LDK-ja politiken fiskale të zhvillimit të vendit do ta orientojë drejt rritjes së buxhetit duke mos dëmtuar qytetarët

Intervista

LDK-ja politiken fiskale të zhvillimit të vendit do ta orientojë drejt rritjes së buxhetit duke mos dëmtuar qytetarët

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 tetor 2019 Në ora: 16:58
Sevdie Alshiqi

Në një intervistë ekskluzive për “ Bota sot”, kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Sevdie Alshiqi ka thënë se kjo parti, ka mjaft hapësirë për të gjitha grupmoshat.

Alshiqi pohuar se kontributi i saj, do jetë direkt në krijimin e kushteve-infrastrukturës për angazhimin më të madh të rinisë së Kosovës, që është pjesa më vitale e familjes dhe shoqërisë.

“Bota sot”: Zonja Sevdie, është kënaqësi që kam rastin t’ju takojë për herë të parë për Intervistë të gazeta “Bota Sot”. A keni mundësi të na e prezantoni në pika të shkurtuar për lexuesit tonë biografin tuaj?

Sevdie Alshiqi: E lindur dhe rritur në Prishtinë, shkollimin fillor dhe universitar po ashtu në Prishtinë, ndërsa studimet e doktoratës i kam mbaruar përmes projektit TEMPUS – DOCSMES Entrepreneurship dhe SMEs Management, i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Aktualisht jam asistente dhe ligjëruese në Fakultetin Ekonomik, Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, katedra Menagjment dhe Informatike. Pjesëmarrëse në disa konferenca shkencore ne Kosove dhe jashtë Kosove, si dhe autore e disa punimeve shkencore në fushën e ekonomisë. Vizitore si staf akademik në disa Universitete ne Evrope, si Angli, France, Norvegji, Holande etj.

“Bota sot”: Kam informacione se pjesë e LDK-së jeni kaherë, por se jeni e nominuar për kandidat për deputet për herë të parë, a mundë të na thoni se çka ju nxiti të garoni në një garë goxha të fuqishme si në nivel vendi mes subjekteve politike, por gara shumë e fuqishme edhe brenda LDK-së?

Sevdie Alshiqi: E vërteta e njohur e historisë së realitetit politik e institucional të Kosovës është se pas rënies së sistemit komunist, partia e parë antikomuniste në ish-Jugosllavi dhe, po ashtu, në Kosovë, ishte LDK-ja, e cila u formua në dhjetor të vitit 1989 nga një grup intelektualësh e shkrimtarësh shqiptarë të Kosovës. Si parti e parë, që kishte misionin të organizojë jetën politike e institucionale, ajo u bë parti me të cilën u identifikua çdo shqiptar i Kosovës, si e vetmja forcë e rezistencës kundër regjimit policor e ushtarak serb. Prandaj nuk mund të thuhet se unë jam 'kaherë' pjesë e LDK-së. Në fakt, unë jam rritur me këtë frymë. Si gjithë shqiptarët e Kosovës, familja ime, prindërit e mi, kanë jetuar e punuar me aktivizimin e një rezistence politike e institucionale kundër regjimit shtypës serb, rezistencë që është bërë me shumë sakrificë nga shqiptarët e Kosovës. Tash kur kam përmbyllur njërën fazë të përgatitjes sime akademike - jam e doktoruar  në fushën e shkencave ekonomike, përveç motivimit të punës kërkimore-shkencore dhe të punës me studentë, që vijojnë të jenë prioritet imi, kam shprehur ambicien time të jem pjesë e listës së LDK-së për kandidatë për deputetë. Jam shumë e nderuar që LDK dhe lideri i saj Akad. Isa Mustafa, kanë parë te unë vlera për të qenë pjesë e kësaj liste, që është e përbërë nga njerëz me merita e kontribute të mëdha politike e profesionale.

 “Bota sot”: Jeni një bijë Gollaku, me gradë shkencore, e kam në dije se goxha me entuziazëm bashkë malësorët tuaj e kanë pritur nominimin për deputete, na thuaj se si do të ua shpërblesh ketë mbështetje?

Sevdie Alshiqi: Unë i përkas kësaj treve, këtij regjioni, aty ku u rritën prindërit e mi, aty ku kanë punuar gjyshërit e mi. Kam një lidhje të ngushtë të kujtesës me njerëzit e këtij vendi. Kam përjetuar gjëra të bukura në fëmijërinë e rininë time që më bëjnë të pasur shpirtërisht e të kem një lidhje të paharruar me njerëzit e rajonit të Gollakut. Janë të njohura mikpritja tradicionale, bujaria e fisnikëria e tyre që gjithçka të fitohet me mund e djersë; janë aq të fuqishme kudo që shkon atje, në çdo shtëpi që hyn. Kjo është një lidhje krejt e veçantë emocionale imja, porse ne duhet shmangur idesë së identifikimit regjional në kuptimin e kontributit që ne mund ta japim si deputet; që të ndikojmë në politikat shtetërore në nivel vendi që garantojnë siguri dhe mirëqenie për popullin e Kosovës. Nëse do të marrë besimin për të qenë deputete, njohuritë dhe dija ime, të profilizuara kah fushat e ekonomisë, do të jenë të përqendruara kah këto aspekte - kah programet ekonomike të zhvillimit agro-bujqësor dhe rural. Jo vetëm për regjionin e Gollakut, por për shumicën e regjioneve të Kosovës, është e domosdoshme të punohet për politika për rritjen e të ardhurave për popullsinë rurale, për të rritur mirëqenien e tyre, nëpërmjet rritjes së prodhimit e sigurimit të tregut për prodhimet e tyre. Në asnjë sektor nuk derdhet djersë më shumë, nuk bëhet mund më shumë - deri në vuajtje, se sa të njerëzve të Kosovës në sektorin e bujqësisë. Për këtë djersë e këtë mund që ata japin, duke zhvilluar prodhimet e tyre e duke forcuar ekonominë e vendit, dhe jo vetëm kaq, por duke u dhënë tokave të Kosovës bukurinë e tyre, për të mos e parë shëmtinë e djerrinave, duhet të shpaguhen - të ngritët mirëqenia e familjeve të tyre nëpërmjet përkrahjes së politikave subvencionuese.

“Bota sot”: Pasi konstatuam se ju jeni nga bota Akademike, jeni profesorësh e fakultetit Ekonomik, si e sheh veten në mesin e politikës, kur dihet se studentet janë pjesa ma vitale e shoqërisë që edhe të mbushin me emocione?

Sevdie Alshiqi: Thashë që prioritet i imi mbetet puna akademike dhe angazhimi im në mësimdhënie. Përgjithësisht ekziston një tendencë që angazhimi i njerëzve të specializuar të fushave të dijeve në politikë, në prapavijë të gjykohet me terma për vet egoizëm - si kërkesë për të pasur pushtet. Në shoqëritë si kjo jona, ku e kaluara ideologjike e ka dëmtuar rëndë të për rëndësuarit tonë për qëllimin e madh që të jemi të përgjegjshëm si të ndërtojmë dhe të zhvillojmë shtetin e ri të Kosovës, ideal ky për të cilin shumë breza janë sakrifikuar, e shumë vuajtje e trishtim kanë përjetuar, na duhet të marrim përsipër të angazhohemi për të dhënë kontributin profesional për politika efektive që i duhen shtetit të Kosovës. Pra, secili prej nesh mund ta ketë arsyetimin pse bëhet pjesë e angazhimit politik, në kuptimin që marrim përgjegjësi me ndërgjegje e vullnet për të ndihmuar në zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, për të zhvilluar ekonominë, për të zbatuar politikat më të mira për vendin tonë, që e ruajnë dhe e zhvillojnë sistemin sipas pikëpamjeve e besimit tonë nëpërmjet dijeve përkatëse.

 

“Bota sot”: Duke pasur parasysh se vendi është në kaos, ndër të tjera i mungon edhe zhvillimi ekonomik, anë e fort e juaja si eksperte e kësaj fushe, thuana si do fokusoheni që njohurit e juaj të i kapitalizoni në interes të Kosovës?

Sevdie Alshiqi: Vet gatishmëria ime për të qenë kandidate nga LDK-ja me jep force dhe vullnet se LDK-ja me programin e saj mundet të arrij, që përmes shtytjes së zhvillimit ekonomik, gjegjësisht NVM (ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme) të arrij të jetoj programin e saj më të mirë për qytetaret e këtij vendit. Kontributi im do jetë direkt në krijimin e kushteve-infrastrukturës për angazhimin më të madhe të rinisë tonë që është pjesa më vitale e familjes dhe shoqërisë. Kur themi këtë kam parasysh iniciativat që duhet ti nxisim të rinjtë për inovacione, projekte apo edhe biznese familjare, shteti duhet të krijoj parakushtet, si: përkrahjen me subvencione, ndërmarrësit e ndryshëm etj. LDK-ja ka mjaft hapësirë për rininë sidomos duke mos anashkaluar edhe shtresat tjera.

“Bota sot”: Politikat e gjertanishme në shpenzimin e buxhetit ka qenë klientëliste, politikë asfalti e tendero manie, çka mendon ju, si duhet dhe ku duhet të drejtohet buxheti, ngase në mungesë të vizionit të zhvillimit ekonomik, Kosova po zbrazet nga të rinjtë?

Sevdie Alshiqi: Këshilli i ekspertëve të LDK-së i përbërë nga të gjitha fushat me ekspertizat më të mira, ka sajuar programin qeverisës te LDK-së, ku bosht i kësaj është familja, pasi që vet shteti duhet të udhëhiqet sikur familja. Në program theks të veçantë janë arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik. Nga një edukim, arsimim i mirë vjen mësuesi, profesori, mjeku, inxhinieri, agronomi i mirë etj. Deri tani pos LDK, qeverisjet ishin tërësisht klienteliste, nepotiste, e po aq korruptuese. LDK-ja politiken fiskale të zhvillimit të vendit do ta orientoj drejt rritjes së buxhetit duke mos dëmtuar qytetaret, por duke vetëdijesuar që për shëtitin duhet të punohet dhe duhet dashur, duhet të krijojmë vetëdijen shtetërore.

“Bota sot”: Potencova ma herët se jeni bijë gollaku, e martuar me gollokasë, e rritur në Prishtinë, çka do bësh për Prishtinën e ngulfatur nga mbipopullimi dhe nga trafiku, çka do bësh për gollakun që në mungesë të ngritjes së zërit në parlament, ka mbetur e vetmja ‘zorrë qorre’ në Kosovë?

Sevdie Alshiqi: Është më së e vërtet që zona e Gollakut ka mbetur e pa trajtuar, e veçanërisht nga niveli lokal, që e ka obligim ligjor në zhvillimin dhe ruajtjen e infrastrukturës. Deri tani përveç rrugëve kryesore që janë ndërtuar nga qeveria Mustafa si ajo komunale po ashtu qendrore, deri tani nuk shihet që ka interesim të jetësojnë planet për zhvillimin e trevës së Gollakut. Trajtimi i zonës së Gollakut do të jetë një zë i imi që do të ngris për një zhvillim të qëndrueshëm, sidomos në bujqësi, turizëm dhe infrastrukturë publike, me qëllim që të arrihet efekti i kthimit të shfrytëzimit të pronave të të pareve tanë, familjareve tanë.

“Bota sot”: Në fund a keni ndonjë mesash për anëtarësinë dhe ma konkretisht për votuesit tuaj?

Sevdie Alshiqi: Unë jam një nënë dhe grua e thjeshtë, që, nëse zgjidhem deputete dijen dhe ndershmërinë time si deputete, do të isha e bekuar, nëse do të më jepej rasti ta ofroja për njërit që kanë humbur shpresën e besimin.

Meqë i përkas dijes që vjen nga fusha e ekonomisë, do të ngritja zërin për interesat e atyre që prodhojnë. Takimi im këto ditë me elektorat, ndërmarrje, organizata, autoritete prodhuese, më ka dhënë shumë informacion që, nëse do të zgjidhem deputete, të provojë të ndikojë në pushtet për të udhëhequr politika të caktuara favorizuese ndaj prodhuesve.

Ana tjetër e ndjeshme imja si grua dhe nënë, më bën të përfshihem në përkrahje të njerëzve me nevojë, sidomos të pleqve, të të sëmurëve dhe të personave me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm, që të ndërtohen politika sistematike të kujdesit për këto kategori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat