Lotët e mallit dhe Fatmir Terziu

Intervista

Lotët e mallit dhe Fatmir Terziu

Alfred Papuçiu Nga Alfred Papuçiu Më 20 dhjetor 2019 Në ora: 10:17
Fatmir Terziu

Shkrimtari dhe publiçisti Fatmir Terziu lindi në vitin 1964 në Elbasan. Pas mbarimit të shkollës së mesme të përgjithshme studioi për gjuhë dhe letërsi shqipe. Ka punuar mësues dhe më vonë drejtor shkolle në disa shkolla të Shqipërisë. Ka publikuar shkrime në gjithë shtypin shqiptar dhe ka qenë gazetar i gazetës "RD", gazetar në Radio Tirana, në radion “Kontakt”, drejtues emisionesh, Drejtor i Televizionit "Dardan". kryeredaktor i gazetës së pavarur “Fjala e Lirë” , ku shpesh gjejmë tema edhe nga Kosova. Në vazhdim të edukimit të tij të mëtejshëm ka studiuar në High Melton College [South Thames College] për gjuhën angleze dhe për HNC, Certifikatë e Lartë Nacionale në Britaninë e Madhe për Media Production (media prodhimtari). Ka marrë nivelin e lartë (Gradën-nivel A) për Communication Media (media komunikim) pranë Universitetit London South Bank University (2004). Më tej kreu studimet pranë Faculty of Arts and Human Sciences për Digital Film dhe Video Production (2004-2007). Autori ka fituar gradën e Masterit për Media, Kulturë dhe Politikë pranë Roehampton University në Britaninë e Madhe dhe është në ndjekje të studimeve të Phd-së për Media, Kulturë, Politikë. Fatmir Terziu ka  marrë dekoratën "Mjeshtër i Madh" nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ai ka botuar shumë ese dhe studime, si dhe vepra letrare për të cilat ka fituar një numër çmimesh me prestigj. Krijimet e Fatmir Terziut janë përfshirë në disa Antologji Kombëtare, duke përmendur Antologjinë poetike Kombëtare “Pena e vjeshtës së artë”, Antologjinë poetike “Metaforë malli”, Antologjia e Letërsisë “Lule për lulet” etj.

Kur keni filluar të shkruani për herë të parë dhe cili është formimi juaj?

Shpeshherë ngjan si me kohën e fëmijërisë. Të blejnë diçka që e ke për zemër dhe fle me të. Të dhurojnë diçka që të pëlqen dhe s’e ndan nga mendja e dora. Edhe botimi i parë më duket disi ashtu. Isha vetëm nxënës i shkollës së mesme kur botova një tregim në gazetën lokale të Elbasanit, që drejtohej atëherë nga nënkryetari i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, Mefail Pupuleku. Në gazetën “Shkumbini” të asaj kohe, tregimi im “Drejtori u transferua” do të më bënte të rrija pa gjumë. Por, pa gjumë do më linin edhe disa struktura të Këshillit të Lagjes. Por, nejse ajo lidhet disi me zyrtarizimin e krijimtarisë sime. Kam krijuar që herët. Poezitë, skicat, tregimet i mbaja në një fletore 32 lekëshe, të asaj kohe, dhe përkujdesesha si për një thesar. Kur fillova pastaj t’i drejtohem më gjerë shtypit shqiptar, ndjeja emocione të tjera. Shkrimet e mia nisin me gazetat “Bashkimi”, “Puna”, “Luftëtari”, “Sporti Popullor”, “Tirana” etj. Midis këtyre shkrimeve që ende i kujtoj, janë shkrimi problematik për unazën e Elbasanit dhe Zaranikën e tij, të botuar tek gazeta “Bashkimi”, reportazhi “Udhëve partizane...” (“Sporti Popullor”; E premte 8 Korrik 1988), skicën letrare për pilotin hero, Zenel Hyseni, që uli avionin luftarak me fanar të hapur, (“Tirana”, 9 Qershor, 1988), skicën letrare “Si vëllai me vëllanë” (“Tirana”, E enjte 7 Korrik, 1988), reportazhin e realizuar në Vurg të Sarandës, “Midis popullit”, (“Luftëtari”, E enjte, 9 Qershor 1988), reportazhin “Pak rradhë për njerëzit punëshumë”, (“Puna”, 6 Shtator 1988) etj. Dhe më pas me angazhimin total në gazetari pas viteve 1990-të, puna ime krijuese mori dimensione të tjera. Në fillim në gazetat lokale, “Fjala e lirë”, ku isha edhe drejtuesi i saj për disa vite, pastaj tek “Elbasani”, gazeta “Rilindja Demokratike” etj.

Duke qenë se studimet e mija i kisha në degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, natyrshëm e ardhmja fliste më shumë në lidhje me këtë pasion timin. Dhe në vitin 2000 botova vëllimin e parë poetik, “Mos Hesht”, të botuar nga Shtëpia Botuese “Sejko”. Pastaj erdhën me radhë librat e mi “Djalli i Argadasit”, “Ecje në qelq”, botuar nga “Silver”, “Kritika ndryshe: një vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare”, botuar nga “Arbëria”, “Misteriozja”, botuar nga “Globus R” dhe studimi im në gjuhën angleze për median dhe teknologjinë në fushën e filmit botuar nga “Globus R”.

A ruani ndonjë kujtim nga fëmijëria juaj?

Fëmijëria ime natyrshëm është një magazinë më vete në kujtesën time. Është një kujtesë që shpeshherë më kujton hartimet e mia që lexoheshin para klasës, dhe mbaheshin në stenda e muzeume. Më kujtohen vjershat e para dhe tentativat për të botuar në revistat për fëmijë. Kur m’u botua një vjershë e vogël për parrullat, tek revista e asaj kohe për fëmijë “Fatosi”, në vitin 1974, më dukej vetja si njeri tjetër, si një njeri në rritje e sipër edhe pse isha vetëm dhjetë vjeç.

Si erdhi zgjedhja e profesionit tuaj si shkrimtar, kineast, regjizor filmi, publiçist, gazetar, prozator?

Unë ende nuk mund të mendoj se në jetën time profesioni im është përcaktuar nga të qenit shkrimtar, regjisor filmash me metrazh të shkurtër, gazetar apo edhe më tej. Në jetën time, synimi im është të thelloj studimet dhe të shtoj bindjen dhe vendosmërinë time për të qenë konfident, në tërë aspektin profesional. Kështu mendoj se duke qenë gjithmonë në lëvizje dhe i vendosur të arrish majat bashkëkohore të profesionalizmit edhe zgjedhja e profesionit flet ndryshe, flet tamam me profesionalizëm. Sot, kur ka shumë pena, kur gjithkush paraqitet pa ‘doganë’ në profesionin e tij edhe profesionalizmi duket i vështirë të kuptohet. Ndaj zgjedhja e profesionit, më duket e lidhur me profesionalizmin dhe interesimin ndaj tij.

Karriera e suksesshme si shkrimtar, skenarist, poet, ju ka ofruar më shumë sfida apo kënaqësi?

Më kujtohet një thënie e Oscar Wilde, të cilën e gjeta kohë më parë, duke lexuar tek “Kritika si artist”. Aty shumëdimensionali dhe i papërsëritshmi Oscar, thekson “njeriu është vetvetja kur ai flet në vetën e tij. Jepi atij një maskë, dhe ai do të ju tregojë juve të vërtetën.” Kështu, duke e lidhur këtë me pyetjen tuaj, mendoj se pa ‘maskë’ është e vështirë të ritregosh sfidën dhe kënaqësinë nga këndi i krijuesit. Karrierë në këtë kënd, pavarësisht se si ajo tingëllon zakonisht bën ai që harron maskën e vërtetë dhe qëmton pas asaj të gjej veten e tij të humbur. Unë mendoj se jashtë termit karrierë, ajo që duhet të jetë e pranishme gjithmonë midis penës, talentit dhe njeriut duhet të jetë sfida. Sfida të bën të jesh gjithmonë i vëmendshëm dhe i përshtatshëm. Shkurt lexues dhe i lexueshëm.

Sa vite i bëtë si shkrimtar? Cila vepër e realizuar nga ju, ju ka lënë më tepër mbresa? Sa botime keni bërë deri tani dhe cilat janë planet tuaja për të ardhmen e afërt ?

Normalisht vitet, si pjesë e jetës dhe e krijimtarisë ikin dhe ikin shumë shpejt madje. Kur tenton të vësh aritmetikën në shërbim të këtyre viteve, gjendesh i gabuar. Gjendesh i tillë, se mbresë më të madhe përshembull, mund të të ketë lënë një tregim, një shkrim, një poezi, më shumë se sa një vepër e tërë. Për mua tregimi në gjuhën angleze “Hija diamond”, fitues i kompeticionit të BBC-së Yorkshire, dhe tregimi “Djalli i Argadasit” flasin shumë. Jo vetëm se me to kam fituar çmime respektive jashtë konkurimeve brenda vendit, por në Britani të Madhe dhe në Greqi, ku kam fituar çmimin “Kadmus”, por edhe për faktin se këto tregime më kanë frymëzuar që të krijojë dy vëllime të rëndësishme me tregime. Por, me thënë të drejtën, studimi im “Kritika ndryshe: një vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare-pjesa e parë” më ka lënë më tepër mbresa, pasi është i veçantë në llojin e vet dhe është pritur jashtëzakonisht mirë. Këtu ndjehem disi më krenar se njohuritë e fituara gjatë studimeve të mëtejshme në Britani të Madhe më kanë ndriçuar më tej rrugën time krijuese.

Çfarë ju ka mbetur në kujtesë nga jeta juaj në Shqipëri?

Unë edhe pse jetoj larg Atdheut, kurrë s’kam menduar dhe as e kam çuar ndërmend të rikujtoj diçka si të lënë pas. Por, nga puna ime me median shqiptare kujtoj të qenit Drejtor dhe drejtues emisionesh të rëndësishme në televizionin “Dardan” për disa vite, duke qenë gazetari i parë dhe krijuesi i emisioneve dhe lajmeve të tij, dhe puna me plot pasion në drejtimin e gazetës “Fjala e Lirë” dhe si gazetar në “Rilindja Demokratike”, madje në vite shumë të vështira. Natyrshëm, kujtoj emocionet e çmimit të marë në vitin 1996-të, si reporteri më i mirë dhe tmerret e vitit 1997-të.

Cilët shkrimtarë shqiptarë dhe të huaj, sidomos britanikë janë udhërrëfyes për ju, në veprat tuaja ?

Në fakt, kush e ka marë në dorë studimin tim “Kritika ndryshe: një vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare-pjesa e parë”, shumë lehtë e ka kuptuar esencën e pyetjes suaj. Në këtë rast preferoj të them se leximi i këtij studimi do të ishte më shumë se një përgjigje e imja në këtë intervistë. Unë e kam thënë dhe do ta them atje, pra në pjesën e dytë që del së shpejti nga botimi, fjalën për udhërrëfyesit e letrave.

Si paraqitet kinematografia shqiptare në ditët e sotme në krahasim me hapat e para të saj ? Cilat filma shqiptarë ju kanë lënë më tepër mbresa ?

Arti viziv ka një sfidë tjetër në fushën e krijimtarisë. Filmi si pjesë e tij, sot mbetet më i varfëri. Është më i pambuluari dhe më defiçitari. Është për shumë arsye i tillë dhe në gjendje problematike, por më kryesorja mbetet paraja e munguar për të. Këtu duhet shumë për të shpjeguar.

Ju keni realizuar disa dokumentarë për Kosovën, Shqipërinë. A mendoni ta zgjeroni këtë krijimtari edhe për figura të tilla të Kombit si Skënderbeu, Nënë Tereza etj ?

Filmi dokumentar është dhe mbetet pasioni im. Planet e mia janë të shumta. Shumë shpejt do të mundohem të realizoj pikërisht atë që mendoj se i ka munguar dhe i mungon filmit dokumentar shqiptar. Për këtë më duhet pak kohë të flasë më hapur, se skenaret dhe kushtet i kam gati.

Pasioni juaj për letërsinë, kinematografinë, botimet tuaja i bëni se e keni hobi apo edhe për të siguruar jetën?

Në Perëndim ku jetoj unë nuk mendohet thjesht, për hobi, apo edhe as për të siguruar jetën. Media ka hapësirën e vet, dhe unë jam pjesë e kësaj hapësire. Natyrshëm në një hapësirë të tillë kaq konkurruese gjithkush që e sheh letërsinë, apo edhe tërë fushën ku ai krijon si një pjesë të jetës, ekziston një lidhje dyfishe mes hobit dhe nevojës jetike. Të dyja konvergojnë në një pikë.

Çfarë mesazhi keni për brezat e rinj të shkrimtarëve dhe letrarëve shqiptare? Cili është mendimi juaj për letërsinë shqiptare në tërësi?

Unë vetë mendoj se kam shumë për të mësuar nga të gjithë brezat krijues. Nga më të vjetrit që u mbetem borxhli për ‘meshën’ e tyre letrare tek ndërgjegja ime që i rri, që në bangat e shkollës dhe të tjerëve duke u qëndruar shumë afër, si lexues dhe kritik i tyre për të ecur bashkërisht dhe në mënyrë të pandarë në të gjitha aspektet e kulturës. Kështu në një lidhje lexues-krijues dhe krijues-lexues edhe mendimi për letërsinë shqiptare, që sot ka prurje të bollshme duket disi elokuent. Unë mendoj ndryshe nga disa që kanë shpotitur krijimtarinë e sotme. Sot, krijohet, synohet dhe ka një konkurrencë të heshtur në të gjitha shkollat krijuese. Ata që krijojnë jashtë Atdheut duket se kanë më shumë kohë dhe më shumë burime në hapin e tyre krijues. Do të vijë një ditë që ata do të prishin raportet në këtë drejtim për mirë në krijimtarinë shqiptare.

Fatmiri dhe familja. A keni ndonjë kompliment për të afërmit tuaj? Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?

Familja ime, gjithmonë ka qenë shtysa dhe frymëzimi im. Kur isha student ishin gjyshërit dhe prindërit e mi. Tani në këto role janë gruaja ime dhe tre fëmijët e mi, që ndonjëherë janë edhe kritizerët, mësuesit dhe redaktorët e parë të krijimeve të mia. Kështu roli im është dyfish i survejuar. Kjo më bën më të kujdeshëm, madje më kthen vite më pas kur unë duhet të isha i tillë që të fitoja zemrën e sime shoqe, që natyrshëm është dhe mbetet pjesa më e kujdesshme e jetës sime. Njohja me të është një njohje normale, e kërkuar dhe e gjetur në kohën e duhur. Sot ajo është një mënyrë më e këndshme frymëzimi në krijimet e mia. Nisi e sinqertë dhe kështu ka krijuar edhe lidhjen e sinqertë me krijimtarinë dhe aspektet e lidhura të jetës sime me të.

A keni dëshirë të ktheheni ndonjëherë në qytetin tuaj të lindjes dhe në përgjithësi në Shqipëri?

Shqipëria nuk është më ëndër. Unë mendoj se as dëshirë nuk është më. Shqipëria është tashmë më shumë se kurrë në historinë e saj përtë qenë një Zonjë në mesin e qytetërimit. Dhe natyrshëm gjithkush këtë ka dëshiruar, dëshiron dhe do ta dëshirojë përvendin e tij të mrekullueshëm. Si gazetar që drejtoj dy gazeta në Londër “Albanian Mail”, gazetë e komunitetit shqiptar dhe “Fjala e Lirë” një gazetë letrare-profesionale online që bashkon krijues shqiptarë nga gjithë Rruzulli, natyrshëm e ndjej këtë dëshirë më shumë dhe më ndjeshëm. Unë jam dhe jetoj me Shqipërinë. Krijoj, shkruaj lexoj dhe çdo gjë e kam të lidhur me hapin dhe ecjen e saj. Natyrshëm për të qenë më pranë fizikisht është një kompleks që lidhet me familjen. Në kohën e sotme çdo gjë duhet cilësuar demokratike dhe si e tilë çdo gjë duhet vendosur në mënyrë demokratike. Lotët e mallit e kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. Koha nuk punon më për këta lotë...

Ju falenderoj për intervistën dhe ju uroj suksese në veprimtarinë tuaj krijuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat