Albin Kurti, kryeministri i parë, që do t’i kërkojë Serbisë dëmshpërblim për krimet e luftës - Bota Sot
Albin Kurti, kryeministri i parë, që do t’i kërkojë Serbisë dëmshpërblim për krimet e luftës

Intervista

Albin Kurti, kryeministri i parë, që do t’i kërkojë Serbisë dëmshpërblim për krimet e luftës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 6 nëntor 2019 Në ora: 08:00
Albulena Haxhiu

Njëra ndër deputetet më të votuara të Levizjës Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit nuk e obligon partinë fituese të jetë e varur nga Lisat Serbe dhe se ky subjekt politik do të defaktorizohet.

Sipas Haxhiut, nuk do të ketë fuqizim dhe besim në institucionet e drejtësisë nëse nuk bëhet “Vettingu”, që do të jetë pjesë e programit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Deputetja Albulena Haxhiu ka thënë, se kritikat ndaj kryeprokurorit të shtetit kanë qenë pikërisht se ky i fundit nuk ka vepruar ndaj të korruptuarve, pra këtyre zyrtarëve që kanë mbajtur petkun e pushtetit por që u pasuruan në mënyrë të kundërligjshme pa u penguar fare nga institucionet e drejtësisë. “Shumë keqpërdorime, zhvatje e abuzime janë toleruar, pra prokuroria ka mbyllur sytë për shkak të ndikimit nga pushtetet e deritanishme, rrjedhimisht kapjes së shtetit”, është shprehur ajo.

“Bota sot”: Si e vlerësoni procesin e zgjedhjeve në vend dhe a mendoni se qytetaret e Kosovës kanë treguar pjekuri në këto zgjedhje?

Albulena Haxhiu: Zgjedhjet e 6 tetorit, kanë qenë tregues i emancipimit qytetar, gjë për të cilën jemi angazhuar prej vitesh. Në zgjedhjet e 6 tetorit qytetarët kanë dërguar disa sinjale e mbi të gjitha me votën e tyre kanë ndëshkuar subjektet që janë përgjegjëse për degradimin e vendit. Zgjedhjet e 6 tetorit, në përgjithësi ishin mirë të organizuara, me përjashtim të disa pengesave ligjore e të cilat duhet të mënjanohen sa më parë me procesin e reformës zgjedhore.

“Bota sot”: Ende nuk ka përfunduar numërimi i votave në QNR. Sa mendoni se do të merr kjo kohë? A mendoni se votat nga diaspora do të jenë shumica për VV?

Albulena Haxhiu: KQZ ka diskriminuar mërgatën tonë dhe ka tentuar të cenoj të drejtën kushtetuese të votës, duke refuzuar të numëroj votat e tyre, të cilat pa fajin e tyre, kishin arritur me vonesë në adresë të KQZ-së. Fatmirësisht, Gjykata Supreme me aktgjykimin e saj, nuk lejoi cenimin e të drejtës së votës. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat që secila votë të numërohet, prandaj kemi dorëzuar dje edhe njëherë ankesën në Supreme sepse PZAP veproi në mënyrë të pa precedent që nuk njohu aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Është e qartë që afër 60 % e votave të mërgatës janë për Lëvizjen, megjithatë pavarësisht kësaj ne do të vepronim njësoj edhe sikur të ishte e kundërta sepse ne angazhohemi për përfshirje aktive të mërgatës në zhvillimet në Kosovë.

“Bota sot”: A mendoni se muaji nëntor do të sjell edhe formimin e Qeverisë apo duhet pritur edhe më shumë?

Albulena Haxhiu: Ne presim certifikimin e rezultateve. Urojmë që kjo të ndodhë sa më parë. Pas kësaj, brenda 1 muaji, duhet të konstituohet Kuvendi dhe qëllimi jonë është që pa vonesa të votohet Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Deri ku keni arritur në bisedimet për koalicionin më LDK-në, cilat janë temat në të cilat ende nuk keni gjetur konsensus?

Albulena Haxhiu: Siç e kemi bërë të ditur, grupi punues po vazhdon punën intenzive me qëllimin e harmonizimit të programit qeverisës. Ne si grup nuk kemi mandat tjetër. Deri tani jemi dakorduar për strukturën dhe formatin e qeverisë si dhe kemi përafruar në masë të madhe programin qeverisës në zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, arsim e shëndetësi, ndërsa të enjten do të mbahet takimi i radhës dhe i fundit i grupit punues në të cilin do të diskutohen çështjet sociale si dhe do të adresohen çështjet për të cilat nuk kemi pasur dakordim të plotë në secilën prej këtyre fushave dhe do të përgatitet dokumenti për nivelin më të lartë pra atë të kryetarëve.

“Bota sot”: Vetëvendosje ka premtuar se nuk do të jetë e varur nga Lista serbe për qeveri. A do të jetë pjesë e qeverisë Lista serbe apo vetëm minoritetet tjera?

Albulena Haxhiu: Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, fatmirësisht është i tillë që nuk obligon varësinë nga lista serbe, rrjedhimisht duke mos u varur nga lista serbe, ky subjekt edhe mund të defaktorizohet. Ne synojmë që minoritetet jo shumicë pra romë, egjiptas, ashkalinj, boshnjakë, turq, të jenë të përfshirë në qeverisje, tashmë kemi mbajtur disa takime me ta. Sa i përket listës serbe, askund me Kushtetutë, nuk obligohemi t’i kemi në Qeveri. Ka dallim midis qytetarëve serb që e njohin Republikën e Kosovës dhe listes serbe që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve serb. Nuk mund t’i anashkalojmë serbët qe e njohin Kosovën dhe angazhohen për zhvillim e të kapërcejmë te LS.

“Bota sot”: Cilin post synoni ta keni në qeverinë e ardhshme të Kosovës?

Albulena Haxhiu: Deri tani nuk kemi diskutuar për këtë. Këto diskutime e vendime do të merren pas harmonizimit programor. Tani për tani dihet vetëm emri i kryeministrit.

“Bota sot”: Vetëvendosje bashkë më LDK-në ka premtuar se do të ketë vetëm 12 ministri, a keni arritur pajtim për këtë dhe si do të arrini ta Beni?

Albulena Haxhiu: Ndër vendimet e para ka qenë pikërisht kjo pra zvogëlimi i numrit të ministrive nga 21 në 12 dhe kemi pajtim të plotë. Kjo pastaj do të përcillet me zvogëlim të numrit të zv. kryeministrave dhe zv. ministrave.

“Bota sot”: Qeveria e ardhshme e Republikës se Kosovës a do të kërkoj “Vetting” për gjykatat dhe institucionet tjera të drejtësisë?

Albulena Haxhiu: Besojmë që nuk do të ketë fuqizim dhe besim në institucionet e drejtësisë nëse nuk bëhet Vettingu. “Vettingu” do të jetë pjesë e programit qeverisës, për këtë kemi pajtim të plotë edhe me LDK.

“Bota sot”: Çka do të ndodh në bisedimet më Beogradin, kush do ti udhëheq ato dhe a do të kërkoni dëmshpërblim nga Serbia ashtu siç ka paralajmëruar Albin Kurti?

Albulena Haxhiu: Me qeverisjen tonë nuk do të ketë qasje të njëjtë sikur deri tani në dialogun me Serbinë. Së pari ne do të angazhohemi në dialog me serbët e Kosovës për integrim, më tutje duhet të ketë një vlerësim për marrëveshjet e arritura deri tani, për 33 marrëveshjet e arritura në Bruksel. Duhet të dimë se cili ka qenë ndikimi i atyre marrëveshjeve, sa ka humbur Kosova dhe si ka ardh deri tek nënshkrimi i atyre marrëveshjeve. Më tutje për dialogun me Serbinë, duhet të kemi konsensus të plotë në vend e Kuvend dhe Republika e Kosovës duhet të parashtrojë kërkesat për Serbinë ku përfshihet edhe dëmshpërblimi. Kryeministri Kurti do të jetë kryeministri i parë që do të kërkojë drejtësi dhe dëmshpërblim nga Serbia për dëmet në luftën e fundit në Kosovë.

“Bota sot”: Dihet për keqpërdorimet që janë bërë më listat e veteraneve dhe numri I lartë I tyre. Çka do të bejë qeveria në hetim më të hollësishëm të njerëzve që kanë bërë ketë?

Albulena Haxhiu: Tashmë siç dihet, ky skandal po hetohet nga prokuroria. Qeveria nuk merret me hetime. Të gjithë ata që janë përfshirë në këtë krim, duhet të marrin dënimin e merituar. Ne anën tjetër ne kemi jashtëzakonisht shumë probleme me ligjin aktual i cili besoj që do të jetë në agjendë për plotësim ndryshim.

“Bota sot”: Vazhdimisht si opozitë keni qenë haptas kundër kryeprokurorit te shtetit Aleksandër Lumezit, a do të vazhdoni të kërkoni dorëheqjen e tij edhe më tej?

Albulena Haxhiu: Kryeprokurori i shtetit, në momentin e marrjes së këtij posti, ka dhënë premtime të fuqishme e sidomos në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit por fatkeqësisht këto premtimet nuk u realizuan asnjëherë. Ne kemi qenë kritik karshi prokurorisë së shtetit dhe kryeprokurorit për shkak të mosveprimit ndaj të korruptuarve pra këtyre zyrtarëve që kanë mbajtur petkun e pushtetit por që u pasuruan në mënyrë të kundërligjshme pa u penguar fare nga institucionet e drejtësisë. Shumë keqpërdorime, zhvatje e abuzime janë toleruar pra prokuroria ka mbyllur sytë për shkak të ndikimit nga pushtetet e deritanishme, rrjedhimisht kapjes së shtetit. Me qeverisjen tonë siç theksova më lartë, do të synojmë dhe do të angazhohemi për kthim të besimit në institucionet e drejtësisë dhe fuqizim të tyre përmes vetingut. Nuk do të ketë hakmarrje me qeverisjen tonë. Do të ketë drejtësi, transparencë e llogaridhënie.

“Bota sot”: Si e shihni përfshirjen e Lutfi Hazirit si kryesues në bisedimet mes VV dhe LDK-së?

Albulena Haxhiu: Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në caktimin e anëtarëve të LDK në grupin punues. Ne kemi obligim vetëm për anëtarët tanë. Përfshirja e z.Haziri, fare nuk ndikon në qëndrimet tona dhe pozicionin tonë në këto bisedime. Pavarësisht kush përfshihet në grup punues, tek ne nuk ka ndonjë peshë dhe as nuk e ndikon punën tonë.

“Bota sot”: Raporti i ardhur nga Zvicra për rastin e Astrit Deharit tregon mundësinë që Dehari të jetë vrarë në burg, kush mendoni se duhet të jep përgjegjësi për ketë dhe kur Z. Kurti të jetë kryeministër a do të kërkoj hetim shtese për rastin Dehari.

Albulena Haxhiu: Ne kemi qenë të bindur që Astriti nuk ka bërë vetëvrasje. Kjo është dëshmuar edhe nga dy ekspertët e pavarur, si dhe tash së fundi nga Instituti zviceran.

Ne kemi kërkuar menjëherë që lënda të mos i lihet prokurorisë në Prizren, e cila kishte deklaruar që Astriti ka bërë vetëvrasje. Kemi kërkuar që me këtë hetim të merret Prokuroria Speciale, kjo ka qenë kërkesë edhe e familjes Dehari dhe po ashtu kemi kërkuar që personat që ka qenë të përfshirë në këtë të mbahen larg hetimit të ri.

Kërkesa jonë po ashtu ka qenë edhe shkarkimi i gjithë zinxhirit dhe përgjegjësve të institucioneve dhe po ashtu hapjen e hetimeve për këta persona.

Me qeverisjen tonë nuk do të ndalemi deri sa drejtësia për Astritin të vihet në vend.

“Bota sot”: Ka diskutime të ndryshme se Isa Mustafa mund të jetë president i ardhshëm i vendit. Çka saktësisht keni biseduar më LDK-në dhe si do të zgjidhet presidenti i ardhshëm?

Albulena Haxhiu: Nuk kemi diskutuar asnjëherë për çështjen e presidentit, gjitha këto që janë përfolur janë spekulime.

“Bota sot”: Si e shihni PDK-në në opozitë dhe a mendoni se qytetaret e kanë ndëshkuar më vota për qeverisjen e keqe që e ka bërë?

Albulena Haxhiu: Zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë pozitive edhe për shkak se qytetarët ndëshkuan PDK-në duke dërguar në opozitë, subjektin që mbanë vulën e përgjegjësisë për dëmet që i ka shkaktuar vendit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat