Serbët e lanë pa 4 djemtë dhe burrin, por kush ishin armiqtë e “egër” të pasluftës të Ferdonije Qerkezit?

Intervista

Serbët e lanë pa 4 djemtë dhe burrin, por kush ishin armiqtë e “egër” të pasluftës të Ferdonije Qerkezit?

Nga: Valon Rogova Më: 1 janar 2020 Në ora: 15:52
Valon Rogova dhe Ferdonije Qerkezi

Shumica e qytetarëve të Kosovës, znj. Ferdonije Qerkezi e njohin vetëm si gruan e një fotografie të trishtë, e cila  e ulur në një tavolinë ka mbushur pjatat e pesë anëtarëve të saj të familjes që i janë zhdukur nga forcat serbe në Kosovë. Pak prej tyre e dinë se prapa kësaj dhimbjeje të madhe qëndrojnë edhe shtresa tjera dhimbjesh, të shkaktuara nga vetë familja e saj, por edhe nga shteti.

Znj.Ferdonije Qerkezi e takova të vetme në shtëpinë-muze që mbron me fanatizëm kujtimin e katër djemve dhe burrit të saj. Vetmia e saj i shprehej në çdo pore të lëkurës së rrudhur nga mosha dhe nga fatkeqësitë që i kanë ndodhur. Një vetmi aq e madhe sa ta rraste me përdhunë brenda, ndjesinë e forcës, e një force të jashtëzakonshme, epike.

Pak njerëz e dinë që kjo grua u desh të përballej në gjyq me kunetërit e saj që donin t’ia merrnin shtëpinë me bindjet e prapambetura se një gruaje, veç pse është grua, nuk i takonte hisja te burri. Pa menduar bile as për dhimbjen e saj, dhe për kujtimet që ajo i mbron me fanatizëm edhe pas njëzet vitesh.

Image

Ajo ende jeton me bindjen se burri do t’i kthehet. Deri tash, ka mundur që t’i varroste vetëm dy djemtë më të vjetër, pasi që iu kthyen eshtrat. Dy djemtë e tjerë dhe i burri ende figurojnë të zhdukur, dhe znj. Ferdonije Qerkezi nuk ka as një varr për t’i qarë.

Por, edhe shteti ynë nuk është treguar aspak i drejtë me të. Në vend se të merrte kompensim për pesë anëtarët e zhdukur të familjes, në emër të të pestëve, ajo merr vetëm për njërin prej tyre.

Derisa po bisedonim për ngjarjet e dhimbshme që i kishin ndodhur, ajo më shumë se një herë nuk mund të përmbahej  dhe qante. Një grua e fortë, e përballur me mizorinë e një regjimi fashist, me zullumet patriarkale të kunetërve, me shpërfilljen “tahmaqare” të shtetit të saj, dhe me vetminë e përbindshme, qan dhe të këput shpirtin me gjithë rrëfimin e saj.

Më poshtë keni intervistën e plotë me znj.Ferdonije Qerkezi:

“Bota sot”: Janë bërë 20 vite, na përshkruaj pak ndjesinë që keni, kur vjen viti i ri?

Ferdonije Qerkezi: Kur vijmë para vitit të ri, së pari nuk ndjejë kurrgjë hiq. Pse? Kur ta kujtoj që, sidomos në këtë vit, më duket si sot që më ka ndodh ajo tragjedi. Prej tetë anëtarëve me mbet vetëm, nuk ka ma kiamet. D.m.th për mu viti i ri, nuk ekziston. Jo veç viti ri por asnjë festë që i kemi festat tona.

“Bota sot”: Meqë janë bërë gati 20 vite, a ka mundësi disa detaje sa të kujtohen të asaj dite të kobshme, të 20 viteve më parë?

Ferdonije Qerkezi: Atë ditë, mbasi që filluan bombardimet e NATO-s, na u gëzuam që filluan ato dreq bombardime dhe u gëzuam pa masë atë ditë.

Djemtë ishin poshtë duke përgatit mishin e nuset lart duke parë televizionin. Nuset, gjithë gëzim, shkuan poshtë që bashkëshortëve të tyre t’iu tregojnë se filluan bombardimet. Djemtë, u gëzuan pamasë.

Vazhdon Ferdonija duke treguar se gëzimi i madh iu doli hidhërim.

Image

Ferdonije Qerkezi: Ndoshta që ishte aq gëzim i madh, neve na doli hidhërim. Ne menduam se NATO po vjen e po na shpëton, po për ne, ish kanë tragjedi e madhe.

Të enjten mbrëma erdhën miqtë e djalit me u strehua ngase në lagjen e tij, përkatësisht mëhalla e Mulla Jusufit, ishte në gjendje shumë të keqe ngase tek ne ishin podrumet. Dolën fqinjët tek ne sebep podrumeve. Ma sigurt ishte në podrum. Me 27 mars, në orën 11 të mëngjesit, erdhën katër policë. Dy nga hyrja kryesore e dy nga podrumi. Na qitën jashtë, krejt jashtë. Na kontrolluan dhe bashkëshorti, Halimi, filloi t’i prezantojë personat që ishin në mesin tonë. Na kontrolluan dhe na thanë që s’e paskët kurrkënd. Na detyruan të hyjmë brenda dhe na urdhëruan që vetëm refugjatë të mos lejojmë/pranojmë. Kur u bë ora 15:00, prapë të njëjtit policë erdhën. Erdhën e i morën lejet e njoftimit që të gjithëve përveç Edmondit dhe fëmijëve dy vjeç që ishin prezent. Na kanë mbajtë një orë e gjysmë në sekretariat lejet e njoftimit. Më vonë na i sollën letërnjoftimet policët e njëjtë. Para dyerve t’shpisë ka pasë policë plotë. Edhe na i sollën lejet dhe na thanë që drejtori i policisë të sekretariatit kishte thënë për ne që duhet me na ruajt se na duhen. Na detyruan të hyjmë në podrum. Polici e detyroi burrin që t’i ofroj një tavolinë dhe dy karrige. Kjo histori, bëri që në Gjakovë të përhapej thashethemi se ne i kemi servuar serbëve raki dhe mish, por ne s’kemi pasë raki e as mish. Kur lypi raki qiky Dragani, bashkëshorti i tha nuk kam. Dragani, polici e thirri Ardianin, për t’i shërbyer. Djali e shërbeu. Bashkëshorti po më thotë që m’ju bo ka një kafe. Unë hipa lart në katin e parë, i bëra dy kafe. I çova poshtë. Po bëhet fjalë për policë të armatosur gjerë në dhëmbë.  Ky Dragani, i thotë bashkëshortit, që shqiptarëve duhet m’iu pre kryet. Bashkëshorti ia ktheu se pse çka u bo? Ia ktheu polici: Eh tash, tash ka ardhur koha me ua pre kryet. Bashkëshorti ia ktheu që, ne nuk e kemi bërë vetën. Në këtë moment, situata ndërroi krejt. Ndërkohë, u bë ora pesë e gjysmë pasdite. Bashkëshorti na tha mirë jena, mos u frikësoni.  Myrtezaja, djali Skënderit, që ishte i pranishëm në shtëpinë tonë, e patë çikën e vet në dorë. Ky Dragani, që ishte i dehur kur thirrë dikë e thirrë car, i thotë car l’sho çikën e hajde me mu. Në atë moment, Dragani, e fton Myrtezanë dhe Halimin që të shkojnë me ta.

“Bota sot”: Çfarë ndodhi më pas?

Ferdonije Qerkezi: Pastaj i kanë thirrur djemtë që të gjithë me emër, Artan, Ardian, Armend, Vegim, Shpëtim, Fatos dhe Shpend. Unë djalin e vogël  e kam pas në gjumë. (Fjala për Edmondin). I thashë Edmondit çu se po të thirrin policia. Duke menduar se për më mirë me shpëtua. I morën dhe prej asaj dite, u kthyen prapë këta. Ne ishim zonjat e mbetura gjallë në shtëpi. I morën unazat e të gjithë arin që e kishim. Dolën dhe hynë përsëri e m’u drejtuan mua me pushkë automatike tek gjoksi. Na thanë të qesim pare. Unë insistova mos me qit pare por u detyrova, i pata 500 marka, e ia dhamë. Na nxorën nga shtëpia për të shkuar për në Shqipëri. Duke ik takuam disa policë tjerë që na pyetën se ku jemi duke shkuar, ndërkohë që ne i thamë se po ikim për në Shqipëri. Ata na detyruan të kthehemi prapa. Por, ne nuk u kthyem në shpi. Kemi shkuar tek një familje tjetër, kemi fjetur, të nesërmen i kam marrë dy nuset me veti. I pyeta nuset paraprakisht se kah doni me shku, nuset më thanë se ka t’shkon ti, do të vijmë pas teje. Jemi kthyer në shtëpi dhe nuk kam pa gjurmë që e kanë mbytë ndonjërin.

Image

“Bota sot”: Ku shkuat mandej?

Ferdonije Qerkezi: Prej shtëpisë, jam shku tek vëllezërit, kam ndenjur aty. Mbasi ia kanë marrë zonjës Nysrete djalin, na jemi shkuar me zonjën Nysret tek familja e nënës time. Një ditë shkuam tek Dragani, se bashku me Kasimin, vllaun e Halimit, bashkëshortit. Edhe kemi shkuar tek ky Dragani. Kasimi i drejtohet Draganit duke e pyetur se ku janë vëllai dhe katër djemtë? Dragani, ia kthehu: A pi sheh çka po na bon NATO-ja? Po na mbyt familjet. Kasimi i thotë që kemi ardhur me pyet për Halimin dhe katër djemtë. Dragani na thotë se ndoshta kanë shkuar në Koshare. Ia kthen kunati që në Koshare s’janë shku, s’ka shansë. Ai i thotë nëse vijë sonte me ju lajmërua mirë, nëse jo, ta dini që janë të mbytur. Edhe në fakt ashtu doli. Ngase s’erdh ai atë natë me na kallëzu hiq. Deri në 2005’tën, asnjë informatë. Kryqi kuq kur më ka thirrë në 2005, më pyetën se a kanë lanë djemtë fëmijë, për Artanin dhe Armendin? Kjo për shkak se analizat po ngatërrohen. Unë e pyeta se pse a janë të mbytur a? Më thanë që po, pse çka po pret? Pastaj u gjetën eshtrat e Armendit dhe Edmondit. I kemi varrosur me traditat tona, ndërkaq për këta tjerët, ende sot nuk dimë gjë.

“Bota sot”: Për policët që janë shkaktarë të këtij tmerri, a keni ndonjë informatë se çfarë ka ndodh me ta?

Ferdonije Qerkezi: Kemi marrë vesh që ndodhën në Mal të zi. Përndryshe me ta s’është marrë kurrkush, as Haga e as Gjykata e as kurrkush.

“Bota sot”: Nga pushtetarët tanë, a ke pas ndonjë shenjë që do të tentojnë apo të ndërmjetësojnë së paku tek të huajt të merren konkretisht  me ata policë që bënë krime?

Ferdonije Qerkezi: Thaçi, kur u kon këtu, më pati kallëzuar një të vërtet që, të huajve nuk iu bohet vonë. Kjo mu më fjeti në hatër se qashtu është.

“Bota sot”: Zonja Ferdonije Qerkezi, keni përjetuar dramë të vërtet. Më thuaj ku e kenu gjetur këtë forcë m’i përballu gjithë këto sfida?

Ferdonije Qerkezi: Kur kemi qenë fëmijë, prindërit tanë kanë përjetuar lufta. Prindërit p.sh e kanë përjetu luftën e dytë botërore. E pyesja babën, babë qysh bahet lufta, thoshte bombardon qatje e ti shpëton. E me atë forcë jam mbajtur. Më e fundit, kur i morëm nuset, si të gjitha vjehrrat, u çun me bo punë ato, me pastrua edhe mua më vinte mirë. Bashkëshorti më thotë që mos me i lënë me i la tepihet se lufta në prag. Hajt thosha çfarë lufte, s’na prek neve. Pak para se të vijnë serbët, bashkëshorti më thotë: luftë është dhe duhesh me qenë e fortë. Çka do që të ndodh duhet me qëndrua të forta. Me të kallëzua të drejtën edhe djemtë u kallëzuan bujar. Jemi duke hequr prej serbit dhe dikush duhet të shkojë. Pra edhe nëse shkojmë na, mos u mërzitni. Atë ditë nuk m’u ka dok fjalë e rëndë se nuk e përjetova por kur e përjetova ishte bajagi vështirë. Gjithë kam menduar se dikush duhet me shkua se luftën e kërkuam duke kërkuar paqen, por ish shumë e rëndë. Megjithatë falë zotit, mendjen ma ruajti dhe shëndetin.

“Bota sot”: A keni patur ndonjë mundësi të largoheshit. Nëse po, përse nuk e bëtë, dmth përse nuk u larguat?

Ferdonije Qerkezi: Patëm mundësi të largohem, por bashkëshorti tha unë kurrëgjë kurrkujt s’i kam bërë dhe dua të rrijë e ta ruaj shpinë time.

“Bota sot”: Pas luftës, cilat ishin atëherë e cilat janë sot marrëdhëniet me familjen tënde dhe të bashkëshortit? Familja a të kanë përkrahur?

Ferdonije Qerkezi: Familja ime më kanë ndenjur  afër. Por, unë mbas luftës, i jam mbështetur vëllait të Halimit, K. K. Qerkezi është baba i Vegimit, vëllai i Halimit d.m.th bashkëshortit. Kemi qenë të lidhur me K. familjet, sa s’ta merr mendja. Unë jam mbështet në të, se edhe atij ia morën djalin. Në njëfarë mënyrë e kishim të dytë një hall, ndonëse unë e kisha më të madh se mu m’i vranë katër djemtë e burrin, ndërkaq ai kishte edhe pesë çika, e tash prapë ka djalë. Ishalla e ka me ymër.

Ferdonije Qerkezi Qerkezi, vazhdon dhimbshëm duke treguar se ç’përjetoi nga familja e bashkëshortit, e cila, në një realitet normal, do të duhej t’i gjendeshin pranë.

Ferdonije Qerkezi: Por, ndërkohë, unë jam hidhëruar shumë. Më rëndë m’u ka dok kjo se ajo çfarë më bënë serbët. Se serbët m’i morën djemtë se kishin synim me i ba zullum shqiptarëve. Pse çohet K. e më qet në gjyq me vëllezërit e vet nuk e kam mendua. Më shumë më ka mbështet mëhalla, Gjakova e krejt Kosova se ata. Vëllau i madh M., H., K. dhe motra Halimit. E të motrës madhe Halimit më kanë mbështetur shumë, por jo edhe të motrës dytë. Kur kam marrë unë me bo pllakën që u shpall shtëpia muze ata kanë reaguar. Pllaka është zyrtarisht e bërë dhe është shpallur shtëpia muze, kur ka qenë ish-ministri Haraqija. Aty kanë reaguar këta dhe kam pasur lloj – lloj provokimesh. Më kanë qit në gjyq për me ma marrë pasurinë me idenë se s’ka kush ta trashëgojë tash. Edhe këtu jam lënduar më së shumti. Faleminderit prej fqinjëve dhe lagjes time, popullit të Kosovës dhe Gjykatës që më kanë mbështetur dhe sot jam këtu ku jam. Më shumë përkujdesën të huajt se këta.

Pas kësaj bisede të përshkuar me emocione, zonja Ferdonije, vazhdoi të na prezantonte me shtëpinë e saj muze, e cila ngërthen në vete një histori të dhimbshme të së kaluarës, e cila duhet të na shërbejë si mësim për ta vlerësuar më shumë të sotmen që po e jetojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat