Gecaj: Grupet e gazetarëve të huaj na jepnin informacione të rëndësishme për planet e serbëve kundër UÇK-së

Intervista

Gecaj: Grupet e gazetarëve të huaj na jepnin informacione të rëndësishme për planet e serbëve kundër UÇK-së

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 27 dhjetor 2019 Në ora: 11:32
Në fotografi gazetari i "Bota sot" Kushtrim Maliqi në bisedë me kolonel Hysen Gecajn

Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, Kolonel Hysen Gecaj, ka folur për mungesën e armatimit të UÇK-së, për mungesën e koordinimit dhe bashkëpunimit me zonat tjera të luftimeve si me Llapin apo Dukagjinin etj.

Mësoni po ashtu, se kur e kuptuan rënien e Adem Jasharit me familje dhe si qëndruan moralisht pasi ra heroikisht ajo.

Gecaj ka folur edhe për bashkëpunimin me mediat, sidomos me ato të huaja, çka tha se kanë pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe të frytshëm.

“Bota sot”: Pse keni mbetur pa armatim? E keni ditë që keni punë me një aparat të tërë shtetërorë, cilat kanë qenë arsyet që skeni pas armatim të mjaftueshëm?

Gecaj: Nuk kemi pasur ku të marrim, as nuk kemi pasur pare as s`kemi pas ku ta marrim. Në fillim kemi pasur ato armë të cilat i kemi siguruar nga vullnetarët, ose kanë blerë në mënyrë të pavarur ku kanë gjetur, ose kanë shkuar vetë të marrin në Shqipëri. Kuptohet, në fillim të çdo organizimi, kur fillon të grumbullosh armatim, ai proces shkon shumë ngadalë, sepse nuk ke njerëz të mjaftueshëm. Tregova në fillim, kemi qenë dikur 30 apo 40, s`kemi pasur më shumë njerëz, me aq njerëz kemi filluar luftimet.

“Bota sot”: Ky rrethimi juaj në Llaushë ka zgjatur tri ditë, apo si?

Gecaj: Tri ditë është luftuar, ka zgjatur tri ditë por ajo ka qenë vazhdimësi deri më 3 gusht e njëjta situatë. Ne u pozicionuam në atë vijë ku u pozicionuam për të ndihmuar Ademin dhe më nuk kemi lëvizur për shtatë muaj përafërsisht derisa ka filluar ofensiva e parë më 3 Gusht, kur është sulmuar Llausha, prapë me forca tepër të mëdha.

“Bota sot”: Kolonel, thatë që keni pasur telefon ju në shtëpi, derisa keni qenë nën rrethim, a keni komunikuar me zonat tjera të luftimeve. Me Llapin, me Dukagjinin, a keni kërkuar ndihmë, apo si ka funksionuar?

Gecaj: Shikoni, në atë kohë nuk ka pasur zona tjera të luftimeve, përveç Llaushës dhe Prekazit, as Llapi e as Dukagjini, hiq kurrkund. Në një farë mënyre jemi ndje tepër të vetmuar, pa ndonjë farë ndihme, s`kemi pasur kë ta thërrasim për ndihmë. Ato pak grupe qe kanë qenë të organizuara në Dukagjin apo regjione tjera, faktikisht kemi pasur shkëputje, nuk kemi pasur shumë mundësi të komunikojmë e të kërkojmë ndihmë prej tyre, por edhe kur bëhej sulmi, në atë kohë ka qenë tepër e vështirë lëvizja, prej Dukagjinit nuk ka qenë aspak e lehte me ardhur në Drenicë, pasi që ka pasur shumë punkte serbe e që kanë qenë nëpër të gjitha rrugët e Kosovës.

“Bota sot”: Kur ose kush e kuptoi I pari se ka rënë komandanti Adem Jashari?

Gecaj: Shiko, për ta kuptuar, e kemi kuptuar ditën e tretë menjëherë për shkak se u ndalën luftimet, por fakti që janë ndal luftimet nuk ka qenë sinjal që është vra, sepse ai ka mund edhe të tërhiqet, të ikë, por, filluan me ardhurë gazetarë të huaj, të futeshin brenda, ndërkohë qe në vazhdonim të ishim të rrethuar. Gazetarët që arrinin të depërtonin në Prekaz, disa prej tyre, nuk e di kush, i kishte drejtuar të vinin në Llaushë. Një grup i tyre kanë ardhur drejtë në Llaushë dhe më kanë kërkuar me emër, sepse dikush prej Prishtine i kishte orientuar, në Prishtinë e kanë ditur se unë jam atje, qysh prej rastit kur është vra mësuesi Halit Geci, kam qenë në një farë mënyre koordinatorë mes institucioneve të shtetit këtu, qendrën për informim të Kosovës në atë kohë e kam informuar rregullisht se çka ka ndodhë në Drenicë, sidomos kam pasur kontakte të vazhdueshme me Fatmir Sejdiun dhe Xhemajl Mustafën e ndjerë. Me Fatmir Sejdiun i cili ka qenë sekretarë I LDK-së, që prej asaj kohe kemi raporte të mira. Dikush prej tyre I orientonte gazetarët e huaj tek unë, prej Prishtinës dhe kishin ardhë të më takonin në Llaushë duke më kërkuar me emër. Unë e kam pasur qëllim që përveç pjesës së armatosur në Drenicë, të koordinohemi edhe me pjesën politike në Prishtinë, sepse në atë kohë as luftëtarët e as unë nuk i kemi pasur këto ndasi që janë sot, nuk i kemi këqyrë LDK, LPK e çka po di unë kush ka ekzistuar, por thjeshtë e kemi pa armikun dhe neve. Unë për vete kam qenë i vetëdijshëm që pa një organizim politik nuk mjafton vetëm pjesa ushtarake, prandaj edhe ka qenë qëllimi që të kemi një unifikim dhe bashkërisht të organizohemi.

“Bota sot”: Pas rënies së Adem Jasharit, a keni pasur ndonjë tentativë të shkoni e të shikoni se çka ka ndodhë në Prekaz?

Gecaj: Po, ka pasur tentativa, mirëpo u morëm vesh që pasi morëm informata se çka ka ndodhë, nuk ishte ide e mençur që dikush prej nesh të futej atje, pasi që jo vetëm se s`kishte çka të lypte, por popullata civile u organizua ta bëjë varrimin e të gjitha atyre kufomave, kështu që cilido pjesëtarë i UÇK-së që ishte future në atë mes, thjeshtë do ta rrezikonte të gjithë popullatën.

“Bota sot”: Si i përjetoni veprimet e disa ish-shokëve të luftës, sot, pas luftës kur e kanë keqpërdorë emblemën e shenjtë të “UÇK-së”, a keni ndonjë porosi për ta?

Gecaj: Sigurisht se e kam përjetuar tepër keq, ani pse në aspektin teorik unë kam qenë i përgatitur, sepse lufta krijon edhe profiterët e saj, megjithatë ajo ka qenë vetëm teori, tjetër është kur shokun tënd (po e quaj shok pasi që kemi luftuar me ta, sepse nuk e konsideroj shok) duke bërë veprim që e dëmtojnë vendin, për interesa personale duke u thirrur në luftën. Unë e kam përmend dikur në një vend se ne që kemi dal prej lufte, nuk duhet t`i zëvendësojmë ata që dikur i kemi pasur okupatorë, e ndaj të cilëve kemi luftuar. Ky popull duhet të ndjehet i lirë, duhet të ketë udhëheqësit e saj të sinqertë e të ndershëm, mjaftë ka hequr prej okupatorit, asnjëherë nuk e lodhi kokën për shokët që mu kanë vra në luftë, ata janë vra me vetëdije për vendin e vetë, për ata fëmijë që na i kanë vra, djegë, pre, ato gra që na I kanë dhunuar, këto janë të pafalshme, sa të pafalshme për okupatorin por edhe për këta që e keqpërdorin emrin e UÇK-së për përfitime personale. Unë këtë fenomen e kam hetuar qysh në luftë, pasi që atyre profiterave, aty ku iu është dhënë mundësia pak, e ka bërë, për mua ka qenë një sinjal që këtij personi, kur t`i vije nesër mundësia më e madhe, nuk ka me hezituar, e fatkeqësisht po na del ashtu.

Për shokët e mi që sot, apo dje kanë qenë në pushtet nuk kam asnjë porosi, pasi që krejt çka kanë bë, e kanë bë me vetëdije, e kanë bërë për interes personal, është e kotë atyre tu qoj porosi. Porosi kam për ata që asnjëherë nuk iu janë nënshtruar apetiteve personale e nuk janë përlyer me asgjë. Porosia ime është që më asnjëherë të mos i përkrahin ata të cilët edhe në luftë nuk është se kanë dhënë ndonjë farë kontributi, krejt kontributi I tyre më tepër është legjendë më shumë sesa reale. Këtë po e them për shkak se unë si ushtarak asnjëherë nuk ka ndodhë ta marrë ndonjë urdhër për një detyrë të caktuar, por krejt çka kam bë, e kam bë ashtu siç kam ditë vetë bashkë me shokë. Njëjtë kanë vepruar edhe grupet tjera të luftëtarëve, thjeshtë në momentet kur nuk ka pasur luftime, kanë bërë struktura, edhe ato struktura i kanë bërë me ndihmën e ushtarakëve, nuk I kanë bërë vetë, shumë nga shokët e mijë nuk kanë qenë në gjendje ti shfrytëzojnë ato struktura e të bëjnë një luftë më të organizuar e më të frytshme.

“Bota sot”: Sa e keni njohur Adem Jasharin? Cilat kanë qenë raportet e tija me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e këta tjerët?

Gecaj: Më duhet ta sqaroj një gjë, unë në atë kohë si i vetmi ushtarak që kam qenë, nuk kam qenë shumë i interesuar të merrem me këto raporte të individëve e të imponohem kudo qoftë. Nuk kam dashur të krijoj dyshime te njerëzit se cili është qëllimi I këtij ushtaraku që po këqyrë me i qëndru Ademit të këmbët, unë kam këqyrë që të ndihmoj luftën ka zhurmë, njëjtë kam vazhduar edhe pas luftës edhe në TMK e FSK, për këtë qasje timen shpesh kam marrë edhe kritika, por qëllimi im kurrë s`ka qenë që të bëjë për veti, por ta ndihmoj luftën, e kam dashur suksesin, jo pozitën.

Po e përmendi një detaj, s`po më kujtohet viti, një shok i ngushtë i Adem Jasharit, një Besim Rama i Prekazit të epërm, gjeografikisht i ka ra që ai e ka pas shtëpinë në krye të fshatit, e Ademi në fund të fshatit në drejtim të Skenderajit. Ai e qon vëllanë e vet në Llaushë për të më pyetur nëse mund ta stërvis atë (pra Besimin) me disa armë, sepse i kishte disa mina. Kur shkova, i pash se i kishte dy lloj minash, më kërkoj ta mësoj se si përdoren dhe në një moment e pyeta Besim, unë e di që është duke u punua në drejtim të organizimit të luftës, por më trego të lutem a po rritet numri hiq, çka është duke ndodhë? Ai në atë moment e shprehu një zhgënjim duke thënë se vetëm Ademi kishte mbetur në atë moment atje, unë në krye të katundit, të tjerët kanë dal jashtë. Më pas është kuptua se kush ka qenë në Gjermani e gjëkundi, por nuk është me rëndësi tani. Mosmarrëveshje të imta ka pasur, por unë i konsideroj si krejt normale sepse kur dikush i hynë një pune e cila nuk është e profesionit të vetë, atëherë normalisht se ka me pas edhe pakënaqësi sepse nuk e din se si kryhen përgjegjësitë pa gabime.

Rexhep Selimin unë nuk e kam njohur deri pas sulmit të Jasharve, Sulejman Selimin e kam njohur më herët, kurse Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin nuk e kam njohur fare, Jakup Krasniqin e kam njohur pas rastit të Jasharve, ndoshta 8 apo 9 Mars, Jakupi ka ardhur me Ferat Shalën dhe doktor Afir Shalën i cili është i zhdukur, e më kanë kërkuar t` iu jap një farë raporti, njoftim për situatën dhe gjendjen se çka ka ndodhë. Unë e njoftova për gjithçka e pastaj shkuan. Hashim Thaçin nuk e kam njohur deri në Rambuje.

“Bota sot”: A kemi diçka të rëndësishme që kemi mundur ta harrojmë?

Gecaj: Është për tu komentuar çështja e propagandës sepse kemi bërë pak propagandë, një prej ekipeve që më së shumti na kanë ndihmuar ka qenë grupi “REUTERS” në krye me një gazetarë, i cili është vra në një luftë tjetër, ai ka qenë në gjeneratë me Bill Clinton. Disa kanë ëndërruar në shtëpinë time me ndërprerje 3 muaj. Prej këtyre ekipeve të gazetarëve, shpesh kam marrë edhe informacione për veprimet e serbëve, shembull kur është sulmuar Dukagjini, unë e kam ditur 1 javë më herët pikërisht prej gazetarëve. Më ka tregu informacione konfidenciale të cilat sigurisht kanë mbetur mes nesh. Unë kurrë, edhe pse ka vdekur nuk kam dashur ta përmendi emrin e tij. Kam pasur edhe gazetarë serb, njërin prej tyre e pata dërguar edhe në kishë, pasi që kisha ka qenë e kontrolluar nga ne, për ta bindur që nuk jemi terroristë, e kam dërguar te kisha për ta parë nëse e kemi prekur. Ai është treguar korrekt dhe ka raportuar korrekt, por pas disa ditësh e kam kuptuar se atë gazetarë e kanë larguar nga puna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat