Frashër Demaj i bindur në fitore: Do të hapim faqe të re të historisë!

Intervista

Frashër Demaj i bindur në fitore: Do të hapim faqe të re të historisë!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 4 tetor 2019 Në ora: 17:05
Frashër Demaj

Në një intervistë ekskluzive kandidati për deputet në LDK, Frashër Demaj ka thënë për “Bota sot” se në Kosovë duhet të depolitizohen të gjitha institucionet publike, jo politike të cilat janë mbushur me drejtues e punonjës militantë të partive politike.

Ai ka thënë se duhet filluar që nga drejtorët e kopshteve, shkollave, dekanët, rektorët, drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe institucioneve tjera me interes publik e nacional.

Demaj ka theksuar se këta drejtues të dërguar si militantë partiak nuk e mbrojnë interesin publik e qytetar, por interesat partiake dhe kjo është dëshmuar në shumë raste.

Bota sot: Ju keni vendosur të hyni në listën me LDK-së. Në cilat pika u pajtuat?

Frashër Demaj: LDK është parti me traditë, e përkushtuar për vlera qytetare e kombëtare dhe për shtet ligjor. Programi i LDK është program i daljes nga kriza në të cilën është katandisur Kosova; program i zhvillimit ekonomik, shëndetësor, arsimor, shkencor, kulturor... Në këtë program kanë punuar për një kohë të gjatë një numër i konsiderueshëm i ekspertëve të fushave të ndryshme të cilët janë zotuar se me realizimin e këtij programi politik Kosova do të orientohet drejt zhvillimit të gjithëmbarshëm.

Bota sot: Cilat janë çështjet kryesore që do ti shpalosni në Kuvend , nëse futeni si deputet i LDK-së?

Frashër Demaj: Duke qenë se Kosova është një zonë elektorale do të mbroj interesat qytetare të gjithë kosovarëve e në veçanti do të përfaqësoj interesat e arsimit, shkencës dhe kulturës. Do të jem këmbëngulës në hapjen e perspektives së nxënësve, studentëve, mësimdhënësve dhe komunitetit shkencor. Gjithashtu do të përkrah çdo ligj e projektligj që ndikon në forcimin e shtetit dhe perspektivën e qytetarëve të vendit tonë.

Bota sot: Çfarë pritni nga LDK-ja në këto zgjedhje?

Frashër Demaj: Jam i bindur që LDK të fitoj zgjedhjet e 6 tetorit, të mbyllet faza e tranzicionit të gjatë rreth 20 vjeçar. Do të hapim një faqe të re të historisë së këtij vendi. Natyrisht që do të zgjedhim me kritere të bazuara politike e programore partnerë tanë në koalicionin pas zgjedhor.

“Bota sot” : Çka duhet të depolitizohet në Kosovë?

Frashër Demaj: Në Kosovë duhet të depolitizohen të gjitha institucionet publike jo politike të cilat janë mbushur me drejtues e punonjës militantë të partive politike. Duhet filluar që nga drejtorët e kopshteve, shkollave, dekanët, rektorët, drejtuesit e institucioneve të kulturës dhe institucioneve tjera me interes publik e nacional. Këta drejtues të dërguar si militantë partiak nuk e mbrojnë interesin publik e qytetar por interesat partiake dhe kjo është dëshmuar në shumë raste.

Bota sot: Si e vlerësoni ofertën e Vetëvendosjes drejtuar, LDK,-së dhe refuzimin e kësaj të fundit?

Frashër Demaj: Besoj që është bërë zgjidhja më e mirë. Të dy partitë garojnë të vetme dhe pas shpalljes së rezultateve zgjedhore do të shikohen mundësitë për koalicion.

Bota sot: A keni ndonjë plan konkret për ta prezantuar në Kuvend për ndalimin e presidentit Thaçi për marrëveshjen e tij Kosovë –Serbi dhe idenë e tij për “ korrigjim të kufijve” ?

Frashër Demaj: Pretendimet e z. Thaçi për “korrigjim të kufijve” ishin të dëmshme për interesat e Kosovës dhe interesin kombëtar. U gjykuan nga qarqe të ndryshme intelektuale dhe akademike. Aktualisht çdo përpjekje tjetër përveç idesë së konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës është e gabuar. Unë do të jem gjithmonë kundër çdo iniciative që dëmton interesin kombëtar e shtetëror.

Bota sot: LDK-ja kryesisht po fiton pothuajse në çdo sondazh, por sa janë pritshmëritë brenda partisë?

Frashër Demaj: Nuk dua të komentoj sondazhet por dua të them që LDK është e mobilizuar dhe presim një fitore solide dhe pastaj bashkë me partnerët të krijojmë një shumicë qeverisëse shqiptare që ti pamundësojmë Serbisë të instrumentalizojë serbët lokal. Natyrisht mbi bazën kushtetuese do të përfshihen edhe komunitetet nacionale të cilat i konsiderojmë konstruktive dhe të rëndësishme në fuqizimin demokracisë qytetare dhe shtetit të Kosovës.

“Bota sot”: Çka sipas jush janë veprimet urgjente që duhet ndërmarr qeveria e LDK nëse vjen në pushtet?

Frashër Demaj: Fillimisht duhet të ndalohet degradimi i skajshëm në të gjitha institucionet. Të filloj së zbatuari programi zhvillimit në mënyrë që të kthehet shpresa e qytetarëve dhe ata të besojnë institucionet e shtetit. Do të shikohen mundësitë e zhvillimit dhe përparimit që nga bujqësia që është bazë e rëndësishme e zhvillimit të Kosovës e deri te diplomacia e Republikës së Kosovës.

Bota sot: Shumë aderime kanë ndodhur në LDK cili është mendimi juaj për këto aderime?

Frashër Demaj: Secili qytetar që pranon programin e LDK-së respekton legjislacionin dhe nuk është ndesh me ligjin është i mirëseardhur në familjen tonë politike. Ne e kemi për obligim që ti ofrojmë mundësi dhe shanse të barabarta për të shfaqur kualitetet politike dhe profesionale. Kam qenë dhe jam kundër favorizimeve dhe ardhjes me “parashutë”. Secili që vjen në LDK duhet të kalojë nëpër nëndegë, degë dhe të ngjitet në hierarkinë e LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat