Vetëvendosja përdori idenë e bashkimit kombëtar si element elektoral - Bota Sot
Vetëvendosja përdori idenë e bashkimit kombëtar si element elektoral

Intervista

Vetëvendosja përdori idenë e bashkimit kombëtar si element elektoral

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 15 janar 2020 Në ora: 11:27
Valon Murati

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur për gjendjen politike në vend, mundësinë e kijimit të qeverisë nga Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës dhe deri te ideja e Albin Kurtit për bashkim kombëtar.

Murati po ashtu ka thënë se ndjehet skeptik për mundësinë e koalicionit në mes të LVV-së dhe LDK-së, përkundër nevojës së madhe që kemi për të pasur sa më shpejt një qeveri të re dhe stabile.

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim po ashtu ka deklaruar se ideja e bashkimit kombëtar është përdorur nga LVV më shumë si element elektoral sesa si projekt konkret politik

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen politike në vend, marrim parasysh se tash e tre muaj është vendi është më qeveri në ikje?

Valon Murati: Vendi gjendet në një pozitë të vështirë sepse jo 3 muaj, por që nga korriku gjendemi me një qeveri në detyrë. Një situatë e tillë e rëndon punën e aparatit shtetëror, e projekteve që duhet të realizohen, vështirëson investimet si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës dhe projektet e lidhura me partnerët tanë ndërkombëtar. Shto këtu që në këtë situatë rriten mundësitë për keqpërdorimet që mund të ngjasin në institucionet shtetërore, atëherë gjendja vërtetë është më shumë se emergjente. E mos të flasim për sfidat që e presin Kosovën në arenën ndërkombëtare, në procesin e integrimit në BE dhe institucionet e tjera ndërkombëtare e posaçërisht sfidat e dialogut me Serbinë, i cili sado që ta injorojmë ne është aty tek dera.

“Bota sot”: Besoni në një marrëveshje qeverisëse në mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës?

Valon Murati: Jam çdo herë e më pesimist mbi mundësinë e koalicionit në mes të LVV-së dhe LDK-së, përkundër nevojës së madhe që kemi për të pasur sa më shpejt një qeveri të re dhe stabile. Por, rrjedha e bisedimeve për krijimin e qeverisë së re duket se është u futur në një rrugë qorre. Madje me situatën e krijuar së fundmi sidomos me betejën publike në mes subjekteve politike që po synojnë të jenë partnerë në qeverinë e ardhshme, kam dyshimet e mija sesi do të funksiononte një qeveri e përbërë nga partnerë të tillë edhe po të krijohej ajo.

“Bota sot”: Një qeveri e udhëhequr nga Albin Kurti si e shihni. Mendoni se do jetë qeveri e sukseseve apo dështimeve?

Valon Murati: Së pari ne si qytetarë të Kosovës, pa marrë parasysh bindjeve tona politike do të duhej t’i dëshironim çdo qeverie të vendit suksese. Ne jemi në një gjendje të tillë sa nuk e kemi luksin e opozitarizmit destruktiv, edhe pse shumica e partive tona politike, përfshirë sidomos LVV-në fatkeqësisht në vazhdimësi e kanë bërë një opozitarizëm të tillë. Personalisht i dëshiroj suksese një qeverie të mundshme Kurti, por sfidat e saj do të jenë të mëdha. Sfida e parë e madhe është dialogu me Serbinë. Askush nuk ka parë nga z. Kurti, por as nga LDK-ja se cila do të jetë qasja e tyre ndaj këtij procesi jetik për Kosovën. E dyta sfidë është realizimi i premtimeve të mëdha që ka dhënë LVV (por edhe LDK-ja) dhe rrjedhimisht mbajtja gjallë e shpresës për realizimin e ndryshimit të madh që një pjesë e madhe e qytetarëve e kanë në këtë qeveri. Kur ka shpresa dhe premtime të mëdha, njerëzit njëkohësisht janë të prirë të dëshpërohen shpejt. Ndërsa, punët që duhet të realizojë qeveria janë më komplekse sesa premtimet e dhëna në fushata elektorale dhe nga pozitat e opozitës.

“Bota sot”: Albin Kurti më herët kishte kauzën e Bashkimit Kombëtar, ju përkrahni idenë e Kurtit apo cila është ideja e duhur për bashkim?

Valon Murati: Lëvizja për Bashkim objektivin themelor e ka bashkimin e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe këtë objektiv e ka shumë më qartë të trajtuar edhe në programin e vet politik e edhe në platformën e saj sesa cilido subjekt tjetër politik, përfshirë LVV-në. Mua deri më tani më është krijuar përshtypja që ideja e bashkimit kombëtar është përdorur nga LVV më shumë si element elektoral sesa si projekt konkret politik. Kur nuk e ke të detajuar rrugën drejt bashkimit që realisht është shumë kompleks dhe nuk varet vetëm nga ne, atëherë karta e bashkimit nga një projekt madhor politik dhe vital për të ardhmen e kombit shqiptar shndërrohet në një mjet të thjeshtë populist për të manipuluar me qytetarët dhe ndjenjat e tyre. Unë ende nuk kam dëgjuar as nga z.Kurti e as nga ndonjë eksponentë tjetër i LVV-së sesi ata mendojnë ta bëjnë bashkimin kombëtar. Si ata mendojnë ta ndryshojnë nenin 1.3. të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nen që e ndalon bashkimin dhe kushtëzohet nga neni 65.2 i cili sqaron se ndryshimet kushtetuese nuk mund të bëhen jo vetëm pa 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por edhe pa 2/3 e deputetëve të komuniteteve pakicë (e që janë 20), duke nënkuptuar që së paku katër deputetë serbë (të Listës Serbe) do të duhej të votonin për ndryshimin e kushtetutës, e cila do të mundësonte bashkimin e Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Bota sot”: Z. Murati ju më herët keni deklaruar se ri-definimi i kufijve, forcon shtetin e Kosovës dhe bashkon shqiptarët, na tregoni si e keni menduar ketë? Ideja që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohen Kosovës dhe Mitrovica veriore t’i jepet Serbisë apo një parashikim tjetër?

Valon Murati: Dialogu me Serbinë i cili do të përfundonte me ri përcaktimin e kufijve në mes të dy vendeve dhe popujve do të hapte rrugën për ndryshimet kushtetuese të cilat do të mundësonin edhe bashkimin kombëtar. Ky ripërcaktim do të përfshinte pjesën shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës si dhe pjesën serbe të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, pa fshatrat shqiptare në to (Ceraja, Koshtova, Bistrica, Boletini, Kelmendi, Zhazha dhe Çabra). Ky projekt nuk do të duhej të përfshinte Mitrovicën e Veriut sepse nga aty në vitin 2000 janë dëbuar me mijëra shqiptarë dhe ka ndodhur një spastrim etnik i dhunshëm. Një zgjidhje e tillë përveç do të shpëtonte shqiptarët e Kosovës Lindore nga zgjedha serbe, do të shpëtonte edhe Kosovën nga zgjidhjet kushtetuese të cilat e bëjnë jo-funksionale, sepse pakica serbe ka privilegje të jashtëzakonshme kushtetuese me të cilat është duke e bllokuar funksionimin e shtetit të Kosovës. Siç e theksova më lartë ajo ka në dorë edhe ndryshimet kushtetuese, sepse pa votat e saj nuk mund të ndryshohet ajo. Andaj që të hiqen këto privilegje, të krijohet mundësia e ndryshimeve kushtetuese, të bëhet Kosova shtet funksional dhe të hapet rruga edhe për bashkim me Shqipërinë, rruga e vetme është dialogu me Serbinë dhe marrëveshja e cila përfshin edhe ripërcaktimin e kufijve. Me një marrëveshje të tillë ndërkombëtare, të garantuar nga BE dhe SHBA-të do të hapeshin rrugët për ndryshime kushtetuese.

“Bota sot”: Si i keni parë raportet e liderëve të Kosovës më kryeministrin shqiptar Edi Rama?

Valon Murati: Raportet në mes të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare nuk do të duhej të shiheshin në prizmin e simpative dhe antipative personale dhe partiake. Tradicionalisht LDK, tani më edhe publikisht duke u bërë proponente e kosovacentrimizmit ka raporte të ftohta me Tiranën zyrtare, përderisa liderët dhe partitë tjera, sidomos LVV, PDK dhe AAK raportet me z.Rama kësaj radhe i kanë ndërtuar bazuar në betejën e brendshme politike në Kosovë. Në anën tjetër presidenti Thaçi nuk i ka mohuar asnjëherë raportet e afërta dhe miqësore me z.Rama.

“Bota sot”: Ideja e mini-shengenit është përcjell më kritika të ashpra në Kosovë, si e shihni ju minishengenit, mendoni se Kosova rrezikohet nga një ide e tillë?

Valon Murati: Në thelb unë besoj se Kosova duhet të marrë pjesë në të gjitha nismat rajonale si e barabartë dhe ta thotë kudo fjalën e vet. Sa i përket nismës në fjalë, nga këndvështrimi politik nëse Kosova është thirrur si e barabartë, nuk shoh telashe në pjesëmarrjen e saj aty. Në planin ekonomik sigurisht do të duhej bërë analiza më të hollësishme mbi përparësitë dhe mangësitë e një projekti të tillë për ekonominë e Kosovës. Ajo që besoj se do të duhej të ndodhte është një konsultim më i madh në mes të qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës rreth këtij projekti dhe mbi të gjitha edhe pritje nga z.Rama deri në konstituimin e institucioneve të Kosovës në mënyrë që në këtë projekt rajonal të mos shkojmë të ndarë e të përçarë si shqiptarë.

“Bota sot”: Kush mendoni se duhet ta udhëheq dialogun më Serbinë?

Valon Murati: Dialogun duhet ta udhëheqin institucionet e Kosovës, qeveria dhe presidenti të ndihmuara nga tërë aparati shtetëror, partitë politike, kuvendi, shoqëria civile etj. Në fund rezultatet e dialogut i nënshtrohen miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe mund të ndodh që të kërkohet edhe një verifikim përmes një referendumi popullor (edhe pse kjo edhe nuk është e rregulluar me ligj)

“Bota sot”: Si mendoni se Kosova mund të sjell njohje të reja, kur dihet se tash e tri vite asnjë njohje të vetme nuk kemi dhe po ashtu kemi edhe tërheqje të njohjeve?

Valon Murati: Kosova realisht ka njohje të mjaftueshme në planin sasior, por ka telashe në atë cilësor, sidomos kur është në pyetje mundësia e pranimit në OKB dhe në BE. Andaj për t’i tejkaluar këto telashe, Kosovës nuk i mbetet rrugë tjetër pos mobilizimit serioz për dialog me Serbinë në mënyrë që duke i zgjidhur mosmarrëveshjet me të, t’i hapen dyert për të mos pasur pengesa nga Rusia dhe Kina për anëtarësim në OKB dhe për njohjen nga Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro që do të mundësonte anëtarësimin në BE, por edhe në institucione të tjera të rëndësishme si NATO-ja, Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja.

“Bota sot”: Kush mendoni se do ishte presidenti i duhur apo konsensual i ardhshëm i Republikës se Kosovës?

Valon Murati: Ky person do të duhej të ishte produkt i një konsensusi ose të partive që do të bëjnë qeverinë, ose edhe më mirë të një konsensusi ndërpartiak në Kuvendin Kosovës. Ajo që më duket absurde në debatet e fundit rreth kësaj çështjeje është qasja se presidenti nuk duhet të vij nga politike. Duke mos përjashtuar se ndonjëherë presidenti mund të vij edhe nga shoqëria civile, akademia etj., në thelb ashtu si në krejt vendet e tjera, presidenti në shumicën e rasteve duhet të vij nga bota politike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat