Rrëfimi i Fetah Rudit: Kriminelë të SHIK-ut, të veshur me petkun e PDK-së, kryen atentatin ndaj meje

Intervista

Rrëfimi i Fetah Rudit: Kriminelë të SHIK-ut, të veshur me petkun e PDK-së, kryen atentatin ndaj meje

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 dhjetor 2019 Në ora: 09:42
Fetah Rudi

Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, ka rrëfyer se si është plagosur në një atentat të organizuar 19 vjet më parë.

Rudi në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se njerëzit që e përcollën aktivitetin e tij politik, pa dyshim se ishin ata që e arrestuan dhe e rrahën edhe gjatë luftës së fundit, të veshur me petkun e PDK-së.

Deputeti i LDK-së është shprehur se drejtësia e Kosovës nuk ka bërë asgjë në zbardhjen e vrasjeve të pasluftës dhe atentatit ndaj tij. Ai për këtë deklaron se kjo e fundit ka qenë e uzurpuar nga komandantët përgjatë gjithë këtyre viteve.

Veprimtari i LDK-së është i mendimit se Gjykata Speciale është e vetmja shpresë për zbulimin e këtyre vrasjeve, pasi sipas tij, vetëm ky organ ka mbetur deri më tani i pandikuar nga ata që i kanë kryer këto vrasje.

Rudi ndër të tjera në këtë intervistë ka thënë se në Kuvendin e Kosovës, do të jetë një zë i fuqishëm për vrasjet politike që janë kryer në vend, e që nuk janë të pakta, dhe për të cilat deri më sot nuk është bërë asgjë.

“Bota sot”: Z. Rudi, këtë 15 dhjetor bëhen 19 vjet që nga ditë kur është kryer atentati ndaj jush. Si e kujtoni këtë ditë?

Fetah Rudi: Po ditën e 15 dhjetorit të vitit 2000, një ditë që mbeti përgjithmonë në kujtesën time, të familjes dhe miqve të mi. Ishte një ditë e premte që unë vazhdimisht shkoja në takime me kryetarët e degëve të LDK-së me Presidentin Ibrahim Rugova. U nisa nga shtëpia në ora 8 për Malishevë, aty u takuam me Avdullah Telakun dhe Rexhep Begajn, ku ne vendosëm të shkojmë në Prishtinë me Avdullahun, por e morëm edhe Rexhepin, dhe të tretë shkuam në takim, pasi që e pimë nga një kafe në Malishevë. Ishte ditë e zakonshme, shkuam në takim, përfundoi takimi dhe ne u nisem për në shtëpi duke biseduar rreth takimit me Presidentin, tash pak më mirë se i kishim fitu zgjedhjet, po ne ishim duke folur për takimin e nesërm se e kishim mbledhjen e asamblesë komunale për zgjedhjen e Kryeshefit. Kur kemi ardhur te fshati Bytyq, në ora 14.35 është dëgjuar gjuajtja me rafall automatiku, dhe pastaj në afërsi me kanë gju nga një kerr ngjyrë e kuqe, opel astra, dhe nga ai moment jam në karrocë, por asnjë moment nuk jam ndalur nga aktiviteti. Një ditë jo e mirë, por që as plumbat nuk me thyen nga rruga Rugoviane.

“Bota sot”: Kush ishin njerëzit që e përcillnin aktivitetin tuaj politik si anëtar i LDK-së, për të cilët mund të keni dyshime se e kanë kryer këtë tentim vrasje?

Fetah Rudi: Po njerëzit që më kanë përcjellë pa dyshim ishin ata që më arrestuan e më rrahën në luftë, e të cilat ia fala luftës, por nuk u ndalen edhe në liri. Por, tani të veshur me petkun e PDK-së që asnjëherë nuk u distancuan nga vrasjet që po ndodhnin, e që nuk kanë emër tjetër vetëm kriminel të SHIK-ut. Atentati ndaj meje është bërë pikërisht për shkak të motiveve politike, dhe për të marr pushtetin me dhunë, pushtet të cilin populli ia kishte dhënë LDK-së. E dihet mirëfilli se kush ishin humbësit në atë kohë.

“Bota sot”: Çfarë ka bërë drejtësia e Kosovës për këto vite, për ta zbuluar të vërtetën e atentatit?

Fetah Rudi: Drejtësia e Kosovës nuk ka bërë asgjë, ama bash asgjë edhe pse të gjitha i ka ditur. Por, kanë qenë të uzurpuar nga Komandantët, e që në fakt drejtësia kosovare ka dështuar në zbardhjen e vrasjeve dhe atentatit në mua, e që këto vrasje dhe atentati ndaj meje është bërë nga njerëzit e SHIK-ut, që nuk kanë tjetër emër, vetëm kriminel, e që dihen me emër e mbiemër se kush janë ata.

“Bota sot”: A jeni kontaktuar nga Gjykata Speciale?

Fetah Rudi: Jo, deri më tani nuk jam kontaktuar nga Gjykata Speciale. Por nëse me thërrasin unë do t’i përgjigjem pozitivisht. Jo vetëm Gjykatës Speciale, por çfarëdo organi të drejtësisë unë do t’i përgjigjem me faktet dhe dëshminë time sa i përket atentatit ndaj meje. Unë asnjëherë nuk kam heshtur, dhe kam qenë i gatshëm çdo herë që të dëshmojë kudo që më ftojnë, por askush nuk ka pas guximin që të merret me rastin tim, por edhe me rastet tjera të vrasjeve politike.

“Bota sot”: Pasi jemi tek kjo gjykatë. A besoni se Gjykata Speciale do ta zbardh këtë rast?

Fetah Rudi: Besoj dhe shpresoj se po kjo gjykatë do t’i zbulojë vrasjet që kanë ndodhur, por edhe atentatin ndaj meje. Gjykata Speciale është e vetmja shpresë për zbulimin e këtyre vrasjeve, pasi vetëm ky organ ka mbetur deri më tani i pandikuar nga ata që i kanë kryer këto vrasje.

“Bota sot”: Tashmë jeni deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës. Cilat do të jenë kauzat gjatë këtij mandati?

Fetah Rudi: Po unë jam zgjedhur deputet, ku vetë prezenca ime do të flet shumë para atyre që janë përgjegjës për këto vrasje e atentate, ku edhe disa prej tyre do të jenë prezent në Kuvend. Do të jem një zë i fuqishëm për vrasjet politike, që nuk janë të pakta, e për të cilat deri më sot nuk është bërë asgjë, as nga drejtësia e UNMIK-ut, as e EULEX-it, por as nga drejtësia vendore, institucione këto të cilat që të gjitha kanë dështuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat