Jakup Krasniqi: Do të jemi pjesë e qeverisë nëse ka ndonjë ofertë serioze, por nuk pranojmë tullumbace

Intervista

Jakup Krasniqi: Do të jemi pjesë e qeverisë nëse ka ndonjë ofertë serioze, por nuk pranojmë tullumbace

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 9 dhjetor 2019 Në ora: 10:57
Jakup Krasniqi, foto ilustrim nga "Bota sot"

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi ka folur gjëra shumë interesante që kanë të bëjnë me politikën në vend. Ndër të tjera, ai ka folur edhe për momentin kur Albin Kurti ia kishte kapur mikrofonin duke provuar ta ndalojë votimin e Gjykatës Speciale.

"Bota sot": Si e vlerësoni ecurinë e Republikës së Kosovës sot, gati 11 vite pas shpalljes së pavarësisë, vitet e fundit jeni më i distancuar nga politika e përditshme, pse?

Krasniqi: Liria dhe Pavarësia e Kosovës, janë akte të veçanta për shqiptarët e gjithë qytetarët e Kosovës. Pse? Pse janë akte të veçanta për të cilët kanë pritur breza shqiptarësh, pse kanë kontribuar, sakrifikuar e punuar shumë atdhetar nder breza atdhetarësh. A është Kosova aty ku kanë synuar shumë veprimtar politikë gjatë gjithë viteve të pushtimit? Pa dyshim që jo! Nuk është hera e parë te shqiptarët, që lirinë e Pavarësinë e sjellin atdhetarët idealistë, ndërsa pushtetit i hipin maskarënjet grabitës. Kështu ishte pas Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe kështu u veprua pas Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Jo, nuk kam ndonjë përgjegjësi institucionale, por në politikë jam aktiv me shkrime e prononcime për fenomenet e ditës. Merrem seriozisht me problemet e kohës. Natyrisht për ata që duhet të kenë sy e vesh për të dëgjuar.

"Bota sot": Nisma Socialdemokrate e kaloi pragun dhe do të jetë pjesë e parlamentit. A ka ambicie Nisma për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme?

Krasniqi: Kudo gara politike bëhet për të qeverisur, por është sovrani ai që e merr përgjegjësin se çfarë përfaqësuesish do të këtë në Kuvend dhe pastaj në qeverisje. Pretendimi ynë ka qenë që të jemi pjesë e politikës përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa jo me çdo kusht pretendojmë të jemi pjesë e qeverisë. Ndonëse, nuk do të refuzonim me ndonjë ofertë serioze, e as do ta pranonim me çdo kusht e dosido ndonjë tullumbace.

"Bota sot": Problemin me presidentin e Republikës, e cila po duket të jetë mollë sherri për dy partitë fituese të zgjedhjeve, si e shihni? A duhet të vazhdojë që presidenti i vendit të dalë nga pazaret mes partive politike apo duhet të zgjidhet direkt nga populli?

Pasi koalicioni qeverisë u tregua i padijshëm për të komunikuar e qeverisur mirë e në interes të qytetarëve, bëri mirë që e panë se nuk dinë të qeverisin e as t’i bëjnë funksional institucionet e shtetit, kjo u pa edhe nga mënyra sesi u dha dorëheqja, ndryshimi ishte domosdoshmëri. Dhe sovrani në zgjedhjet e 6 tetorit e bëri ketë me shumë urtësi. Vendi ka kohë që e kërkonte një qeveri të mirë, por a do të kemi qeveri të mirë? Duhet të presim, e sa do të presim kjo është një çështje tjetër. Partitë fituese duhet ta dinë se zgjedhjet janë bërë për Kuvend e qeverisje dhe se presidenti nuk është vetëm çështje e tyre në këto momente, ndërsa kur të vije koha është çështje tjetër. Në fakt Kryetari i shtetit nuk duhet të jetë Pazar i partive të koalicionit, se çka del nga pazaret e tilla, ne në Kosovë e kemi parë që sa herë?! Dhe nuk mund të lavdërohemi për veprimet e kësaj natyre.

"Bota sot":A do të jeni kandidat për president, nëse do të kemi një ditë zgjedhje presidenciale?

Kransniqi: Nuk kam menduar për këtë. Varet shumë nga racionaliteti politik! Të cilin nuk po e shoh.

"Bota sot": Albin Kurti i cili pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit ka pas kritika të vazhdueshme për të gjithë ata që kanë biseduar me Serbinë, në parim. Tash kur pritet që ai të u prijë këtyre bisedimeve, çka prisni realisht, të ndryshojë për të mirë kahen e bisedimeve në favor të Kosovës, të adoptohet sit ë gjithë para tij, apo ta bllokojë këtë proces tërësisht?

Krasniqi: Zakonisht ata që shikojnë nga shpati, lehtë i shohin gabimet e tjetrit, por kur fillon puna, është tjetër gjë. Po një gjë e di, koherenca e konsistenca janë virtyte njerëzore që duhet kultivuar përditë. Bisedimet e Brukselit me Serbinë kanë filluar keq, madje tepër keq! A do të ndryshohen, duhet ta shohim. Nuk e di, sa koalicioni qeverisës do të pajtohen për bllokimin e këtij procesi?!

"Bota sot": A është gabim të bisedohet për ndryshim kufijsh, nëse në këtë temë preket edhe bashkimi I Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës?

Nuk besoj që ndonjë vend i botës perëndimore është i gatshëm për ndryshim të kufijve që do t’ju interesonin shqiptarëve?! Sikur të kishte vullnetar t’i bashkuar shqiptarët, pse jo.

"Bota sot": Gjykata Speciale ka filluar të veprojë, sado që lehtë deri tani dhe nuk kemi parë aktakuza, si I komentoni ftesat e disa prej krerëve të UCK-së?

Ftesat janë dëshmi se kjo gjykatë është themeluar kot se koti dhe për atë që është themeluar nuk ka e as që ka pasur dëshmi. Shkurt, kjo gjykatë është më shumë sesa një sui generis absurd.

"Bota sot": A e shikoni ndonjëherë videon ku shihet Albin Kurti derisa dëshiron t`ua ndalojë procesin e votimit të Gjykatës Speciale, cfarë mendoni?

Krasniqi: Unë për këtë nuk mendoj fare, pasi kur është formuar GJS unë fare nuk kam qenë as deputet në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa veprimi për të cilën është bërë ai veprim, në kushte normale as që është dashur të ndodh. Pse? Pse asnjë Kryetar i Kuvendit, me asnjë rregull ligjore nuk e ka të drejtën që deputetëve të Kuvendit t’ua mohoj të drejtën për të votuar. Për sa i përket përhapjes se saj, kjo është dëshmi se shqiptarët kanë kujtesë të shkurtër.

"Bota sot": Ju falënderojmë për kohën e ndarë, nëse keni ndonjë urim për fundvit për shqiptarët gjithandej, e sidomos në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc?

Krasniqi: Shqiptarëve kudo janë Ju dëshiroj fat e mirëqenie. Shqiptarëve në Kosovën Lindore, që ta vazhdojnë e ndërtojnë jetën e tyre në dheun stërgjyshor dhe të kenë shumë fat!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat