Eurodeputeti austriak: Ideja e shkëmbimt të territoreve lindi në Austri, në një diskutim mes Thaçit e Vuçiqit - Bota Sot
Eurodeputeti austriak: Ideja e shkëmbimt të territoreve lindi në Austri, në një diskutim mes Thaçit e Vuçiqit

Intervista

Eurodeputeti austriak: Ideja e shkëmbimt të territoreve lindi në Austri, në një diskutim mes Thaçit e Vuçiqit

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 21:08
Lukas Mandl

Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, thotë se ka besim se do të formohet një qeveri e re në Kosovë, e cila duhet të fokusohet në forcimin e sundimit të ligjit dhe reformat.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Lukas, i cili është anëtar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Bosnjën dhe Kosovën, tha se ideja e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka mbështetje në Kosovë.

Dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Kosova vazhdon të jetë pa qeveri të re, pjesërisht për shkak të një ngërçi politik të shkaktuar nga mungesa e një marrëveshje mes partive politike për krijimin e një koalicioni qeverisës. Si i shihni zhvillimet e fundit politike në Kosovë?

Mandl: Kosova është një vendi i strukturuar demokratik. Natyrisht, ka mungesa të disa reformave në disa fusha të shtetit dhe shoqërisë, por demokracia po funksionon. Unë isha pjesë e Delegacionit të Parlamentit Evropian, që vëzhgoi zgjedhjet dhe jam i kënaqur që demokracia po funksionon. E theksoj këtë për çdo vend ku kjo është e vërtetë sepse unë e respektojë vendimin e votuesve. Votuesit në Kosovë kanë vendosur në mënyrë të qartë të mbështesin dy partitë fituese në Kosovë dhe ato po negociojnë për formimin e një qeverie. Unë kam besim se mund të formohet një qeveri e mirë. Do të jetë e rëndësishme që të bëhen reforma të brendshme, që të fitohet dhe të pranohet mbështetja nga pesë vendet e tjera të Ballkanit. Nëse krijohet, unë mendoj se qeveria e re do të ketë një mandat të mirë.

Sipas mendimit tuaj, cilat do të jenë sfidat kryesore të qeverisë së re në Kosovë, që pritet të drejtohet nga udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti? Çfarë pret Parlamenti Evropian dhe Delegacioni i tij për Bosnjën dhe Kosovën nga qeveria e re e Kosovës?

Mandl: Unë mendoj se gjatë mandatit të qeverisë së re të Kosovës, për njerëzit e Kosovës, pesëdhjetë për qind e vendimeve të rëndësishme do të vijnë nga Bashkimi Evropian, dhe ndoshta 50 për qind nga qeveria e Kosovës. Pjesa që duhet të bëhet nga qeveria e Kosovës është forcimi i sundimit të ligjit. E theksoj këtë sepse sundimi i ligjit është drejtpërdrejt i lidhur me investimet dhe investimet janë drejtpërdrejt të lidhura me punësimin, vendet e punës. Dhe nëse ka vende pune dhe investime, njerëzit do të qëndrojnë në Kosovë. Është shumë e rëndësishme që të rinjtë, punëtorët e fortë, të arsimuarit qëndrojnë në vend dhe e forcojnë vendin e tyre. Në anën e Bashkimit Evropian do të jetë e rëndësishme që të mbahet premtimi për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe kjo të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë luftoj për këtë në parlament dhe shumica e anëtarëve të Parlamentit Evropian janë në favor të liberalizimit të vizave me Kosovën.

Përveç forcimit të sundimit të ligjit, për qeverinë e re të Kosovës do të jetë e rëndësishme që të forcohet sistemi i arsimit, veçanërisht në fushën e teknologjisë, programeve kompjuterike, kodeve, arkitekturës së softuerëve, sepse Kosova nuk ka shumë burime natyrore dhe nuk ka një industri tradicionalisht të fuqishme. Por Kosova ka një numër të madh të të rinjve, mesataren më të madhe të popullsisë së re në Evropë. Ka shumë të rinj që duan të punojnë në fushën e inxhinierisë së programeve kompjuterike, dhe një numër i tyre tashmë e bëjnë këtë. Disa kompani të mëdha austriake punojnë me këta të rinj në Kosovës. Për këtë arsye, unë nganjëherë them se Kosova, ndoshta mbarë Ballkani Perëndimor një ditë mund të bëhet Silikon Valley i Evropës. Por, duhet të forcohet sistemi i arsimit në këtë fushë, duhet të forcohet arsimi për vajzat, gratë dhe për të gjithë në shoqëri. Unë mendoj se mund të mbështetet çdo qeveri që përpiqet të realizojë këto synime.

Çfarë duhet të bëjë Kosova për t’ia lehtësuar Bashkimit Evropian marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave?

Mandl: Unë kam qenë shumë i sinqertë për kët çështje. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Kosova i ka plotësuar mbi 90 kushte të parashtruara nga Bashkimi Evropian. Kjo është bllokuar për arsye politike. Pesë vende të Bashkimit Evropian akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe disa vende të tjera që dyshojnë se liberalizimi i vizave me Kosovën do të funksiononte pasi ata kanë frikë se njerëzit do të largohen nga vendi dhe nuk do të kthehen, do të qëndrojnë në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës.

Çfarë ndikimi do të kenë përpjekjet për reformimin e Bashkimit Evropian dhe mos hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi?

Mandl: Për mua këto dy gjëra janë të ndërlidhura dhe të rëndësishme në këtë fushë. Unë jam miqësor me Kosovën, si raportues i grupit të Partisë Popullore Evropiane dhe Parlamentit Evropian për Kosovën dhe unë jam i angazhuar me Kosovën, por kjo nuk do të thotë se unë e vë në dyshim rëndësinë e Serbisë. Serbia është e rëndësishme, populli serb është i rëndësishëm. Serbia është ekonomia me fuqishme në rajon dhe ajo ka një përgjegjësi për shkak të kësaj force. Unë gjithmonë ia them Serbisë se është e rëndësishme që ajo ta kuptojë se shumica e vendeve të botës e kanë njohur Republikën e Kosovës. Nuk është e arsyeshme që të mendohet se mund të ketë një anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian pa njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në këto fusha nevojitet përgjegjësi nga Serbia dhe për këtë çështje të gjithë udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian duhet t’i dërgojnë një mesazh të qartë Serbisë se kemi nevojë për ju, ju duam në familjen evropiane, por ju lutem jepni fund këtij konflikti të vjetër.

Pra, është obligim i Komisioni të Bashkimit Evropian që të kujdeset për procesin e dialogut (Kosovë-Serbi). Unë shpresoj që jo vetëm Komisioneri për Punë të Jashtme, Josep Borrell, por edhe Komisioneri për Fqinjësinë, Oliver Varhelyi do të angazhohen në procesin e dialogut. Të them të drejtën, ky proces nuk është një përgjegjësi e vetëm Presidentit francez, Emmanuel Macron. Shpresoj që ai nuk do ta dëmtojë këtë proces, por zoti Macron, të them të drejtën, nuk ka mandat evropian për këtë çështje, ai ka mandat francez, ashtu si udhëheqësit e 27 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët austriakë kanë mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare për normaliziminKosovë Serbi. Si e shihni ju këtë?

Mandl: Ideja lindi në Austri, në alpet e Tirolit, gjatë një diskutimi publik mes presidentit austriak, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Unë nuk dua të jem në mesin e atyre që imponojnë një zgjidhje nga jashtë mbi çështjet për të cilat Kosova dhe Serbia flasin ose janë dakord. Ka qenë një gabim i madh në historinë e Ballkanit Perëndimor, që nganjëherë janë imponuar zgjidhje nga jashtë për Ballkanin Perëndimor. Unë nuk dua që të imponohet një zgjidhje nga jashtë. Unë do të jem i kënaqur nëse vazhdojnë diskutimet dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe unë nuk dua që të imponohen gjëra në axhendën e këtyre bisedimeve. Përvoja ime pas idesë së shkëmbimit të territoreve ishte dhe vazhdon të jetë se shumica e njerëzve në Kosovës nuk e mbështesin atë. Kështu që nuk duket se ka shanse të mëdha që kjo ide do të funksinonte mirë. Prandaj, ndoshta do të ishte më mirë që të gjenden çështje për të cilat palët mund të arrijnë marrëveshje.

A do ta mbështesnit një zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë që përfshinë shkëmbim territoresh, pavarësisht nëse ajo është e imponuar apo jo?

Mandl: Unë do të mbështesja çdo zgjidhje që mbështetet nga Kosova dhe Serbia. Për mua është e rëndësishme që të ketë një zgjidhje me respekt reciprok mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është detyra ime që të imponojë një zgjidhje. Unë vërtetë kam përshtypjen se imponimi i zgjidhjeve nga jashtë nuk ka qenë axhenda e duhur për Ballkanin Perëndimor.

Udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeministër i qeverisë së re të Kosovës, ka kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve ose korrigjimit të kufirit. Sipas mendimit tuaj, çfarë ndikimi mund të ketë fitorja e zotit Kurti në dialogun Kosovë-Serbi?

Mandl: Përshtypja ime nga jashtë është se ndoshta kryeministri i ardhshëm Albin Kurti tani është më i moderuar në politikat e tij se sa në të kaluarën. Unë gjithashtu kam përshtypjen se mund të formohet një qeveri e mirë dhe profesionale nga dy partitë fituese në Kosovë. Negociatat janë pjesë e sistemit politik, veçanërisht në demokraci, ku bisedimet me njëri-tjetrin janë një instrument i rëndësishëm i gjetjes së zgjidhjeve. Për mua paraqitja e qëndrimeve në mbështetje ose kundër propozimeve për çështje të caktuara para negociatave nuk është ndonjë problem. Do të ishte problematike nëse palët nuk flasin me njëra-tjetrën. Kështu që nëse Albin Kurti ose Aleksandër Vuçiqi thonë se nuk duan të bisedojnë, atëherë do të ishte problem. Për aq kohë sa ka njerëz që janë të gatshëm të bisedojnë, do të ketë një rrugë për gjetjen e një zgjidhjeje. Unë jam gjithmonë optimist për këtë.

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar angazhimin e tyre në Ballkan, duke emëruar dy dërguar për Ballkanin dhe për bisedimet Kosovë-Serbi? Cili do të jetë roli i Bashkimit Evropian në procesin e bisedimeve pas përfshirjes më të madhe amerikane?

Mandl: Për Bashkimin Evropian kjo është një përparësi e madhe. Kjo do të thotë se vetë Presidentja Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e sapozgjedhur nga Parlamenti Evropian, do të kujdeset për çështjen e dialogut. Unë ia kam kërkuar këtë disa herë, dhe e kam kuptuar përgjigjen e saj se ajo është dakord me këtë dhe e sheh këtë si një përparësi. Por do të ketë edhe komisionerë të tjerë që do të merren me këtë si Komisioneri për Punë të Jashtme, Komisioneri i Fqinjësisë dhe të tjerë që do të angazhohen në nivel politik. Do të ketë gjithashtu edhe të dërguar të posaçëm që do të mbikëqyrin aspektin teknik të procesit. Por, kjo vazhdon të jetë një përparësi për Komisionin Evropian dhe Parlamentin Evropian. Nëse do të kem përshtypjen se Komisioni Evropian nuk po angazhohet aq shumë për këtë çështje unë do të kërkojë me forcë si anëtar i parlamentit që gjerat të ecin përpara.

Disa analistë kanë paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet të sigurojë një prani në Ballkanin Perëndimor përmes pengimit të zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. A mund ta pengojë Rusia në fakt arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit?

Mandl: Shpresojë që jo. Varet nga ne, evropianët nëse ne lejojmë ndikim nga pjesë të tjera të botës, që nuk janë dakord me vlerat dhe qasjen tonë ndaj dinjitetit dhe lirive njerëzore. Këtu nuk përfshihet vetëm ndikimi nga Rusia, por edhe nga Turqia, Kina, madje edhe Arabia Saudite. Disa njerëz nuk e dinë që Serbia zhvillon më shumë stërvitje me NATO-n, dhe se Rusia nuk po shpenzon aq shumë në Serbi. Bashkimi Evropian po shpenzon shumë në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi. Kjo nuk është një dhuratë, por pjesë e përpjekjeve për një zhvillim të qëndrueshëm të mbarë kontinentit, për mbarë Bashkimin Evropian. Kështu që ka shumë arsye për të qëndruar të bashkuar, si një familje evropiane e bashkuar, që të mos lejojmë ndikime të tilla brenda Bashkimit Evropian. Por unë e di që ky rrezik ekziston, jo vetëm nga Rusia por edhe nga vende të tjera. Në duhet të shmangim sa më shumë që të mundemi këto lloje të ndikimit negativ.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kohët e fundit tha se masakra e vitit 1999 në Reçak të Kosovës ishte fabrikuar. Në Kosovë, mohimi i krimeve të luftës nga Serbia shihet si një kundërshtim ndaj frymës së pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve. Sipas mendimit tuaj, çfarë ndikimi mund të kenë këto lloje deklaratash mbi bisedimet Kosovë-Serbi?

Mandl: Pyetja ime është se për cilën audiencë janë dhënë këto mesazhe. Shpresoj që të mos jetë e nevojshme për një zyrtarë ose politikanë në Ballkanin Perëndimor që të mohojë ngjarje të tmerrshme si kjo. Duhet të jetë e mundur që të nderohen dhe të kujtohen viktimat dhe të arrihet një ardhme pozitive dhe e begatë në të gjitha pjesët e botës. Unë nuk jam dakord me mohime të tilla. Kjo akoma po ndodh edhe në rajone të tjera, si në Turqi, e cila mohon gjenocidin armen. Nuk dua të krahasoj njërën ngjarje me tjetrën, ato janë të ndryshme. Por, të mohosh vuajtjet viktimave është diçka për të cilën ne nuk kemi nevojë në Evropë, e as në zona të tjera. Ne nuk e duam këtë nga asnjëra palë. Historia e suksesshme e Bashkimit Evropian është e bazuar te tejkalimi i këtyre mohimeve dhe agresionit që ato përmbajnë në vete. Unë i bëj thirre të gjitha palëve që t’u japin fund konflikteve etnike, kombëtare dhe fetare. Këto janë konflikte të gabuara dhe jo racionale. Të punojmë për një të ardhme të begatë për rajonin, duke mbështetur gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor. /VoA/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat