Anton Quni: LDK ka intelektualë për secilin sektor, bashkë me VV-në do ta rikthejmë vendin në binarë

Intervista

Anton Quni: LDK ka intelektualë për secilin sektor, bashkë me VV-në do ta rikthejmë vendin në binarë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 nëntor 2019 Në ora: 08:24
Anton Quni

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni, ka deklaruar se kjo parti ka shënuar rritje në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, Quni ka thënë se kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ngjalli entuziazëm, vullnet e shpresë, duke zgjuar kështu elektoratin e fjetur të kësaj partie.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, gjithashtu ka thënë se Vjosa Osmani ka pasur mbështetje e fuqishme të Kryesisë, si dhe mbështetjen e të gjitha degëve në teren. 

Ndërkaq, duke folur për ecurinë e bisedimeve mes LDK-së dhe VV-së, ai ka thënë se grupet punuese po punojnë në harmonizimin e programit qeverisës, ndërkohë ka paralajmëruar se së shpejti do të ndodhin edhe takimet në nivelin politik.

Në këtë intervistë të gjatë, kryetar i degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni, ka folur edhe për arsyet pse kjo parti nuk doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, për ministritë që pretendon të udhëheqë ky subjekt, si dhe për rezultatin e LDK-së në Prizren.

“Bota sot”: z. Quni, si i vlerësoni zgjedhjet parakohshme parlamentare të 6 tetorit?

Anton Quni: Ishin zgjedhje që shkuan shumë mirë, fer, korrekte dhe pa ndonjë problem të theksuar. Zgjedhje që u vlerësuan me nota të larta edhe nga monitoruesit ndërkombëtar. Ky fakt më gëzon shumë, sepse Kosova ka aq shumë nevojë që të prodhojë lajme të mira, në radhë të parë për vetën e saj, por edhe në arenën ndërkombëtare.

“Bota sot”: Mendoni se ka rritje Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje, dhe a ishte znj. Osmani arsyeja e kësaj rritje?

Anton Quni: Mendoj që pavarësisht faktit që nuk dolëm të parët, rezultati mes nesh dhe të parit është pothuajse simbolik, me një diferencë që nuk arrin as 1 për qind. Natyrisht që Vjosa Osmani, ngjalli entuziazëm, vullnet e shpresë, duke zgjuar elektoratin e fjetur të LDK-së që viteve të fundit nuk dilnin tek kutitë e votimit. Ende nuk e kemi rezultatin përfundimtar për të bërë krahasime e analiza të thukta, por, mendoj që LDK ka shënuar rritje.

“Bota sot”: Pasi jemi tek zgjedhjet, cilat ishin shkaqet që subjekti juaj nuk doli e para?

Anton Quni: Ne u angazhuam shumë që të jemi të parët, por, një gjë duhet ta pranojmë, votuesit që jetojnë e veprojnë jashtë Kosovës, kësaj radhe përcaktuan fituesin. LDK i ka strukturat e veta në vendet e diasporës, por si duket nuk kemi punuar mjaftueshëm me to. Një angazhim i yni më i madh me degët tona jashtë vendit, jam i sigurt që do të na sillte fitoren. Sigurisht, që ka edhe arsye të tjera, të cilat lidershipi i partisë do të mblidhet e t’i analizojë pas publikimit të rezultateve përfundimtare.

“Bota sot”: Ka pasur përkrahjen e Kryesisë, kandidatja për kryeministre znj. Vjosa Osmani, pasi shumë herë në media kjo çështje është diskutuar?

Anton Quni: Natyrisht që ka pasur mbështetje e fuqishme të Kryesisë, të gjithë akterëve të saj, dhe mbështetjen e të gjitha degëve në teren. Të gjithë punuam dhe donim ta fitonim garën, gjatë rrugës ndoshta bëmë ndonjë gabim. Ditëve në vijim do ta analizojmë gjithë kampanjën dhe procesin, dhe sigurisht që në të ardhmen e afërt do të ndërmarrim masat e nevojshme për t’u përforcuar, e për t’u përmirësuar.

“Bota sot”: Tashmë jemi duke i parë takimet e vazhdueshme mes dy subjekteve të para të zgjedhjeve të 6 tetorit për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi për qeverinë e ardhshme. Ju z. Quni si po i shihni këto, dhe a besoni se do konkretizohet një gjë e tillë së shpejti?

Anton Quni: Besoj që gjithçka po ecën mirë, grupet punuese po punojnë në harmonizimin e programit qeverisës, ndërkohë, që së shpejti do të ndodhin edhe takimet në nivel politik. Jam i sigurt që vullnetin e qytetarëve të Kosovës do ta kthejmë në realitet, duke u bërë bashkë mbi parimet e qeverisjes së mirë, gjë që i ka munguar kaq shumë vendit tonë. Pritjet e qytetarëve janë shumë të mëdha, jemi të vetëdijshëm për këtë, prandaj, do të tregohemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në maksimum që të mos i zhgënjejmë, por t’u ofrojmë një qeverisje ndryshe, të përgjegjshme, efikase dhe transparente. Një qeverisje që Kosovën e rikthen në binaret e normalitetit. Marrë parasysh këtë, do të duhej të arsyetohej edhe koha pak më e gjatë e bisedave dhe takimeve tona. Të dyja palët po mundohemi që të dalim sa më mirë nga ky proces.

“Bota sot”: Mendoni se ka ndonjë çështje për të cilën nuk do të mund të ketë pajtueshmëri në mes këtyre subjekteve, është fjala për LDK-në dhe VV-në?

Anton Quni: Natyrisht që ne jemi subjekte të ndryshme politike, kemi programe po ashtu të ndryshme. Dallon edhe mënyra se si i qasemi çështjeve e problemeve, por me vullnet të gjitha mund të harmonizohen. Kjo edhe po bëhet për ditë e më shumë nga grupet punuese. Pikat që na bashkojnë janë më të shumta, se sa finesat që na ndajnë me Lëvizjen Vetëvendosje. E mbi të gjitha, na bashkon interesi i vendit për t’u ofruar qytetarëve tanë një qeveri që punon për ta, dhe për Republikën e Kosovës.

“Bota sot”: Konsideroni se këto dy subjekte do të qeverisin mirë me vendin? Cili është mendimi juaj?

Anton Quni: E thash edhe më parë, të dy palët jemi të vetëdijshëm që vendi ndodhet në situatë të palakmueshme. Demi që i ka shkaktuar qeverisja e papërgjegjshme paraprake është i madh si në nivelin e brendshëm, po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, kjo qeverisë së re do t’i merr shumë kohë dhe energji për ta riparuar, marrë parasysh që jemi para shumë sfidave, raporti me Serbinë, procesi i njohjeve të vendit, procesi i integrimeve, papunësia enorme, ndalja e trendit të largimit të të rinjve, zhvillimi ekonomik, problemet në arsim e shëndetësi..etj, të gjitha këto kërkojnë kohë, ekspertizë dhe angazhim e vullnet për t’ia dalë, dhe, fatmirësisht, asnjë nga këto nuk besoj që do të na mungojnë për t’ia dalë mbarë.

“Bota sot”: Me cilat ministri pretendon të udhëheqë Lidhja Demokratike e Kosovës, në rast të marrëveshjes më Lëvizjen Vetëvendosje?

Anton Quni: Kjo varet krejtësisht nga bisedat që do të bëhen në nivel politik mes dy subjekteve. Lidhja Demokratike e Kosovës ka potencial intelektual e profesional për secilin sektor. Këtë e dinë edhe partnerët tanë të ardhshëm. Çështja është vetëm të arrihet pajtueshmëri fer e korrekte politike mes nesh, dhe bashkëpunimi të ngritët mbi bazën e mirëbesimit dhe funksionimit sa më të mirë të kabinetit të ardhshëm, që t’u shërbejmë sa më mirë qytetarëve të vendit.

“Bota sot”: Jeni të kënaqur me rezultatin në komunën ku ju jeni kryetar i degës, dhe a ka rritje Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren?

Anton Quni: Po, kemi shënuar rritje diku afër 4 mijë vota. Ka mundur të arrihet edhe më shumë sikur të kishim më shumë kohë të merreshim me strukturat e degës, para se të hynim në zgjedhje. Siç e dini, unë kisha vetëm 2 muaj që kisha marrë drejtimin e LDK-së në Prizren. Shto këtu edhe faktin se ishte kohë pushimesh verore, nuk arrita të bëjë më shumë se kaq. Po të kishim vetëm pak më shumë kohë, do të arrinim të ishim të dytët, e me një afat pak më të gjatë kohor, ndoshta disa muajsh, edhe do të kishim dalë të parët në Prizren. Unë kam një ekip të mrekullueshëm, entuziastë dhe të gatshëm për të punuar në rritjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren. Ditëve në vijim, do të mblidhemi dhe do të analizojmë rezultatet në çdo cep të komunës, pastaj, do t’i përveshim mëngët dhe do të fillojmë t’i riparojmë të gjitha defektet që i kemi evidentuar, dhe do të angazhohemi për ta forcuar e rritur LDK-në, e për t’u bërë gati për zgjedhjet lokale, të cilat synojmë t’i fitojmë kurdo që ato të mbahen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat