E thotë deputetja: PDK s’ka vija të kuqe me asnjë parti, nuk bëhemi si LVV-ja që fyente Mustafën pastaj lidhën koalicion

Intervista

E thotë deputetja: PDK s’ka vija të kuqe me asnjë parti, nuk bëhemi si LVV-ja që fyente Mustafën pastaj lidhën koalicion

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 maj 2020 Në ora: 18:26
Ariana Musliu-Shoshi

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në një intervistë për “Bota sot”, shprehi pakënaqësitë që pa tek qeveria Kurti duke përfshirë këtu edhe menaxhimi jo i duhur gjatë kësaj kohe të pandemisë.

Deputetja gjithashtu tha që mospërfshirja e qindra punëtorë të mirëmbajtjes në pakon emergjente ishte njëri ndër gabimet e radhës së qeverisë Kurti duke vazhduar që këtë gabim nuk do ta kishte bërë nëse PDK-ja, do të ishte në krye të qeverisë.

E pyetur edhe për koalicionin, LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet, ajo u shpreh që nëse në krye është përsëri një parti e cila qëndroi për 15 ditë siç është LDK atëherë nuk garanton që nuk do të përsëritet prapë e njëjta situatë.

Shoshi, beson që qytetaret në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë PDK-në, pasi sipas saj ata e dinë që besimi i tyre për PDK-në është i shenjtë.

 “Bota sot”: Si i vlerësoni 100 ditët e qeverisë Kurti, e cila tashmë është në detyrë?

Ariana Musliu-Shoshi: Qeveria Kurti nuk ishte qeveri me të drejta të plota për 100 ditë, por vetëm 51. 49 ditët e tjera i ka si qeveri e shkarkuar, sepse për rrëzimin e saj votuan më shumë se ⅔ e deputetëve të Kuvendit. Së dyti, që nga viti 2000 e tutje, nuk ka qeveri e cila është votuar në Kosovë dhe e cila e ka shkelë kushtetutën e Kosovës në muajin e dytë të qeverisjes. Kryeministri i shkarkuar do të mbahet në mend se si nuk e realizoi premtimin e tij që paga minimale të rritet në 350 euro. Mijëra punëtorëve të Kosovës u shpërndau kompensim të vogël 130 dhe 170 euro. Ai e bëri këtë duke i lënë jashtë pakos emergjente qindra punëtorë të mirëmbajtjes  si dhe disa shtresa  shoqërore që nuk kanë asnjë të ardhur.

Në planin e jashtëm, ne nuk mbajmë mend që një kryeministër, t’i dëmtoj aq rëndë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu nuk mbajmë mend një kryeministër të Kosovës, të ketë lejuar ndërhyrjen direkte të Serbisë në Kosovë. Sot, e kësaj dite ne nuk e dimë kush i teston dhe kush i shëron pacientët në veriun e Mitrovicës, mjekët e Kosovës apo të Serbisë. Ne nuk e dimë as në cilin format zyrtar janë pranuar 1000 testet e Serbisë për qytetarët serb në Mitrovicë.

 “Bota sot”: A duhej të rrëzohej qeveria në kohë pandemie, si e keni parë ju atë situatë?

Musliu-Shoshi: Ne nuk e nisëm mocionin për ta rrëzuar qeverinë. E nisi partia që ishte në koalicion me Kryeministrin. Ne edhe sikur ta nisnim nuk kemi menduar se do të kishte kaq vota për ta rrëzuar një qeveri si kjo tani. Por, ta themi qartë, opozita nuk shpëton kryeministër nga rënia e tij. Opozita voton çdo herë kur vendoset mocion për mosbesimin e qeverisë. Cila do qoftë ajo. Kjo e rregullon më shumë demokracinë dhe llogarinë e qeverisë.

 “Bota sot”: Pse po i shihni zgjedhjet si opsion të vetëm pas rrëzimit të Qeverisë?

Musliu-Shoshi: Qëndrimi ynë pas rezultatit të zgjedhjeve ka qenë që PDK shkon në opozitë, pa idenë që ne do të bëhemi pjesë e ndonjë koalicioni qeveritar. Kemi thënë se s’do ta votojmë qeverinë Kurti, sepse është vlerësuar mashtrim për qytetarët e Kosovës. Fjalët tona u vërtetuan. Andaj, vlerësoj se zgjedhjet pas pandemisë janë të domosdoshme. PDK ka ditë të jetë parti shtet-formuese duke qëndruar përkrah me qytetarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

 “Bota sot”: Ndërkohë cili është komenti juaj për koalicionin e formuar LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet?

Musliu-Shoshi: Për mua nuk përbën lajm të ri, nëse arrin të formohet një qeveri e re me partinë e njëjtë që ishte në udhëheqje për më shumë se pesëdhjetë ditë. Çka do të ndërrojë më shumë me këtë parti dhe me të tjerat që ishin në qeverisje. Ne nuk duhet të harrojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës ishte ajo që bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, në situatën më të rëndë për qytetarët, krijuan një krizë që dëmtoi besimin e qytetarëve. Çka nëse sërish kapen pas një situate kur ne duhet të dëgjojmë deklarata dhe përplasje ndër-qeveritare, ku dëmtohen qytetarët.

 “Bota sot”: Cilat janë̈ pritjet tuaja lidhur me vendimin e gjykatës Kushtetuese pas 29 majit?

Musliu-Shoshi: Unë nuk kam pritje pozitive apo negative për vendimin që do të sjell Gjykata Kushtetuese. Për mua është e rëndësishme të respektohen procedurat kushtetuese në lidhje me atë nëse do të formohet një qeveri e re. Gjykimi im mund të jetë subjektiv, dhe për këtë arsye pres vendimin e Gjykatës, cili do që është ai, unë do ta respektoj. Partitë politike në Kosovë duhet të rrinë larg presionit ndaj gjykatës.

 “Bota sot”: A ka PDK vija të kuqe për koalicion bashkëqeverisjes, ashtu siç̧ të tjerat parti janë̈ deklaruar se PDK-ja është vijë e kuqe për to?

Musliu-Shoshi: E ka thënë javë më parë Kryetari z. Veseli, se PDK nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike, këtë e kemi thënë gjatë gjithë kohës. Është mirë që të mos vendosim vija të kuqe për partitë politike, sepse pastaj po i shkelim. Lëvizja Vetëvendosje e fyente Kryetarin e LDK-së vite më parë, por për të hyrë në koalicion ai ishte profesori. Për këtë arsye, PDK do të kritikojë çdo kënd për nga ana e qeverisjes dhe qëndrimit të qeverisë për krah qytetarëve. Por, për të bashkëpunuar ne do të vendosim kritere siç janë lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e integritetit territorial e të tjera.. Ne do të vendosim për bashkëpunim vetëm mbi baza parimore. 

 “Bota sot”: Si e vlerësoni menaxhimin e pandemisë̈ COVID-19 nga institucionet qeverisës, çka do të duhej të ishte bërë më mirë sipas jush?

Musliu-Shoshi: Për mua ka qenë befasuese se si Kryeministri dhe qeveria e Kosovës nuk arriti t’i bashkojë partitë politike në mënyrë që të krijohet plan i qartë dhe i saktë për ta tejkaluar më lehtë pandeminë Covid-19. Arroganca ishte karakteristikë për këtë qeveri. Kështu nuk qeveriset. Në kohë të vështira të gjitha partitë duhet te bëhen bashkë. Sot nuk është ky realitet, sepse qeveria e udhëhequr nga Kurti dëshiron qeverisje e cila drejtohet vetëm nga ai. Duke e mos dëgjuar askënd, kjo qeveri në vetëm 100 ditë, në emër të pandemisë e shkeli kushtetutën. Në emër ta pandemisë, kjo qeveri lejoi ndërhyrjen e Serbisë në territorin e Kosovës, në emër të pandemisë u cenua liria e lëvizjes se qytetarëve e garantuar me kushtetutë.

 “Bota sot”: Propozimi i PDK-së për pakon emergjente fiskale sikur u la në gjysmë dhe më nuk po përmendet, pse po ndodhë kjo dhe si do ta riaktualizoni dhe implementoni këtë propozim?

Musliu-Shoshi: Me 30 prill të këtij viti, përmes një konference kemi thënë që pakoja e qeverisë nuk e shpëton ekonominë nga kolapsi, por propozimi ynë që arrinte shumën prej 320 milionë euro, vlerësoj që ishte më i miri dhe më i duhuri për Kosovën. Sepse pakoja e qeverisë ishte e pamjaftueshme për mbajt në këmbë ekonominë e vendit. Ne e dërguam në seancë plenare për miratim Propozimin dhe miratimin e masave konkrete ekonomike e financiare, por partitë politike në pushtet nuk e mbështetën për arsye subjektive. Ata nuk e përkrahën as propozimin tonë që në procedurë të përshpejtuar t’i shqyrtojmë dhe t’i miratojmë dy projektligje, njërin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19, dhe Projektligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

Të dy projektligjet janë ende në procedurë parlamentare, ne do të insistojmë që ato të trajtohen. Për këtë arsye unë bëj thirrje që si deputetë t’i tejkalojmë dallimet tona partiake dhe ta miratojmë edhe me propozimet e të tjerëve pakon ekonomike.

 “Bota sot”: Ju si deputete e re në Kuvendin e Kosovës, çfarë ke arritur të bësh përgjatë kësaj kohe në Kuvend?

Musliu-Shoshi: Konstituimi i Kuvendit u bë me 26 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa qeveria u votua me 3 shkurt 2020. Ndërsa me 15 mars qeveria e Kosovës vendosi për shpalljen e emergjencës për shëndetin publik në tërë territorin e Kosovës. Kështu që Kuvendi nuk arriti të jetë funksional për shkak edhe të pandemisë. Në këtë kuptim une isha shumë e kufizuar që të ndërmerrja iniciativa të ndryshme që do të ishin në parashtrimin e pyetjeve parlamentare, iniciativave ligjore, debateve parlamentare e interpelancave.

Por, për aq sa kam pas mundësi, përmes komunikimit direkt, e-mailit dhe rrjeteve sociale  kam ushtruar funksionin tim në lidhje me kërkesat e shumë kategorive sociale në Kosovë. Po i listoj disa:

Kam kërkuar përfshirjen e punëtorëve të mirëmbajtjes së rrugëve te cilët nuk janë përfshirë në pakon emergjente;

Kam kërkuar rritjen e shumës së kompensimit për punëtorët e sektorit privat;

Kam kërkuar nga MPJD që të kujdeset për qytetarët tanë të cilët mbetën jashtë Kosovës për shkak të mbylljes së kufijve, që ata të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre, sepse bëhet fjalë për më shumë së dymijë shtetas;

Kam kërkuar që të përkrahen edhe disa shtresa shoqërore që nuk kanë asnjë të ardhur, si p.sh  punëtorë krahu apo ndihmëse në mirëmbajtje ditore të shtëpive.

Gjatë muajit të kaluar jam solidarizuar me familjet në nevojë për përkrahje me gjëra ushqimore. Kam shpërndarë pako ushqimore për familjet që nuk kanë asnjë të ardhur, familje që i njoh dhe familje që më kanë shkruar.

 “Bota sot”: Keni qenë në pushtet për shumë kohë mirëpo kritikat se nuk keni bërë shumë për vendin ka pasur nga qeveria Kurti, a mendoni që nëse mbahen zgjedhjet e reja dhe fitoni do të sillni ndryshime për qytetarët?

Musliu-Shoshi: Partia Demokratike ka qeverisë më së shumti me Kosovën. Dihen shumë mirë efektet e qeverisjes sonë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë kur PDK-ja ishte në krye të qeverisjes, pastaj u bë rritja e pagave në sektorin publik, furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike, ndërtimi i autostradave, ndërtimi dhe forcimi i marrëdhënieve të shëndosha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Ndërsa çka pamë në qeverisjen 100 ditësh të Kryeministrit në detyrë z. Kurti. Qeveri e cila e ka shkelë kushtetutën e Kosovës në muajin e dytë të qeverisjes. Gjatë tërë fushatës ka premtuar që vitin e parë të qeverisjes do ta rrisë pagën minimale në 350 euro. Kjo nuk u bë. Por ata mbeten te vendimi i vjetër, që përmes pakos emergjente, ai vendosi lëmoshë prej 130 dhe 170 euro për qindra mijëra punëtorë të Kosovës. Sikur të ishim ne në qeverisje nuk do t’i linim jashtë pakos emergjente qindra punëtorë të mirëmbajtjes. Kurti i la në rrugë pa asnjë mbështetje.

Për këtë arsye, qytetarët e Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme do ta votojnë më shumë Partinë Demokratike të Kosovës. Qytetaret e dinë që besimi i tyre për PDK-në është i shenjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat