PAN-i duhet të marr mësime nga LDK-ja se si e bënte opozitën

Intervista

PAN-i duhet të marr mësime nga LDK-ja se si e bënte opozitën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 13 shkurt 2020 Në ora: 08:30
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se koalicioni LDK-LVV e bëri historinë për barazi e përfaqësim gjinor.

Sipas deputetes, kjo u bë lajm kudo brenda dhe jashtë vendit. E dobishme për motivimin e grave të tjera për karrierë e jetë politike. Sipas saj, prioritetet e Qeverisë së Re janë: shëndetësia, arsimit, ndalja e monopoleve të oligarkëve, rishqyrtimi i tenderëve të mbetur të PAN-it, kursimi i buxhetit shtetëror, shqyrtimi i mjeteve financiare për lobim jashtë vendit, cilësia në arsim e kthimi i Agjencinë të Akreditimit në agjencitë e përjashtuara evropiane, liberalizimi i vizave etj. Por, edhe dialogu me Serbinë.

"Bota sot": Zonja Bunjaku: Edhe këtë mandat keni marrë votat e mjaftueshme për të qenë deputete në legjislaturën e re, cilat do të ishin çështjet që do t'i ngritni në këtë legjislaturë, e që s’keni arritur në legjislaturën e kaluar, pasur parasysh se tani jeni edhe në pushtet?

Bunjaku-Rexhepi: Çështjet që do të jenë prioritet për t'i adresuar janë në fushën e arsimit, kulturës e rinisë, por edhe ato që do të lindin si rezultat i adresimit nga vetë qytetarët gjatë komunikimit të vazhdueshëm me ta. Çështjet si: Rritja e buxhetit për arsim, cilësia në arsim, siguria në shkolla, siguria e fëmijëve në internet, etj., do të jenë disa nga çështjet e trajtuara.

“Bota sot”: Tani që ka filluar punën qeveria e re, cilat duhet të jenë prioritetet e saj dhe sa do ta ketë të vështirë ajo, me dëmet nga qeverisja e kaluar?

Bunjaku-Rexhepi: Prioritetet e Qeverisë së Re janë: shëndetësia, arsimit, ndalja e monopoleve të oligarkëve, rishqyrtimi i tenderëve të mbetur të PAN-it, kursimi i buxhetit shtetëror, shqyrtimi i mjeteve financiare për lobim jashtë vendit, cilësia në arsim e kthimi i Agjencinë të Akreditimit në agjencitë e përjashtuara evropiane, liberalizimi i vizave etj. Por një energji të madhe, do ta merr edhe dialogu me Serbinë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni lidhjen e koalicionit LVV-LDK?

Bunjaku-Rexhepi: Ne jemi të djathtë, ata të majtë, por në Kosovë, kemi nevojë t'i mbrojmë të gjithë. Është vend i varfër, i dalë nga paslufta, me papunësi të lartë, prandaj edhe është dashur të mbrohet tregu i lirë, bizneset që hapin vende të reja të punës, por edhe të mendohet për kategoritë e shoqërisë pa mirëqenie sociale. Pikërisht edhe ne kemi folur për shtesat e fëmijëve, duke e ditur vështirësinë e një prindi për rritjen e fëmijës. Pra, është koalicion me ideologji të ndryshme, por që e plotësojnë njëra-tjetrën. Për kohën, është koalicion shumë i mirë dhe që vjen direkt nga vullneti i qytetarëve.

“Bota Sot”: Aktualisht kemi një qeveri që ndryshe të populli po quhet edhe si qeveri e shpresë, besoni se kjo përnjëmend do të jetë qeveri e mbarë dhe e pa korruptuar?

Bunjaku-Rexhepi: Po kam qenë pro koalicionit, pasi ka qenë vullneti i qytetarëve të Kosovës. Ka pasur sfida për krijim të besimit, por tashmë ekziston një bashkëpunim shumë i mirë. Se si do të jetë ky koalicion, do të tregojë koha, por unë jam optimiste.

“Bota sot": A do të jetë një bonus shtesë për Gjilanin fakti që tani jeni në pushtet edhe në nivel të vendit, pasur parasysh sidomos zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, që fatkeqësisht, këtë vite gjilanasit kanë qenë në krizë të thellë për ujë?

Bunjaku-Rexhepi: Kryetari Lutfi Haziri e ka vënë në prioritet dhe po bën përpjekje për të marrë sa ma shumë investime për gjetjen e burimeve të ujit të pijshëm. Ky investim kërkon shumë para, por jo edhe aq para sa nuk do të gjinden, prandaj ka shpresë! Mungesa e shiut dhe borës, i kanë ndihmuar kësaj gjendjeje, por në përgjithësi, Kosova ballafaqohet me sfida për ujë, prandaj duhet të bëhet prioritet kombëtar.

"Bota sot": Në ditën e votimit të qeverisë, u tha se buxheti i Republikës së Kosovës, do të shkoj gjatë këtij mandati deri në 3 miliardë euro, a e beson një gjë të tillë edhe LDK?

Bunjaku-Rexhepi: Sa i përket buxhetit, duhet t'i pyesni ministrat e financave, zhvillimit ekonomik dhe kryeministrin. Por një gjë e di sigurt se, do të ketë kursime të buxhetit shtetëror si asnjëherë më parë dhe ka shpresë edhe për zhvillim ekonomik, pasi jemi të zotuar në luftimin e korrupsionit, nepotizmit dhe kjo do të nxis investitorët e huaj e të mërgatës, të vijnë të investojnë.

“Bota sot”: Mendoni se fotografia e Presidentit Rugova, në zyrën e Krye-parlamentares Vjosa Osmani po përdoret si pretekst nga PDK-ja për ta penguar mbarëvajtjen e legjislaturës së re?

Bunjaku-Rexhepi: Sa i përket fotografisë, si ndiheni ju kur punoni në një zyre dhe e keni përballë dikë që nuk pajtoheni në mënyrën se si ka qeverisur për aq gjatë në Kosovë?! A ju frymëzon apo demotivon?! Natyrisht, krijohet një demotivim. Opozita duhet t'i kthehet Kuvendit, me gjuhë demokratike, e jo me gjuhë të vrazhdë. Sjelljet e vrazhda, treguan se ky popull nuk i do. Po ashtu, sjelljet e vrazhda, treguan se do të bëjnë ty të pendohesh më vonë. Për fotografi, nuk duhet të ketë opozitarizëm, por për ide, alternativa, kritika ndaj Qeverisë kur nuk bën punë të hajrit etj. Është lojë politike dhe duhet ndalur. Opozita duhet të merr mësime se si LDK-ja bënte opozitë. Ne dilnim jashtë kur Agjencia e Akreditimit largohej nga EQAR, pra për një kauzë të madhe kombëtare, arsim cilësor.

"Bota sot": Si kurrë më parë, gruaja është e përfaqësuar në institucionet vendim marrëse, çka do të thotë kjo për një grua?

Bunjaku-Rexhepi: Koalicioni LDK-LVV e bëri historinë për barazi e përfaqësim gjinor. Kjo u bë lajm kudo brenda dhe jashtë vendit. E dobishme për motivimin e grave të tjera për karrierë e jetë politike. Të gjitha gratë duhen të ndihen krenare me këtë koalicion, ku gratë janë në kulmin e përfaqësimit të vet. Prandaj, s'ka se si të mos jem edhe unë shumë krenare.

Box:

Sjelljet e vrazhda, treguan se ky popull nuk i do. Po ashtu, sjelljet e vrazhda, treguan se do të bëjnë ty të pendohesh më vonë. Për fotografi, nuk duhet të ketë opozitarizëm, por për ide, alternativa, kritika ndaj Qeverisë kur nuk bën punë të hairit etj. Është lojë politike dhe duhet ndalur. Opozita duhet të merr mësime se si LDK-ja bënte opozitë. Ne dilnim jashtë kur Agjencia e Akreditimit largohej nga EQAR, pra për një kauzë të madhe kombëtare, arsim cilësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat