Udhëheqja e BE-së nga Kroacia dhe Gjermania gjatë këtij viti, shpresë për liberalizimin e vizave

Intervista

Udhëheqja e BE-së nga Kroacia dhe Gjermania gjatë këtij viti, shpresë për liberalizimin e vizave

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 shkurt 2020 Në ora: 08:18
Zëvendësministri i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu

Liberalizimi i vizave, marrëveshja Stabilizim Asocimi dhe Agjenda Evropiane e Reformave, fondet e BE-së dhe Koordinimi i donatorëve janë katër prioritetet kryesore të Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”,zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu. Ai ka folur edhe për mbajtjen e izoluar të qytetarëve të Kosovës, duke mos marrë liberalizimin e vizave dhe se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.

“Bota sot”: Si e keni gjetur Ministrinë e Integrimeve Evropiane?

Taulant Kryeziu: MIE ka një rol të rëndësishëm dhe unik brenda Qeverisë së Republikës së Kosovës. MIE është trupa kryesor përgjegjëse për koordinimin e procesit i cili gëzon përkrahjen e 90% të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pra rrugëtimit drejt BE-se. Në ditët e para jemi të vëmendshëm dhe shumë të kujdesshëm bazuar në përgjegjësinë që kemi marrë për të evidentuar, analizuar, shqyrtuar, me kujdes çdo element të fushëveprimit të ministrisë, ku prioritet të veçantë, i kemi dhënë kthimit të ligjshmërisë brenda MIE-së. Duke shikuar nga e ardhmja, konsideroj se MIE ka një staf të përgatitur mirë, pasi që një pjesë e madhe e stafit përbehet nga zonja dhe zotërinjtë arsimuar në universitetet prestigjioze të BE-së. E gjithë kjo falë mbështetjes nga bursa për studime MASTER “Skema e Profesionistëve të Rinj”, të financuar nga BE-ja. Konsideroj se tani e gjithë energjia e stafit duhet fokusuar drejt monitorimit të procesit liberalizimit vizave, zbatimit të MSA-së, Agjendës Evropiane të Reformave, si dhe absorbimit të fondeve të donatorëve. MIE duhet të ofroj vlerë të shtuar karshi institucioneve të shtetit duke ofruar asistencë praktike në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të agjendës Evropiane dhe koordinimit të donatorëve. Prandaj, synimi jone është që të instalohet një frymë e punës ekipore e cila do jetë në gjendje të asistoj Kryeministrin dhe gjithë Qeverinë në avancimin e perspektives Evropiane të Kosovës.

“Bota sot”: Sa jeni i gatshëm të përballeni me sfidat e kësaj fushe, derisa e dimë se Kosova nuk qëndron mirë me integrimet evropiane?

Taulant Kryeziu: Në kuadër të procesit të integrimit Evropian, Kosova është vend i fundit në Ballkanin Perëndimor. Kosova ende nuk ka aplikuar as për Statusin e Vendit Kandidat. Tanimë bëhen 8 vite nga lansimi i dialogut për liberalizimin e vizave, dhe qytetarët e Kosovës mbesin të vetmit pa të drejtë të lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Konsideroj se ne si Ministria e Integrimit Evropian para vetes kemi katër prioritetet: 1. Liberalizimi i vizave: në këtë fushë vlerësoj se sundimi i ligjit do tëjetë kryefjala e qeverisjes tonë, reformat e thella që do ndërmerren nga ministria e drejtësisë do krijojnë një mjedis të favorshëm, për organet ligj-zbatuese drejt shënimit të progresit në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Në këtë funksion MIE duhet të mbledh të dhënat e sakta dhe cilësore për të siguruar transmetimin e tyre me kohë institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtarë, në bashkëpunim te ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme. 2. Marrëveshja Stabilizim Asociimi dhe Agjenda Evropiane e Reformave: Duhet të ngrisim nivelin e monitorimit dhe llogaridhënies drejt përmbushjeve të detyrimeve që rrjedhin nga këto dy dokumente strategjike. Duhet të sigurohemi qe Kryeministri ka informatat në kohë për vonesat në zbatimin e obligimeve në rrugën tonë integruese. 3. Fondet e BE-së: Instrumenti i ri i Para Anëtarësimit do filloj zbatimin në vitin e ardhshëm. Ne duhet të ndërmarrim masa për të siguruar se institucionet do të janë gati për implementimin e instrumentit të ri, i cili për dallim nga e kaluara do ofroj asistencën financiare ekskluzivisht mbi performancën e vendeve të Ballkanit në zbatimin e reformave. 4. Koordinimi i donatorëve: Në këtë pikë konsideroj se ka më së shumti punë për të bërë. Në përgjithësi këtu ka pasur ngecjet në vitet e kaluara, ku institucionet nuk kanë treguar interesim dhe pronësi në zbatimin e afro 200 milion EURO në vit. Nga një mjedis ku fondet e donatorëve janë anuluar për shkak mungesës së seriozitetit të institucioneve duhet të lëvizim drejt një realiteti ku çdo EURO i donacioneve do të ofrohet në mbështetje të prioriteteve të Qeverisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Bota sot”: Prej vitesh me premtime por liberalizimi i vizave ende nuk është bërë. Sa jeni optimist që një gjë e tillë do të ndodhë së shpejti?Nga kush varet liberalizimi, përpos kushteve të vëna nga BE?

Taulant Kryeziu: Është e pamundur të japim një datë. Të them të drejtën edhe nuk jam fans i datave. Konsideroj se ne duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Është e qartë se disa shtetet anëtare nuk mendojnë se ne i kemi përfunduar detyrat e shtëpisë, me theks të veçantë në mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Prandaj, që nga dita e parë e qeverisë jemi duke ndërtuar një mjedis politik i cili do të sigurojë ç’kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika dhe do të sigurojë frymëmarrje të lirë të organeve ligj-zbatuese në luftimin e kriminalitetit në vendin tonë. Gjatë këtij viti Presidencën e BE-së do ta këtë Kroacia dhe Gjermania. Duke njohur miqësinë e madhe që shteti i Kosovës gëzon me këto dy vende, unë jam optimist që gjërat do lëvizin në drejtimin e duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat