Nagavci: Përveç LDK-së nuk bashkëpunojmë me asnjë nga partitë tjera

Intervista

Nagavci: Përveç LDK-së nuk bashkëpunojmë me asnjë nga partitë tjera

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 19 tetor 2019 Në ora: 08:20
Arbërie Nagavci

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Arbërie Nagavci, kandidate për deputete nga radhët e Lëvizje Vetëvendosje,  ka thënë se kjo parti ka qenë e bindur për fitore në zgjedhjet e 6 tetorit. Ajo ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, është e gatshme për bashkëpunim  me LDK-në, të cilën e shohin si partnere të vetme bashkëpunimi. Nagavci gjatë kësaj interviste ka treguar se cilat ministri synon t`i drejtojë Vetëvendosje në rast të koalicionit me LDK-në. Po ashtu, ajo ka treguar se cilat ministri do të shuhen apo do të shkrihen në një.

“Bota sot”: Në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, dukshëm po prinë Vetëvendosje. Në fakt doli e para. Si do ta komentonit këtë situatë?

Arbërie Nagavci: Po, mendoj që fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është reflektim i dëshirës shumë i madh i qytetarëve për ndryshim. Ajo që është e rëndësishme është se qytetarët tashmë janë bindur se ndryshimet e vërteta në vend mund t’i bëj Lëvizja Vetëvendosje. Pas gjithë këtyre viteve punë me këmbëngulje dhe përkushtim na është dhënë besimi që të qeverisim me vendin në mandatin e ardhshëm.

“Bota sot”: A keni qenë të bindur se do të shënoj fitore, respektivisht para zgjedhjeve të 6 tetorit?

Arbërie Nagavci: Po. Madje siç po shihet, edhe diferenca në mes të partisë së dytë po thellohet në vazhdimësi.  Pra nuk është diferencë e papërfillshme dhe me votat e mërgatës po vjen duke u thelluar ndryshime në vota. Të gjitha partitë tjera me vite kanë qenë në pushtet dhe bartin koston e kësaj gjendjeje të vendit pas plotë 20 vitesh. Dhe puna jonë, takimet me qytetarët dhe bashkëbisedimet me ta, na e kanë bërë të qartë se ne do t’jemi fitues të këtyre zgjedhjeve. Por përkundër kësaj ne kemi zhvilluar një fushatë të mirë dhe nuk jemi ndjerë 100% të sigurt por ne kemi vazhduar përpjekjet tona për të dalë fitues.

“Bota sot”: Nëse potencialisht nuk arrihet koalicioni LDK-VV si siç është paraparë, çfarë do të ndodh?

Arbërie Nagavci: Me LDK-në kemi bashkëpunuar në mandatin opozitar dhe e kemi parë si partnerin më të përshtatshëm. I kemi ofruar para zgjedhjeve një koalicion duke i japë hapësirë zonjës Osmani që të jetë bartëse e listës. Ata kanë zgjedhur që të shkojnë të vetëm në zgjedhje dhe ne e kemi respektuar vendimin e tyre. Dhe kemi vazhduar të kërkojmë e të dëshmojmë se ne jemi të gatshëm për bashkëpunim, por nëse ata nuk janë të gatshëm, ne e kemi bërë të qartë se nuk do të ketë bashkëpunim me asnjë nga partitë, e sidomos PDK-në pasi që ata janë fajtorët kryesor për keq-qeverisjen në vend.

“Bota sot”: Prishtshmëritë e popullit të Kosovës, janë që të ketë një qeveri me më pak korrupsion dhe të përgjegjshme. A do të mund të mbajnë shpresë qytetarët se një qeveri kësisoj e udhëhequr nga Vetëvendosje?

Arbërie Nagavci: Qeveria Kurti do të jetë jo një qeveri me më pak korrupsion por një qeveri me zero korrupsion. Dhe një qeveri që vërtet do t’i adresoj çështjet korruptive, kontratat e dëmshme dhe vendimet e zyrtarëve që do të duhej të jenë në hetuesi apo prokurori.

Ne do të jemi shumë të kujdesshëm dhe një qeveri me shumë profesionalizëm. Ne e kemi bërë publike që do të kemi vetëm 12 ministri dhe vetëm dy zëvendëskryeministra dhe vetëm 27 zëvendësministra. Kjo për shkak se do të ndodh edhe shkrirja e disa ministrive për shkak se janë shumë. Ministritë të cilat janë të përafërta, gjegjësisht që kanë aktivitet të njëjtë do të shkrihet në një. Hapja e ministrive shtesë ishte një absurditet i llojit të vetë i qeverisë së mëparshme. Tashmë është e qartë se këto hapje janë bërë për të akomodu persona të caktuar gjë që nuk do të ndodh në qeverisjen Kurti.

“Bota sot”: Largimi i 12 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk e zbehi partinë. Madje siç duket, Vetëvendosje shënoi rritje pavarësisht që ata dolën. A keni patur ndonjëherë frikë ose dro që në rast se dalin këta, gjithçka që është kriju në Vetëvendosje do të rrënohet?

Arbërie Nagavci: Jo nuk kemi pasë frikë sepse ka qenë e qartë që motivet të cilat i kanë shtyrë një grup deputetësh të dalin nga Vetëvendosje, nuk kanë qenë motive të drejta. Kjo ka reflektu vetëm me keqardhje dhe asgjë tjetër.

Kthehemi tek qeveria

“Bota sot”: Në rast se krijohet qeveria Kurti siç po e quani, a ka shpreh Lëvizja Vetëvendosje synim apo dëshirë për t’i pasur disa prej ministrive nën petkun e saj, me fjalë tjera që t’i udhëheq ajo?

Arbërie Nagavci: Akoma nuk kemi diskutuar me LDK-në për këtë. Por ne kemi shprehur haptazi se prioritet i joni është lufta ndaj korrupsionit dhe shkapja e institucioneve. Andaj në këtë drejtim është e natyrshme që Vetëvendosje synon të udhëheqë me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme. Kjo edhe për shkak të ligjit anti-mafia dhe procesit të vettingut. Kjo do të duhej të përfundojnë gjatë mandatit tonë dhe përpos ministrinë e punëve të brendshme dhe natyrisht ministrinë e financave.

Për fund:

“Bota sot”: Si do ta përshkruanit me pak fjalë, qeverisjen Haradinaj?

Arbërie Nagavci: Është e qartë se qeveria Haradinaj, ka qeverisë në mënyrën më të keqe të mundshme. Edhe qeveri e cila do të mbahet në mend jo vetëm për numrin e madh të zëvendëskryeministrave, zëvendësministrave e këshilltarëve e tjerë për keqpërdorim të buxhetit duke e shfrytëzuar për luks por edhe për një qeveri e cila ka marrë vendim në kundërshtim të plotë me interesat e qytetarëve duke filluar nga nënshkrimi i demarkacionit e më rradhë. Po besoj që qeveria Haradinaj tashmë i përket së shkuarës. Qytetarët më votë e kanë ndëshkuar dhe shpresoj që qeverisje të këtilla nuk do të ketë më.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat