Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, ka thënë se zvarritjet nëpërmes numërimeve dhe rinumërimeve që po bëhen me procesin zgjedhor janë përpjekje e Klanit Pronto që në largim e sipër, po provojnë të ruajnë strukturat e tyre me të cilat ata prej kohësh kanë kapur shtetin deri në atë masë sa ta kthejnë në një plaçkë.
Ai ka deklaruar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte shkelësi kryesor i kushtetutës, jo vetëm me rastin e hapjes së çështjes së shkëmbimit të territoreve me Serbinë, por edhe të veprimeve të tjera antikushtetuese.
Në këtë intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, Buxhovi ka deklaruar se dy partitë e para të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit nuk fituan zgjedhjet pse patën ndonjë program ndryshe, por kjo ndodhi ngaqë elektorati votoi kundër Klikës së PAN-it dhe keqqeverisjes së tyre.
Ndërsa, duke folur për pozitën në të cilën ndodhën shqiptarët, 107 vjet pas shpalljes së pavarësisë, shkrimtari i njohur ka theksuar se përkundër politikave të këqija në Tiranë dhe Prishtinë, shpesh edhe antikombëtare, shqiptarët gjenden në njërën ndër pozitat më të volitshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike në historinë e tyre.
Në këtë intervistë të gjatë, njëri nga themeluesit e LDK-së, Jusuf Buxhovi, ka folur edhe për qeverinë e ardhshme, për jetëgjatësinë e saj, si dhe për rolin e PAN-it në opozitë.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Me 6 tetor Kosova ka mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, mirëpo edhe pse kanë kaluar 7 javë nga përfundimi i tyre, vendi edhe me tutje nuk e ka përmbyllur procesin zgjedhor. Cili është vlerësimi i juaj për këto zgjedhje dhe vonesat që po ndodhin?
J.Buxhovi: Ajo që bie në sy në situatën e tanishme (zvarritjet nëpërmes numërimeve dhe rinumërimeve) dhe të tjera, që i qesin hije të keqe një procesi zgjedhor, i cili ishte në rrugë të jetë ndër më të mirët deri më tani, ka të bëjë me përpjekjet e humbësve (Klanit Pronto) që në largim e sipër, të ruajnë strukturat e tyre me të cilat ata prej kohësh kanë kapur shtetin deri në atë masë sa ta kthejnë në një plaçkë. Pra, humbësit (triumvirati i komandantëve) që për vite të tëra, me veprime despotike, ia dolën që rendin institucional ta përmbysin deri te përmasat e një puçi, kanë frikë të madhe nga që rikthimi sado i vështirësuar i rendit të përmbysur demokratik si dhe normaliteti institucional, jo vetëm që ua rrënon hallkat mbi të cilat është ndërtuar monopoli i tyre i kapjes së shtetit në të gjitha fushat, por njëherësh ata i sjell para përgjegjësisë së pashmangshme ligjore, e cila duhet të jetë pjesë e programit qeverisës. Kjo vlen veçmas për Presidentin, i cili ishte shkelësi kryesor i kushtetutës jo vetëm me rastin e hapjes së çështjes së shkëmbimit të territoreve me Serbinë, por edhe të veprimeve të tjera antikushtetuese, pastaj për kryeparlamentarin, që po ashtu rrënoi jetën parlamentare, dhe vlen edhe për kryeministrin, i cili me një qeverisje ndër më të këqijat që kishte ndonjëherë vendi (me qindra këshilltarë, qindra zëvendës ministra, supërministra dhe poste të tjera të jashtëligjshme), keqpërdori buxhetin e shtetit në mënyrë brutale dhe tejet despotike në të gjitha fushat. Këto veprime kriminale në dëm të buxhetit të shtetit, u pasqyruan, pos tjerash me fryrjen e listës së veteranëve (nga 17 në mbi 60 mijë), gjë që krijuan një klientenizëm, krimi ndër më të pashembulltit që ndikoi edhe rezultatin zgjedhor në dobi të monopolit të tyre parlamentar.
“Bota sot”: Z. Buxhovi, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme, dy partitë fituese Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re. Si e shihni një qeverisje nga këto dy subjekte?
J.Buxhovi: Duhet thënë se LVV dhe LDK nuk fituan zgjedhjet pse patën ndonjë program ndryshe, që do ta fitonte besimin e votuesve, por kjo ndodhi ngaqë elektorati votoi kundër Klikës së PAN-it dhe keqqeverisjes së tyre. Ishte, pra ky një demonstrim për t’i dënuar ata që për vite të tëra shtetin e shfrytëzuan pamëshirshëm dhe me mjete kriminale për interesa të tyre private, duke ia rrënuar të gjitha shtyllat mbi të cilat mbahet (gjyqësorin, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, kulturën) për ç’gjë ata, siç u tha, duhet të përgjigjen para ligjit për vepra të rënda penale.
Qeverisja e këtyre dy partive, pra është mandat nga elektorati për ndryshim të vendosur, që duhet kuptuar seriozisht dhe drejt, edhe pse kjo do të jetë e vështirë, veçmas për t’u luftuar korrupsioni, nepotizmi si dhe rikthimi i rendit dhe ligjit, nga shkaku i atyre që u thanë më sipër.
“Bota sot”: Kosova e udhëhequr nga këto dy subjekte, a mendoni se do të jenë të afta për trajtimin e temave të mëdha të cilat po e presin Kosovën?
J. Buxhovi: Partitë që fituan mandatin për ndryshime do ta kenë shumë të vështirë rikthimin e normalitetit institucional dhe kushtetues të vendit, meqë kjo kërkon çmontimin e strukturave kriminale të lansuara brenda sistemit dhe institucioneve nga Panistët, të cilat, siç u pa edhe këtyre ditëve të fundit, u postuan edhe në pjesët më të ndjeshme të sistemit të sigurisë (emërimi jokushtetues i shefit të AKI-së dhe i Inspektorit të policisë), postime këto që u kryen gjatë kohës kalimtare thuajse në të gjitha segmentet me të cilat mund të sabotohet mirëvajtja e qeverisjes së ardhshme që kërkon normalitet institucional. Këto vështirësi shfaqen edhe më të rënda në fushën e raporteve të çrregulluara me partnerët ndërkombëtarë dhe aleatët tanë (SHBA-të, BE-në dhe NATO-n) si dhe Serbinë nga shkaku se me Serbinë janë arritur marrëveshje antikushtetuese (asociacioni me kompetenca ekzekutive), ndërkohë që Presidenti, po ashtu, në mënyrë jokushtetuese ka hapur edhe çështjen e “normalizimit të raporteve” me Beogradin për “ndryshim kufijsh” ose “korrigjim kufijsh” dhe pazare të tjera, duke e shkelur sovranitetin e Kosovës përkundër vendimit të GJND-së se pavarësia e Kosovës është e ligjshme! Ky veprim i Presidentit, nga triumvirati qeverisës (klika paniste), jo vetëm që nuk është parandaluar me mjete politike dhe ligjore, por është pranuar, ndonëse, kryeministri, në njëfarë dore është munduar që me disa veprime politike (taksa ndaj mallrave të Serbisë) të animojë njëfarë kundërshtimi formale ndaj këtij veprimi, në vend se, në përputhje me kushtetutën, të marrë përsipër dialogun me Serbinë dhe ta vërë në binarët normalë dhe të ligjshëm në përputhje me interesat e Kosovës e jo të Serbisë, siç rrodhën ato në të vërtetë me hapjen e temave të tilla nga ana e Presidentit të cilave iu bashkua edhe kryeministri i Shqipërisë.
Sidoqoftë, te kjo çështje qeverinë e re e pret sfida më e madhe dhe testi kryesor, ngaqë duhet të ruhen balancimet e prishura dukshëm me faktorin ndërkombëtar (aleatët) si dhe interesat e Kosovës, që kërkojnë ri pozicionim në raport me dialogun me Serbinë që duhet të mbështetet mbi njohjen e sovranitetit shtetëror si dhe të kthimit të besimit të humbur te shtetit të Kosovës nga brenda në luftë me korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar dhe gjithë ato hipoteka të tjera me të cilat jo pa të drejtë është ngarkuar duke u radhitur ndër shtetet e pasuksesshme, thuajse të dështuara.
“Bota sot”: Nga ana tjetër, tashmë sipas të gjitha gjasave partitë e PAN-it do të jenë në opozitë, si e shihni rolin e tyre nga ky kënd?
J. Buxhovi: Ndonëse triumvirati i komandantëve, që u sollën në mënyrë despotike me shtetin dhe ia rrënuan thuajse të gjitha shtyllat, u dënua me të drejtë nga elektorati për t’iu heqë mundësia që edhe më tutje të qeverisë, sigurisht se nuk do të pajtohet me rolin e pozitës konstruktive. Përkundrazi, me anën e mbetjeve të shumta që i ka lënë në të gjitha segmentet e strukturave shtetërore dhe nëpër institucione, do të përpiqet që këtë ndryshim ta kthejë në një dështim, në mënyrë që t’i shpëtojë përgjegjësisë politike dhe ligjore, por njëherësh edhe të krijojë rrethana për t’u rikthyer si “fitues”. Pra, të tillët, që kanë përvojë puçiste për ardhjen në pushtet me mjete kriminale, siç ndodhi në të vërtetë dhe i kanë bërë aq dëme vendit, nuk do të pajtohen me humbjen e pushtetit. LVV dhe LDK, duhet ta kenë parasysh këtë, gjë që edhe këto parti, veçmas LDK, që mbanë përgjegjësi që për vite të tëra i ka ndihmuar forcimit dhe ardhjes në pushtet të panistëve, duhet të lirohen nga segmentet e tillë dhe përpjekjet e tyre që t’u ndihmojnë aleatëve të deridjeshëm! LDK, ka për detyrë, që procesin e ndryshimit ta bart edhe te reformimi i brendshëm, për të cilin ka shumë nevojë, në mënyrë që të jetë e gatshme që të marrë përgjegjësi për një qeverisje të mirë në përputhje me rolin historik që ka luajtur në të kaluarën. Rikthimi i tyre në pushtet, në 30 vjetorin e themelimit të partisë, paraqet një shans të madh që kjo parti t’u rikthehet vlera dhe idealeve me të cilat është themeluar shteti i Kosovës, në mënyrë që të rrumbullakohet procesi i konsolidimit të tij si shtet, në rrethanat kur ai po kërcënohet nga jashtë (faktorizimi i Serbisë në rajon) si dhe nga brenda (nga ndikimi politik i Beogradit në Kosovë në saje të politikës paniste).
“Bota sot”: Përkundër entuziazmit të madh, a mendoni se do ta dërgojë deri në fund mandatin e saj qeveria e ardhshme. Pra, sipas jush, sa mund të ketë jetëgjatësia e kësaj qeverie?
J. Buxhovi: Nuk mund të bëhen profeci në një skenë politike tepër të paqëndrueshme dhe të rrezikuar nga brenda dhe jashtë, siç është kjo e jona, ku, faktorë të ndryshëm, po ashtu futen në lojë në mënyra të ndryshme për interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Por, kjo do të varet nga përkushtimi i atyre që marrin përsipër ndryshimin si proces që rikthen shpresën, besimin si dhe dinjitetin e nëpërkëmbur të qytetarëve të zhgënjyer, të cilët kanë besuar se çlirimi do të sjell edhe lirinë, gjë që nuk ka ndodhur...
“Bota sot”: Një problem tjetër shihet edhe ndarja e pushtetit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës? A mendoni se mund ta shtyjë formimin e qeverise, pikërisht kjo çështje?
J. Buxhovi: Këto parti kanë mandatin e elektoratit për ndryshime. Ky është një mision dhe si i tillë duhet të kuptohet dhe assesi në një luftë për të zëvendësuar pianistët! Përvoja e deritanishme duhet të jetë një mësim i mirë për këto parti që t’i përkushtohen një qeverisjeje të mirë dhe jo që pushteti të shfrytëzohet për qëllime personale, siç ka ndodhur deri më tani... Pra, këtu postet, nuk duhet të jenë në shërbim të pozicionimeve partiake dhe të kusuritjeve të tyre për interesa klienteliste, por për misionin e ndryshimit, e mbi të gjitha për misionin e shpëtimit të shtetit të Kosovës nga dalja në Pazar, siç ndodhi gjatë qeverisjes së kaluar. Kosovocentrizmi këtu duhet të kthehet në moto të qeverisjes, por edhe në pozicionim me faktorin ndërkombëtar dhe me Shqipërinë po ashtu, e cila shtetin e Kosovës duhet ta mbrojë dhe assesi ta kthejë në koniunkturë për çfarëdo “bashkimi” kombëtarë, një pazare me Beogradin apo këdo, që do ta sakrifikonte atë! Që t’u ndalet turri këtyre zhvillimeve negative, në dëm të shtetit të Kosovës, në të cilat ka qenë e përfshirë edhe qeveria e Ramës, qeveria e re e Kosovës, duhet të kërkojë që 17 shkurti të shpallet festë zyrtare në Shqipëri dhe atë ditë flamuri i Kosovës të valojë kudo në Shqipëri bashkë me atë shtetëror shqiptar.
“Bota sot”: Qeveria e ardhshme pretendon ta zvogëlojë edhe numrin e ministrive, nga 22 në 12. Konsideroni se është e mundshme një gjë e tillë?
J. Buxhovi: Testi i parë i besimit të qeverisë duhet të jepet nëpërmes zvogëlimit të kabinetit qeverisës dhe të aparatit shtetëror. Ajo që ndodhi gjatë qeverisjes së kaluar, me rreth 30 ministra, mbi njëqind zëvendës ministra, me qindra këshilltarë, e deri te supërminstrat, nuk duhet të ndodhë. Një qeveri sa më ngushtë (më 12 ministra) por me detyra të mëdha, parqet një parakusht për një nismë të mirë...
“Bota sot”: Ku gjenden shqiptarët 107 vjet pas shpalljes së pavarësisë?
J.Buxhovi: Shqiptarëve sot, përkundër politikave të këqija në Tiranë dhe Prishtinë, shpesh edhe antikombëtare, gjenden në njërën ndër pozitat më të volitshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike në historinë e tyre, ngaqë kanë dy shtete të pavarura (Shqipërinë dhe Kosovën) si dhe etninë shqiptare në Maqedoni që duhet të fitojë statusin e subjektit të barabartë shtetëror me maqedonasit. Ky pozicion i përshtatshëm historik, duhet shfrytëzohet që t’u bëhen ballë sfidave të globalizimit në planin politik dhe atë ekonomik, me ç’rast shfaqen dy prioritete: inkuadrimi në strukturat e Aleancës Veriatlantike (NATO) dhe ato të BE-së. Kjo e para është me rëndësi ekzistenciale, ndërsa e dyta vitale, meqë çatia evropiane ndonëse e pasigurt, u siguron vendin në familjen evropiane. Kjo sfidë mund të përballohet me sukses vetëm po qe se të dy shtetet (Kosova dhe Shqipëria) stabilizohen nga brenda dhe shfaqen të suksesshme, çështje kjo që mundëson që të faktorizohen edhe më tutje në raport me interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike në rajon, veçmas me strukturat e NATO-s. Kjo kërkon që diskursi i bashkimit kombëtar, si ideologji e shekullit të kaluar, por vazhdimisht i (keq)përdorur nga politikanët në Prishtinë dhe Tiranë, të zëvendësohet me atë të unionit të shteteve shqiptare në Evropë. Ky bashkim duhet të bëhet në mënyrë demokratike dhe me metoda demokratike (me referendume) dhe assesi që të bëhet njëanshëm, ngaqë kjo do të paraqiste afeksion (anshlus), që nuk do të lejohej ndërkombëtarisht. Pra, Tirana zyrtare dhe Prishtina zyrtare duhet të harmonizojnë qëndrimet për të bashkëpunuar në të gjitha fushat që kufiri ta humb rëndësinë, në mënyrë që bashkimi kulturor, ekonomik, tregtar të përmbyllet edhe me atë politik.