Administrata malazeze provokon durimin e shqiptarëve

Intervista

Administrata malazeze provokon durimin e shqiptarëve

Nga: Rexhep Elezaj Më: 24 nëntor 2019 Në ora: 14:15
Ilustrim

Dënohet shqiptari në Mal të Zi me 300.-€, vetëm se valëviti flamurin e kombit të vetë, flamurin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut..!

“Nuk na ndaloi okupimi turk 500 vjet, nuk do na ndaloni as Ju, sepse një ditë do t’i vijë fundi edhe kësaj katrahurë”, ishin fjalët e të pranishmëve në Tregun e Gështenjave në Krajë/Ulqin, Tivar dhe Malësi, me datën 19. Nëntor 2019..!

Bisedë me ztr. Nikollë Shabanin, magjistër i shkencave juridike-doktorant, aktivist dhe udhëheqës i disa asociacioneve dhe shoqatave shqiptare në diasporë.

Image
Nikollë Shabanin

Z. Shabani, a mund të na sqaroni pak më shumë lidhur me dënimin 300 euro të shqiptarit në tregun e Gështenjave në Krajë/Ulqin nga administrata malazeze, vetëm se e valëviti flamurin tonë kombëtar, por edhe pse po ndodhë i gjithë ky provokim i shtetit malazez ndaj shqiptarëve?

N. Shabani: Po, shteti malazez dënoi qytetarin shqiptar vetëm pse u identifikua me flamurin e vet kombëtar! Na kujtohen të gjithëve se sa herë kanë qenë shqiptarët viktimë e dënimeve dhe keqtrajtimeve në MZ, vetëm pse janë shqiptarë. Pra, dënimet bëhen për gjoja; se ke vozitur shpejt me makinë, se nuk i ke të ndezura dritat e makinës në mes të ditës, se je në listë kërkimi nga policia që na i ka dërguar Serbia, etj., etj. Pra, janë të pafundme “shkaqet” për dënimin dhe provokimin e shqiptarëve vetëm për t’iu marrë të holla dhe për t’i keqtrajtuar qëllimisht. Në muajt e fundit është ndërmarrë një aksion ndaj shqiptarëve të Shkodrës që punojnë në Mal të Zi, duke i ndaluar pas disa kilometrave pasi që e kalojnë kufirin në Muriqan-Sukobin, duke gjetur pretekste për t’i gjobitur dhe për t’i kthyer mbrapa vetëm se janë shqiptarë. Kjo nuk ndodhë asnjëherë mbas kalimit të kufinit kroato-malazez, boshnjako-malazez, e kurrsesi në kufinin serbo- malazez. Kjo çfarë ndodhi me shkodranin Irfan Domnori ditën e Festës të gështenjave në Krajë/Ostros nuk është asgjë tjetër vetëm se dikujt ia ka vra syrin veshja e tij kombëtare shqiptare si dhe flamuri kombëtar shqiptar në dorë të tij. Irfanin unë e takova për herë të parë në majën e Rumisë në vitin 2013,kur bëhet ngjitja tradicionale e shqiptarëve në atë vend. Ai mbërriti ndër të parët me flamur në dorë dhe thoshte, “eh ma bani Zoti të mundshme me dalë në këtë maje shqiptare, të cilën shpeshherë e kam shikuar nga Shkodra gjatë okupimit komunist”. Me këtë rast dua t’i them I. Domnorit, nuk je i pari as i fundit që u nise nga Shkodra për t’u ballafaquar me padrejtësitë ndaj shqiptarëve në këtë vend, ashtu siç bëri Oso Kuka kur u nis në Lesendër-Vraninë, ashtu bëri Isuf Sokoli, Prek Cali, ashtu bëri Hasan Isufi si dhe At Gjergj Fishta me vargjet e Lahutës etj. Po si të bëjnë Ata që jetojnë këtu për çdo ditë, të detyruar t’i durojnë padrejtësitë, asimilimin, shpërnguljen dhe uzurpimin e tokave të tyre nga ardhacakët, skenarë të planifikuar nga qarqe të errëta kundër shqiptarëve. Në vend se shteti malazez t’iu kërkonte falje zyrtarisht për okupimin e Shkodrës në vitin 1913, ai i dënon shkodranët edhe sot.

Ndërkohë, vijnë udhëzime për partitë shqiptare në MZ nga Tirana dhe Prishtina zyrtare „Bëhuni bashkë“, por si të bëhen bashkë kur i kanë përçarë e bërë copë e grimë me një strategji të studiuar mirë vite me radhë..!

ImageP.sh. 2013 u vodh flamuri shqiptar në Ambasadën shqiptare në Podgoricë, u arrestua boshnjaku Enver Shabotiç,  2014 u vandalizua me gjuajtje gurësh dhe thyerje Ambasada e Shqipërisë në Podgoricë(shiko foton më lartë).

2016 digjet barbarisht flamuri i Shqipërisë dhe i Kosovës në Podgoricë në Ambasadën e këtyre dy shteteve.

Z. Shabani, çfarë është reagimi i partive shqiptare në MZ ndaj këtyre akteve vandale dhe padrejtësive?

N. Shabani: Partitë shqiptare bëjnë ndonjë reagim, tentojnë t’iu kundërvihen këtyre dukurive, por në fakt nuk arrijnë asnjë rezultat, sepse ato më tepër garojnë mes veti se kush është më patriot, nuk mungojnë as etiketimet për tradhti, por asnjëra parti nuk arrin ta mbrojë ligjërisht interesin e autoktonisë shqiptare në këtë trevë, përndryshe nuk do kishim padrejtësi të këtilla të cilat janë të sanksionuara me ligj.

Populli shqiptar në MZ me ardhjen e sistemit pluralist fatin e vet e lidhi me partinë- Lëvizjen kombëtare të kohës, e para e themeluar me datën 09.09.1990, pra me Lidhjen Demokratike (LD) në MZ e cila iu bashkua rezistencës mbarë shqiptare në ish Jugosllavi, e koordinuar nga Këshilli ndërpartiak i kryesuar nga Prof. Fehmi Agani. Brenda qëndrimeve të kohës ishte bërë strategjia e mbrojtjes së të drejtave të popullit shqiptar të okupuar nga shteti jugosllav, që si qëllim final ishte: Kosova të bëhej Republikë dhe shqiptarët të vendosnin lirshëm për shkëputje nga krijesa ish jugosllave (kjo u arrit me luftën e UÇK-së dhe NATO-s), shqiptarëve në Maqedoni t’iu pranohet e drejta e faktorit shtet formues, treva e Kosovës lindore të fitonte të drejtën e bashkimit me Kosovën, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi t’i sigurojnë ligjërisht të drejtat e veta përmes një „Statusi Special“. I vetmi takim me mbështetje faktike dhe protokollare u bë me Lordin Karington të delegacionit shqiptar në krye me Prof. Mehmet Bardhin dhe Avokatin Mustafë Çapunin, të shoqëruar dhe të pritur nga veprimtarët kosovarë në Bruksel dhe Londër, por fatkeqësisht pa ndonjë rezultat.

Popullata shqiptare në MZ këtë protokoll ka të drejtë t’ua kërkojë dy partive, lëvizjes të kohës, pra LD-së dhe UDSH-së. Unë personalisht me një grup intelektualësh dhe veprimtarëve në zgjedhjet lokale në Ulqin në vitin 2014,pasi që të gjitha partitë shqiptare direkt apo indirekt bënë koalicion me DPS-in e Millo Gjukanoviçit, vendosën që votën ta dërgojmë direkt në DPS, çfarë bëri që partia e Gjukanoviçit ta fitoi për herë të parë shumicën në Ulqin. Por Partitë shqiptare fituan një presion të paparë nga diaspora shqiptare, dhe i detyruan të bëjnë koalicion dhe të qeverisin Partitë shqiptare së bashku në vend. Ky koalicion nuk pati jetë më shumë se 3 vite dhe në fund partitë shqiptare u shpërndan për t’u bashkuar prapë rreth koalicionit me DPS-in në vitin 2018. Sot kemi një koalicion joorganik në Ulqin, ku në Asamblenë komunale kemi 33 delegatë, nga të cilët vetëm 2 delegat përbëjnë opozitën. Në pushtetin qendror në MZ shqiptarëve iu është dhënë ministria për pakica, z. Meto Zenka, posti i zëvendëskryetarit të Parlamentit, z. Genc Nimanbegu etj. Po ashtu kemi shqiptarë në poste diplomatike nëpër ambasada dhe konsullatat malazeze.

Z. Shabani, Çfarë roli luajnë OJQ-të shqiptare në shoqërinë malazeze?

N. Shabani: Në Kosovë shpesh përdoret thënia; „Peshku qelbet nga koka“. Kur parlamentarët dhe partitë shqiptare pranuan të jenë popull pakicë brenda shtetit malazez, atëherë ata në fakt pranuan të radhiten me pakicat ardhacake; serbët, boshnjakët, kroatët, ashkalinjët dhe grupet LGB. Të gjitha këto fitojnë fonde nga shteti dhe këtu janë të lidhura ngushtë burimet financiare të OJQ-ve shqiptare. Këtë ombrellë të OJQ ve shqiptare e kryeson Këshilli Nacional/Kombtar  i shqiptareve në MZ. Me një fjalë, nuk ekziston asnjë shpresë se ky sektor mund të forcohet. Kemi një grup intelektualësh i cili shpesh herë publikon shkrime mbi shkeljen e të drejtave shqiptare në periudha të ndryshme, por me këto veprime nuk mund ta bëjnë përmirësimin e duhur të pozitës së shqiptarëve në MZ. Roli i OJQ-ve në Ulqin dhe më gjerë mund të jetë shumë më aktiv.

Z. Shabani, sa janë aktiv gazetarët dhe mediat shqiptare në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në MZ?

N. Shabani: Aty kemi po ashtu një censurim të fjalës së lirë, gazetarët vendas rrallëherë e kalojnë vijën e kuqe, e vendosur kjo nga qarqet sllave të kohëve të më hershme, mandej edhe „smira” (zemra e keqe) e tyre i bënë të censurojnë sipas vullnetit dhe leverdisë personale etj., dhe të gjitha këto shërbejnë kundër unitetit të shqiptarëve.

Po ashtu, sa i përket „medias së lirë“ askush nuk e merr guximin që t’i ndërtojë ato në këtë vend, pasi që aparatura shtetërore ka lënë në fuqi një mori ligjesh të cilat e pengojnë një veprim dinjitoz të medias të lirë. Një vend i cili nuk e ka një opozitë të shëndosh, aty nuk mund të funksionon as demokracia. Opozita në MZ dëshiron ta rrëzoj shtetin e Malit të Zi dhe ta bashkoj me Serbinë, andaj këtu e pësojnë më së shumti shqiptarët, sepse u mohohen të drejtat njerëzore dhe nacionale. Pra, vetëm statusi i duhur i shqiptarëve në MZ mund të jetë zgjidhja më e përshtatshme për të gjithë. Gazetarët shqiptarë në Mal të Zi janë të zgjuar, ashtu siç dinë ta mbështesim njëri tjetrin dhe të koordinohen në mes vetit. Ata merren edhe me tema të cilat çojnë në zgjidhjen e nyjës sonë kombëtare, andaj unë shpresoj në guximin e tyre në të ardhmen që të trajtojnë tema investigative që çojnë në favor të statusit tonë etnik dhe politik !

Z. Shabani, cilat raste mund të veçoni në vitet e fundit, kur u keqtrajtuan shqiptarët e Pellgut Verior të Shkodrës?

N. Shabani: Rekrutimi ushtarak i shqiptarëve në Suterman-Tivar për të sulmuar Dubrovnikun me pretekst për t’i pushkatuar, ashtu siç i pushkatuan kosovarët në Tivar me 1945,sulmi që u bë ndaj malësorëve në Tuz me rrethinë, ku u burgosën edhe shqiptarë nga diaspora, me 09.09.2006, i quajtur „Sulmi ndaj shqiponjave shqiptare“, bastisja e policisë speciale të rinisë së pafajshme shqiptare në Ulqin me 2017, duke i fyer dhe shtruar për tokë, duke i rrahur, duke i burgosur, me 2018 kur u dënua Sabaudin Vogliqi pasi që në veturë kishte vendos dy flamuj kombëtar, por nuk e pengoj askënd kur në të njëjtën formë me flamuj shqiptar u festua pavarësia e Malit të Zi në Ulqin! Po e theksoj një rast konkret me vjedhje të flamurit shqiptar nga shtiza tek zyrat e LD në MZ, por me një angazhim të shpejt u kapën kryerësit e këtij veprimi penal, e ata ishin dy të mitur boshnjak të cilët inspektori i policisë së Ulqinit kërkoj që të falen. Boshnjakët po bëhen dorë e zgjatur për shkeljen e shumë të drejtave të shqiptarëve në MZ.

ImagePranë shtizës së re vërehet e thyer nga ku është vjedhur flamuri kombëtar i vendosur në zyrën e LD-së në MZ, Rruga Nëna Terezë 22. Në fotografi kryetari, Prof. M. Bardhi dhe ky akt vandal ndaj flamurit tonë u bë me 12-13 shkurt 2016.

Kemi po ashtu rastin në Dinoshë, pastaj ndërtimin megaloman të boshnjakëve në Ulqin, me qëllim për të ndërruar demografinë e popullatës shqiptare në Ulqin. Kjo është vazhdimësi e strategjisë që nga viti, kur Ulqini dhe Tivari i kaluan në zotërim Malit të Zi. Për këtë po iu paraqes një letër të Vojvodës malazias në Ulqin, dërguar Ministrisë së jashtme malazeze nga Ulqini, me datën 22.04.1884, ku ai shkruante: „Ulqini me rrethinë për ne është i huaj, këtu jetojnë vetëm turq dhe malësorë. Brenga jonë e parë është, nga shumë shkaqe faktike, ne duhet këtë vend ta malazezizojmë sa më parë. Këtë do e arrijmë me shkolla dhe me prurje të malazezve në Ulqin. Malazezë mund të sjellim 400-500 familje, derisa kur të shterrin kënetat e Ulqinit, malësorët do i shpërngulim nga këtu (për turqit e vendit ja bëjmë lehtë). Kur ta arrijmë këtë, kjo rrethinë kaq e bukur dhe e pasur do bëhet dhe do të mbetet përherë e malazezve. Deri sa mos ta bëjmë këtë, është e kot të gëzohemi“..! E firmosur nga Vojvoda Sima Popoviçi, e protokolluar me nr: 2631 884.

Image

Mos të harrojmë se edhe para disa viteve u shkye, u vodh dhe u vandalizua siç u hoq me dhunë flamuri i Ambasadës të Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, më vonë edhe flamuri i Ambasadës së Republikës së Kosovës u dogj dhe nuk u bë ndonjë sanksion i duhur për të ndaluar që shqiptarët të paraqiten lirshëm kombëtarisht me flamur të tyre, me këngë, veshje kombëtare apo ndonjë simbol tjetër.

Si publikisht ashtu edhe personalisht, shumë malazezë kanë shtrirë dorën e miqësisë me shqiptarët, bile shteti shqiptar ndanë dekorata ndaj tyre. Pra, të nderuar malazezë, veriu i Malit të Zi  nuk zhvillohet duke i sjellë boshnjakët e veriut në Ulqin e Tivar. Mos vallë pritet se kur ta vendosim në sheshin e Ulqinit Gjergj Kastriotin/Skënderbeun, se ne do dalim të valëvisim me flamuj malazez..!?

Janë pjekur kushtet që politika zyrtare në Prishtinë dhe Tiranë t’ia vejnë gishtin kokës që sa më fuqishëm të mbështesin shqiptarët autokton në Mal të Zi për t’i realizuar të drejtat e tyre njerëzore dhe kombëtare, e mandej të vazhdojnë me protokollet që i parashtron BE-ja, e cila ende me asnjë shkresë zyrtare nuk është e informuar për problematikën e shqiptarëve në Pellgun Verior të Shkodrës; Ulqin, Tivar, Tuz/Malësi e Madhe, Plavë, Gusi, Rozhajë dhe Beran.

ImageGëzuar 28 Nëntori!

Z. Shabani, Ju falënderoj për bisedën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat