Drejtësia nuk do t’i mbyllë sytë karshi rasteve të rënda siç është bërë më parë

Intervista

Drejtësia nuk do t’i mbyllë sytë karshi rasteve të rënda siç është bërë më parë

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 6 mars 2020 Në ora: 08:33
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

“Fillimisht duhet theksuar se ne kemi kritikuar shtetin e kapur, dhe këtë se kemi thënë vetëm ne por edhe të gjitha raportet ndërkombëtare që merren me Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj. Dhe, natyrisht kapja e shtetit s’është ndonjë gjë abstrakte, ajo përkthehet në emra konkret e në krerë institucionesh. Kësisoj kemi kritikuar dhe Prokurorinë e cila nuk ka bërë as për së afërmi përndjekje të kriminelëve të të korruptuarve të profilit të lartë. Tash kemi filluar procesin e vettingu dhe pasi të kemi rezultatet e procesit atëherë do të shohim se si do të rrjedhin gjërat”.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” se si do të arrihet deri tek procesi i vetingut, rastin e stopimit të procesit të noterëve të rinj dhe deri të ajo se a e meriton ende të jetë Aleksander Lumezi kryeprokuror i shtetit.

Haxhiu në intervistën e dhënë ka treguar edhe mundësinë e kthimit në Kosovë të prokurorit Elez Blakaj i cili pas rastit me veteranet ishte i detyruar në një mënyrë të largohet nga Kosova.

Ministrja Haxhiu ka folur edhe për polemikat që ajo kishte me Kadri Veselin në atë kohë kryetar i Kuvendit dhe si kishte ardhur deri tek fyerja që i ishte bërë asaj.

“Bota sot”: Në çfarë gjendje e keni gjetur Ministrinë e Drejtësisë?

Albulena Haxhiu: Këtë javë kemi përmbyllur skanimin e gjendjes në Ministri. Duke parë këtë skanim, mendoj që duhet goxha shumë punë për të fuqizuar Ministrinë e Drejtësisë. Deri tani kam pasur një bashkëpunim të mirë me stafin civil. U kam shpjeguar qëndrimet dhe prioritetet e mia dhe besoj që bashkërisht do t’i shtyjmë përpara prioritetet. Për punët e mira, do jem krah i secilit por në anën tjetër nuk do të toleroj veprime të kundërligjshme madje jam duke u munduar të punoj shumë në zbatimin e ligjit për sinjalizuesit.

“Bota sot”: Keni deklaruar se realizimi i procesit të Vettingut është prioritet kryesor i juaji, si mendoni se mund të realizohet?

Albulena Haxhiu: Ka kohë të gjatë që Lëvizja VETËVENDOSJE! pati paraqitur nevojën e një vettingu në gjyqësi fillimisht si proces pikënisjeje për të rilegjitimuar organet e drejtësisë në mënyrë që te lufta ndaj krimit e korrupsionit të jetë më efikase dhe më e fuqishme. Kësisoj u zotuam edhe në fushatën e fundit zgjedhore duke e paraqitur vettingun si njërin nga zotimet tona kryesore. Me të ardhur në qeverisje kemi filluar hapat e para drejt fillimit të procesit dhe aktualisht jemi duke bërë përgatitjet e nevojshme dhe të kujdesshme që procesi të shkojë mbarë. Në mbledhjen e kaluar të Qeverisë u themelua ekipi i ekspertëve i cili do të përgatis dhe konceptoj gjithë këtë proces. Këto përgatitje do të marrin disa javë dhe pasi të kemi planin nga ekipi i ekspertëve për këtë proces sigurisht se do të fillohet tutje me adresim.

“Bota sot”: Rasti i fundit me stopimin e procesit të noterëve të rinj dhe sigurisht reagimeve të shumta, a mendoni se ky proces është neglizhencë e ministrit të kaluar dhe nepotizmit që është bërë më emërimin e noterëve.

Albulena Haxhiu: Siç e mbani mend ne patëm reaguar si subjekt politik në kohën kur u mbajt ky proces. Në adresën tonë kishin ardhur shumë ankesa për parregullsi e mbështetje të kandidatëve të afërt me partinë së cilës i takonte ministri i kaluar. Përveç reagimit qytetar, kemi pasur reagime shumë të forta edhe nga ambasadorë të huaj, madje edhe vet ata kishin kërkuar që ky proces të stopohej. Pasi kemi marrë përgjegjësinë në Ministrinë e Drejtësisë në përputhje me kompetencat nuk kemi mund të mos e anulojmë këtë proces me gjithë këto shkelje. Ashtu siç kam deklaruar në konferencën për media, ky proces i përzgjedhjes së noterëve u anulua, të gjithë aplikantëve u kthehen shpenzimet dhe pagesat që kanë bërë dhe procesi do të filloj nga fillimi dhe do të shoqërohet me transparencë.

“Bota sot”: Po ashtu është paralajmëruar edhe padi ndaj jush dhe ministrisë?

Albulena Haxhiu: Po i kam parë përmes mediave disa prej këtyre deklaratave dhe është e drejtë e secilit të ushtrojë të drejtën e tij të ankesës, por ajo që dua të theksoj është se për këtë proces kemi bërë analizën e mjaftueshme dhe faktet janë evidente. Jemi shumë të bindur për këtë.

“Bota sot”: Derisa keni qenë në opozite vazhdimisht keni hedh akuza ndaj Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezit, ndërsa sot si ministre e Drejtësisë cila është kërkesa që do të kishit ndaj Lumezit?

Albulena Haxhiu: Fillimisht duhet theksuar se ne kemi kritikuar shtetin e kapur, dhe këtë se kemi thënë vetëm ne por edhe të gjitha raportet ndërkombëtare që merren me Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj. Dhe, natyrisht kapja e shtetit s’është ndonjë gjë abstrakte, ajo përkthehet në emra konkret e në krerë institucionesh. Kësisoj kemi kritikuar dhe Prokurorinë e cila nuk ka bërë as për së afërmi përndjekje të kriminelëve të të korruptuarve të profilit të lartë. Tash kemi filluar procesin e vettingu dhe pasi të kemi rezultatet e procesit atëherë do të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Por ajo çka si ministre mund të garantojë është që tashmë drejtësia nuk do t’i mbyll sytë karshi rasteve të rënda siç zakonisht është bërë. Me 6 tetor kjo epokë ka marr fund.

“Bota sot”: Vazhdimisht keni shpreh admirim ndaj ish prokurorit të Prokurorisë Speciale Elez Blakaj i cili tashmë nuk punon me në institucionet e Kosovës, a do të kërkonit kthimin e tij në Kosovë tashmë dhe a keni pasur ndonjëherë kontakt me të.

Albulena Haxhiu: Rasti i Prokurorit Blakaj paraqet rastin më brutal të kapjes së shtetit me ç’rast nuk trembet krimi nga prokurori e drejtësia por e kundërta. Prokurori, institucioni, detyrohet të ikë nga Republika e Kosovës demokratike shumë vite pas shpalljes së pavarësisë. Pra kush do të mund ta imagjinonte një gjë të tillë. Andaj edhe ne e kemi përmendur këtë rast në sensin se si kjo klasë politike që u dërgua në opozitë me votë të qytetarëve i kanë sjellë punën çdokujt që ka dashur të luftoj krerë të lartë për keqpërdorime. Përcaktimi ynë politik ka qenë që Kosova duhet të bëhet vend ku nuk kërcënohet prokurori pse lufton krimin, përkundrazi duhet të frikësohen ata që ja msyjnë veprimtarisë së krimit e korrupsionit. Ne i dimë mirëfilli procedurat e rikthimit dhe nëse bëhet, si bëhet e si nuk bëhet, atë e përcaktojnë rregullat e sistemit tonë gjyqësor, por ne si qeveri garantojmë që në Republikën e Kosovës nuk mund ta largojnë nga vendi as z. Blakaj e askënd që lufton krimin e korrupsionin.

“Bota sot”:Derisa keni qenë në opozitë vazhdimisht polemika më ish kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe kujtojmë një përplasje të ashpër që kishit më te. Cila do të ishte porosia për të sot nga ju tashmë si ministre e Drejtësisë.

Albulena Haxhiu: Unë kam pasur polemika me qeverisjet e kaluara, pra kundërshtimi im nuk ka qenë personal jo vetëm me z. Veseli por me askënd tjetër. Aty ne kemi ballafaquar bindjet tona, jo vetet tona. Kësisoj unë s’është se kam ndonjë porosi për liderin e opozitës z. Kadri Veseli. Por ajo që unë garantoj është që nga ana jonë nuk do të ketë as arrogancë, as fyerje për opozitën, përkundrazi do të bëjmë debate të mira e konstruktive që i shërbejnë interesit publik.

“Bota sot”: Kosova si asnjëherë më parë është duke u përfaqësuar nga gruaja në institucione, si në Kuvend dhe ministri, si ndiheni për ketë dhe mendoni se gruaja e Kosovës mund të jetë e barabartë në të gjitha fushat?

Albulena Haxhiu: Me një klasë të re politikanësh avansimi i çështjes së gruas dhe konkretisht përfaqësimit të saj në krye të institucioneve është i natyrshëm. Si në asnjë qeveri kemi numër të madh të grave në krye të ministrive dhe si asnjëherë më parë kemi një grua në krye të Kuvendit siç është zonja Osmani dhe mos të harrojmë edhe nënkryetaren e Kuvendit po ashtu e kemi grua, zonjën Nagavci. Pra kur sheh mozaikun aktual të institucioneve gruaja është më e pranishme se asnjëherë më parë. Por, sigurisht kjo nuk është e mjaftueshme, barazia nuk nënkupton vetëm barazi në nivel përfaqësimi institucional, madje problemi thelbësor është pozicionin i gruas së zakonshme të vendit tonë që në thelb vjen nga pabarazitë ekonomike. Mirëpo, avansimin e pozicionit të gruas në institucione duhet ta përcjellim me avansimin e pozicionit të gruas në shoqëri.

“Bota sot”: Ju personalisht por edhe si ministre, jeni për marrëveshjen e fundit më Serbinë në rast se taksa hiqet dhe Serbia pranon Kosovën si shtet.

Albulena Haxhiu: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë që dialogun e udhëheq Qeveria e Kosovës dhe këtë e ka deklaruar edhe Kryeministri Kurti se ai do të merret vet me dialogun. Ndërkaq sa i përket raportit taksë/reciprocitet ne kemi garuar ndër të tjera edhe më këto tema në zgjedhjet e fundit. Ne kemi thënë me Serbinë do të vendosim reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar, pra masë jo për të shprehur arrogancë e kryeneçësi, por barazi e dinjitet shtetëror. Por për të kaluar nga njëra te tjetra Kryeministri Kurti ka prezantuar disa hapa që shprehin edhe vullnetin e tij të mirë për të hapur edhe çështjen e dialogut. Pra, Kurti ka thënë se deri me 15 mars Serbia duhet të shpreh vullnetin e saj për të ndalur fushatën për çnjohje, ndërkaq ne këto ditë pamë edhe fjalët e veprat e Serbisë që tregojnë mungesën e gatishmërisë së tyre. Vuçiq pas takimit me Thaçin deklaroi se do të ketë çnjohje të reja ndërkaq Daçiq deklaroi se Sierra Leone ka tërhequr çnjohjen. Pra me këtë mendësi nuk mund të vazhdohet tutje. Tash topi është te Serbia edhe ajo duhet të dëshmojë vullnet, ne jemi këtu duke pritur ata. Në momentin që ata ndërrojnë qasje ne sigurisht se do të ndërmarrim veprimet për heqjen e taksës, por deri tash nuk ka ndonjë indikacion që diçka ka ndërruar për mirë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni opozitën e sotme në Kuvend. PDK e AAK kanë paralajmëruar se do të jenë opozitë e fortë, mendoni se ky paralajmërim më shumë është se rënia nga pushteti ka qenë i rendë për ta se sa ajo që me të vërtete do të jenë opozitë.

Albulena Haxhiu: Ende jemi në fillim të mandatit dhe nuk është se mund të jap ndonjë përgjigje apo se kam krijuar ende ndonjë bindje për opozitën. Ne urojmë që opozita të jetë sa më e fuqishme sepse jo vetëm që i ndihmon demokracisë, por i ndihmon edhe ekzekutivit që ajo të jetë më e kujdesshme në punët e saja. Opozitës i uroj punë të mbarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat