“I thash bacës Shaban Jashari se do të na sulmojnë, më tha, ‘Përhajr na qoftë’ dhe ma mbylli telefonin”

Intervista

“I thash bacës Shaban Jashari se do të na sulmojnë, më tha, ‘Përhajr na qoftë’ dhe ma mbylli telefonin”

Nga: Kushtrim MALIQI Më: 25 dhjetor 2019 Në ora: 07:59
Në fotografi gazetari i "Bota sot" Kushtrim Maliqi në bisedë me kolonel Hysen Gecajn

Në një intervistë ekskluzive e cila do të vijë me dy vazhdime për “Bota sot”, kolonel Hysen Gecaj, një ndër ushtarakët më të shkolluar në kohën e fillimeve të organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka folur detajisht për organizimin e ditëve të para të luftës, ushtrimet e para në fshatin Llaushë, e deri tek dita e 5 Marsit, kur heroikisht bashkë me familjen ra komandanti legjendar Adem Jashari, ai i cili i dha kuptim lirisë së Kosovës të cilën e gëzojmë sot.

“Bota sot”: Jeni ndër nismëtarët e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A mund të na flisni pak për fillet e saja, nismat e hershme?

Gecaj: Ne për me ardhë deri tek krijimi i një ushtrie, i ka parapri një përgatitje e hershme ndoshta në fillim jo me faktor ushtarak, por në një farë revolte civile, njëfarë revolte politike, mirëpo duke u përkeqësuar gjendja, atëherë filluan njerëzit të organizohen në grupe të vogla të individëve. Filluan të mendojnë edhe ushtarakisht të i kundërvihen atij regjimi, pra Jugosllav. Unë në vitin 1986 veç u ktheva nga armata Jugosllave në Kosovë, si një oficer kisha pamundësi të punësohem në atë kohë në profesion, ku përveç krizës politike, ishte një krizë e madhe edhe ekonomike. Pakënaqësia rritej kudo, kështu që në vitin 1992, pasi luftës së Kroaci dhe Bosnje, u kuptua se përmes mënyrave paqësore, nuk ka mundësi me të çlirohet vendi, atëherë u fillua të mendohej për rrugët tjera, jashtë asaj paqësore. Në fillim, të gjithë ishim të tubuar ashtu rreth Adem Jasharit, duke menduar që të bëjmë stërvitjet e të rinjve, po flasim për vitin 1992, kur është marrë një hap pak më serioz, sepse tentativa ka pasur edhe më herët, por kjo është kur kemi marrë hapin e parë konkret, pra 11 qershor të atij viti, një grup i vogël prej disa të rinjve të fshatit Llaushë, e pastaj u zgjerua edhe nëpër fshatra tjera të Drenicës, morëm përsipër të fillojmë me trajnime. Me që në atë kohë isha i vetmi profesionist, ushtarak në ato grupe ilegale, mora përsipër edhe për trajnimet bazike të këtyre vullnetarëve, për tu përgatitur me iu kundërvu armikut.

Kishim probleme logjistike, financiare, por natyrisht, këto nuk i llogarisnim si probleme të mëdha duke pas parasysh nevojën. Kur kuptuam se kishim mbështetje edhe prej popullit në Drenicë, e në veçanti Llaushës e cila ka qenë shumë aktive, atëherë mora guximin edhe të filloj t’i stërviti grupet e para. Fillimisht u bashkëngjitën disa djem të lagjes të cilët vullnetarisht grumbullonin armatimin por edhe bënin roje, derisa unë isha duke i trajnuar të tjerët, në një lokacion në fshatin Llaushë.

“Bota sot”: Kur e mendojmë nga prospektiva, duket pak e pa besueshme si ja keni dalë të mos diktoheni, të mos spiunoheni. Si keni arritur që brenda territorit të kontrolluar nga ushtria serbe, të mbani ushtrime ushtarake pa u kuptuar?

Gecaj: Keni shumë të drejtë, mirëpo duke e parë se çka po ndodhë në Kroaci dhe Bosnje, ne nuk kishim zgjidhje tjetër. Fatbardhësisht, meqë unë si ushtarak, e njihja fushën e organizimit, shërbimeve të sigurimit jugosllavë të asaj kohe, sistemi i funksionimit ushtarako-policiore të asaj kohe, e kuptova se autonomisë së asaj kohe në Kosovë, edhe ai sistemi i rrjetit të spiunëve që ka funksionuar më herët për interesa të Jugosllavisë, u shpërbë njëkohësisht, kishin mbetur ndoshta një grusht njerëzish fare pak që ishin bashkëpunëtorë të Serbisë, po flas së paku për Drenicë, kështu që ata nuk përbënin ndonjë rrezik shumë të madh. Unë llogarisja edhe një tjetër gjë, duke e pa që nuk kemi zgjidhje tjetër, llogarita ne po fillojmë kështu, ndoshta do të vritemi që në fillim, por duhet disi të fillojmë, dikush duhej të ia nisë.

“Bota sot”: Cilët kanë qenë ata të parët e grupit, figura që sot mund t’i njohim?

Gecaj: Ata që njihen e që nuk njihen kanë qenë një numër i madh, por, këta që njihen janë Gani Geci, bile armët e para i kam përdorë armët e Ganiut për të trajnuar, sepse s`kishim armë të mjaftueshme, gjeneral Xhevahir Geci i cili sot është në FSK, Jetullah Geci dhe disa të tjerë, dajtë e Adem Jasharit. Synimi im ka qenë që të i trajnojmë njerëzit, kurse Ademi ka qenë ai i cili ka udhëheq çdo gjë që është dashur, unë personalisht atë e kam njohur si komandant, si prijës sepse nuk i kemi thënë komandant, unë nuk kam ditur për komandat të tjerë.

“Bota sot”: A keni pas raste kur jeni spiunuar dhe si keni menduar ta zgjidhni atë çështje?

Gecaj: Kemi pasur edhe raste të tilla, pikërisht kah fundi i qershorit, data nuk më kujtohet, jemi dekonspiru, por jo për shkak të spiunazhit, por ata të rinjtë që vinin në stërvitje, prej vullnetit të madh që janë duke u stërvitë, kanë treguar diku dhe dikur ka kaluar në vesh të sigurimit të shtetit. Nganjëherë edhe në fatkeqësi të prinë fati, në atë kohë, policët tanë që kanë punuar, shqiptarë në atë sistem, e patën lënë punën dhe e krijuan sindikatën e milicëve të asaj kohe, shqiptarë pra të asaj kohe. Me sugjerimin e asaj sindikate, u patën dakordu që një polic të vazhdojë të punojnë brenda UDB-së, në Skenderaj. Ai polici, një ditë rastësisht ka hy në zyrën e shefit të tij, derisa ai nuk ka qenë aty dhe ka parë disa dokumente të cilat kanë qenë të përgatitura, operative e policisë serbe për të ardhur që të na zënë neve në Llaushë. Polici në fjalë ka qenë Jonuz Loshi nga fshati Pagalishtë, është i gjallë, nuk e di se çfarë punon sot, ai jeton në Mitrovicë, mund të ketë ndonjë avokaturë apo diçka të ngjashme. Ai kur ka hyrë në zyrën e atij “eprori”, e ka zbuluar planin për të ardhur tek ne për të na kapur atje ku po mbanim stërvitje. Saktësisht nuk e paskan ditur vendin. Ky person del shpejt nga zyra dhe para shtëpisë së shëndetit në Skenderaj e ka takuar kryetarin e LDK-së, Idriz Rrecajn i cili ka qenë një burrë shumë i zoti, aktivist i madh, ai sot figuron si I zhdukur gjatë luftës. Idrizi ishte i njoftuar se ku po i mbanim stërvitjet, ai për të ardhur deri tek unë për të më njoftuar e ka kontaktuar djalin e axhës tim dhe një kushëri, kanë ardhur në mal më kanë treguar se jemi zbuluar, unë menjëherë urdhërova që të shpërndahemi dhe i udhëzova që më të mos flasin për atë çështje. Isha i bindur që nuk ka pasur spiunazh, por ajo ka rrjedhë për shkak të entuziazmit të djemve të rinj. Ashtu edhe pati ndodhë, pasi që kur pata shkuar në një rast në një fshat në Qyqavicë, te halla, ajo ma përmendi, boll fort bre Hysen po tutna se ti e Syla, për babën temë, po merreni me qatë punë, se mos po ju vrasin, ndërkohë që ne nuk iu patëm treguar, por fjalët kishin arritur. Unë asaj sigurisht se i thash se ato nuk janë të vërteta dhe se s`ka asgjë të vërtetë.

“Bota sot”: Pse Drenica ka qenë nëse mund ta them vatra më e madhe e luftës dhe sulmeve të okupatorit?

Gecaj: Jo vetëm për atë pushtet, por për të gjitha pushtetet Drenica ka qenë halë në sy dhe kjo pjesë si regjion, thjeshtë ka vazhduar traditën e më hershme. Edhe në luftën kundër Serbisë të parët filluan të organizohen, natyrisht se në gjithë Kosovën ka pas tentativa dhe synimi për të bë diçka, por synimi ka qenë më shumë i karakterit politike, se sa puro ushtarak siç ka qenë në Drenicë. Në Drenicë, sigurisht ajo vijimësia historike ka ndikuar bukur shumë, Bërnica është në qendër të Kosovës, ku në një farë mënyrë gjithmonë ka mbetur vetëm si bastioni shqiptarë, jo i të tjerëve edhe pse regjimet kanë bërë trysnin më të madhe, prapë është ndje ajo farë fryme luftarake në vazhdimësi dhe kështu ka qenë.

“Bota sot”: Adem Jashari është simbol i lirisë të cilën sot e gëzojmë. Kur apo në çfarë rrethana e keni takuar për herë të parë Adem Jasharin?

Gecaj: Ademin e kam njohur edhe si fëmijë sepse është nip i lagjes tonë. Në atë kohë e kam njohtë, por tash në këtë rast ma kujtuar një detaj interesant. Kur u ktheva në vitin 1986 prej Beogradit, e lash armatën Jugosllave, nuk kisha me çka të merrem sepse isha i pa punë, dola të humb kohë. Pata dal në një çajtore në Skenderaj, që ka qenë e vëllait të Hashim Thaçit, pra e Gani Thaçit dhe u ula vetëm në një avolin, kurse në tjetrën tavolinë ishin katër persona ulur dhe për herë të parë ata persona po i dëgjoj duke folur për një rezistencë të armatosur kundër policisë dhe ushtrisë serbe. Kjo ma tërhoqi vëmendjen mua si 23 vjeçar, si ushtarak u ndala dhe po mendoja çka është duke ndodhë, çka po flasin këta burra kështu. Që të katërtit më dukeshin fytyra të njohura, por meqë për një kohë të gjatë sa isha në shkollim, i kisha harruar këto fytyra, nuk i njihja. Kur u ktheva në shtëpi, erdhi edhe baba i cili punonte në sektorin e mbrojtjes në Skenderaj. I thash, i dëgjova disa tu biseduar sot në kafe për gjerë konkrete, u përmendën sulme nëpër stacione, çka është duke ndodhë. Baba buzëqeshi pak dhe më tha qysh nuk i njoh kush ishin, ishin nipat tanë Ademi, Hamza e ndonjë shok tjetër i tyre, e di që nuk je në ngjarje se kohë të gjatë s`ke qenë këtu pari, por njerëzit kanë filluar e po mendojnë ndryshe pas demonstratave, nuk duan më të qëndrojnë nën Jugosllavi. Kjo për mua ishte një befasi shumë e madhe, kjo ka qenë ajo farë shkëndija e parë ndoshta, e vitit 1986, kur kam filluar të mendoj më ndryshe.

“Bota sot”: Ju keni ardhur nga Beogradi, nga baza e Jugosllavisë, e keni ditur saktë forcën e armatës Jugosllave të asaj kohë, kundër të cilës më vonë do të luftonte UÇK-ja. Si ka ndodhur, a jeni frikësuar?

Gecaj: Në aspektin personal e kam ditur forcën e Jugosllavisë, por gjatë studimeve në akademi, e patëm mësuar edhe një element interesant: Ushtria e cila nuk e ka përkrahjen e popullit të saj, nuk është e fortë. Ne, në atë kohë kemi qenë pjesë e asaj ushtrie, ushtria Jugosllave, sepse këtu në Kosovë ngatërrohen gjërat, ajo nuk ka qenë ushtri serbe, ajo ka qenë e formuar prej populli të Jugosllavisë si kroat, slloven, shqiptarë etj, kështu që sado që kjo ushtri ka qenë e pajisur me armatim e profesionale, ajo si tërësi nuk e kanë pasur motivin e njëjtë, nuk kanë qenë të një zërit, si e tillë, ushtria nuk mundet me funksionuar si duhet. Kjo ka qenë një lloj shprese për mua dhe për të tjerët në Kosovë, e sidomos për mua si ushtarak.

“Bota sot”: Cili ka qenë karakteri i Adem Jasharit, si një veprimtar i respektuar nga popullata?

Gecaj: Unë nuk e di, Ademi ka qenë nip i Gecëve. Unë një kohë të gjatë nuk e kisha parë Ademin sa kam qenë në shkollim dhe për kohën e rinisë time nuk di për shumë gjëra, por atë kohë të luftës, dikush që e kishte marrë përsipër tërë atë barrë për t’ia kthyer tytën Jugosllavisë, dikujt mund edhe t’iu ketë dukur si problematik Adem Jashari, apo “gangster”, nëse flasim me gjuhën e sotme, por, unë mund të u them se familja Jashari ka qenë ndër familjet më të pasura në Drenicë, nuk ka pasur asnjë arsye që Adem Jashari të keqpërdorë autoritetin e vet në masë, e që nuk ka qenë i vogël. Ai iu ka pri edhe demonstratave i armatosur, ka qenë organizator i madh dhe ka tentuar me iu afrua njerëzve, por që e ka keqpërdor autoritetin, që i ka bë keq dikujt, asnjëherë, unë nuk e di asnjë rast, as nuk kam dëgjuar kurrë. Luftës nuk kanë mundur me iu pri doktorët e shkencës, intelektualët, aty kanë qenë dy kategori, ata ë guximshëm dhe ushtarakët. Këto dy kategori kanë qenë, të tjerët kanë mundur pastaj me iu bashkangjitur, me ndihmua, sepse në asnjë luftë çlirimtare si e jona, nuk e fillojnë intelektualët, s`po flasim për luftërat mes shteteve.

“Bota sot”: Është folur shumë që nga paslufta për ditët e sulmeve në familjen Jashari në Prekaz, për “tradhtinë” që i është bërë Adem Jasharit nga shokët. Si ka qenë në të vërteta?

Gecaj: Kjo çështja e lënies vetëm të Adem Jasharit, është keqpërdorur shumë pas luftës, por unë ja ku po ju tregoj se nuk ka asgjë, asgjë të vërtetë për këtë. E gjitha çka është folur për, nëse mund ta quaj tradhtinë e shokëve ditën e 5 Marsit, këtë po e them sepse vetë kam qenë në ngjarje gjatë gjithë kohës dhe për një kohë ë gjatë kam përcjellë lëvizjen e trupave ushtarake, prej drejtimit të Prishtinës nëpër Drenas, në drejtim të Skenderajt prej Mitrovicës dhe Klinës, Klinës së Begut që e quajmë. Në këtë sistem të grumbullimit të informatave, kam mundur me e kuptua se çka po ndodhë dhe çka eventualisht mund të ndodhë, çka pritet të ndodhë. Në atë kohë kemi qenë një numër i luftëtarëve jo shumë i madh, bile nëse e shohim kontekstin e ditëve të sotme, mund të thuhet se kemi qenë një grusht njerëzish, le të jenë edhe 2-300, por shumë i vogël në krahasim me forcat që pritej të na sulmonin. Një natë para sulmit, unë bashkë me Jetullah Gecin kemi dal nëpër fshat dhe kemi fillua të organizojmë rininë që të zhvillojmë një sistem më të kujdesshëm të rojës, sepse kisha parasysh se do të sulmohemi. Më kujtohet shumë mirë një detaj në lagjen e Rrecajve, kam shkuar të jap instruksione konkrete, sepse ajo lagje ishte një luginë, ishte një kodër në mes Skenderajt dhe Llaushës, e Rrecajt janë në Luginë, unë e dija që po që se serbët hipin në atë kodër, atëherë bie edhe Llausha automatikisht, sepse nuk kemi mundësi me rezistu dhe dhashë instruksionet se si të veprohet në mënyrë që ushtarët që pushonin gjatë natës, të alarmohen sa më shpejtë. Në atë mbrëmje, Jetullahut i thash që si duket nesër në mëngjes të na sulmojnë, pritjet i kishim që do të sulmohemi ne në Llaushë , për shkak se në Llaushë ishte numri më i madh i ushtarëve, në Prekaz kishe më pak ushtarë. Jetullahut, dajës së Adem Jasharit i thash që ta njoftojë Ademin se në mëngjes herët kanë me na sulmua, pa u zdrit duhet të jemi të gatshëm, e kam pasur fjalën për Llaushë, pasi që gjithnjë kam besuar, duke u nisur tek edukimi im ushtarak, pasi që ushtaraku nuk sulmon caqe civile, gra e fëmijë, e në këtë kontekst unë besoja se do të sulmoheshim në Llaushë, e jo Prekazi. Atë natë Ademi nuk ka qenë në shtëpi, Jetullahi e ka ditë se ku është Ademi, ai kishte qenë duke i vizituar disa të plagosur në betejën e Likoshanit e Qirezit. Unë e kam porositë Jetullahun që ta njoftojë Ademin që të vjen të na ndihmojë neve në Llaushë, pra kam qenë i bindur se na sulmojnë neve, nuk e kam besu që sulmohet Prekazi. Jetullahu ka shkua me e njoftu Ademin, por ma la edhe numrin e telefonit të familjes së Ademit, të shtëpisë, më tha ta njoftoj babën e Ademit, bacin Shaban. I thirra dhe u thash që të rrinë gati pasi që janë forca të shumta që do të na sulmojnë, do të tentojnë që të hyjnë në fabrikë të municionit, gjasat janë të na sulmojnë në Llaushë, por për shkak se e njohin Ademin, mund t`iu nxjerrin edhe juve telashe. Baca Shaban nuk foli asgjë, vetëm më dëgjoi dhe e mbylli telefonin duke më thënë: Për hair na qoftë! Kaq ka qenë biseda me bacin Shaban. Në mëngjes, njerëzit që i kisha porositur më herët, që nuk kanë qenë të lidhur direkt me rezistencën, qoftë Ilaz Gecin, shok i ngushtë me atë mësuesin Halit Geci, ai e ka pasur shëpin në asi pozite që ka mundur ta shohë edhe Skenderajin, Prekazin e Llaushën dhe ai vazhdimisht gjatë natës vëzhgonte dhe kur kishte lëvizje, më thirrtë në telefon dhe më njoftonte, në telefon fiks. Ai më informonte për çdo gjë, e atë mbrëmje i thash, mësuesi Ilaz, shiko të lutem se nesër në mëngjes janë gjasat që të na sulmojnë, vëzhgoje këtë kodër mbi Skenderaj në drejtim të Llaushës, mos po na e zënë, nëse e sheh që kanë hipur serbët aty, gjithqysh më njofto. Atë mëngjes, ra telefoni dhe u lajmërua mësuesi Ilaz, më tha Hysen serbët hynë, gati edhe në oborr timin po i shoh për jashtë, e kanë zënë edhe atë kodrën që ke thënë, ndërsa unë ushtarëve u pata thënë një natë përpara mos shkoni në atë kodër nëse i dëgjoni tri të shtëna në mëngjes, e kisha përgatit këtë si sistem alarmi. Njëkohësisht i thash edhe vëllait tim që të shkojë në tri oda në lagjen e Gecëve që të mos shkojnë në atë kodër pasi që na e kanë zënë serbët, por të ndalen në një kodër më prapa, u përgatita edhe vetë të shkoj tek mitrolezhi 12.7 që ishte arma më e rëndë që kishim, ajo ka qenë një top kundërajror që vendoset mbi tanke. U nisa të shkoj në atë drejtim, filluan të shtënat në atë kodër ku iu kisha thënë të mos shkojnë, por një grup i ushtarëve megjithatë ka vendos që të shkojnë, pavarësisht atij alarmit prej tri të shtënave. Derisa shkova te mitrolezi, ky grupi tjetër hasi në grupin e parë të serbëve që ishin pozicionuar në atë kodër ku më kishte thënë mësuesi. Unë nuk e dija çka po ndodhë në atë pjesë, a u vra dikush apo çka, sepse ishim të ndarë prej rrugës se asfaltuar dhe ishte e pamundur prej luftimeve të dilet në atë pjesë. Kur shkova tek 12.7 –shi, e pash që aty kishin mbrri Halil Geci dhe Gani Geci, edhe ekipa tjetër që kishin punuar me atë armë, një skuadër e vogël, atëherë vendosa me i marrë ushtarët tjerë që ishin radhitur në pozicione, por një radhitje amatoreske sepse nuk kishin përvojë, ishin besa edhe djem të rinj, madje edhe nën 18 vjet, të lagjes së Vojvodëve, çka më la përshtypje, shumica prej tyre ishin me pushkë gjuetie që vetë i kishin rregulluar, jo armë të blera, por adrenalina, frika, nuk i kishte ndalur, përkundrazi i kishte shtyrë të dalin në istikame. Ishin radhitur tepër afër, i largova me një distancë, pasi që në rast të ndonjë granate, mund të shkoni të gjithë. Unë hipa më lartë dhe i sigurova që krahun ku isha unë, e kishin të siguruar. Bashkë me luftëtarin e ndjerë Haxhi Gecin i cili ka qenë Haxhi Hajdin Geci, sepse ka qenë edhe një Haxhi Gec tjetër, i cili ka qenë i ditëve të para, ka siguruar edhe mjetet për shërimin e Sulejman Selimit kur u patë plagosur, bashkë vendosëm të shkoni të shikonim kishën e Devicit sepse kisha dyshime se mos na kanë hyjë ndonjë grup diverzant gjatë natës dhe mund të na sulmojnë pas shpinës. Shkuam, natyrisht nuk hymë brenda, por ajo është një konfirugracion që prej kodre mundësh me pa qartë në oborr të kishës, e pamë se s`ka ndonjë shenjë që ka qenë dikush.

Pas gjysmë ore, ato krismat që i pata dëgjuar në fillim e kuptova se aty ka rënë në pritë Miftar Rreci, dëshmorë i lirisë, kjo ka ndodhë ende pa fillua luftimet në Prekaz, ka ndodhë gjatë tentativës që ky grup të dal andej kah Prekazi me ndihmu, pastaj ka qenë tentativa e grupit tonë për ta eliminua grupin e serbëve që kishin zënë pritën aty. Atë mëngjes ne kemi qenë në një rreth të hekurt.

Momentin që kreva kontrollin te kisha dhe u ktheva tek ushtarët, filluan edhe gjuajtjet kah Prekazi prej serbëve, pra filloi sulmi në familjen Jashari, filloj edhe mbrojtja nga ana e familjes, filluan t’i rezistojnë forcave serbëve, por ajo energji ishte e dobët pasi që kishim edhe municione shumë të kufizuara. Tentativa për të depërtuar në Prekaz na detyroi që të konsumojmë më shumë municion dhe mbetëm pa armatim, pa plumba. Arma më e rëndë që kishim u shpenzua nga Halil Geci me grupin, kurse ne të tjerët me kallashnikov, e harxhuam municionin, pjesa tjetër u detyruan ta ruajnë për ndonjë moment nëse na jepet mundësia, për vetëmbrojtje, për shkak se e pamë se kishte forca tepër të mëdha. Ata filluan ta krijojnë edhe kordonin e tretë, mes forcave që e sulmonin Prekazin dhe atyre që na patën rrethuar neve, kështu që për mua ishte shumë e qartë që ne nuk kemi shansa edhe bash sikur ta kishim armatimin më modern, nuk mund të bënim asgjë. Ne nuk u tërhoqëm, mbetëm në ato pozicione, pikërisht aty u themelua vija e parë e fronint e UÇK-së, e cila nuk lëvizi pastaj për 7 muaj, derisa nuk filloi ofenziva e gushtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat