Ish ambasadori shqiptar: Thaçi dhe Rama e faktorizuan Beogradin

Intervista

Ish ambasadori shqiptar: Thaçi dhe Rama e faktorizuan Beogradin

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 nëntor 2019 Në ora: 09:14
Islam Lauka

Ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur për raportet ndërmjet Kosovës e Shqipërisë dhe ndërhyrjen e Serbisë ndërmjet të dyjave. Ambasadori Lauka thotë se segmente shumë të rëndësishme në Kosovë e Shqipëri po e faktorizojnë Serbinë. Sipas tij, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i pari me tezën për shkëmbimin e territoreve dhe pastaj kryeministri shqiptar Edi Rama me idenë e minishengenit. Lauka thotë më tutje se me fitoren e Vetëvendosjes, çështja e bashkimit kombëtar do të vihet në binarët e duhur.

 “Bota sot”: Cilat janë meritat më të mëdha për festimin e këtij përvjetori të pavarësisë?

Islam Lauka: Arritja më e madhe, e paimagjinueshme më parë, është ekzistenca, tash 12 vjet, e dy shteteve shqiptare, e Republikës së Shqipërisë dhe e Republikës së Kosovës. Nëse flasim për secilin shtet, në veçanti, atëherë për Kosovën do të veçoj krijimin e ushtrisë, ndërsa për Shqipërinë procesin e vettingut, zbatimi i të cilit, megjithatë, nuk po realizohet pa probleme. Gjatë këtij viti janë shënuar arritje të mira edhe në fushën e sportit, sidomos, me ekipin përfaqësues të futbollit të Kosovës, por edhe në atë të muzikës, ku këngëtarët shqiptarë, nga të dy anët e kufirit, kanë kapur majat më të larta të klasifikimit botëror.

“Bota sot”: Çfarë po ndodhë me raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?

Islam Lauka: Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë aty ku do të dëshironim, por as për të vënë alarmin, siç po bëjnë disa politikanë dhe analistë. Nivelin e këtyre marrëdhënieve nuk e mas me nivelin e raporteve midis “parive” të të dy vendeve, por me lidhjet e fuqishme që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Shikoni solidaritetin e mrekullueshëm vëllazëror dhe njerëzor që po shfaqet këto ditë për tejkalimin e pasojave të tërmetit. Ato i vlerësoj me nivelin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, të cilat, nga viti në vit, kanë ardhur në rritje; me shkëmbimet turistike, të cilat, gjithashtu, njohin vetëm kurbën e ngjitjes, etj. Por na mbetet shumë për të bërë, sidomos në drejtim të liberalizimit të tregut dhe gjetjes së rrugëve efektive që, në fund të fundit, do të çonin në bashkimin ekonomik të të dy vendeve.

“Bota sot”: A po e lejojnë shqiptarët ndërhyrjen e Serbisë ndërmjet Kosovës e Serbisë?

Islam Lauka: Me dhimbje, por më duhet të pranoj se segmente shtetërore shumë të rëndësishme në Shqipëri dhe Kosovë, duke shfaqur një dritëshkurtësi të theksuar politike, po e faktorizojnë Serbinë. I pari ishte Presidenti Hashim Thaçi me tezën e tij të shkëmbimit të territoreve me Serbinë dhe i dyti, Edi Rama, me nismën e tij për minishengenin ballkanik që i kontribuuan dhe po i kontribuojnë faktorizimit të Beogradit. Në thelb, faktorizimi i Serbisë është faktorizim i Rusisë në Ballkan, për pasojë, pritet  ndërhyrje më e madhe e saj në punët e brendshme të shteteve të këtij rajoni, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

“Bota sot”: A është duke shkuar kombi shqiptar drejtë rrugës së drejtë?

Islam Lauka: Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është komplekse. Në një anketë të kohëve të fundit, rezulton se shumica e shqiptarëve janë për bashkimin e kombit. Ndërkohë, për shumë politikanë, kjo aspiratë legjitime vihet në funksion të interesave konjukturore, kryesisht, individuale ose klanore. Për të mos folur për disa analistë që hiqen si “baballarë” të kombit kosovar, që sipas tyre, tani për tani, ndodhet ende në inkubator. Mendoj se kombi ynë është një, për momentin, fatkeqësisht, i ndarë në pesë shtete, por kauza e bashkimit të tij është e drejtë dhe historikisht e pashmangshme. Është tjetër gjë se kur do të realizohet. Në gjykimin tim, nuk mund të flitet për bashkim kombëtar pa përmbyllur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo nuk do të thotë të mos punojmë çdo ditë, çdo orë, në shërbim të kësaj kauze. Përkundrazi, duhet të punojmë shumë, me mençuri e kujdes dhe, në momentin e përshtatshëm, kombëtar dhe ndërkombëtar, ta realizojmë atë. Proceset integruese euro-atlantike nuk duhet të shihen  si përjashtuese për bashkimin kombëtar shqiptar. Ato duhet të lëvizin paralelisht. E konsideroj të pathemeltë tezën, sipas së cilës, bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në Bruksel. Sipas meje, ai duhet të bëhet këtu, në trojet tona autoktone, në hisen tonë të diellit që na e ka caktuar Perëndia, për mbrojtjen e së cilës shqiptarët kanë derdhur lumenj gjaku në shekuj.

“Bota sot”: Si i vlerësoni zgjedhjet e fundit në Kosovë?

Islam Lauka: Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, qytetarët e Kosovës dëshmuan pjekuri dhe mençuri politike. Gjykoj se ato ishin zgjedhje model, jo vetëm në krahasim me vendet e rajonit, por edhe me standardet demokratike, në rrafshin ndërkombëtar. Populli votoi për ndryshim dhe si bartës të ndryshimit mandatoi Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

“Bota sot”: A mendoni se edhe Shqipëria duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Islam Lauka: Mendoj se Shqipëria duhet të kishte shkuar me kohë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Tani është disi vonë, por më mirë vonë se kurrë. Pushtetit monist të Edi Ramës i duhet dhënë fund nëpërmjet votës së lirë të qytetarëve të Shqipërisë, sa më shpejt aq më mirë.

“Bota sot”: Me fitoren e Vetëvendosjes, a besoni se do të ndodhë bashkimi kombëtar?

Islam Lauka: Me fitoren e VV mendoj se kauza e bashkimit kombëtar do të vihet në binarët e duhur konceptual dhe praktikë. Nëse pushtetarët e deritanishëm kanë manipuluar me këtë çështje Vetëvendosja e ka pjesë të parimësisë së saj. Vizioni i VV për këtë kauzë është ky: së pari, bashkimi kombëtar është ëndërr dhe qëllim i çdo shqiptari. Së dyti, bashkimi kombëtar dhe integrimi evropian nuk e përjashtojnë, as nuk e zëvendësojnë njëri-tjetrin. Së treti, për realizimin e bashkimit kombëtar duhen plotësuar një sërë kushtesh, me natyrë të brendshme dhe të jashtme, të cilat, në masë të madhe, varen nga vetë ne.

“Bota sot”: Si e vlerësoni idenë e ‘minishengenit’?

Islam Lauka: Në gjykimin tim, para se të flitet për minishengen ballkanik, duhet realizuar minishengeni shqiptar. Nuk duhet, kurrsesi, që Tirana zyrtare të jetë më bashkëpunuese me Beogradin, sesa me Prishtinën.

“Bota sot”: A ka rrezik ende për ndarjen e Kosovës,  apo ka vdekur kjo ide tashmë?

Islam Lauka: Kjo ide ka marrë një goditje të fortë na Samitin e Berlinit (29.04 2019), por ajo nuk ka vdekur. Ajo gjallon ende në mendjen e ndonjë diplomati a politikani perëndimor që pretendon të jetë mik i Kosovës. Pozitiv është fakti që, me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, ka shpresë që gjithë spektri politik kosovar të unifikohet në qëndrimin e vet të vendosur kundër shkëmbimeve territoriale me Serbinë.

“Bota sot”: Si duhet të jetë marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi?

Islam Lauka: Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi duhet të jetë një traktat i vërtetë paqeje, pika e parë e të cilit të jetë njohja, nga ana e Serbisë, e Kosovës si shtet i pavarur e sovran, brenda kufijve ekzistues.

“Bota sot”: Ku është diplomacia shqiptare sot?

Islam Lauka: Për fat të keq, diplomacia shqiptare në të dy anët e kufirit vuan nga mungesa e profesionalizmit. Kemi diplomatë diletantë universalë, por që nuk njohin mirë asnjë çështje, përfshirë historinë e popullit dhe kombit të vet. Ka mbipopullim të stafit në ministri dhe nëpër përfaqësi me militantë partiakë. Si vende të vogla, në politikën e jashtme na duhen njerëz me formim profesional, me nivel të lartë kulturor dhe integritet moral, me shpresë që të bëjmë diçka, nëpërmjet fuqisë së butë, sepse për lloje të tjera të fuqisë shtetërore vështirë të flasim.

“Bota sot”: Si i komentoni tërheqjet e njohjeve për Kosovën nga shtete të ndryshme me nxitje të Serbisë, si të parandalohet kjo fushatë e saj?

Islam Lauka: Është dukuri negative gjithsesi, por nuk jam i prirur t`i dramatizoj pasojat e saj. Nuk janë shtete që kishin ndonjë peshë kur na njohën, as nuk sjellin pasoja aq tragjike me çnjohjen. Megjithatë, duhet bërë çdo gjë e mundur për ta frenuar këtë dukuri. Rruga më e mirë është që t`u dëshmojmë të tjerëve se kemi ndërtuar një shtet ku sundon ligji dhe e drejta, si dhe një demokraci funksionuese. Kështu hedhim poshtë propagandën e Serbisë dhe Rusisë që na paraqesin si shtet të dështuar dhe u japim argumente të qëndrueshme shteteve që duan të na njohin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat