Po bëhet luftë speciale për t`i përçarë Vetëvendosjen dhe LDK-në

Intervista

Po bëhet luftë speciale për t`i përçarë Vetëvendosjen dhe LDK-në

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 janar 2020 Në ora: 08:28
Shpejtim Bulliqi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se Albin Kurti po tregon shembull transparence, pasi qytetarëve dhe opinionit po ju jep emrat e kandidateve për ministra, duke njoftuar kështu vazhdimisht për progresin apo ngecjen në negociata, ngecje kjo që lindi pas zgjedhjeve, përkundër harmonizimeve në programin qeverisës.

Ai ka thënë se Kurti u ka ofruar qytetarëve, për ministra, njerëz kredibil të dëshmuar edhe me vota, duke dalë përtej petkut partiak dhe duke ofruar edhe figura te shquara profesionale. Po ashtu, gjatë kësaj interviste do të mësoni se cilat janë planet e qeverisë së ardhshme për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, emërimin e Glauk Konjufcës në postin e kryetarit të Kuvendi etj.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend, 100 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, e kur ende nuk e kemi qeverinë e re?

Bulliqi: Është një situatë që nuk është risi për Kosovën, formati dhe sistemi zgjedhor në Kosovë imponon edhe situata të tilla.

“Bota sot”: Z. Bulliqi, ju jeni një person i dalë nga LDK tek VV, i njihni mirë të dyja subjektet politike, të cilat sot nuk po arrijnë të marrëveshjen për qeverisje. Ku është problemi?

Bulliqi: Duke e njohur mirë LDK-në, si një ish-anëtar i saj për më se tre dekada, dhe duke e ditur si funksionojnë brenda me grupe interesi të ndryshme ku duket që disa tani po e mbajnë peng themelimin e institucioneve, nuk jam i befasuar me ta.

“Bota sot”: A i vlerësoni si të arsyeshme të gjitha veprimet e LVV-së deri sot, përfshirë edhe paraqitjen e listës së ministrave nga Albin Kurti, por edhe hedhjen në votime të Glauk Konjufcës si kryetarë të Kuvendit të Kosovës?

Bulliqi: Kurti po tregon shembull transparence, po i jep qytetarëve dhe opinionit emrat e kandidateve për ministra, po e njofton vazhdimisht për progresin apo ngecjen në negociata, ngecje që lindi pas zgjedhjeve, përkundër harmonizimeve në programin qeverisës. Kurti qytetarëve u ka ofruar, për ministra, njerëz kredibil të dëshmuar edhe me vota, duke dalë përtej petkut partiak duke ofruar edhe figura të shquara profesionale. Çështja e Krye kuvendarit është bërë për t`i hapur rrugë procesit dhe që VV mos të paraqitet bllokuese e konstituimit të institucioneve si pasojë e neglizhencës që tregonte në atë kohë LDK, përkundër vullnetit tonë që në këtë seancë të shkojmë me marrëveshje.

“Bota sot”: A jeni optimist në arritjen e marrëveshjes, apo do të shkojmë në zgjedhje?

Bulliqi: Për hirë të gjendjes në të cilën jemi do të doja që qeveria të formohet sa më parë. Por, nëse pala tjetër apo thënë më mirë individ të caktuar brenda LDK-së vazhdojnë me kushtëzime të ngurta, atëherë ndoshta zgjedhjet janë mundësi zhbllokimi.

“Bota sot”: A ja vlen që të mos tërhiqet LVV nga ndërrimi i Glauk Konjufcës, duke pasur parasysh koston e nguljes këmbë në këtë drejtim. Shpenzimet për zgjedhje janë shumë të larta, a ja vlen të shkohet në zgjedhje?

Bulliqi: Nuk besoj që një subjekt institucionalist siç e çuan vetën LDK do të jetë e interesuar në zhbërjen e institucionet me kredibil të vendit, Kuvendin e Kosovës i cili është zgjedhur në mënyrë demokratik edhe me votën e tyre me një njeri të kalibrit të Konjufca në krye, të detyrohet ta kthejmë në pikën zero për tua plotësuar “parimet” disa individëve brenda LDK-së. E di që Kosova nuk e ka luksin për zgjedhje të reja, por nëse nuk arrihet marrëveshje me LDK-në, besoj se do të duhej të shkohet në zgjedhje të reja.

“Bota sot”: A prisni të merrni ndonjë pozitë udhëheqëse në ekzekutiv, apo do të qëndroni në kuvend si i zgjedhur i popullit?

Bulliqi: Nuk kam synim të marr ndonjë pozitë ekzekutive, kontributin tim do ta jap nga kuvendi. I jam mirënjohës të gjithëve që më votuan, i siguroj se mrekulli nuk mund të bëj, por se vota e tyre përmes meje do të shkoj në kauza të drejta.

Unë nuk shitem, nuk thyhem dhe nuk zmbrapsëm nga askush kur kauza është e drejtë, këtë e kam dëshmuar kur jam sprovuar më herët, ndërsa që jam i bindur se me VV ndjehem komod.

“Bota sot”: A mund të quhet kryeneçësi kjo e Albin Kurtit, që nuk po i përshtatet LDK-së? Nëse po, a frikoheni nga zgjedhjet e reja, a do t’ju mirëkuptojnë qytetarët?

Bulliqi: Këtu nuk kemi të bëjmë me kryeneçësi të Kurti, por me një politikan parimorë i cili u qëndron parimeve dhe zotimeve, fatkeqësisht nuk ka shumë të tillë në Kosovë. Këtu mbajtja e parimeve quhet kryeneçësi, sepse opinioni është mësuar me servil në politikë që përfitojnë në çdo situatë. Nuk frikohemi nga zgjedhjet e reja, sepse ju garantoj që të gjitha kombinimet e mundshme mes subjekteve do ti mund VV-ja, më se keqi do ta pësonte LDK-ja, jo për fajin e saj por për shkak të atyre që edhe LDK-në po e mbajnë peng.

“Bota sot”: A keni folur me kryetarin Kurti në lidhje me demarkacionin, a do të merreni personalisht me këtë çështje, sa ka gjasa që kufiri të kthehet aty ku ka qenë, kufiri me Malin e Zi?

Bulliqi: Jemi në të njëjtën frekuencë në këtë çështje, ndërsa që siç ka thënë vet ai, një derë e vogël(mundësi) ka mbetur nëse zbatohet aneksi i marrëveshjes që është pjese ligjit për demarkacion. Dorën në zemër Kurti dhe VV-ja janë para një akti te kryer, ata se kanë votuar atë ligj, siç nuk e kam përkrahur as unë votimin e tij. Nëse pala malazeze e respekton atë çka e ka nënshkruar, ne e kemi dëshmua edhe më herët se ajo pjese ka qenë e Kosovës dhe se Kosova ka ushtruar kontroll efektiv ne ato territore. Ju siguroj se për punë dhe angazhim nuk do të ngecim, na duhet përkrahje politike dhe vullnet politik nga të dyja palët. Po shpresoj që Mali i Zi, e din që Kosovën nuk e ka armik, por aleat dhe fqinjë të mirë dhe do të reflektojnë pozitivisht.

“Bota sot”: Si e shihni Albin Kurtin si kryeministër, mendoni se do të benë diçka që sot të mbahet mend?

Bulliqi: Unë besoj se Albini do të jetë një kryeministër shembull, ndryshe, në kuptimin pozitiv, do të ruaj atë që ne nuk jemi mësuar ta shohim të liderët tjerë, pra thjeshtësinë, nuk do të jetë një njeri i luksit dhe zhvatjes së buxheti të shtetit. Mrekulli nuk do të bëj jo pse nuk do të kishte dëshirë por Kosova ashtu si është me progresin dhe mangësitë që i ka duhet të kaloj edhe një kohë, gjithnjë duke besuar se do të ketë veprime të shumta pozitive, në kuptimin e shndërrimit të Kosovës në një vend ku do të sundoj barazia, ligji dhe drejtësi për të gjithë, por do të jetë ai që do të jetë pika kthesë e Kosovës, sepse nuk ka qenë pjesë e pushtetit dhe së është një model krejt ndryshe. Albini do të jetë një model i një kryeministri Nordik, të cilët shquhen nga thjeshtësia dhe llogaridhënia. Albini do të njihet si njeriu që e reformoi sistemin e drejtësisë, pa i bërë fare presion, pa aplikuar fare ‘Pronto’ metodologjinë, pasi që të gjithë të kyçurit në sistemin e drejtësisë, e dinë se si do të funksionojë ai, nuk do të këtë presion nga ai. Besoj se Vettingu të cilin e ka në program, VV për sistemin e drejtësisë dhe policisë nuk mund të konsiderohet si presion pasi që nuk e kryejnë partitë politike por ekipe profesionale vendore dhe ndërkombëtare.

“Bota sot”: Ju keni qenë pjesë e LDK-së dhe i njihni mirë ata, kush mendoni se mund të jetë faktori kryesor që ende nuk është arrit marrëveshja më VV-në?

Bulliqi: Janë, mendoj kërkesat maksimaliste të disave aty brenda LDK-së të cilët shpesh në momente kyçe për këtë subjekt kanë ditur ta de-orientojnë në drejtim të kundërt me kërkesat dhe vullnetin e qytetarëve e që lexuesit e “Bota sot” e dinë për ke është fjala. Mjafton të shikon listën e me të votuarave të LDK-së, dhe pastaj të shihni se kush po e mban peng koalicionin dhe vet LDK-në. Pra ata që ose nuk kanë pasur guximin të futen në lista ose ata që tentojnë nga prapaskena ta dirigjojnë LDK-në.

“Bota sot”: Kush mendoni se do të ishte presidenti ideal e konsensual për Kosovën, mendoni se LDK e ka një personalitet të tillë, kush mendoni se do të ishte ai/ajo?

Bulliqi: Çdo kandidat që i plotëson kushtet sipas kushtetues, të cilin e përkrahin subjektet politike, dhe i/e cili/cila nuk është faktor përçarje sikurse presidenti aktual, të cilin ndihem mirë që nuk e kam votuar dhe me këtë veprim timin fort i kam pas irrituar atëherë disa brenda LDK-së.

“Bota sot”: Flitet për një mosbesim të madh mes LDK e VV, cila mund të jetë arsyeja për një mosbesim të tillë?

Bulliqi: Do të thosha më shumë ka propagande nga mediat dhe lobuesit e partive jashtë koalicionit sesa brenda partnerëve të mundshëm VV-LDK. Janë me dhjetëra mediume, të cilat direkt ndikohen nga subjektet politike, dhe normal që ata në këtë zvarritje procesi, po e shfrytëzojnë për të krijuar situata dhe opinion se VV nuk ka besim në LDK apo e kundërta, thjeshtë luftë speciale për t`i përçarë. Këtu nuk bën të përjashtohen edhe elementi që brenda LDK-së ka njerëz që po tu jepet mundësia për 2 orë ta bëjnë marrëveshjen me ndonjë subjekt, veçanërisht me PDK-në.

“Bota sot”: Albin Kurti ka deklaruar se nuk do ta lus Listën Serbe për ta bërë pjesë të qeverisë, do të jenë ata pjesë e qeverisë apo jo?

Bulliqi: E mbështes atë deklarimin e Kurti që të mos bëjë koalicion me ta, jo se jam kundër serbëve të Kosovës, përkundrazi ata i shoh si pjesë e jetës parlamentare të Kosovës, por besoj se të njëjtën gjë e mendojnë edhe shumë tjerë në Kosovë, e jo vetëm në VV. Lista Serbe duhet ta kuptoj se e ka vendin e saj në Kuvendin e Kosovës, dhe në qeveri për ti përfaqësuar serbet e Kosovës, e jo zyrtarët e Millosheviqit (Vuqicin, Daqicin, Vulinin etj) me seli në Beograd. Lista Serbe duhet të angazhohet shumë, të pastrojë vetën nga varësia e Beogradit. Ne si VV shpresoj bashkë me LDK-në nuk do t’ua japim mundësinë që të na shantazhojnë sikurse qeveritë tjera, ata do ta kenë ministrin e tyre në qeveri. Qeveria Kurti do të ketë numra të mjaftueshëm që Lista Serbe asnjëherë mos ta ketë mundësinë me shantazhuar qeverinë, jo për çështje programi apo punë, por për shkak të direktivave nga Beogradi.

“Bota sot”: Rritja e ministrive nga 12 ne 14 mendoni se është bërë për mundësinë e marrëveshjes apo thjesht për përmbushje të pushtetit?

Bulliqi: Për numrin e ministrive mendoj që rritja është ofruar për të plotësuar kërkesat e partnerit negociator. Jam në parim për 12 ministri, mirëpo për shkak të situatës së bllokadës së negociatave që kemi, nëse 14 ministri e zhbllokojnë procesin, nuk jam kundër. Nëse veç arrihet të formohet qeveria me 12 apo 14 do të kuptojmë shpejt se cila është formula më e mirë, sa duhen saktësisht për të qenë efektive.

“Bota sot”: Pse mendoni se LDK e ka kërkuar Ministrinë e Brendshme, kur dihet se Vetëvendosja ka qenë e bindur se do të udhëheqë më këtë ministri?

Bulliqi: Nganjëherë krijohet përshtypja për ta bllokuar procesin e ka kërkuar atë ministri dhe jam me se i bindur që ata "dirigjuesit" brenda LDK-së e kanë detyruar kryetarin Mustafa që ta kërkojë atë ministri. Jo pse LDK-ja nuk ka kuadro ta drejtojnë, por pse LDK-ja e ka pasur atë ministri, dhe rezultatet janë ato që janë. LDK-ja ende po thotë ka kapje të shtetit, por kurrë nuk përgjigjet se pse nuk e bëri ç`kapjen sa e kishte atë ministri. Ata e dinë që një qeveri e përbashkët VV-LDK, do ti ketë sukseset e përbashkëta. Ata e dinë që një ministër i brendshëm dhe i drejtësisë i VV-së i priste edhe elektorati i përbashkët, siç e priste elektorati dhe opinioni publik që diplomacinë ta drejtojë dikush nga LDK-ja. Dhe jo pse nuk ka VV-ja kuadro por për shkak se rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit e krijoj një frymë të re dhe se, pak a shumë atë çka mendohej në subjektet politike, ishin në të njëjtën vijë edhe me opinionin dhe pritat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat