Haki Abazi: Qeveria Kurti, jo qeveri me njerëz të njollosur

Intervista

Haki Abazi: Qeveria Kurti, jo qeveri me njerëz të njollosur

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 23:15
Haki Abazi

Shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve i hap rrugë procesit të formimit të qeverisë së re. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja demokratike e Kosovës janë përfshirë prej disa kohësh në diskutime mbi programin e qeverisë së ardhshme, por rezultati përfundimar e fut procesin në një fazë të re atë të diskutimit mbi emra konkretë.

Deputeti i zgjedhur Haki Abazi i Lëvizjes Vetëvendosje, beson se nuk do të ketë asnjë pengesë në formimin e qeverisë së re. Përzgjedhja sipas tij duhet bazuar tek stardardi që vendos figura e vetë kryeministrit Albin Kurti, një emër i panjollosur dhe e që vendos në krye të axhendës së tij, interesin e qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Abazi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe partia juaj, Lëvizja Vetvendosje, është forcë e parë politike. Tashmë është radha e ngritjes së institucioneve të Kosovës. Kur mund të ketë Kosova një qeveri të re?

Haki Abazi: Mendoj se shumë shpejt, meqë sovrani ka vendosur një qartësi të plotë në kuptimin e fituesve. Kjo çështje është e kristalizuar në kuptimin që kryeministri tashmë është i ditur, sepse sovrani ka vendosur, është çështje e përgatitjeve dhe e marrëveshjeve që duhen bërë për shkrirjet programore që janë gjithashtu diskutimet që po vazhdojnë ndërmjet Lëvizjes Vendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe duke pasur parasysh energjinë e madhe pozitive që kanë shkaktuar këto zgjedhje, sidomos te qytetarët dhe mërgata jonë, atëherë mendoj që asnjë zhagitje nuk do t’i bëjë nder asnjë partie dhe asnjë subjekti politik për shkak se pritjet e qytetarëve janë që përveçse janë kryer zgjedhjet, të fillohet me punën dhe adresimin e çështjeve kritike sa me shpejt që është e mundur.

Ju e thatë, ka diskutime programore mes dy partive deri në këtë moment. Më pas do të diskutohet me emra konkretë se kush do të jenë anëtarët e ardhshëm të qeverisë. Do të ketë probleme në këtë proces?

Haki Abazi: Nuk parashikoj meqë mendoj këto zgjedhje nuk kanë qenë vetëm zgjedhje të zakonshme, kanë qenë edhe një referendum i përzgjedhjes së qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës mes së keqes që kishim për më shumë se 20 vite, mentalitetit qeverisës me privilegje dhe përfitime për bartësit e institucioneve në Kosovë, kundrejt opsionit i cili është qeverisje me llogaridhënie dhe hapjen me interesin e qytetarëve në qendër. Atëherë besoj se kjo në një farë forme përcakton edhe parimet dhe kritiret se kush mund të jetë në pozita kryesore në qeveri. Mendoj që pastërtia e kryeministrit, konsistenca e kryeministrit domosdo përcakton një standard të ri edhe për ministrat e të dyja subjekteve politike, të cilët duhet të jenë njerëz që nuk kanë të kaluar të njollosur dhe kanë determinimin, njohurinë dhe përcaktimin për të realizuar konceptin qeverisës dhe programin qeverisës, i cili përfundimisht do ta dërgojë në të kaluarën idenë e një zbrapsjeje apo manipulimi të qytetarëve për interesat e individëve. Do të jetë e kundërta. Kemi thënë që çkapja e shtetit është prioriteti numër që do të thotë: ligj dhe rend në vend, askush mbi ligjin. Mandej, realizimi i së drejtës për arsim cilësor, i cili do t’i bëjë qytetarët e Kosovës të aftë që të jenë pjesë e tregut dhe të realizojnë të drejtat e tyre në Kosovë.

A mund të themi që puna e koalicionit është e kryer?

Haki Abazi: Unë mendoj që për Vetvendosjen është dosido e kryer. Dhe mendoj që edhe për Lidhjen Demokratike, duke qenë se vendimi për të mos hyrë në koalicion parazgjedhor ishte pikërisht marrëveshja që secili subjekt politik të shkojë një nga një në zgjedhje dhe kjo bëri matjen e fuqisë kundrejt elektoratit. Dhe tanimë, siç e thashë, elektorati ka dhënë fjalën e tyre. Cfarëdo tentimi për këdo, qoftë individ, qoftë subjekt që të devijojë nga përcaktimi i sovranit do të ishte dëmtim i reputacionit dhe kredibilitetit e që ne e pamë që në fakt votuesi kosovar është shumë i mençur dhe shumë i përgatitur sepse ata që tradhtuan votën e tyre dhe determinimin qytetar për një Kosovë ndryshe dënohen me votë gjithsesi. Unë mendoj që askush nuk do të marrë rrezikun për të bërë një gjë të tillë.

Zoti Abazi, qeveria e re që pritet të drejtohet nga Albin Kurti do të përballet me shumë sfida dhe një nga sfidat është përtëritja e dialogut me Serbinë. Për këtë është kërkuar pezullimi ose heqja e tarifave. posaçërisht në gjetjen e një rruge për të ripërtërirë bisedimet me Serbinë. Do ta bëjë qeveria Kurti këtë?

Haki Abazi: E para, mendoj që një numër i madh i sfidave të cilat janë përcaktuar në raportin e dialogut me Serbinë janë ndërtuar në mënyrë artificiale për të fshehur dështimet e qeverisjes brenda Kosovës. Dhe duhet kuptuar që prioriteti i qeverisë Kurti do të jetë pikërisht në kryerjen e detyrave dhe obligimeve për qytetarët e Kosovës. Në anën tjetër, çështja e tarifave të mallrave serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës është vendosur me shpejtësinë, me të cilën është vendosur dhe ajo që është thënë gjatë gjithë kohës së diskutimeve, përfshirë edhe fushatën elektorale ka të bëjë me zëvendësimin e tarifave me masat e reciprocitetit që janë praktika të njohura ndërkombëtare të dy shteteve, të cilat mund të kenë çështje të pazgjidhura, apo refuzim të njërës anë, që në këtë rast Serbia për më shumë se 20 vite refuzon mallrat dhe lirinë e lëvizjes dhe të gjitha format e marrëdhënieve normale. Nëse është quajtur dialog për normalizimin e marrëdhënieve ashtu siç ishte nisur në dialogun teknik, atëherë duhet të kthehemi te normalizimi që do të thotë reciprocitet i plotë. Nëse Serbia nuk pranon tabelat e, ta zëmë, automjeteve me shenjën e Republikës së Kosovës, nuk duhet të jetë ndryshe edhe për ato që kanë shenjat e Republikës së Serbisë në Kosovë. Dhe format e tjera të prodhimeve – kodi i produkteve të Republikës së Kosovës duhet patjetër të pranohet edhe brenda marrëveshjes së CEFTA-s. Dhe mospranimi nga ana e Serbisë do të detyrojë, jo për qef por për shkak se ne duhet patjetër të mbrojmë interesin kombëtar të Kosovës dhe kjo do të bëhet nëpërmjet reciprocitetit që, siç e thashë, janë praktika që përdoren gjithkund në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ky moment vjen në tryezë diskutimesh. Përpara se të mbërrijë ky moment, do të hiqni tarifat? Po ose jo?

Haki Abazi: Siç e thashë, gjithçka do të jetë në vijën e planifikuar të veprimeve. Tarifat do të jenë pjesë e procesit të vendosjes së reciprocitetit të plotë me Republikën e Serbisë.

Zoti Abazi, brenda një kohe të shkurtër Kosova u vizitua nga dy të dërguar të SHBA. Cilat janë gjasat që çështja e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë të marrë zgjidhje brenda mandatit të Presidentit Trump?

Haki Abazi: Mendoj që është e frytshme që zyrtarë të lartë amerikanë nga afër dhe drejtpërsëdrejti janë duke parë situatën në Kosovë. Gjithmonë angazhimi amerikan në Kosovë ka qenë i mirëseardhur dhe do të vazhdojë të jetë i mirëseardhur. Takimet e udhëheqësit të Lëvizjes Vetvendosje -- kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, zotit Kurti me zyrtarët amerikanë, ambasadën amerikane janë të rregullta. Mendoj se presioni kohor jo gjithmonë është ai që determinon kualitetin e marrëveshjeve. Dhe unë mendoj që tanimë jemi në poziocionin kur është krijuar hapësirë e mirëkuptimit se po deshëm që këtë çështje përfundimisht ta bëjmë si duhet, duhet të bëhen parimet dhe duhet diskutuar aspekti i përmbajtjes, kualitetit dhe marrëveshjes së qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe kjo është gjë e mirëpritur nga të gjitha qarqet, sepse përvoja na tregon që shpejtësia jo gjithmonë është faktori kryesor që sjell deri tek përfundimi. Ne kemi një proces që ka filluar që nga viti 2011 dhe nuk ka prodhuar asnjë gjë. Në fakt ka prodhuar një numër të madh marrëveshjesh që nuk janë implementuar fare apo e kanë komplikuar edhe më tutje çështjen e raportit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Nuk e besoj që askush është i interesuar të bëjmë një marrëveshje, e cila shpejt e shpejt do të nënshkruhej nga kushdo, por që do të shkaktonte probleme të mëtejshme për të gjitha palët, përfshirë Serbinë dhe Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Kështu që aspekti kohor mendoj që është duke humbur në rëndësi dhe është duke u vendosur në plan të parë çështja përmbajtësore dhe qëndrueshmëria e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila është gjithashtu jo e rëndësishme vetëm për këto dy vende, por është e rëndësishme për të gjithë rajonin, përfshirë edhe Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Zoti Abazi, partia juaj e ka përjashtuar mundësinë e diskutimit për ndryshim të kufijve mes dy vendeve. Megjithatë, çfarë formule kompromisi ofroni ju se duhet të ketë një formulë kompromisi e cila të mund të çojë më pas në një marrëveshje normalizimi mes dy vendeve.

Haki Abazi: Llogaritni sa paradoksale është ideja që kompromisi dhe kufijtë të vendosen përbrenda një togfjalëshi në Ballkan. Kompromiset, lëvizjet me kufij asnjëherë nuk kanë përfunduar në situata paqësore në Ballkan. Ju keni parë se sa problematike ka qenë çështja e demarkacionit ku i janë dhënë mbi 8000 ha të Kosovës Malit të Zi dhe çfarë ka ngjallur një gjë e tillë. Cështja e ndryshimit të kufijve në Ballkan ka përfunduar, përndryshe gjithmonë do të ketë faktorë, të cilët mund ta përdorin një çështje të tillë për të hapur edhe çështje të tjera, të cilat janë vendosur pa marrëveshje, apo në mënyrë të sforcuar brenda Ballkanit. Kur flisni për kompromisin, unë mendoj që duhet t’i kthehemi aspektit kronologjik të çështjes së marrëveshjeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova ka bërë kompromisin e madh. Problemi është që politikanët që po ikin tani nga fuqia politike nuk kanë qenë konsistentë në llogarinë dhe listimin e këtyre kompromiseve. Ahtisari ka qenë kompromisi i madh i shpalljes së Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj. Të gjitha bisedimet e Vjenës që janë bërë kanë qenë kompromise të jashtëzakonshme që ka bërë Kosova për të akomoduar të drejtën e votimit të dyfishtë: ulëseve të rezervuara në parlamentin e Kosovës për komunitetin serb, kompetencat të cilat u janë dhënë komunave, përfshirë edhe ligjin për amnistinë e të gjithë atyre që mund të kenë qenë të përfshirë në luftën e Kosovës nga pala serbe, qofshin ato formacione të rregullta apo formacione paramilitare në Kosovë. Domethënë janë bërë kompromise të jashtëzakonshme, por fakti që Serbia ka ndërruar liderët sepse është pritur që Kostunica do ta kryejë, me premtimin e tij në fakt është biseduar që do të bëhej njohja e pavarësisë. Nuk e bëri. Mandej Presidenti Tadic dha premtimin që do ta bënte. Nuk e bëri. Tani kush garanton se çfarëdolloj kompromisi që mund të paraqitet, se Vucic do të bëjë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kështu që mendoj se tanimë ka ardhur momenti se Serbia duhet të ballafaqohet me vetveten, të kuptojë se çfarë ka ndodhur në fakt me pesë shtetet ballkanike ku ka filluar luftrat, të pastrohet me çështjen e reformimit të brendshëm, i cili e mban të kapur peng shtetin e Serbisë, e cila kërkon realizimin e projekteve të Millosheviçit në Ballkan me mjete të tjera, se sigurisht lufta nuk është më metoda me të cilën mund të bëjnë presionin për të ndryshuar kufijtë ose për të kërcënuar sigurinë e Bosnjes, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut apo Kosovës, dhe në fund mendoj që ka ardhur koha që ne, në anën tonë, në Kosovë, me konsistencë të kërkojmë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe pesë vendet e BE, pikërisht mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në mënyrë të qartë, të drejtpërdrejtë i ka kthyer përgjigje Serbisë në pyetjen e saj nëse shpallja e pavarësisë ka qenë shkelje e ligjit ndërkombëtar, kornizës kushtetuese apo Rezolutës 1244. Kjo çështje është e përfunduar. Mirëpo fatkeqësia është që politikanët, udhëheqësit e Kosovës që ishin deri dje, kanë lejuar që të kompromentohet procesi dhe për shkak të kalkulimeve që ata i dinë, kanë rikthyer Serbinë si pjesë e barabartë në tavolinën e dialogut me Kosovën, pa dhënë llogari për atë që Serbia ka bërë në Kosovë. Domethënë kompromiset e mëdha janë bërë, pavarësia e Kosovës është kompromisi për shqiptarët në Kosovë. Unë mendoj që pikënisje tjetër nuk ka, përveçse marrëdhënie ndërfqinjësore me Serbinë, ashtu siç jemi, brenda kufijve me të cilët Kosovën e kanë njohur mbi 110 vende të bashkësisë ndërkombëtare./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat