“A e dini pse nëna folenë në zemër e ka, se bashkë me gjirin e saj, dashurinë për Atdheun m’a dha...!”

Intervista

“A e dini pse nëna folenë në zemër e ka, se bashkë me gjirin e saj, dashurinë për Atdheun m’a dha...!”

Nga: Alfred Papuçiu Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 13:16
Alfred Papuçiu

Gazetari: Ju keni shkruar libra dy gjuhësh dhe keni botuar shumë artikuj në shtypin shqiptar. A mund të na flisni pak për temat që i përshkojnë ato?

Përgjigje: Është e vërtetë se kam shkruar më tepër, pas një heshtjeje prej disa kohësh. Arsyet kanë qënë objektive dhe duhet gjatë për t’i shpjeguar. Ndoshta njëherë tjetër. Sidoqoftë, me gazetën „Bota Sot“ kam bashkëpunuar rregullisht për disa shkrime nga veprimtaritë e diasporës në Zvicër. Gjithashtu, ju keni botuar edhe shkrime për mua, si për shembull ai i botuar tek gazeta zvicerane „Le Courrier“ mbi respektin e kulturave të popujve të ndryshëm që e përbëjnë Zvicrën dhe sidomos Gjenevën multietnike. Ne shqiptarët kemi fat që jemi në Zvicër, pasi Konfederata Zvicerane na ka dhënë të drejtën për të mësuar gjuhën tonë amtare, të zhvillojmë kulturën tonë, si dhe çdonjeri mund të natyralizohet zviceran, dhe të ruajë nacionalitetin e vendit nga ka ardhur. Për këtë arsye,  librat e mij,  kanë si subjekte kryesore copëza nga jeta ime në Zvicër, por edhe të bashkëatdhetarëve tanë nga Kosova martire, viset, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga diaspora në vende të tjera. Libri: „Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara“ (pjesërisht dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht), pasi ndryshe do të dilte voluminoz, përmban edhe një ditar timin nga jeta diplomatike, apo si funksionar ndërkombëtar në Gjenevë dhe nga udhëtimet e mija në disa vende të Europës, SHBA, Afrikë, Azi etj. Ndoshta pjesën e ditarit mund ta botoj më vonë, pasi të kem vërejtjet e miqve dhe bashkëatdhetarëve për të. Ndërsa libri tjetër dy gjuhësh, shqip frëngjisht : „Nxënësja e etur e gjuhës romanshë“ përbëhet kryesisht nga skicat, tregimet, meditimet e mija nga Zvicra. Ai përmban edhe një ditar nga jeta prej mediatori kulturor, natyrisht i shkruar në vetë të tretë. Janë kujtime të bukura për trialologun midis mjekëve, në përgjithësi personelit kurues, pacientëve kryesisht nga Kosova, viset dhe Maqedonia e Veriut dhe mediatorit kulturor, përkthyesit. Ka edhe çaste të punës nëpër shkolla, apo në organizmat e ndihmës së Zvicrës ndaj shqiptarëve, çaste me të vërtetë emocionuese. Dua të shpreh mirënjohjen për realizimin e këtyre botimeve ndaj „Fondacionit për punë kërkimore dhe formimin e personelit mjekësor“. Gjithashtu, edhe miqtë e shumtë që dhanë ndihmesën e tyre për këto botime. Edhe libri „Me zemër të pastër“ në të njëjtën linjë është shkruar dhe është botuar në Gjenevë. Natyrisht refleksionet dhe kujtimet e mija janë vetëm përshtypje personale të mbledhura gjatë vitesh, që më angazhojnë vetëm mua. Unë e kam dashur gjithmonë profesionin tim „jo të këndshëm“ që më lidh me gjuhën dhe tokën time amtare, për të dhënë një mesazh. Ashtu si ata marinarët që i urrejnë stuhitë dhe shtrëngatat, por vazhdojnë të lundrojnë, edhe unë do të vazhdoj në udhën time të nisur prej afro 4 dekadash. Libri „Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara“, nga brendia kap një gamë të tërë problemesh, të trajtuara realisht, por edhe të fushës së diplomacisë dhe të punës me organizatat ndërkombëtare. Kultura politike e përfaqësuesve të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si dhe lidhjet që ata mbanin me përfaqësues të vendeve mike europiane, sillnin si rezultat që disa prej tyre, shpesh e kapërcenin rrezen e ngushtë të politikës së atëhershme. Ata përçonin ndjenjat e popullit shqiptar për një jetë më të mirë, krahas Europës, Zvicrës, Amerikës, apo parimeve të Kombeve të Bashkuara. Unë kam ngritur, jo pa qëllim në libër, problemin e përkatësisë europiane të kombit shqiptar. Argumentat kanë qënë dhe janë të shumtë për të bindur bashkëbiseduesit e shumtë për praninë e Shqipërisë „de jure“ në Europë, si dhe të Kosovës. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane si shqipja, ajo kulturë, puna e qindramijë shqiptarëve nga Kosova, viset dhe Shqipëria që kanë ndërtuar dhe ndërtojnë Europën prej dhjetra dekadash? A nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, heroi ynë kombëtar Skënderbeu që prej disa vitesh, në sajë të profesor Astrit Lekës mbi 90 vjeçar, qëndron në zemër të Parkut të madh të Gjenevës dhe vizitohet çdo ditë nga qindra bashkëatdhetarë dhe vizitorë të huaj, apo Isa Boletini dhe Adem Jashari. Janë gjithë ata guvernatorë, kryeministra e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, apo ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore; apo ndihma që iu dha italianëve gjatë kapitullimit të Italisë,  që u strehuan te vatrat e shqiptarëve të thjeshtë. Apo ata çifutë që nuk u dorëzuan tek gjermanet. Shqiptarët meritojnë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, edhe Kosova, edhe vendet e tjera të Ballkanit, edhe ata popuj që ëndërrojnë të „kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin në Europë“. Jemi në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë.

Gazetari. E keni ngritur disa herë me forcë idenë e përkatësisë së shqiptarëve në Europën disa qindramilionëshe. Pse i mëshoni këtij fakti pikërisht tani?

Unë si çdo shqiptar në diasporë i ndjek me tepër interes zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë. Nuk i përkas asnjë partie politike, por si shqiptar i thjeshtë, si ish-diplomat, dhe funksionar i pavarur në disa organizma ndërkombëtare për shumë vite, dhe me pjesëmarrjen time në mjaft konferenca ndërkombëtare, kam dashur të jap një mesazh modest për lexuesin shqiptar dhe miqtë tanë zviceranë apo europianë, të Europës që përfaqësohet në Bruksel. Gjithçka që shpreh është personale dhe nuk përbën ndonjë qëndrim të ndonjë grupimi politik, të një krahine të Shqipërisë apo Kosovës. Kam mbaruar studimet e larta fillestare në Universitetin e Tiranës, kam dhënë provimin për funksionarët ndërkombëtarë ne 1991 dhe kam marrë diplomën përkatëse nga selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Me vendosjen time këtu në Zvicër, mendova të aftësohem sidomos në problemet europiane, të cilat më duheshin edhe për punën që kryeja këtu si funksionar i pavarur i Komisionit Ekonomik të OKB-së për Europën, në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, apo edhe në Byronë Ndërkombëtare të Punës, në UNCTAD, si konsulent për botimet në organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu edhe për prirjen time për të njohur më thellë çështjet europiane. Profesorët e mij ishin nga kombe të ndryshëm, jo vetëm zviceranë, por edhe francezë, hungarezë, sllavë, gjermanë, italianë etj. Mbi gjithçka, ata i përmbaheshin qëndrimeve themelore politike, ekonomike, rajonale, të së drejtës, të ekonomisë së shërbimit, të historisë europiane, qysh nga fillimet e saj. Ishte me të vërtetë një shkollë e dytë për mua, pasi krijova një pamje tjetër të Europës së krijuar nga « baballarët » e saj, Robert Shuman, Jean Monet, Denis de Rougemont. Europa e cila shpëtoi nga hitlerizmi, në sajë të energjisë dhe kurajos së Winston Çurçillit, si dhe nga komunizmi, në sajë të nismës amerikane të Georges Marshall. Nuk është e rastit që para më tepër se 25 vitesh, në studimin tim prej mbi 100 faqesh për « Shqipërinë dhe Europën- perspektiva të integrimit », flas edhe për Europën, Shqipërinë dhe Kosovën. Një pjesë e këtij studimi ishte nga tema ime e « Diplomës së studimeve të larta europiane » në Universitetin e Gjenevës (Instituti Europian). Më kujtohet se jo pa qëllim, shtëpia botuese « Nagel » dhe botuesi i saj, miku im Louis Nagel, nxorri në dritë librin « Në emër të Europës » të Robert Shumanit. Nageli më fliste me tepër simpati në zyrën e tij pranë « Rue de l’Orangerie » në Gjenevë, për atë burrë kurajoz me të cilin kishte folur shpesh herë për çështjet europiane. Jo pa qëllim, por në shërbim të përkatësisë europiane edhe të Shqipërisë, u botua në vitin 2002, ky libër i Robert Shumanit, nga shtëpia botuese « Ora » dhe përkthyer prej shkrimtarit Besnik Mustafaj nga frëngjishtja . Parathënia është e Pjetër Arbnorit. Zoti Arbnori në parathënien e tij shprehet ndër të tjera « ne duhet të ndjekim shembullin e Robert Shumanit për të arritur zgjidhjen e problemeve të Ballkanit nëpërmjet integrimit europian, shkallë- shkallë. Zgjidhja sipërfaqësore është absurde, ne na duhet zgjidhja tridimensionale ose shumëdimensionale. Ajo duhet t’i bashkojë pesë tradita, gjashtë histori, shtatë kryeqendra, tetë gjuhë, nëntë shtete, dhjetë korridore rrugore që të përshkojnë kryqetërthor fushat e malet e këtij gadishulli pa i lëvizur kurrsesi kufijtë shtetërorë por duke i zëvëndësuar telat me gjemba me shkurret dekoratike ».

E përmenda këtë fakt, për të menduar çdonjeri nga ne, në Shqipëri dhe diasporë, në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut, se si t’ia arrijmë që gadishulli ynë të mos përmendet më si « fuçi baruti », « fushë dyluftimi » e Europës, apo me nofkë « Ballkanizimi », siç thuhet edhe për vendet diku atje larg në Afrikë, kur ka konflikte ndëretnike apo luftra vëllavrasëse. Nuk e di por me përzjerjen tonë, të gjithë, në Shqipëri dhe diasporë, si « politikanë të kulluar» që e « njohim në majë të gishtave politikën » që duhet të ndjekë qeveria në Shqipëri apo ajo në Kosovë e gjetiu, po shkaktojmë pa dashje çoroditje ; me mendimet tona plot mllef e urrejtje për njëri-tjetrin, tek stafi i Bashkimit Europian në Bruksel. Kjo po ndodh edhe te shumë miq tanë, që na pyesin për rrugën e reformave, apo për ndrimin e stafit qeveritar në Kosovë. E përsëris : nuk jam anëtar i një partie politike në Shqipëri, as nuk kam ndonjë interes personal, apo përfitim vetiak,  pasi jetoj dhe punoj në Zvicër, kam dyshtetësinë, jam krenar që Konfederata multietnike Zvicerane më ka dhënë të drejtën të mbaj edhe pasaportën e vendit tim mëmë, të punoj e jetoj denjësisht. Por e ndjej si shqiptar i thjeshtë se i duhet thënë « mjaft » varianteve të ndryshme që dalin në shtypin shqiptar të Tiranës apo të Prishtinës, apo edhe deklarata të tjera për qeverinë e re të Kosovës që do krijohet me kryeministër Albin Kurtin ; apo edhe për emërimin e stafit diplomatik me përvojë diplomatike, edhe me gjak të ri, të përkushtuar, me universitete të mbaruara në Europë, apo në SHBA që do të afishojnë me bon-sens e kurajo të ligjshme politikën e qeverisë së re. Këtë e kam theksuar edhe më parë, në krahasim me ndonjë diplomat të mefshët në të kaluarën edhe këtu në Zvicër që nuk di apo nuk dinte më tepër se rrezja e tij dhe ka patur frikë të ndeshet apo të « takojë » bashkëatdhetarët e tij në diasporë, paçka se ata janë më të ndershëm dhe më të përkushtuar për kombin se ai. M’a do mendja se kur ndrrohet qeveria në vendet më demokratike të botës, SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, Kanada, Francë, Belgjikë, Egjipt, Austri, apo edhe në Poloni, Bullgari, Kroaci, në Maqedoninë e Veriut e gjetiu, me ardhjen e një qeverie të re, stafi që përbën ambasadorët, sidomos në vendet kryesore, me të cilat ai shtet ka marrëdhënie diplomatike, caktohet nga partia në pushtet. Le të marrim shembujt vetëm tek diplomacia amerikane, e shtetit më të madh në botë që nga koha e Ajzenhaurit, Bushit, babait të presidentit Bush junior, Reganit, Klintonit, Obamës, Trumpit. Bile shumë shtete të botës së qytetëruar dhe me staf shumëfish më të madh se Shqipëria, për arsye të madhësisë dhe potencialit të tyre, dërgojnë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Paris, Vjenë, diplomatë të rinj me kulturë por edhe që mësojnë nga diplomacia dhe marrëdhëniet multilaterale. Nuk ka shkollë më të mirë për diplomatët e rinj se në këto vende, pasi jo vetëm zhvillohen shumë mbledhje e konferenca gjatë vitit, por aty gjen dhe kolegë zviceranë, amerikanë, gjermanë, francezë, austriakë, spanjollë, argjentinas etj., me të cilët ke kontakte shumë të shpeshta, se sa në një ambasadë në një vend ku ndiqen vetëm marrëdhëniet dypalëshe e ku nuk ka organizma ndërkombëtare.

Desha të shpreh shkurt se megjithëse Zvicra vshtë një vend i vogël, zëri i saj në organizmat e Kombeve të Bashkuara është i fuqishëm dhe rezultativ.  Zvicra e thotë fjalën e saj për çdo problem. I takon edhe Shqipërisë dhe Kosovës të thonë fjalën e tyre pa hezitim, pasi tanimë ka ikur koha e lajkave e frikës për « ndëshkime », për « mbetje qefi ». Ka ardhur koha e diplomacisë së zgjuar, e ekuilibrit midis fqinjëve, e barazisë së shteteve qofshin këta të mëdhenj nga territori, apo numri i popullsisë, e miqësisë me vendet europiane pa dallim, por edhe me vende të tjerë, qofshin këto arabe, vende islamike. Pse vetëm disa demokraci qofshin këto perendimore apo të vendeve të Europës Lindore apo Jugore,  kanë të drejtë të kenë marrëdhënie shumë të mira edhe me vendet ku ka shumicë kristianësh, apo edhe me vende ku shumica janë myslimanë, vendet arabe etj., dhe interesat ekonomike primare të vendeve që përmenda më sipër, por edhe të tjera si to, janë të tilla që marrëdhëniet me to, edhe pse bëjnë pjesë në Konferencën Islamike, janë të shkëlqyera. Të mos harrojmë vëllezër, se janë me qindramijra shqiptarë nga Kosova, dhe viset, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Shqipëria, në Europë dhe në botë, që japin ndihmesën e tyre modeste si punëtorë, ekonomistë, mjekë, inxhinjerë, arkitektë, gazetarë, shkencëtarë, artistë, profesorë, arsimtarë, etj., dhe hedhin një gur të sigurtë në themelet e këtyre shteteve. Por edhe ata qytetarë në Kosovë, kanë të drejtë që familjet e tyre një ditë të lëvizin në Europë dhe në botë, si edhe parlamentarët apo politikanët që e kanë shumë të lehtë të marrin një vizë. Një qëndrim në unison mbajnë të gjitha partitë politike, të krahut të djathtë, të qendrës edhe të majtë në të gjitha vendet që kanë një kulturë demokratike prej dhjetra dekadash…

Sa për insinuatat për lëvizje kufinjsh,  më duket se edhe diku mund të jetë shprehur në mënyrë të moderuar, apo edhe nga mllefi i dhembjes, i vuajtjeve, nga vetë shqiptarë të thjeshtë të Kosovës në diasporë, pas vrasjes mizore të vëllezërve dhe motrave të tyre nga regjimi satrap i Milosheviçit, pas atyre krimeve të pandëshkuara të Karaxhiçit apo Mlladiçit e kompani. As qeveria shqiptare dhe as parlamenti shqiptar, as edhe shtete europiane nuk mund të  vendosin se çdo të bëjë parlamenti, qeveria e Kosovës apo vetë populli atje, apo zgjidhjen më të mirë të vetë atij populli martir. As Europa, m'a do mendja nuk është e prirur të shtrëngojë darën e vet, siç lejoi ndarjen nga ish RFSJ, Slloveninë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi. Shqiptarët kudo që ndodhen në Kosovë dhe Shqipëri, në asnjë çast nuk janë për rishikim kufijsh, apo ndasi fetare, etnike. Nuk jemi për rishikim kufijsh të ndarë në Londër në tetor 1913. Megjithëse shqiptarët dhe historiografia botërore gjykojnë thjesht për të vërtetën historike se këto kufij ishin shumë të favorshëm për Greqinë dhe Serbinë dhe shumë pak në përputhje me realitetin etnografik. Atëhere, në disa kryeqytete pranë nesh, kishte nga ata që ishin të pakënaqur nga krijimi i një shteti shqiptar. Bile për një çast për shkak të konflikteve nga jashtë, Shqipëria u rrezikua të shuhej. Vetëm në dhjetor 1920 ajo u pranua si anëtare në Shoqatën e Kombeve. Historia natyrisht do ta kujtojë të kaluarën, por edhe shqiptarët kudo që janë : arvanitas, arbëreshë, arbanasit, kosovarë, shqiptarët që janë vendosur në botë, nuk janë aspak për ndryshime kufijsh, por duan që pasardhësit e Ilirëve, si popull autokton dhe një nga më të shumtët në numër të Europës antike, të jenë zot në tokën e tyre, që vëllezërit e Kosovës dhe në vise të gëzojnë si edhe popujt e tjerë, pasi janë banorë tepër të hershëm të Ballkanit. HIstoriani i shquar francez, Georges Castellan, në librin e tij « Histori e Ballkanit » thekson se nga ballkanasit më të vjetër janë dhe iliro-shqiptarët. Në mozaikun e popujve që e përbëjnë Ballkanin dhe Europën shqiptarët kanë qënë autoktonë. Jo më kot Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.s), natyralist romak i famshëm që botoi në vitin 77 e.s. serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar « Naturalis Historia », në vëllimin VII, shkruan : « Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët ». Gjuha shqipe është një nga 9 gjuhët indoeuropiane, që ka mbetur e paprekur, si dhe karakteri i vetë banorëve autoktonë shqiptarë. Fusha e mëllenjave është një vend i njohur mirë në Kosovën e shqiptarëve autoktonë. Një betejë që u zhvillua në kohën e Perandorisë Otomane. Mijra e mijra shqiptarë nga Kosova, si rezultat i dhunës dhe torturave të pësuara nga pushtuesi serbë, u detyruan të largohen më parë, por edhe në vitet ‘50 si rezultat i politikës çfarosëse, apo edhe më vonë nga terrori i regjimit të Milosheviçit, në mërgim. Shumë prej tyre u kthyen në tokën amtare pas rënies së këtij regjimi satrap. Ata duan të ruajnë pavarësinë, tokën e tyre, të trashëguar brez pas brezi. Ata nuk duan të grabisin tokën e tjetrit. Çdo shqiptar i ndershëm, megjithë padrejtësitë, nuk don kurrsesi të lëvizë  kufijtë shtetërorë, por nuk don më të shohë tela me gjemba midis kufijve të shteteve sovrane, por shkëmbime të ndërsjella ekonomike, kulturore, por vetëm « ndarje me shkurre dekoratike », me lule e gjithçka të mirë midis vendeve të Ballkanit. E tillë është sot edhe Europa demokratike. Midis Zvicrës dhe Francës, Zvicrës dhe Gjermanisë, Zvicrës dhe Italisë, natyrisht ka ndarje kufiri shpesh që nuk dallohet nga tokat e mbjella me grurë, apo me bimësi në të dy anët, ka kontrolle doganore, ka ekipe të lëvizshme për të ndaluar kriminelët apo « qoftëlargët » që ekzistojnë akoma në botën moderne, por ka më shumë lule, ka pemë simbol të paqes, të vëllazërisë, së solidaritetit, të mirëkuptimit…

Mendoj se i duhet thënë « Mjaft » më me ndërhyrje foshnjarake të politikanëve të dështuar që jo vetëm nuk kanë shkëlqyer asnjëherë në qëndrimet e tyre për çështjet e Ballkanit, të Kosovës, të Shqipërisë, të Europës dhe shqiptarëve, por vetëm e kanë lënë çështjen e pranimit të Shqipërisë në Europë, apo të Kosovës, apo çështjen e asistencës, të donacioneve nga organizmat ndërkombëtare apo donatorë të tjerë, të shtyhet në kalendrat greke. Ka ardhur koha që diaspora shqiptare në Europë, përfshirë edhe forcat politike në Kosovë dhe Shqipëri, të bëjnë më tepër, duke lënë mënjanë mëritë e së kaluarës dhe të së tashmes dhe të dëgjohet zëri dhe dëshira e një populli që nuk do të përsëriten më tragjeditë e së kaluarës. Edhe pse ligjërisht vendi ynë dhe përfaqësuesit tanë nuk janë në departamentet e Europës së Bashkuar në Bruksel, si shumica e përfaqësuesve të vendeve tanë fqinjë dhe europianë, ku shqiptarët punojnë dhe japin ndihmesën e tyre,  Shqipëria dhe Kosova  i përkasin Europës së menduar nga Shumani, Jean Monet, Denis de Rougemont, Alfred Borel, Germaine de Staël e sa e sa të tjerë …Me një popullsi prej mbi 380 milionë banorësh, Europa e të 27-ve që tashmë ka marrë formë, në fakt është dyfishuar nga madhësia e saj në krahasim me Europën e 9 vendeve që e përbënin atë para mbi 30 vjetësh dhe për më tepër akoma, në krahasim me Europën e 6 vendeve të 1958 që kishte vetëm 167 milionë banorë. Të 3 milionë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, ata  2 milionë të tjerë që jetojnë në tokën e tyre amtare në Kosovë, si dhe ata disa qindramijë që janë vendosur në vendet europiane, i përkasin « Europës pa kufi » për të cilën shkruante qysh më 1954 Françoix Perroux, i përkasin Europës së individit, të lirisë, të demokracisë. Le ta përfundojmë këtë urim me fjalët e Robert Shumanit, disa dekada më parë : « Kufijtë tanë në Europë do të duhet të jenë gjithnjë e më pak pengesë në shkëmbimin e ideve, të njerëzve dhe të të mirave. Ndjenja e solidaritetit të kombeve do të ngrihet përmbi nacionalizmat e tejkaluara tashmë ».

Të më falin politikanët apo parlamentarët që nuk janë në një mendje me mua, apo edhe me shumicën e diasporës së sinqertë në Zvicër, SHBA, Kanada, Francë, Austri, Gjermani, Australi, Zelandë e re, Argjentinë e kudo që duan të fshihet njëherë e përgjithmonë nga faqja e Shqipërisë dhe Kosovës, etiketa që i jepet akoma nga ana e shtypit të bulevardit për njerëz « të egër » , « të pagdhendur », dhe të merret shembull nga ajo pjesë e madhe e shqiptarëve dhe miqve të Shqipërisë që i nderon bota e qytetëruar : « Nënë Tereza » shqiptare, Skënderbeu, Edit Durham, Fan Noli, Lord Bajroni, Liliane Perrin, Julien Emery, muzikologu Marcel Cellier, gjuhëtari Robert D’Angely, doktoresha Solange d’Angely, shkrimtarja Anne-Lise Thurler, profesori i shquar zviceran Jean-Philippe Assal, mik i shumë shqiptarëve mjekë dhe profesorë të nderuar, arvanitasi Aristidh Kola, arbanasi arkitekt i dhjetra e dhjetra veprave në botë Franco Marussich, Nobelisti shqiptar Ferid Murati, kozmologia e shquar shqiptare në SHBA Laura Mersini, sopranoja Inva Mula, aktorët James dhe John Belushi, baletmaestro Angjelin Prelocaj, aktorja Eliza Dushku, ekonomisti i Wall Streetit Richard Lukaj, violinisti Tedi Papavrami, regjizorja Liri Begeja, astronauti William Gregory e shumë të tjerë…

Gazetari : Ju keni botuar disa libra radhas dy gjuhësh, shqip dhe frëngjisht apo keni përkthyer edhe autorë zviceranë. A mendoni të vazhdoni të shkruani përsëri në dy gjuhë ?

Përgjigje : E vërteta është se kam botuar disa libra dy gjuhësh me synimin që bashkëatdhetarët tanë të vegjël që mësojnë frëngjisht, sidomos në zonën romande të Zvicrës të mos harrojnë gjuhën e tyre. E dyta, nisur edhe nga dëshira e shumë miqve zviceranë për të ditur më tepër për Kosovën, viset dhe Shqipërinë, si dhe vetë shqiptarët në përgjithësi. Fillimisht e nisa qysh në vitin 1996 me një botim në shqip. Përktheva librin « Karruzeli i ëndrrave » të shkrimtares zvicerane, Marie-Luce Dayer, profesoreshë në një kolegj të Gjenevës. Ajo shprehu dëshirën atëhere, pasi kishte edhe nxënës nga Kosova në klasat e saj. Tani jemi duke përgatitur sëbashku librin « Në krahët e shqiponjës ». Kam botuar edhe përkthime të librave të saj në shqip. Tani po punoj për përkthimin e librit të autores tjetër zvicerane, Liliane Perrin « Një bashkëshort pa rëndësi » . Është historia e një zviceraneje që martohet me një bashkëatdhetar nga Kosova. Një ngjarje e bukur reale e kësaj shkrimtareje që fatkeqësisht nuk jeton më. Kam përkthyer edhe librin tjetër që është botuar nga « Toena » dy gjuhësh shqip frëngjisht të profesoreshës zvicerane Francine Koch « Fëmija shqiptar me sy të zinj » me përshtypje udhëtimi të saj në kuadrin e një projekti bashkëpunimi me shqiptarët. Kam përkthyer në frëngjisht edhe librin e prof. Bedri Dedes « Përrallat e Zvicrës » një kujtim i tij i bukur, para se të largohej nga kjo jetë. Gjithashtu, kam përkthyer nga anglishtja librin : « Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet njerëzore ».

Gazetari: Pikërisht të vijmë tek ky libër. Çfarë përmban ai dhe si është pritur ?

Përgjigje : Libri përmban një analizë të plotë të konfliktit të Kosovës, si dhe dëmet e shumta që i janë shkaktuar popullsisë martire sidomos në Kosovë. Flitet për shpërnguljet e detyruara të banorëve të Kosovës nga toka e tyre mëmë, për shkatërrimet e shumta të banesave të tyre, si dhe për masakrat e kryera nga pushtuesi serb. Ai është edhe një aktakuzë për regjimin mizor të Millosheviçit që shkaktoi një luftë të kotë, si dhe për mungesën e kushteve të favorshme për një mjedis të mirë në Kosovë, por edhe në zona të tjera të ish-Jugosllavisë. Libri përmban edhe një fjalorth. Më është dashur të punoj shumë, gjatë më se tre javësh, mbi bocat që më vinin në anglisht dhe që shpesh herë ndryshoheshin nga autorët, për të dhënë një pamje më të qartë të gjendjes së mjeruar në Kosovë, si rezultat i luftës. Shpesh më duhej të mendohesha shumë për të gjetur fjalët e përshtatshme në shqip, pasi nuk kisha të drejtë të konsultohesha me asnjë koleg përkthyes, vetëm se mund të pyesja për ndonjë fjalë të veçantë. Në realizimin e këtij libri voluminoz më ka ndihmuar mbesa ime Daniela Biba, shoku im i Fakultetit, i ndjeri  Agron Agalliu, si dhe djali dhe bashkëshortja ime e përkushtuar.

Gazetari : Në librin tuaj  « Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara » ju flisni në ditarin që e hap librin për jetën tuaj diplomatike dhe si funksionar ndërkombëtar. Si i keni mbajtur këto shënime ?

Përgjigje : Gjithmonë kam mbajtur shënime qysh kur isha i ri. Tregimin e parë e kam botuar tek gazeta « Zëri i rinisë » në vitin 1965. Profesori im i nderuar i letërsisë Dragush Çabej, e pëlqeu shumë hartimin tim me titull : « Shoqja e bangës » dhe e dërgoi për botim në gazetë. Botimi i saj, megjithëse kisha botuar më shumë letërsi për fëmijë, më shtyu të mbaj një ditar nga jeta ime e përditshme. Mbaja shënim sidomos çastet e bukura të jetës së shkollës së mesme, ku shoqëria jonë ishte e pastër. Shoqja e bangës sime, historia e hartimit është e vërtetë, ishte një vajzë e përkryer, që më përkrahte në çdo hap të jetës sime atëhere. Ishte thjesht një shoqëri me të dhe fatkeqësisht nuk e di ku ndodhet ajo tani. Kanë kaluar mbi 55 vjet qysh atëhere. Rrugët e jetës na ndanë dhe shumë shokë dhe shoqe janë shpërndarë nëpër botë : në Las Vegas, Florida, Nju Xhersi, Nju Jork, Paris, Vjenë, Kosovë, Stokolm, e gjetiu. Por të paktën me një pjesë të tyre komunikoj shpesh.

Gazetari : Kush ju shtynte për të shkruar ?

Përgjigje : Në radhë të parë, unë isha në një familje gazetari. Im atë i ndjerë, Tuni Papuçiu që vdiq në 1975, në Shkodër, në moshën 53-vjeçare, kishte qënë gazetar qysh në kohën e Luftës. Ai kishte nxjerrë gazetën « Përpjekja e rinisë » në Vlorë më 1943, bashkë me shkrimtarin e shquar Jakov Xoxa të « Lumit të Vdekur », kryevepër për stilin, ngjarjet e përshkruara edhe për vendasit dhe të ardhurit nga Kosova në Myzeqe, si dhe për gjuhën e pasur shqipe të përdorur prej tij. Me Jakov Xoxën babai ishte mik dhe nga një qytet. Jakovin e ndjerë edhe unë e kam pasë takuar shpeshherë, kur qëndronte në Apolloni për të shkruar romanin e tij, por edhe në ditët e fundit të jetës së tij, kur kurohej në pavijonin 12 të Spitalit në Tiranë. Bisedonim për letërsinë dhe Fierin tonë të dashur me njerëz të thjeshtë dhe të mirë, mikpritës, për gjirokastritë, por edhe për njerëz të trevave të tjera nga Shqipëria, sidomos edhe nga Kosova. Pas çlirimit të vendit në 1944, im atë u bë kryeredaktori i parë i « Sportit » në Shqipëri. Bashkë me Anton Mazrekun dhe shokë të tjerë organizuan « Ballkaniadën » në vitin 1946. Bile gazetari sportiv i njohur Besnik Dizdari në një shkrim të fundit e ka përmendur Tunin e paharruar, si veteran i « Sportit ». Gjithashtu,  një rruge në Fier, ku ka edhe shumë vëllezër nga Kosova të vendosur prej vitesh ju vu emri i tij. Aty ka qënë prefekt edhe patrioti nga Kosova, Tafil Boletini, i afërt i Isa Boletinit dhe mikut tim profesor Enis Boletinit. Ndër të tjera, Tafili ka mbrojtur gjyshin tim për të hapur një dyqan të vogël, pasi kishte pesë vajza dhe një djalë për të ushqyer.

Gazetari: Libri juaj « Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara » përmban edhe mbi 100 faqe nga ditari juaj. Çfarë mund t’i thoni lexuesit të gazetës për të.

Përgjigje : Ditari është mbajtur dhjetë, njezet, e më tepër vjet më parë. Tashmë, me kalimin e moshës, afro 73 vjeçare, kujtimet sikur ecin shumë më shpejt se koha. Shpesh herë u jam rikthyer atyre dhe ndjej një kënaqësi të veçantë, por edhe brengë për diçka që nuk është bërë si duhet. Lexuesve u kam paraqitur në atë libër vetëm një pjesë të vogël të ditarit tim të viteve, pasi këto shënime nuk kanë ndonjë gjë të veçantë. Ato janë kujtime të një qytetari të thjeshtë që ka patur fatin, siç mund ta kishin edhe shumë bashkëkohas të tij,  të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, apo në konferenca të tjera ndërkombëtare, për çarmatimin, problemet sociale dhe ekonomike, politike, të të drejtave të njeriut, të gruas, të sindikatave, etj., sidomos në Gjenevë, Bazel, Paris, Vjenë, Nairobi, Kajro, Qipro, Dubai, Greqi, Shqipëri e gjetiu. Nuk besoj se këto faqe do t’u interesojnë shumë njerëzve. Në fakt, ato i kam shkruar sidomos për djalin dhe vajzën time, të cilëve doja t‘u lija një lloj testamenti moral krejt të sinqertë. Duke lexuar ato radhë, ata do kuptojnë se jeta ime nuk ka qënë e lehtë, por plot sakrifica, dhe më është dashur të përtyp për hir të së ardhmes së tyre, edhe ndonjë rromuz, por kurrë nuk i jam bërë urë dikujt që është treguar meskin, apo i panjerëzishëm me mua. Edhe atë „qoftëlargun“ ia kam lënë Zotit ta gjykojë, këtë ua kërkoj edhe atyre që ai mundohet përsëri t‘u bëjë keq, apo të hedhë gurë dhe të fshehë dorën, të shpërndajë „fletushka“ si tinzar dhe të futet edhe në banesat e bashkëatdhetarëve, pa qënë i ftuar, pa menduar se një ditë edhe ai do të përfundojë si gjithë të tjerët atje në varrezat e Sharrës, Shtish-Tufinës, Gjenevës, Parisit, Vjenës, Nju Jorkut apo gjetiu ku vegjeton akoma në botën moderne. Një njeri që ka përqafuar rrugën e intrigës, qoftë edhe për një çast, e ka të vështirë të largohet prej saj ; çdo mënyrë tjetër jetese për të është pa kuptim…Mbi të gjitha kam patur dhe kam miq të shumtë, këtu në Zvicër, por edhe në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, Kanada, Greqi, Qipro, Turqi, Itali, Francë, Austri, e deri në Argjentinë. Me ta shkëmbej mesazhe të rregullta që më ngrohin zemrën dhe më japin kurajo të jetoj edhe pak. Sidomos për të mirën e njerëzve të mi më të shtrenjtë. Përsëris, hezitova shumë t’i botoj këto faqe të këtij libri. Por një miku im i mirë më bindi se sado keq që të jenë shkruar ato, mund të përmbajnë një dritë të vërtete, që brezi i ri, si fëmijët e mi apo të shokëve të mi  mund t‘i vlerësojnë sadopak.  Pra i ofrova vetes këtë luks për t‘iu rikthyer ndoshta për herë të fundit, ecurisë së jetës dhe veprimtarisë sime modeste. Të shkruash është një mënyrë të foluri, pa të ndalur njeri kur shpresh mendimet e tua.

Gazetari. Ju flisni në ditar për pjesëmarrjen tuaj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe nga jeta juaj në Gjenevë e gjetiu. A mund të na thoni se çfarë u ka bërë më tepër përshtypje në ato vite?

Përgjigje: Pjesëmarrja ime në AP të OKB-së në Nju Jork më krijoi mundësi në dy plane. Në radhë të parë ishte shkollë tepër e mirë për diplomatët por edhe pse isha në një vend demokratik. Shpesh ulesha te kafeneja e OKB-së që është përballë dhe shihja kalimin e anijeve apo edhe të helikopterëve që siç duket ngriheshin aty diku afër. Të shkruash për Nju Jorkun dhe madhështinë e tij, duhen faqe të tëra. Sidoqoftë, brezat tanë të ardhshëm do të kenë fatin të shkojnë edhe në të ardhmen lirisht në Amerikë, në këtë vend të lirisë dhe demokracisë së vërtetë. Nuk mund të them se edhe këtu gjithçka është e përkryer, por merr frymë lirisht.Një gjë kam vënë re atje. Gjithë delegacionet, përfshirë edhe fqinjët tanë algjerianë në vendet ku uleshim për shkak të alfabetit, ishin shumë më tepër në numër se delegacioni ynë. Shpesh ata i sjellin diplomatët e rinj në Nju Jork për të mësuar. OKB-ja për ta është si shkollë e diplomacisë. Dhe e vërteta kështu është. Në takimet e shumta me delegacione të ndryshme mëson shumë gjëra që në shtyp shpesh nuk dalin. Gjithashtu edhe për ndjekjen e problemeve më shqetësuese të kohës. Shumë diplomatë të formuar këtu në OKB janë bërë më vonë edhe burra shteti apo ministra të jashtëm të vendeve të tyre. Edhe unë kam mësuar diçka më tepër sidomos lidhur me marrëdhëniet e vendit tonë me vendet fqinje, apo edhe për Kosovën. Diskutimet shpesh dalin jashtë kornizave të pasqyrave të shtypit. Kam patur fatin e mirë që gazetaria më ka ndihmuar edhe për të ndërtuar sa më me saktësi dhe vërtetësi ngjarjet e kohës. Darkave, ndodhte që shpesh mblidheshim midis nesh për të pirë ndonjë gotë, pas një lodhje ditore. Shpesh në fund jave na thërrisnin vëllezërit tanë nga Kosova, nga Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Kalonim orë të lumtura me ta duke biseduar për hallet e bashkëtdhetarëve tanë, për dëshirën e tyre që fëmijët që jetonin në një mjedis amerikan të flisnin edhe shqip. U hap edhe shkolla shqipe atje. Bukur ishte kur mblidheshim për festën kombëtare dhe qëndronim deri vonë. Gjithashtu në Nju Jork më ka bërë përshtypje takimi me një grua që shëmbëllente si shqiptare, në katin përdhes të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ju afrova. I fola shqip. Ngeli e shtangur. Më pyeti nga jeni. I thashë nga Shqipëria. Më tha se edhe ajo ishte nga Shqipëria, nga veriu, por kur ishte mbyllur kufiri kishte ngelur matanë në viset shqiptare të ish-Jugosllavisë. Një vëlla duhet ta kishte akoma atje diku në veri, por nuk kishte asnjë njoftim për të. M‘u dhimbs, pasi kishte dhe një vajzë që e kishte të humbur dhe nuk e dinte se ku ndodhej. Aty bënte çdo darkë pastrimin e korridoreve të OKB-së. Nuk e pashë më atë grua, e cila ishte e urtë, por tepër e trishtuar. Në Nju Jork ka restorante shumë të mira dhe një pjesë e tyre janë pronë e shqiptarëve që janë vendosur aty prej kohësh. Shyqyri Selimaj, ose Bruno siç i thërresin ka dy restorante në rrugën 59-të dhe na ftonte për të ngrënë darkë. Ai ka rreth vetes dhe një staf të përbërë sidomos nga njerëz të familjes së tij. E ka zakon njëherë të na ulë tek bari, pastaj në tavolinë. Restoranti i tij është gjithmonë plot me njerëz që rezervojnë qysh më parë. Bruno punon që nga ora 9.00 e mëngjezit deri natën vonë, një e natës zakonisht, për të mbajtur e ushqyer familjen e tij. Një punë e rëndë dhe e vështirë por që atij i jep kënaqësi. Ashtu me atë kostumin e tij „shik“ dhe me buzëqeshjen karakteristike ai të ngjall respekt të veçantë. Nuk e di por e ndjeja veten si në shtëpinë time tek Shyqyriu, Gjysteja dhe Gjergj Kalaj, tek Bytyçët nga Kosova, tek plaku Paparisto, Petro Papanikolla, xha Hulusi Kavo, në familjen Selaj nga Dibra e Madhe, tek Pustina e shumë të tjerë që na ftonin herë pas here. Çmalleshim me njeri-tjetrin, pasi shumë prej tyre kanë kohë që s‘i kanë parë të afërmit. Ata mbanin krahas flamurit kombëtar edhe një bibliotekë të vogël me libra shqip. Agimi nga Kosova na sillte shpesh videokaseta me filma apo muzikë shqiptare që i përgatiste vetë. Sa shqiptarë të tillë të admirueshëm dhe njerëzorë kishte në Amerikë. Disa prej tyre tashmë nuk janë midis nesh dhe për ta nuk është folur asnjë fjalë! Sa jetojnë akoma për të cilët nuk flitet aspak dhe ndoshta nuk do të flitet kurrë! Ata janë me mijra në Amerikë e gjetiu dhe çdonjerit i dhemb zemra dhe jeton me ritmin e tokës mëmë.

Gazetari: Na flisni pak për jetën tuaj në Gjenevë?

Përgjigje: Në shtator 1987 erdha në Gjenevë ku është qendra e Kombeve të Bashkuara për Europën. Kam pasur fatin edhe më parë të vij në këtë qytet të bukur e mikpritës, pasi kam marrë pjesë në seanca të Komisionit Ekonomik të OKB-së për Europën, apo edhe për ndjekjen e projekteve të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (PNUD) me Shqipërinë. Këtu është një fushë e gjerë problemesh që duhen ndjekur, duke filluar nga çështjet ekonomike, politike, sociale, të energjisë, të tregtisë për zhvillim, të telekomunikacionit, të shëndetësisë, pa u zgjatur për problemet e çarmatimit, të drejtave e njeriut etj . Në Pallatin e Kombeve në Gjenevë janë zhvilluar bisedime të gjata që kanë sjellë si rezultat zgjidhjen e konflikteve të ashpra në shumë vende dhe rajone të botës. Edhe bisedimet e gjata për Kosovën martire. Kam shprehur dëshirën që ndonjë simbol i Shqipërisë apo Kosovës, një pikturë e bukur me pamje nga Shqipëria apo Kosova të ekspozohet dhe të mbetet në Kombet e Bashkuara, si edhe ato nga vendet e tjera anëtare. Por deri tani nuk e di a ka patur ndonjë rezultat në këtë drejtim. Gjithashtu, Gjeneva është terreni konkret ku mund të bëhet më tepër se kudo për tërheqjen e fondeve nga programet e ndryshme të Kombeve të Bashkuara, apo për pjesëmarrjen e specialistëve  nga Kosova e Shqipëria në seminare apo simpoziume me interes. Të paktë janë punonjësit nga Kosova dhe Shqipëria që punojnë për një kohë të gjatë në organizatat ndërkombëtare me bazë në Gjenevë. Hapja e një rruge të tillë do të sillte shumë të mira, pasi prania e drejtpërdrejtë në to jep mundësi për krijimin e kushteve të favorshme për tërheqjen e fondeve të domosdoshme për zhvillimin e vendit.

Kam dhe një kujtim tjetër të bukur të vitit 1989. Isha në Bazel ku u miratua konventa përkatëse mbi kontrollin ndërkufitar të mbeturinave të rrezikshme. Konventa nuk ishte vetëm një instrument për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbeturinave të rrezikshme, por gjithashtu për administrimin e sigurt të mbeturinave të tilla. Ajo u hartua nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit prej efekteve të dëmshme të shkatuara nga ekspozimi ndaj mbeturinave të rrezikshme. Indirekt ishte edhe problemi i ndotjeve në ish-Jugosllavi. Zvicra ishte tepër aktive gjatë konferencës së Bazelit. Ministri i jashtëm zviceran Flavio Koti më falenderoi për qëndrimin tonë dhe më dorëzoi një pikturë simbolike, duke qënë një nga nënshkruesit e parë të Konventës. Në fakt, megjithëse prita nga Tirana ndonjë përgjigje lidhur me Konventën dhe qëndrimin që duhej mbajtur, siç duket, punonjësi që merrej me këtë çështje në MPJ ishte i zënë me punë të tjera. Kështu më kishte ndodhur edhe herë të tjera.  Prandaj dhe e firmosa Konventën, duke e kuptuar rëndësinë e saj dhe mbi të gjitha pasi ishte kërkuar një bashkëpunim edhe nga një vend mik i Shqipërisë si Zvicra që ka pritur në gjirin e saj dhjetramijra shqiptarë. Mbaj mend se nga fqinjët tanë, ish- Jugosllavia nuk u bë palë në Konventë.

Gazetari: Keni patur një „incident“ me një gazetar të Kombeve të Bashkuara gjatë periudhës kur ishit përfaqësues i Shqipërisë në Gjenevë. A mund të na flisni pak për atë rast?

Përgjigje : Po! Në vitin 1990, gazeta “Journal de Genève” botoi një shkrim timin ku mbahej një qëndrim mbi ngjarjet në Kosovë. Kur shkoj tek zyra e pasqyrave të shtypit, një gazetar i huaj po i thoshte kolegut të tij: “Nuk i lejohet përfaqësuesit shqiptar të flasë para sheshit të Pallatit të Kombeve për Kosovën”. E pashë mirë në sy dhe iu drejtova: “Zotëri, ju nuk e keni kuptuar shkrimin. Ai është një përmbledhje e një pasqyre shtypi lidhur me qëndrimin tim si shqiptar për ngjarjet në Kosovë. Unë nuk kam folur aspak nga sheshi para Pallatit të Kombeve, por kam shprehur mendimin tim si anëtar me të drejta të barabarta në këtë bashkësi kombesh, për masakrat dhe arrestimet ndaj popullit kosovar. Ashtu besoj do të bënit edhe ju qoftë edhe si gazetar i një gazete të vendit tuaj, nëse do të cënohej dinjiteti i bashkëkombasve tuaj”. E pashë se nuk foli më dhe u skuq. Kur e shihja më vonë në korridoret e Pallatit të Kombeve përpiqej të më përshëndeste me përzemërsi.

Po në vitin 1990 u dha një shfaqje madhështore tek “Noga Hilton” në Gjenevë nga Ansambli shqiptar. Nismëtari i ardhjes së atij ansambli ishte bashkëatdhetari i përkushtuar për çështjen shqiptare, Imer Cacaj. Imeri, intelektual patriot dhe i ndershëm, më tha se mund të ftoja edhe funksionarë të organizatave ndërkombëtare dhe miq të shqiptarëve. Këngët dhe vallet u pëlqyen shumë. Kishin ardhur shumë shqiptarë edhe nga rajone të tjera të Zvicrës, nga Gjermania, Franca e gjetiu, por edhe diplomatë dhe funksionarë të lartë të Kombeve të Bashkuara. Salla ngrihej peshë nga brohoritjet e të pranishmëve. E pashë atë funksionarin e lartë të atij organizmi ndërkombëtar, me të cilin kisha qënë për vizitë edhe në Shqipëri, që u skuq kur pas çdo kënge filluan thirrjet “Kosova Republikë”. Në pjesën e dytë i propozova, për të mos e vënë në pozitë të vështirë, ndaj ndonjerit që nuk i shkonte për hosh ajo thirrje, që të shkonte po të kishte dëshirë. Por duke buzëqeshur më tha: “Alfred, qëndro i qetë, pasi këto janë ndjenja të një populli të vuajtur dhe krenar”...

Gazetari: Ç’mund të na thoni për miqtë zviceranë të shqiptarëve?

Përgjigje. Kur fillova punën si funksionar ndërkombëtar i pavarur në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në gusht 1991, një profesor i shquar zviceran në mjekësi që e kisha njohur edhe më parë, më dha çelësat e vilës së tij dhe m’u shpreh se gjatë pushimeve të tij mbi njëmujore mund të qëndroja dhe të banoja me familjen time tek ai. Akoma nuk isha rregulluar mirë me banesë, por nuk më vinte mirë ta pranoja. Ai gjeti mënyrën për të më bindur dhe unë kapërceja çdo ditë qytetin me biçikletë nga shtëpia e tij për të shkuar në punë në Kombet e Bashkuara. Një kënaqësi e veçantë të banoje në një mjedis aq të bukur dhe të pastër. Aty kam lexuar shumë libra interesantë në bibliotekën e pasur, darkave, kur qëndronim në verandën e shtëpisë së profesorit. Të shtunave dhe të djelave kisha dëshirë të punoja kopshtin. Aty pranë kalonte një lum dhe shumë afër ishte Saleva. Fqinji i profesorit, një bankier, me të shoqen na ftuan edhe për darkë dhe shpesh bisedonim miqësisht.

Kam kujtime të bukura edhe me Marcel Cellier, muzikologun zviceran që ka fituar një “Oskar” për disqet e tij me muzikë popullore.  Ky njeri është pritur me respekt të veçantë në disa vende të Ballkanit, ka realizuar me kompetencë disa emisione të bukura për muzikën popullore shqiptare në Radio Suisse Romandë. Kujtime kam edhe nga profesori në mjekësi Jean-Philippe Assal, shkrimtaren Marie-Luce Dayer, me të cilën përveç botimit të librave të saj dhe ndihmën që ajo më ka dhënë për botimin e librave të mij, kemi organizuar pasdite letrare në Bibliotekën Ndërkulturore të Kryqit të Kuq në Gjenevë për shqiptarët. Kam edhe miq të tjerë të mirë, funksionarë të organizmave ndërkombëtare me të cilët kam punuar vite të tëra, por edhe zviceranë dhe të kombeve të tjerë që punojnë në Gjenevë. Kam edhe miq shumë të mirë shqiptarë që janë vendosur këtu, si edhe në SHBA, Suedi, Francë, Greqi, Kanada, Gjermani, Itali e gjetiu.

Gazetari: Ju kemi shkruar shumë edhe për Talaseminë. Cfarë ju ka shtyrë?

Përgjigje: Unë jam anëtar bashkëpunëtor i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF). Ndërkohë kam lidhje të ngushta me Cooley’s Anemia Foundation, në Nju Jork.  Është një sëmundje gjenetike e përhapur në Itali, Francë, Shqipëri, Greqi, Qipro, vendet arabe, në Azi, por edhe në SHBA dhe Kanada, si rezultat i migrimeve të shumta. Federata Ndërkombëtare e Talasemisë që e ka selinë në Nikozi të Qipros bën një punë të madhe lidhur me diagnostikimin dhe përhapjen e të rejave për Talaseminë që ato të shkojnë jo vetëm në qendrat kryesore të mjekimit por edhe në fshatra e vende ku nuk ka akoma qendra të specializuara. Në këtë Federatë bëjnë pjesë 91 vende me shoqatat e tyre të Talasemisë, shkencëtarë dhe anëtarë individualë, mjekë në Europë e në botë, duke përfshirë edhe nga Shqipëria. Ajo organizon seminare dhe ka një program të gjerë edukimi mjekësor që fillon nga konsultat gjenetike dhe diagnoza prenatale që mund t’u japin familjeve njoftime të plota mjekësore për t’i ndihmuar që t’i kenë fëmijët në shëndet të plotë. Gjithashtu ajo jep herë pas here njoftime të vlefshme lidhur me trajtimin klinik të përshtatshëm për Talaseminë, në të gjitha format e saj. Tanimë, në shqip është botuar edhe libri “Mbi Talaseminë” i shkruar nga drejtoresha shkencore e TIF, Dr. Androulla Eleftheriou. Libri është  një udhërrëfyes i çmuar për pacientët talasemikë, si dhe për personelin mjekësor. Pas Konferencës së Limasolit në Qipro, më 27-28 mars 2004, me titull : « Përparime në diagnostikimin dhe trajtimin e Talasemisë », organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Talasemisë, dhe Konferencës Botërore të Talasemisë,  në Dubai, Turqi, ka patur shumë të reja lidhur me mjekimin bashkëkohor të Talasemisë. Informimi i familjeve që përbëjnë një mundësi të kenë paraardhës me genin e Talasemisë, depistimi i tyre me anë të anketave në familje, ose gjatë konsultave mjekësore të përditshme, apo konsultave paralindjes,  sjell mundësi për parandalimin e sëmundjeve tek fëmijët e ardhshëm. E domosdoshme është edhe diagnoza prenatale e realizueshme që nga vitet 1970, si pasojë e përparimeve të teknikave të marrjes së materialit gjenetik dhe biologjisë molekulare.

Të drejtosh sëmundjen vetiake, kjo gjë mësohet, thotë profesori i shquar zviceran, Jean-Philippe Assal. Si krijues në Europë i të parës njësi të mjekimit dhe mësimit për diabetin, ai pastaj u bë pionier i arsimit terapeutik. Drejtor i një qendre bashkëpunimi të OMS-it, si dhe President i një Fondacioni me prestigj, ai jep ndihmesën e tij me përvojën e madhe, duke ndihmuar në gjithë botën pacientë dhe personel mjekësor. Ja se si shprehet profesor Assal : « Duhet mësuar pacienti që vuan nga një sëmundje kronike që të drejtojë sëmundjen e vet, të ndihmohet që të jetojë sa më mirë duke e patur atë. Një i sëmurë që di të drejtojë mjekimin e vet shmang komplikimet, përmirëson cilësinë e jetës së vet dhe ka kënaqësinë të jetë më pak i varur nga mjekët, duke e ditur se e ka sëmundjen »

Federata Ndërkombëtare e Talasemisë është shumë e interesuar për gjetjen e rrugëve sa më efikase për të ndihmuar edhe Shqipërinë lidhur me diagnostimin e sëmundjes tek pacientët e mundshëm dhe për mjekimin klinik sa më bashkëkohor jo vetëm në zonat e qytetit, por kudo ku kjo sëmundje e shekullit shfaqet, në format e saj minore apo majore.

Diaspora shqiptare, si edhe një fondacion prestigjioz kanë filluar hapat e tyre për të ndihmuar futjen e teknikës bashkëkohore edhe në ato zona të Shqipërisë ku akoma nuk janë mjetet e domosdoshme për depistimin e sëmundjes si edhe të mjekimit klinik të përshtatshëm për fëmijët dhe të rriturit. Le të shpresojmë se edhe biznesmenët shqiptarë, si edhe qytetarët në Shqipëri dhe diasporë, nëpërmjet këtij mesazhi do të japin ndihmesën e tyre për shoqatën e talasemikëve si dhe për institutionet dhe personelin mjekësor që kujdesen çdo ditë për një jetë më të mirë për ata mijra pacientë që janë të prekur nga kjo sëmundje gjenetike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat