar kundërthëniet brenda partiake, por kjo nuk ka të bëjë me procedurën parlamentare për faktin që në procedurë parlamentare esenca e miratimit të ligjeve nuk mbetet vetëm në tejkalimin e procedurës vetëm thjesht si procedurë, nëse ka një qëllim që një rregullator ligjor të rregullojë një çështje qoftë juridike apo politike, atëherë duhet të ketë përfshirje të gjithë atyre përbërësve që e bëjnë jetën politike në vend.

Nuk duhet përjashtuar mundësia që në fund të fundit të ketë edhe mendim të liderëve për faktin që në ato takime marrin pjesë edhe deputetët, kjo tregon që Parlamenti në kontuinitet është në rrjedhë të gjithë procesit pa marrë parasysh nëse është në nivel politik apo është në nivel procedural juridik si debat që zhvillohet.

Radio Evropa e Lirë: Teksa flisni për bisedimet në kuadër të liderëve politikë, së fundmi bëhen përpjekje për të gjetur një ujdi për të tejkaluar dallimet mes pushtetit dhe opozitës sa i përket Ligjit për punën e Prokurorisë Themelore Publike. Prisni të arrihet marrëveshje me opozitën dhe Parlamenti të arrijë të kalojë ligjin?

Talat Xhaferi: Po unë nuk mund të predikojë ecurinë e bisedimeve për arritjen e një konsensusi për këtë ligj. Në kontekst parlamentar dhe si kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut duke qenë i ndërgjegjshëm dhe përgjegjshëm për procesin dhe qëllimin të cilin duhet të arrijmë, mendoj se u kam dhënë kohën e duhur të gjithë faktorëve që të mund të reflektojnë kundrejt asaj se çka është interes i qytetarëve interes i shëtit duke i vënë ata interesa mbi interesat partiake. Për tejkalimin e kësaj çështjeje më e udhës është të kërkohet zgjidhje dhe përgjigje nga subjektet politike që janë aktorë në këto bisedime.

Radio Evropa e Lirë: Mosarritja e ujdisë rreth Ligjit për punën e Prokurorisë Publike dhe vendimi që do të marrë Këshilli Evropian rreth caktimit të datës ose jo për Maqedoninë e Veriut të fillojë bisedimet për anëtarësim mund të imponojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare? Si e shihni këtë proces ?

Talat Xhaferi: Çështja e zgjedhjeve të parakohshme është e rregulluar në Kushtetutë dhe në momentin që Parlamenti do të shpërbëhet pa i skaduar mandati katërvjeçar i paraparë me Kushtetutë, ose me dorëheqje të qeverisë dhe pamundësisë së krijimit të një shumice të re, do të rezultojë me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Është kjo çështje e vendosjes dhe vendimmarrjes së subjekteve politike që bëjnë pjesë në Parlament dhe nëse ato vendosin se zgjidhja do të jetë organizimi i zgjedhjeve të parakohshme që unë personalisht nuk e ndaj atë mendim, atëherë është çështje procedurale që unë atë nismë duhet të duhet ta vendosi në procedurë parlamentare.

Përsëri them se në këtë situatë dhe në këto momente kyçe për interes të qytetarëve dhe për interes të vendit nuk mendoj se zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Zgjidhja është tejkalimi i kapriçove të ngushta partiake për interes të vendit dhe interes të qytetarëve dhe në mandatin gjegjësisht në afatin e rregullt të mbahen zgjedhjet dhe të vendoset sistemi i rregullt katërvjeçar i cikleve zgjedhore për faktin se nga viti 2008 e këndej gjithmonë jemi në zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhjet e parakohshme mandej përputhen dhe me zgjedhjet lokale kohë pas kohe përputhen dhe me zgjedhjet presidenciale dhe kjo paraqet problem në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe ecjes përpara në aspektin ekonomik sepse sipas rregullativës në ciklet zgjedhore apo periudhën zgjedhore sipas procedurave gati se gjashtë muaj ka pengesa të funksionimit të institucioneve në të gjitha nivelet për faktin që ka cikël zgjedhorë qofshin ato parlamentare apo lokale.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Xhaferi, në Parlament këtë muaj ishin prezentë përfaqësuesit e Komisionit të Venedikut duke vendosur nën thjerrëz Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Rekomandimi që do të dalë nga ky komision a mund t’i japë shtytje përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, veçanërisht në uniformat e forcave të sigurisë dhe në monedha? E kam fjalën se a mund të arrihet një marrëveshje që ligji të plotësohet?

Talat Xhaferi: Parlamenti tashmë ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, si institucion më i lartë ligjvënës të gjithë të tjerët duhet që ta respektojnë këtë përfshi këtu edhe Parlamentin e vendit. Ligji për përdorimin e gjuhëve ku u fut në debat propozuesi përkatësisht qeveria, atëherë ka theksuar se normat e nenit 8 të këtij ligji që kanë të bëjnë me monedhat dhe mbishkrimet në uniforma do të jenë çështje të cilat do t’i adresohen Komisionit të Venedikut për rekomandim përkatësisht për rishqyrtim kështu që nuk ka dilema rreth asaj se çka është përcaktim i ligjit. Ky ligj rregullon raportet ndëretnike në vend dhe nëse përfaqësuesit e bashkësive etnike kanë miratuar ligj me të cilin i rregullojnë raportet brenda vendit nuk besoj se duhet të ketë rekomandim i cili do të ndikojë negativisht në raportet e vendosura mbi këtë bazë.

Kështu që në aspektin institucional, ne kemi respektuar mysafirët që kanë qenë këtu gjatë takimeve kemi shkëmbyer mendime. Rekomandimet e Komisionit të Venedikut do të jenë të mirëseardhura, por duhet theksuar se nuk janë obliguese në kontekstin e asaj se çka është përcaktim i ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat