Publicisti Idriz Zeqiraj në një intervistë dhënë për gazetën “Bota sot” ka folur rreth rrëzimit të Qeverisë Kurti, për të cilën thotë se nuk duhej rrëzuar me asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë. Idrizaj ka folur tutje edhe për Qeverinë e re që mund të krijohet e për të cilën thotë se asnjëherë nuk mund të jetë si një qeveri e një koalicioni LDK-AAK sikur në kohën e Presidentit historik Ibrahim Rugova. Zeqiraj thotë se as Qevera Kurti e as ajo Hoti nuk do të mund të zbardhnin vrasjet e pasluftës.
“Bota sot” Sipas juve a duhej të rrëzohej Qeveria Kurti?
Idriz Zeqiraj: PAN-i e kishte mbushur kupën. Opinioni e konsideron si burim i të gjitha të këqijave, për dy dekada radhazi. Për herë të parë "u nda shapi nga sheqeri". U bashkuan subjektet politike, mbi të cilat rëndojnë akuza bazike të krimeve të shumëfishta. Edhe vet bashkimi i tyre u bë, për t`u mbrojtur nga drejtësia, siç është Gjykata Speciale. Kjo u dëshmua me tentativën për ta zhbërë atë. Për herë parë u bë një ndarje e pritur grupore meritore. Pozita e inkriminuar, nga njëra anë, dhe opozita pa afera penalizuese, nga ana tjetër. Djathtizmi i LDK-së dhe majtizmi i LVV, nuk përbënte ndonjë pengesë serioze, sepse ligjet e ekonomisë të tregut, tashmë, janë standardizuar, sidomos në Evropë. Edhe politika sociale po funksionon, edhe pse shumë larg normativës evropiane. Edhe opozitarizmi i kësaj aleance të pritshme, zbehu dallimet e mëparshme. Këtë e dëshmoi edhe harmonizimi, lehtësisht, i programit qeverisës, i politikave ekonomike dhe sociale. Por, ndodhi ajo që nuk pritej, kur filloi ndarja e posteve, që zhgënjeu shumë. Megjithatë, koalicioni u festua masivisht, jo vetëm nga palët në qeverisje, por, edhe nga shqiptarët e kudondodhur. Koalicioni u pagëzua me emërtesat simpatike e shumë domëthënëse, si "koalicioni i shpresës", "koalicioni i shpëtimit", e tjera aprovime masive. Rrjedhimisht, qeveria Kurti nuk duhej rrëzuar me asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë. Dhe, aq më pak, ende pa i mbushur dy muaj, pa i dhënë mundësinë minimale, për t`u provuar në qeverisjen e saj. Ishte premtimi ambicioz i kryeministrit Kurti, për çkapjen e shtetit dhe masat ligjore pasuese, që tmerroi jo vetëm të inkriminuarit e PAN-it, por edhe vet partnerin në koalicion, i cili, çuditërisht, u bë pjesë e krimit, në vetërrëzimin e qeverisë LDK-LVV. Kjo nuk kishte paraprijës, në mënyrën se si u realizua kjo maskaradë e pistë.
“Bota sot” Kush është fajtor për prishjen e koalicionit LVV-LDK?
Idriz Zeqiraj: Fajësia është e dyanëshme. LDK ishte e dyzuar për koalicionin me LVV. Kreu i LDK, Isa Mustafa, me klanin e tij, kishtín preferencë PAN-in, pavarësisht, tullumbaceve që hidhnin kundër tij. Reformatorët, e përfaqësuar nga Vjosë Osmani, ishin përcaktuar për Vetëvendosjen. Edhe anëtarësia dhe elektorati i LDK ishte dhe vazhdon të jetë me reformatorët. Përgjatë marrëveshjes për koalicion, fajin e parë e bëri LDK, kur, jashtë marrëveshjes fillestare, nxorën kërkesën absurde - Isa president! Për LVV ishte e papranueshme, sepse këtu merrte fund ndryshimi i proklamuar, me aq bujë e pompë, nga të dy partnerët. Seps, nuk ka ndryshim me Hashimin e Isën në pozita të larta drejtuese. Fajin e dytë e bëri LDK, kur emëroi ministër të Brendshëm Agim Veliun, njeriun që ishte kundër këtij koalicioni, ngaqë preferonte PAN-in! Madje, nuk ishte fare profesional për postin. Ky ishte edhe një provokim për partnerin. Në fushatën parazgjedhore, në Podujevë, po ky ministër deklaroi publikisht se "Vetëvendosje është partia më antirugoviste në Kosovë". Kjo nuk duhej thënë edhe po të ishte ashtu. Por, realisht, nuk është e vërtetë, sepse PAN-i e ka gjuajtur Rugovën, me armë të rënda, në shtëpi; e ka atentatuar edhe në rrugë, me mjete telekomanduese shpërthyese. Dhe, sipas dëshmitarit, pjesëmarrës në krim, po të mos ishte vetura e blinduar, makina me Presidentin Rugova brenda saj, do të hidheshin në ajër. Kryeministri Albin Kurti bëri fajin e parë, kur theu marrëveshjen, duke e shkarkuar ministrin Veliu, pa e konsultuar, paraprakisht, kryetarin Mustafa. Fajin e dytë kryeministri e bëri me deklarimet paushalle, hiç diplomatike, për ambasadorin Grenell dhe vonesën për heqjen e taksës, të vënë dhe të lënë "si mollë sherri", nga qeveria rrumpallë PAN-iste. Megjithatë, pesha e fajësisë rëndon mbi LDK-në, si parti me përvojë, sepse theu premtimin e dhënë elektoratit, theu zemrat e tyre, duke kthyer PAN-in, krimin në pushtet! Sllogani emocional "BESO", tashmë, u bë leckë. Fushata ishte bërë për ndryshimin, reformat. Lufta kundër krimit të organizuar, hajnisë zyrtare, shtetëzimin e pasurive pa mbulesë, nga bandat e PAN-it. Dhe, tani, në koalicion me PAN-in, si si do t`i justifikojë votat e vjelura nga elektorati, si do t`i realizojë premtimet e dhëna?! Isa Mustafa dhe klani i tij, duke vepruar si në rastin e koalicionit me PDK-në; bërjen e Hashimit president, në kundërshti të hapur me strukturat e partisë dhe të anëtarësisë së gjerë, ngjallin dyshimin e bazuar: Pë llogari të kujt bëjnë pazare të pista dhe rrënuese në kurriz të LDK-së?!
“Bota sot” A mendoni se Kosovës i duhet Qeveria Hoti apo duhet të shkojë vendi në zgjedhje?
Idriz Zeqiraj: Ish-ministri Hoti ka shkëlqyer në drejtimin e Ministrisë të Financave. Askush nga LDK-ja nuk ka asgjë personale kundër tij. Por, kjo qeveri nuk i duhet Kosovës dhe aq më pak LDK-së: Së pari, nuk e ka mandatin e popullit, nuk arriti të jetë parti e parë fituese, edhe pse përformanca ishte domëthënëse, krejt afër barazimit me fituesin. Së dyti, ajo po koalicionohet me PAN-in, të cilin LDK-ja dhe populli e akuzon atë për përgjakjen e Kosovës. Shih varret, lapidarët! Është provokim i rëndë që u bëhet qindra familjeve, që kanë humbur njerëzit e tyre, si dhe mijëra familje të tjera, që lidhen me këto familje, provokim ndaj popullit, shqiptarëve. Është e turpshme kokëtimi me presidentin, i cili e futi në agjendë ndarjen e territorit të Kosovës, duke e kthyer atë në para pavarësi! Krerët aktual të LDK-së, duhet ta dëgjojnë zërin e anëtarësisë. Reformatorët, nëse do të dakordoheshin me Kryesinë, nëse ju lihet hapësirë, autorizim për bisedime më LVV, mund t`i shmangnin edhe zgjedhjet. Në të kundërtën, të shkohet në zgjedhje, qoftë edhe pas disa muajve.
“Bota sot” Një koalicion LDK-AAK, a mund të funksionojë njëjtë sikur në kohën e Presidentit Rugova?
Idriz Zeqiraj: Kurrë dhe asnjëherë! Ai ishte koalicioni i zorit "sakrificë", e ka quajtur Dr. Rugova. "Komandantët" vazhdonin t`i vrisnin veprimtarët e LDK-së, ushtarakët e FARK-ut të Ibrahim Rugovës. Shantazhi ishte supër i vrazhdët. Rugova e kuptoi se ata donin pushtet dhe para. E ndau pushtetin, duke dhënë edhe postin e kryeministrit. Qëllimi i dytë ishte ndarja e dy subjekteve-banda, për ta dobësuar forcën goditëse kundërshtare. Tani janë rrethana tjera. Por, PAN-i është i barazvlershëm në krime, madje, të shumëfishta dhe gjithfarëshe. "Bir Selmani i nënës, çfarë të qaj më parë?!"
“Bota sot” Si e vlerësoni 100 ditëshin e qeverisë në ikje?
Idriz Zeqiraj: Ekziston opinioni i përgjithshëm se LVV nuk arriti ta menaxhojë fitoren, andaj edhe dështoi, duke u kthye nga qeveri në drejtim të vendit, në "qeveri në detyrë". Ende nuk kishte përfunduar numrimi i votave në plotni, ajo i bënte presion LDK-së: " Shkojmë në zgjedhje!" Sidomos, dy-tri femrat më aktive të LVV, e përsërisnin këtë frazë në çdo rast, deri në neveri! Përzgjedhja e ministrave profesional, ishte parathënia e suksesit. Përkushtimi i tyre është maksimal. Punën e tyre nuk e zbehu as Mocioni absurd i Mosbesimit. Veçse në kushe tej mase provokuese, sidomos nga klani, brenda Kryesisë të LDK-së. Pozitive ishte lënia në detyrë të ministrave nga LDK-ja. Shkarkimet e bordeve me kot u politizuan. Nuk vjen ndryshimi, duke mos ndryshuar metodën e punës në drejtim. P.sh. për 9 vite drejtor i bordit. Kur ftohet për llogari nga eprori ministral, ai nuk pranon, me arsyetimin se "unë raportoj një herë në 6 muaj apo në vit!" Drejtor se jo mahi! Edhe në kushte hiç normale, Qeveria Kurti ka shkëlqyer me pozitivitet. Ka qenë shumë aktive dhe mjaft e përgjegjshme. Edhe Kurti ka reflektuar. Hoqi taksën, edhe pse më shumë vonesë. Fort i ndikuar nga shefi i tij Demaçi, besimi në forcat vetanake, i cili ishte hero në rezistencë, por, profan në politikë. Miqtë i kemi të paktë, andaj Amerikën nuk guxojmë ta humbasim. Përndryshe, fati ynë do të ishte i paparashikueshëm. Ndërsa, në politikën e brendshme, edhe në këto rrethana, Qeveria Kurti ka arritur të bëjë hapa para dhe shpresëdhënëse.
Vijon...