Të pathënat e Shpejtim Bulliqit: Nga LDK-ja në Vetëvendosje...

Intervista

Të pathënat e Shpejtim Bulliqit: Nga LDK-ja në Vetëvendosje...

Nga: Albulenë Muji Më: 23 shtator 2019 Në ora: 08:08
Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, gjatë intervistës me gazetaren e "Bota sot", Albulenë Muji

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka folur për herë të parë për largimin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa i ka quajtur “linçim” deklaratat e ish bashkëkartiakëve ndaj tij. Gjithashtu, prof. Bulliqi ka folur për kalimin në Vetëvendosje, si dhe për marrëveshjen e ofruar nga kjo parti për LDK-në, për të cilën është i bindur nëse do të realizohej, do të sillte fitoren e sigurt.

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Kosovë?

Shpejtim Bulliqi: Situata politike është çfarë e ka shoqëruar Kosovën tash e shumë vite më parë domethënë një situatë politike jo e qëndrueshme për shkak të një klase politike jo konsistente në qëndrime dhe veprime madje nga njëherë edhe në vendime të mëdha për vendin dhe në raport me qytetarin. Ndërsa që tash Kosova e ka mundësinë të ecë përpara nëse qytetaret e dëshiron dhe vendosin që të bëjnë ndryshimin dhe të dalin e lirohen nga një klase politike e cila është rigjeneruar për më se 20 vite rresht nga një pozicion në tjetrin pa ndryshuar asgjë në të mirë të vendit dhe qytetareve të saj.

“Bota sot”: Kush mendoni që do të jetë udhëheqës i qeverisë së ardhshme ?

Shpejtim Bulliqi: Unë besoj që Lëvizja Vetëvendosje në krye me z. Kurti do të jenë bartëse e qeverisë së vendit. Pos asaj çka dëshirojnë, besoj që Kosova dhe qytetarët e saj duhet të ecin përpara, me politikan të rinj me dinjitet e profesionalizëm të pa korruptuar e të pa anshëm në qeverisje. Lëvizja Vetëvendosje për momentin është e vetmja shpresë e pa provuar në qeverisje vendi, dhe duke besuar në potencialin dhe vizion që ka për shtetin që ta shtyjë Kosovën përpara.

“Bota sot”: A mendoni se është më mirë që Lëvizja Vetëvendosje shkoi e vetme në zgjedhje apo të bëhej koalicioni me LDK-në?

Shpejtim Bulliqi: Po të shkonin të dyja bashkë Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja , jam i bindur do të ishte më mirë për qytetaret e saj por edhe për shtetin. Epilogu i zgjedhjeve do të diheshin më parë dhe, edhe klasa e deri tanishme pushtet mbajtëse do të fillonte qysh tash të përgatitej për opozite dhe atë për një periudhë të gjatë, dhe kjo do ishte e shëndetshme për shtetin. Kësisoj vetëm do të duhej të koordinoheshin për dikastere, sepse fitorja do të ishte e sigurt bile më shumicë shqiptare, e jo një qeveri e kushtëzuar nga partitë tjera. Lëvizja Vetëvendosje bëri ofertë shumë serioze për LDK-në, por ata u munduan të imponojnë veten dhe ta qesin Lëvizja Vetëvendosje para aktit të kryer. Personalisht nuk është se kam ndonjë simpati për një pjesë të klaneve që e keqpërdorin LDK-në për interesat të tyre personale. Jam më se i bindur se po të pranohej oferta e Lëvizja Vetëvendosje, do të fitonte Kosova përkundër dëshirës time të mosbashkëpunimit me disa nga të cilët interesin e tyre personal e kanë vënë para interesit shtetëror në shumë raste deri më tani.

“Bota sot”: A mendoni se Lëvizja Vetëvendosje do të dalë e para në zgjedhje?

Shpejtim Bulliqi: Po gjithsesi, prape e them jo pse unë dua, por për faktin që qytetarët e Kosovës i kanë provuar të gjithë tjerët dhe se në opinion ka pakënaqësi të mëdha për faktin se qeveritë e deritanishme kanë qenë qeveri klienteliste dhe klanore me shkallë të lartë të nepotizmit dhe padrejtësive në dëm të qytetarit, dhe të cilat i kanë bërë shumë dëme shtetit dhe funksionimit të tij, andaj këta kësaj radhe qytetari i Kosovës këta i donë në opozitë dhe atë për një kohë të gjatë sepse përveç tjerave kanë vë në mëdyshje madje edhe integritetin territorial të vendit.

“Bota sot”: Pas 6 tetorit në qoftëse Lëvizja Vetëvendosje i fiton zgjedhjet, cila mund të jetë partia apo koalicion më të cilin partia juaj do të formonte qeverinë?

Shpejtim Bulliqi: Unë nuk jam në struktura vendimmarrëse të partisë dhe nuk vendosi, por gjithsesi nuk do ta dëshiroja ata të cilët kanë qenë deri tani në qeverisje edhe përkundër se ka njerëz në ato subjekte që i respektoj dhe në momente kyçe për vendin kanë dalë mbi subjektin e tyre. Subjektet të cilat kanë treguar gatishmëri për ta çkapur shtetin nga zhvatësit e tij dhe të cilët kanë dhënë shembuj me veprime konkrete në gatishmëri për shtet bërje në të mirë të qytetareve do të ishin të mirëseardhur në qeverisjen e ardhshme me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila do qeveris me duar të pastra dhe në interes të qytetarit dhe vendit.

“Bota sot”: Pse duhet t`iu votojnë qytetarët tash për një mandat të ri edhe pse keni ndërruar parti?

Shpejtim Bulliqi: Sepse jam njeri parimor, kam treguar konsistence në qëndrime, nuk shitem për përfitime personale e në dëm të shtetit dhe qytetareve. Këtë besoj e kam dëshmuar në zgjedhjet paraprake duke ruajtur dinjitetin e votuesve të mijë të cilët me patën dhëne votën ne emër te asaj qe nuk do të ketë qeverisje me PDK-në dhe që për fat të keq nuk ndodhi ashtu pasi që strukturat udhëheqëse të LDK-së e thyen këtë premtim të votuesit të LDK-së. Unë arrita t`iu qëndroja besnik votuesve të mi të atëhershëm në LDK, duke mos votuar për president kandidatin e PDK-së. Por, që klanet pro tij në LDK, filluan menjëherë linçimin tim, edhe pse unë mbeta besnik parimeve dhe punës profesionale deri ne fund kur arritën te mi mbrydhin te gjitha rrugët brenda këta subjekti pavarësisht përkrahjes se qytetareve për veprimet konsistente të miat. Gjatë punës sime si debatet i legjislaturës së V-të jemi përballur edhe me një çështje shumë serioze, atë të cenimi serioz të territorit të vendit dhe integritetit të tij, ku jam përpjekur që me fakte dhe punë profesionale ti dal në mbrojtje të tij, duke kundërshtuar një punë të dëmshme të ish komisionit shtetëror për demarkimin e kufirit te Kosovës me Malin e Zi. Të gjitha këto dhe shumë punë tjera në dobi të vendit dhe qytetarit i kam bërë më endje dhe profesionalizëm dhe mendoj që meritoj një besim të dytë në përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës në këto kohë kur vendin mendoj që do ta presin edhe shumë tema të rënda drejt konsolidimit të shtetit të se drejtës dhe avancimit të tij ndërkombëtar.

“Bota sot”: Çka duhet të ndodhë me taksën nëse VV vjen në Qeveri?

Shpejtim Bulliqi: Taksa duhet të mbetet duke e plotësua edhe me masa tjera reciprociteti në çdo fushë që na bllokon Serbia, duhet ti përgjigjemi me reciprocitet. Lëvizja Vetëvendosje është e interesuar që në me Serbin të kemi një reciprocitet të plotë në të gjitha fushat varësisht nga veprimet që pasoj nga ky shtet fqinje.

“Bota sot”: Po sa i përket dialogut me Serbinë i cili është i pezulluar prej kohësh, cila është zgjidhja?

Shpejtim Bulliqi: Lëvizja Vetëvendosje në radhë të parë është e interesuar të vë në lëvizje dialogun me qytetarët e vetë të komunitetit Serbe që jeton në Kosovë me qëllim të zgjedhjeve të problemeve praktike të tyre sikurse edhe të gjitha komuniteteve tjera në Kosovë. Dialog pa kushtëzime, me të gjitha çështjet në tavolinë të cilin insistohet ta bëjnë institucionet tona mendoj që nuk i shkon përshtati vendit tonë. Me Serbinë ne mund të diskutojmë për njohje reciproke, kërkim falja për krimet e luftës që ka bërë në Kosovë si dhe çështjet tjera(të zhdukurit, fondet e vjedhura, reparacionet e luftës, ndëshkimi I krimineleve te luftës,)

“Bota sot”: Ndërsa, rreth çështjes së demarkacionit çfarë do të ndodhë, meqë jeni edhe Drejtues i Komisionit?

Shpejtim Bulliqi: Ekipa që drejtojë janë profesioniste, nëse politika i përkrah në komision, Kosova në raport me Serbinë nuk mund të humb asgjë, sepse kemi bërë punë të madhe në Komision. Tërë këtë e thashë për demarkacionin me Serbinë, pra demarkim i gjendjes aktuale, jo sipas aventurave të presidentit dhe përkrahësve së tij. Deri me tani është hartuar strategjia e veprimit dhe janë analizuar një mori dokumentesh te rëndësishme te cilat flasin për vijën administrative te dikurshme mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht kufirit të tanishëm shtetëror mes këtyre dy vendeve, janë kryer një mori vizitash ne terren për të parë praktikisht problemet eventuale që munden të dalin në terren gjatë demarkimit e kështu me radhë. Me një fjale janë bërë përgatitje dhe punë e te rëndësishme në ketë proces që na pret së shpejti. Ndërsa sa i përket ati me Malin e Zi opinioni publik e di qëndrimin e Komisionit. Tash se fundi nga Qeveria është krijuar trupa punuese sipas marrëveshjes mes dy presidentëve, ku trupa e jonë punuese në punën e tij do mbështetet në raportin e të gjeturave për punën e ish komisionin, hartuar nga Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit dhe te gjeturat e te cilit kane ardhur ne përfundim se vija e dikurshme administrative, përkatësisht vija kufitare mes Kosovës dhe Malit te Zi është zhvendosur në dëm të territorit të Kosovës.

“Bota sot”: Cilat janë shkaqet kryesore pse u larguat nga LDK?

Shpejtim Bulliqi: Ngushtimi i veprimit, linçimi dhe humbja e shpresës për të ndryshuar me drejtuesit e saj dhe së fundi edhe rizgjedhja e të njëjtëve njerëz në krye të partisë, njerëz të cilët këtij subjekt i kanë bërë dëme të mëdha dhe duke e shfrytëzuar ekskluzivisht partinë vetëm për interesa të ngushta e nepotizëm më kanë shtyrë që unë të jap dorëheqje nga ky subjekt. Kam respekt për shumë njerëz në LDK, por përderisa LDK-në ta kontrollojnë kjo garniturë udhëheqësish përfitues, vështire të ketë ndryshime. Se fundi janë bërë disa lëvizje, jo për parime që kanë uzurpuesit aty, sepse ata e dini si e trajtuan Vjosën para zgjedhjeve të kaluara dhe pas tyre, mirëpo tash e kuptuan se do ta kenë fatin e PDK-së dhe i bënë disa lëvizje taktike për të krijuar opinionin se gjoja këtu ka demokraci dhe respektohet vullneti i elektoratit, ndërsa në prapaskena luhen lojëra të ndryshme për ta penguar dhe për të krijuar një alibi për koalicione te mëvonshme pas zgjedhore me po ata me të cilët grupi i interesit i LDK-së, i kanë me kapsit e tanishëm të shtetit në Kosovë. Vjosës dhe atyre që e meritojnë në LDK ju dëshiroj sukses, edhe pse druaj nga presioni dhe influenca që do ta kenë nga prapaskena, nga ata që dikur na linçonin së bashku.

“Bota sot”: A mendoni do të keni më shumë hapësirë tani në VV?

Shpejtim Bulliqi: Unë jam kyçur në VV si anëtar i thjesht, përgatitja ime profesionale, PHd, profesor i UP-se, dhe ajo politike besoj që do i shërbej subjektit pozitivisht për të shtyrë procese përpara, ndërsa nuk kam hy me përfitua, jam ky që jam, do të punoj aty, do te kontribuoj pa përtesë. Ata (VV) me njohin siç me njohin të gjithë e dinë që nuk jam servil, nuk shitem, nuk blihem, ju qëndroj besnik parimeve të mija, nuk thyhem nën presion dhe nuk i nënshtrohem askujt, nuk i tradhtoj kauzat e rëndësishme për vendin dhe qytetaret.

“Bota sot”: Si e komentoni idenë e Thaçit për korrigjimin e kufirit dhe bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën?

Shpejtim Bulliqi: Personalisht besoj që ajo është një aventurë e rrezikshme e tij për vendin, ndërsa që si ide ka lind në Beograd nuk ka fije dyshimi. Nuk besoj që gjen shqiptarë në Kosove që do të ishte kundër bashkimit të Luginës me Kosovën, por duke e ditur momentumin politik në të cilin gjendet vendi, dhe kush e ka lansu këtë propozim në opinionin e Kosovës, unë nuk pres asgjë pozitive për Kosovën e as shqiptaret e Luginës. Ai çdo lëvizje që e bën e bën për interes të tij privat dhe personal, ai është i dëmshëm kur është nën presion, si duket një zor e ka diku. Shtrohet pyetja që për sa vite ishte në qeverisje, çka bëri për Luginën, asgjë. Idenë me i fal territor Kosova, Serbisë, para tij Daqiçi e Vuçiqi e kanë përmendur tash e disa vite. Ai vetëm sa u mundu ta përvetësoj dhe ta shtyjë atë ide përpara dhe të lirohet nga presionet personale që i ka, e jo si president. Aq i cekët ishte ai dhe disa sejmen të tij, kur mundohej të justifikonin tentativat për falje territori, sa që e quanin territorin e pjesës veriore të Kosovës si “Tokë e Rankoviqit” dhe donte të ia dhuronte Vuqiçit. Shpresoj të jem gabim, por për çfarëdo ideje që buron nga Hashim Thaçi dhe klika e tij, nuk pritet asgjë pozitive sidomos jo tash sepse po e dëshmon çdo ditë që është në gjendje të bëj gjithçka për interesa personale çofshin ato edhe karrieriste. Ndërsa për gjendjen në përgjithësi, qeverisja e tij vendin e ka katandisë në këtë gjendje në çdo fushë veprimtari. Dëmin vendit veç ja ka shkaktuar që nga momenti kur ju ka nënshtrua Serbisë në Bruksel, kur bëri koncesione dhe pranoi të dialogoj me Serbinë shtetësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj, e tash atë dialog Serbia po e shfrytëzon për çnjohje, siç po e shfrytëzon edhe propozim idenë për ndarje territori(falje), pra kur diçka nuk u përmbyllë ajo mund të copëtohet/ndahet. Ai e ka nisur mbrapsht krejt ketë proces, duke ja ulur Kosovës fuqinë në dialog, sepse e degradonte/devaluonte veriun e vendit, duke e quajtur “tokë e Rankoviqit”.Ju siguroj se kur Leposaviqi, Zubin Potoku e as Zveçani nuk ishin të Serbisë, ndërsa që Leshaku me 22 fshatra ju bashkuan Kosovës në vitin 1959,ndërsa qe Rankoviqi kishte rënë me 1956. Presidenti me argatët/servilet e tij në të gjitha taborët u munduan ti kamuflojnë mijëra km2 (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Mitrovice) me 197km2 e vitit 1959. Ato vendime i kanë marr atë kohë organet e Serbisë dhe Kosovës, ato që ishin. Në forma të tilla i janë shkëputur Kosovës fshatra të tëra në rajonin e Gjilanit dhe Kamenicës në fund vitet e 40-ta dhe fillim vitet e 50-ta, por shkëmbim direkt nuk ka pasur. Ju siguroj se ato fshatra janë pak dhe përfshijnë pak sipërfaqe, me gjithë keqardhjen për bashkëkombësit tanë atje. Kosova nuk guxon të rrezikoj mijëra Km2 territor të saj, kinse po kompensohet me disa fshatra në Kosovën Lindore.

“Bota sot”: Sa mund të shkaktojnë dëm një shkëmbim i tillë nëse jetësohet pas startimit të dialogut me Serbinë?

Shpejtim Bulliqi: Demi veç është shkaktuar, serbet e Kosovës po mbajnë shpresa të rrejshme për bashkim me Serbinë, me shqiptarët e Luginës po luhet me ndjenjat e tyre, Serbia ua ka shtuar zullumin. Vendet e luhatura nëpër botë po e shohin Kosovën si proces i papërfunduar, edhe disa vende mike për shkak të jo seriozitetit të treguar nga presidenti ynë, dhe për shkak të rrethanave të tyre politike, nuk e kanë angazhimin e tyre siç na përkrahnin më parë. Sharlatanë të politikës dhe gazetarisë Kosovare pjesë e klikës së presidentit, i japin vetës guxim t`i shpallin shtete mike, si jo mike, vetëm pse nuk ua përkrahin planet e tyre të dëmshme për të copëtuar Kosovën. Në vend që të insistohet që Kosova fillimisht të njihet si e tillë me këta kufij nga Serbia dhe të anëtarësohet nëpër të gjitha instancat ndërkombëtarë, këta e ofrojnë falas copëtimin e Kosovës, ende pa u mbyllur si proces.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat