Ministria e Drejtësisë deklarohet lidhur me konkursin për Udhëheqës të Burimeve Njerëzore, për të cilin pati ankesa në gjykatë

Intervista

Ministria e Drejtësisë deklarohet lidhur me konkursin për Udhëheqës të Burimeve Njerëzore, për të cilin pati ankesa në gjykatë

Nga: Nesib Hoti Më: 29 prill 2020 Në ora: 13:45
Foto ilustrim

Një konkurs në Ministrinë e Drejtësisë i shpallur muaj më parë, dhe mënyra e përzgjedhjes së kandidatit, kishte ngjallur reagime e pakënaqësi dhe për këtë edhe ishte anuluar.

Është fjala për pozitën udhëheqës i Burimeve Njerëzore, në këtë ministri, ku emri i të përzgjedhurit u publikua  me datën 06 gusht të vitit 2019.

Mirëpo, nga ministria e Drejtësisë, ekskluzivisht në një intervistë  dhënë gazetës “Bota sot”, kanë konfirmuar se rekrutimi për këtë pozitë, ka ndodhur duke respektuar dispozitat ligjore.

Sipas kësaj ministrie, anulimi i konkursit për herën e parë është bërë sipas vendimit të cilin e mori Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës, për shkeljet procedurale.

Gjersa, kanë bërë me dije se përzgjedhja e kandidatit për këtë pozitë është bërë në bazë të meritës së rekomanduar nga komisioni përzgjedhës për zhvillimin e procedurës së rekrutimit dhe të aprovuar nga Sekretari i Përgjithshëm.

“Bota sot”: Mbi cilën baze ligjore janë bazuar kushtet konkursit?

Ministria e Drejtësisë: Procesi i rekrutimit për pozitën: Udhëheqës i Divizionit për Burime Njerëzore, është zhvilluar duke respektuar dispozitat ligjore të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregulloren Nr.02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil.

Publikimi i konkursit është bërë duke u bazuar në përshkrimin e detyrave të punës të cilat janë aprovuar nga Sistemi i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, përkatësisht Ministria e Administratës Publike përgjegjës për Administrimin e Shërbimit Civil në Republikën e Kosovës;

“Bota sot”: Cila fushë e përgatitjes universitare duhet të jetë për udhëheqës tek pozita e udhëheqësit të Burimeve Njerëzore?

Ministria e Drejtësisë: Fusha e përgatitjes universitare për këtë pozitë është Fakulteti Juridik, Administratë publike, Ekonomik;

“Bota sot”: Cilat janë arsyet e anulimit të konkursit në herën e parë?

Ministria e Drejtësisë: Anulimi i konkursit për herën e parë është bërë sipas vendimit të cilin e mori Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës, për shkeljet procedurale, përkatësisht njëri nga anëtarët e komisionit ka vlerësuar me 0 pikë.

“Bota sot”: A ka pasur ankesa dhe procedim për në gjykatë lidhur me konkursin, nëse po, a është respektuar ligji kur është nënshkruar akt emërimi?

Ministria e Drejtësisë: Po ka pas, meqë rasti përmes padisë si mjet i jashtëzakonshëm juridik, është atakuar mos veprimi, përkatësisht heshtja e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimit Civil. Por, sipas legjislacionit në fuqi, padia është mjet i jashtëzakonshëm e cila nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit, për më tepër kemi përgjigjen me shkrim nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil, të cilët konstatojnë se mbetet në diskrecion të institucionit se si të veprohet në këtë rast. Me qëllim që të mos kemi akoma vazhdim të Ushtruesit të Detyrës së Udhëheqësit të Divizionit për Burime Njerëzore, e cila edhe ashtu për shkak të zgjatjes së procedurave ka pas tejkalime të limiteve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi për pozitën Ushtrues Detyre, Ministria e Drejtësisë sipas vlerësimit (diskrecional) ka proceduar me nënshkrimin e akt emërimit për këtë pozitë.

“Bota sot”: Në të dy konkurset, a janë përfshi në listën e ngushte te gjithë aplikuesit, nëse jo, cila është arsyeja?

Ministria e Drejtësisë: Vlerësimi i kandidatëve për listën e ngushtë bëhet përmes shqyrtimit dhe vlerësimit të aplikacioneve të dorëzuara nga kandidatët e interesuar për pjesëmarrje në procesin e rekrutimit, duke pas për bazë: Arsimimin dhe kualifikimin profesional; përvoja e punës; shkathtësitë dhe aftësitë dhe elementet e tjera të meritës. Në listën e ngushtë janë përfshirë të gjithë kandidatët të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit të publikuar për këtë pozitë.

“Bota sot”: Kandidati i përzgjedhur, mbi cilat kushte është përzgjedhur?

Ministria e Drejtësisë: Përzgjedhja e kandidatit për këtë pozitë është bërë në bazë të meritës së rekomanduar nga komisioni përzgjedhës për zhvillimin e procedurës së rekrutimit dhe të aprovuar nga Sekretari i Përgjithshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat