Rrëfimi ekskluziv i Don Lush Gjergjit për Skënderbeun, Ibrahim Rugovën dhe çrregullimin politiko-shoqëror të ditëve të sotme - Bota Sot
Rrëfimi ekskluziv i Don Lush Gjergjit për Skënderbeun, Ibrahim Rugovën dhe çrregullimin politiko-shoqëror të ditëve të sotme

Intervista

Rrëfimi ekskluziv i Don Lush Gjergjit për Skënderbeun, Ibrahim Rugovën dhe çrregullimin politiko-shoqëror të ditëve të sotme

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 23 tetor 2019 Në ora: 08:03
Don Lush Gjergji

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prishtinë, Don Lush Gjergji, ka folur rreth çështjeve politike, shoqërore e historike, të cilat e kanë shoqëruar kombin shqiptar. Ai fajëson politikën për mosnjohjen e deritashme të shtetit të Kosovës nga Vatikani. Don Lush Gjergji flet për rolin historik të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova si dhe sistemin e diktaturës në Shqipëri, për të cilin thotë se ka qenë një e zezë dhe një e keqe për mbarë popullin e në veçanti për të krishterët e sidomos për klerin katolik

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për politikanët e ditëve të sotme?

Don Lush Gjergji: Ata duhet të jenë në shërbim të popullit dhe të mirës së përbashkët. Një politik e mirëfilltë. Të mos mendojnë politikanët se populli duhet t’i shërbej atyre por anasjelltas, ata duhet t’i shërbejnë popullit.

Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të zotit dhe të popullit. Këto janë dy vlera të cilat në vlerat e përbashkëta gjinden vlerat e veçanta. Prandaj, shumëkush e kanë krijuar një konfuzion, të cilët mendojnë se personalja është më e rëndësishme se e përbashkëta. Përparësi duhet të ketë e mira e përbashkët. Një logjikë dhe një filozofi jete.

“Bota sot”: Përse po vonohet njohja e Kosovës nga Vatikani dhe çfarë keni bërë ju si Ipeshkvi në këtë drejtim?

Don Lush Gjergji: Ne e kemi bë kahmoti pjesën tonë edhe Vatikani po ashtu e ka bërë ngritjen në Ipeshkvi. Është çështja që shteti çka ka bërë në këtë drejtim që Vatikani ta njeh dhe ta pranoj Kosovën shtet. Kjo s’është çështja ime. Pa përkrahjen e selisë shenjtë dhe pa përkrahjen e Gjon Palit të dytë e të nanës Tereze dhe të Ipeshkvit të atëhershëm s’kishte ndodh as ajo që ka ndodh, mrekullia që ka ndërhy bota në çlirimin e vendit.

Prandaj dy çështje të cilat duhen mirë të dallohen. Selia e shenjtë është e gatshme. Ajo i ka pranuar të gjithë Presidentët e Kosovës me çdo nderim sikur të gjithë burrështetasit tjerë.

“Bota sot”: Meqë jemi tek Presidentët, çfarë ishte për ju Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova?

Don Lush Gjergji: Ibrahim Rugova për mua ka qenë një mik, një vëlla, një vizionar për shumë elemente edhe një profet. Njeriu i cili në momentin më kritik, diti të ofroi e të bashkoi popullin. Dhe po ashtu diti që të na paraqesë në mënyrë të dinjitetshme para botës. Me vlerat dhe virtyte të lashta e aktuale. Me strategjinë paqësore dhe jo dhunore. Sidomos me tri lëvizjet: pajtimet e gjaqeve, shoqata bamirëse e Kosovës Nëna Terezë, sistemi paralel shkollor dhe shëndetësor, bota e njofti elementin ma të mirën tonën dhe dal ngadalë e ndërroi mendimin e u kthye kah ne.

Ibrahim Rugova, ka qenë dhe mbetët një protagonist i dorës së parë të periudhës së para luftës, gjatë dhe pas luftës. Me një qetësi e largpamësi. Me një dëshirë të vetme që, populli shqiptar së fundi të jetë vetvetja e i lirë, për t’i shijuar vlerat e virtytet e demokracisë.

“Bota sot”: Ç’mendim keni për xhaminë që do të ndërtohet në Prishtinë?

Don Lush Gjergji: Kjo është çështje e Bashkësisë Islame. Ata kanë të drejtë të kërkojnë dhe nëse i plotësojnë normat ligjore, le të ndërtohet. Pse jo? Le të jetë një xhami e cila iu jep hapësirë besimtarëve që të takohen me zotin dhe me njëri tjetrin.

“Bota sot”: A ndjeheni të diskriminuar nga pjesëtarë të fesë myslimane meqë janë shumicë në vend?

Don Lush Gjergji: Jo, unë ndjehem si vëlla. Jemi njerëz që na bashkon përkatësia kombëtare shqiptare. Fatkeqësisht fetarisht jemi të ndarë, por fatbardhësisht nuk jemi të përçarë. Dhe fatbardhësia është kjo që jemi vëllezër dhe mundohemi që secili në mënyrën e vet ta jep kontributin për një shoqëri dhe shtet sa më të mirë.

“Bota sot”: Si ka qenë për ju sistemi komunist në Shqipëri?

Don Lush Gjergji: ka qenë një fatkeqësi që populli shqiptar gjatë periudhës së komunizmit ka pasur ndikime të ndryshme. Në rend të parë ndikimet sllave sidomos nëpërmjet serbëve e në mënyrë të veçantë nëpërmjet malazezëve. Këta e kanë themeluar dhe udhëhequr partinë komuniste shqiptarë atëherë. Pastaj ka ardhur periudha tjetër prej 1948-tën kur Jugosllavia është distancuar dhe ka dalë prej sistemit të paktit të Varshavës. Atëherë u keqësuan marrëdhëniet edhe në mes të Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kësisoj erdhi ndikimi i Bashkimit Sovjetik dhe pastaj erdhi ndikimi i Kinës. Kësisoj kemi kaluar fazë – fazë prej t’keqës në të keqën edhe më të madhe deri sa kemi ardhur në vitin 1967, që ndodhi çmenduria për të shpallur të vetmin shtet ateist në botë dhe nëpërmjet kushtetutës. Prandaj ajo ka qenë një e zezë dhe një e keqe për mbarë popullin e në veçanti për të krishterët e sidomos për klerin katolik. Se ai e ka ditë fort mirë se gjatë sundimit turko-otoman, po të mos kishte qenë kleri katolik dhe kisha katolike ne sot nuk do të ishim fare shqiptarë.

Nuk do të ruhej gjuha, tradita, kultura dhe qytetërimi evropian. Kjo ishte edhe arsyeja që sistemi e ka goditur më së tepërmi atë por natyrisht i ka goditur dhe gjithë të tjerët. Zoti e faltë.

“Bota sot”: Thatë që kisha katolike e ka ruajtur kombin shqiptar, gjuhën dhe kulturën. Ç’ d.m.th kjo?

Don Lush Gjergji: Po të mos ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ne ishim praktikisht në gjumë. Ai e zgjoi. Sivjet jemi në 330 vjetorin e Bogdanit, i cili mbas Gjergj Kastriotit vjen figura madhore në shekullin imzot Pjetër Bogdani. Bogdani, e ringjallë prapë elementin arbëror apo shqiptar me çetën e profetëve. Shekulli 17 është krejtësisht i errët nga ana shqiptare pa imzot Pjetër Bogdanin. Sepse burimet janë ose greke, ose sllave ose turko-otomane. I vetmi njeri i cili nga trojet shqiptare shkruan këto relacione dhe organizon kryengritjen për t’u liruar prej sundimit turko-otoman. Bogdani me fuqitë e veta, të mendjes e të zemrës lufton në sundimin e të huajve. Për atë arsye edhe emërtimi Çeta e Profetëve. Atë që nuk arrihet me ushtri e me forcë, të arrihet me pendë, mend dhe zemër.

“Bota sot”: Skënderbeu hero i krishterimit apo hero kombëtar?

Don Lush Gjergji: Gjergj Kastriot Skënderbeu për ne ilirët me prejardhje, pastaj në kohën e tij arbërore dhe sot shqiptar është një figurë shumë e ndritur. Dhe nuk është vetëm hero i popullit tonë por me një mënyrë është protagonist i kohës së vet dhe në dimensione evropiane. Mjafton të thuhet se ai i pari dhe i vetmi arriti t’i bashkoj principatat arbërore dhe ta krijoj një shtet edhe pse territorialisht dhe numerikisht i vogël. Por, i cili i bëri ballë atëherë perandorisë turko-otomane për 25 vite. Jo vetëm në trojet tona por edhe gjetiu. Mjafton të përkujtohet vetëm bashkëpunimi i tij që kishte me mbretërinë e Napolit, Venedikun, Dubrovnikun dhe Austro-Hungarinë e sidomos me Vatikanin. Dhe mënyra se si e kanë trajtuar bashkëkohanikët e tij dhe më vonë ajo na tregon që ka qenë figurë madhore. Papa Piu i dytë e definon si mbrojtësi i fesë së krishterë dhe atleti i Krishtit. Dhe pas Jezu Krishtit thuhet se në asnjë figurë historike nuk ka pasur më tepër trajtime, shkrime e romane.

Të përkujtojmë vetëm Vivandin e madh i cili ia kushton Operën. Kjo dëshmon dhe tregon se gjithsesi është heroi kombëtar. Ai i cili atëherë bashkoj principatat arbërore dhe ishte dashur në idenë, në frymëzim e në thirrje gjithë shqiptare të na bashkoj edhe sot pa marrë parasysh cilit shtet apo cilin vend jetojmë si shqiptar.

Është në dimensionet arbërore por ai e patë intuitën dhe idenë e mrekullueshme. Mohoi gjitha privilegjet që i kishte në perandorinë turko-otomane, u kthye në gjirin e popullit të vet, i bashkoj principatat të cilat ishin pikë e pesë dhe në luftë kundër njëri tjetrit dhe dëshmoi çka do të thotë vëllazëria gjithë arbërore atëherë dhe gjithë shqiptare sot.

“Bota sot”: Cili është qëndrimi juaj për Perandorinë Osmane?

Don Lush Gjergji: Sundimtari dëshiron që ta ketë një sundim të plotë. Dhe për ta pasur një sundim të plotë, dëshiron që t’i nënshtruarit t’i përkasin fesë të cilit i përket sundimtari. Taksat kanë qenë krejt ndryshe ndaj të krishterëve dhe atyre që janë islamizuar. Perandoria Osmane i ka dhanë përkrahje dhe privilegj atij që e ka përkrahë fenë islame apo myslimane. Dhe ndalesat e shumta, ndër të cilat ma e tmerrshmja ka qenë edhe marrja e fëmijëve për formimin e ushtrisë së jeniçarve. Dhe një gjë të tillë e ka përjetuar dhe Gjergj Kastriot Skënderbeu i cili në moshën e fëmijërisë qe marrë dhe edukuar atje. Pastaj kanë qenë rrënimet e shumta që kanë ndodhur. Mjafton ta themi faktin që ne jemi popull i krishterë i pari dhe jo vetëm në Mesdhe por edhe në Evropë ndërsa sot në Kosovë kemi kishën më të lashtën të vitit 1870. Ku janë gjithë ato kisha dhe objekte të cilat me shekuj qenë ndërtuar. Nuk i kemi rrënuar ne por i ka rrënuar dikush tjetër. Unë nuk dua të fajësoj askënd dhe larg saj të krijoj ndjenja të përçarjes. Mirëpo historia është faktologji dhe para fakteve nuk ka argumente. Kjo praktikisht ka ndodhur.

Të përkujtoj vetëm historinë e të parëve t’mi. Para katër ditësh isha në Paris dhe kemi patur promovimin e botimit të librit që e ka përgatitur motra Odet. Aty flitet për shpërnguljen e shqiptarëve në shekullin e 19 në Anadolli sipas dokumenteve franceze. Të partë e mi të Stubllës , Binçës. Vërnakollës dhe Terziajt, të cilët janë shpallur shqiptar dhe katolik janë përndjek dhe janë bartë në Gjilan. Prej Gjilanit në Prishtinë, pastaj Prishtinë - Shkup. Prej Shkupit në Selanik. Dhe prej Selanikit në Anadolli. Periudha turko otomane për ne është një periudhë e errët. Bile nuk është sa duhet e dokumentuar e studiuar. Ne duhet të hyjmë arkivave të ndryshme turke por sidomos atyre të Vatikanit, të Venedikut, Parisit, Londrës e Romës dhe qendrave të tjera për të parë se çfarë ka ndodhur me popullin tonë. Sepse historia jonë është pikë e pesë sikurse jemi edhe ne të shkapërderdhur.

“Bota sot”: Unë jam i mendimit që qytetari i sotëm është peng i shqetësimeve fund e krye materiale, të cilat i nxiten pareshtur nga modelet që ka përreth, reale dhe virtuale. Çfarë do të rekomandonit ju në këtë situatë? Si mund të zhvillohet përmasa shpirtërore e një kombi apo shoqërie?

Don Lush Gjergji: Unë kisha me thanë se ne, jemi çliruar fatbardhësisht edhe prej sundimit të romakëve – ilirët. Edhe prej sundimit turko-otoman pesë shekullor. Edhe prej atij sllavë një shekullor. Por ka pesë diktator të cilët janë pa vetëdije në kërcënimin e njeriut dhe njerëzimit.

Nën 1 është materializmi. Materializmi vlerëson vetëm atë çka shihet, çka duket dhe çka preket. Dhe zhvlerëson anën shpirtërore. Nën 2 është konsumimi është një kërkesë një oreks, një lakmi e cila s’ka kufi. Dhe këto po e shohim çka po ndodh me shoqërinë tonë. Ka njerëz të cilët kanë dalë thuajse të zhveshur e të zbathur prej luftës e sot janë ndoshta edhe milionerë duke shfrytëzuar çdo mjet dhe çdo formë vetëm e vetëm për t’u pasuruar.

Atëherë e treta është hedonizmi. Hedonizmi i cili e paraqet jetën e epshit. Vetëm jeta epshore ka përparësi në këtë situatë. Sikur të ishte ajo e vetmja gjë që njeriu e ka në këtë botë duke zhvlerësuar personin. Pra kur mashkulli e konsideron femrën objekt e jo subjekt. Dhe e shfrytëzon e keqpërdor deri tek prostitucioni.

Nën 4 kemi relativizmin në kuptimin punë për mu e punë për ty. Në këtë situatë prinë individualizmi i tepruar në kuptimin unë kam të drejtë e ti nuk ke të drejtë. Njeriu në këtë mënyrë e izolon vetveten dhe tjetrin e konsideron si armik, si kundërshtar apo si rival.

Dhe nën 5 kemi ateizmin praktik.

Prandaj këto janë pesë rreziqet jo vetëm për botën shqiptare por edhe për njerëzimin në tërësi. Janë sfida. Nëse nuk jemi të vetëdijshëm për këto rreziqe, ato depërtojnë në qenien tonë dhe na bëjnë të robëruar. Për këtë arsye i kam quajtur diktatorët e ditëve tona.

Këtu është rreziku permanent për çdo njeri, për çdo përkatësi fetare. Aty ku nuk ka vlera e as virtyte, aty nuk ka jetë. Për këtë, duhet t’i kthehemi vetëvetës dhe të vërtetës që domethënë vlerave dhe virtyteve ilire, arbërore dhe shqiptare. Mbi të gjitha duhet ta kultivojmë vllazërinë. Sepse siç do të thotë nëna Terezë pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim. Vetëm dashuria do ta shpëtoj botën. Bota dhe lufta jonë na ka çliruar prej të huajve. Por kush do të na çliroj prej veseve? Duhet të çlirojmë ne vetveten.

Duhet të përcaktohemi e të orientohemi. Të mos jemi pre e mentalitetit turmor apo grumbullor e masiv. Sepse shqiptari e ka të vetmin motiv të jetës. Kur ta pyesësh dikën se pse e bënë këtë gjë, prirja është gjithë po e bëjnë. E pse s’po e bënë një gjë, atëherë prirja është: Askush nuk po e bën.

Gjithmonë ne duhet të jemi vetvetja. Jemi të lirë kur atëherë kur jemi të mirë. Liria pa mirësi është anarki. Dhe unë frikësohem që populli im rrezikon si shumë popuj tjerë pikërisht për shkak të këtyre pesë elementeve.

Duhet të krijohet një kulturë e jetës, e besimit, dialogut dhe komunikimit. Këto janë tri elemente bazë. Nëse nuk bisedojmë s’mundemi me ardhë deri tek bashkëbisedimi. Nëse nuk kemi dialog, s’mund të vijmë deri tek komunikimi. Ne nuk guxojmë të biem në paragjykime ndaj njëri tjetrit, i mirë i keq, i përshtatshëm apo i papërshtatshëm. Të lejojmë njëri tjetrin që ta dëshmojmë se përse jemi dhe përse jetojmë dhe çka duam.

Tri elementet e identiteti të njeriut janë: Kush jam, çka dua dhe si dua ta realizoj këtë. Ai që nuk i ka këto tri elemente të qarta, asht një njeri i cili përplaset herëmajtas e herë djathtas. Që në të dy anët na pret vetëm humnera. Kurse ne duhet ta mbajmë drejtpeshimin.

“Bota sot”: Gjatë periudhës tënde sa ke shërbyer si prift, a ka pasur një moment të caktuar ku ke dyshuar në ekzistencën zoti?

Don Lush Gjergji: Jo. Gjithmonë sa më tepër ka qenë e vështirë, vuajtja dhe rrezikimi aq më tepër e kam pasur shtyllën e fuqishme në zotin dhe në përkatësinë time fetare si katolik dhe mbi të gjitha në thirrjen time meshtare që të jem sipas Bogdanit në shërbim të popullit dhe të zotit.

Sa më tepër ka vuajtur populli, aq më tepër kam pasur frymëzim që të bashkë ndaj me zotin.

“Bota sot”: Çfarë ishte për ju Jezu Krishti?

Don Lush Gjergji: Jezu Krishti është zoti i mishëruar. Ai si zot e ka gjetur formën dhe trajtën se si të bashkë ndaj me njeriun dhe njerëzimin vështirësitë, vuajtjen, kufizimet dhe mëkatet e robërinë. Prandaj nuk ka nevojë për një trilllim të tillë. Ne që besojmë në zotin, besojmë se zoti është i gjithëpushtetshëm. Ai e ka zgjedhur formën e mishërimit apo solidaritetit me ne. Prandaj e morri trajtën dhe natyrën njerëzore për të qenë afër dhe bashkë me ne. Ky është solidariteti i zotit me njeriun dhe njerëzimin. Ne kështu besojmë…

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat