Zeqiraj: LDK-ja, më saktë, klani i saj brenda Kryesisë, vazhdon të shantazhohet nga PAN-i

Intervista

Zeqiraj: LDK-ja, më saktë, klani i saj brenda Kryesisë, vazhdon të shantazhohet nga PAN-i

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 22 maj 2020 Në ora: 13:12
Idriz Zeqiraj

Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën “Bota sot”, publicisti Idriz Zeqiraj, ka folur rreth situatës me pandeminë COVID-19 dhe menaxhimin e saj nga institucionet. Zeqiraj ka thënë se  nisma e kryetares të Kuvendit, Vjosë Osmani, për një takim me përfaqësuesit të grupeve parlamentare, për t`i koordinuar punët, në përballimin e pandemisë, ishte normale dhe fisnike, derisa refuzimi i opozitës dhe LDK-së, ishte i tupshëm.

Nga ana tjetër, ai ka potencuar se nuk duhet t`i besohet as qeverisë Kurti e as asaj Hoti që mund të vij, në zbulimin e vrasjeve politike.

Zeqiraj ka folur edhe rreth raportit PDK –Vetëvendosje dhe mundësisë që këto të dyja të lidhin koalicion me njëra tjetrën.

“Kur Albini nuk mundi të qeverisë me LDK-në urtake, vështirë do ta bëjë edhe opozitën me PDK-në zevzeke. Megjithatë, duke hyrë në folenë e SHIK-ut, për interesa në perspektivë, PDK-ja mund të bëjë kompromise, jashtë natyrës së saj. Në provën e parë të koalicionimit, LVV dështoi. Korri fitore meritore, por, nuk diti ta menaxhojë fitoren dhe zhgënjeu me fund. Lë të shpresohet në urtinë "pësimi të shërbejë si mësim", ka thënë mes tjerash Zeqiraj.

Bota sot: A e ka menaxhuar Kosova mirë situatën me pandeminë?

Idriz Zeqiraj: Kosova është vlerësuar pozitivisht në përballimin e situatës të pandemisë. Qeveria Kurti dhe ministrat e tij, kanë qenë një ansambël harmonik dhe monolit, në përballimin e pandemisë. Nën drejtimin, sa profesional, aq edhe të përkushtuar të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe të gjithë stafit mjekësorë qendror e lokal, meriton çdo lavdatë. Kanë shkëlqyer në bashkëpunim edhe me kryetarët e komunave, me stafet e tyre punuese. Bashkëpunimi me policinë shtetërore, ishte një arritje tjetër e Qeverisë Kurti. Përveç njerëzve zyrtarë, Qeveria organizoi një grup vullnetarësh, prej 900 vetësh, plus 300 më vonë, së bashku me nënekipet e tyre, arritën të mbulojnë të gjithë hapësirën territoriale të Kosovës, me shërbimet e tyre, në familjet në nevojë. Këtë organizim askush nuk mund ta bënte më mirë, se sa e bëri Vetëvendosje. Nisma e kryetarës të Kuvendit, Vjosë Osmani, për një takim me përfaqësuesit të grupeve parlamentare, për t`i koordinuar punët, në përballimin e pandemisë, ishte normale dhe fisnike. Refuzimi i ftesës nga opozita, por, edhe nga LDK-ja, ishte turpi dhe krimi i radhës, pas Mocionit të Mosbesimit, pikërisht, në kohë pandemie. Me këtë veprim të ulët, moskokëçarës, përbuzës, karshi popullit në nevojë, do të arkivohet në letra dhe mbamendjen e shqiptarëve. Ishte një inat, mospërfillje dhe mosnjohje, jo vetëm të qeverisë në detyrë,  por edhe të organit më të lartë, siç është Kuvendi i Kosovës. Zhurma shurdhuese, politizimi i mjekëve të ardhur nga Serbia, dhurimi i një mijë testeve, për serbët vendorë, bëhej, pikërisht nga ata që vunë taksën, por, vazhduan kontrabandën, në bashkëpunim me banditët e Veriut të Mitrovicës. Fundja, rasti i veçantë, si pandemia, luftërat, janë të njohura praktikat e shërbimit "mjekët pa kufi", organizatë e mirëpritur botërore. Edhe pranimi i testeve, nga pala kosovare, është vlerësuar nga bota, si vullnet gatishmërie, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Edhe politizimi i një rasti tragjik, përgjatë karantinimit, nuk mund ta zbehë përkujdesjen e bërë, për qytetarët dhe zbatimin e rregullave izoluese, ashtu siç është vepruar edhe në vendet tjera të botës. Diagnostifikimi, tashmë, i studentit të ndjerë, që shqiptarët e kudondodhur e përjetuan rëndë, duke u bërë pjesë e dhembjes të Familjes Musliu, nuk është pasqyruar, në dokumentin shoqërues, gjendja reale shëndetësore. Edhe familja e djalit kufizohet për shqetësimin në veshka dhe nuk ishte në dijeni për agravimin psikik të Agonit. Prandaj, personeli pritës në aeroport, nuk e ka konsideruar si rast për lirim nga karantina. Për këtë, më se paku mund të akuzohet treshja: Kurti, Vitia, Svelça, ngaqë asnjëri syresh nuk lidhet me pritjen, ndarjen apo shoqërimin në karantinë.

Bota sot: A duhet t`i besohet më tepër Qeverisë Kurti apo asaj Hoti, në zbardhjen e vrasjeve të pasluftës?

Idriz Zeqiraj: As njërës dhe as tjetrës! Albin Kurti në çështjen e vrasjeve politike të pasluftës, është shumë kontraves. Tutori i tij, Demaçi, e dështoi Marrëveshjen e Osllos, për bashkimin e faktorit ushtarak të Kosovës. Ai kurrë nuk reagoi për vrasjet politike numerike. Madje, aprovoi edhe vrasjen e studentit të Prishtinës, Enis Zemaj! Kryeministri Kurti nuk e ka votuar as bërjen dhe as zhbërjen e Gjykatës Speciale. Por, ai ka premtuar se nuk do t`i dorëzojë të akuzuarit për gjykim në Hagë! OVL të UÇK-së, ka përgatitur dekoratën e heroit për Kurtin, nëse do ta realizojë këtë! Ai thotë se kriminelët duhet t`i dënojmë ne, në Kosovë. Por, kur e pyetën gazetarët: "Pse nuk i arrestoni kriminelët, kur populli i akuzon me dëshmi dhe emra?", kryeministri u përgjigj: "Ne nuk e kemi atë mundësi, pushtetet janë të ndara!"Së fundi , ministrja e Drejtësisë, Albulenë Haxhiu, u ankua se kuadri i drejtësisë po rezistojnë dhe nuk po e pranojnë Vettingun! Atëherë lind pyetja logjike, a mund ta bëjnë drejtësinë, gjykatësit e emëruar nga shefat e akuzuar për krime?! E gjithë kjo është hipokrizi e Kurtit, rrjedhimisht, është i pabesueshëm. Çështjen e krimit të organizuar, Kurti nuk e ka potencuar as përgjatë fushatës, siç e ka bërë namin për korrupsionin dhe abuzimin në të gjitha mënyrat me pushtetin. Edhe Avdullah Hoti, në cilësinë e kryeministrit të pretenduar, nuk pritet ta bëjë ndonjë mrekulli zbulimi e ndëshkimi të kriminelëve listues dhe ekzekutues të viktimave shqiptarë, gjatë dhe pas luftës. Shefi i grupit parlamentar aktual, Arben Gashi, në vitin 2015 thoshte se, tani, që LDK-ja e ka kryeministrin dhe Skënder Hysenin ministër të Brendshëm, do t`i zbulojë vrasjet politike të pasluftës dhe do t`i arrestojë e dënojë kriminelët! Dhe, çfarë bëri Skënder ministri, ke zbuli, arrestoi apo dënoi ai?! Fundja, është ish-kryeministri Mustafa, i cili në vitin 2016, deklaronte se "Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet, përfshi edhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, për liberalizimin e vizave!" Një gënjeshtër e madhe sa vet bjeshka! Askush nuk ishte zbuluar dhe as dënuar për këto vrasje. Ai i rehabilitoi dhe i fali kriminelët - en bloc -! Njëjtë si Nasim Haradinaj i AAK-së: "Punë e madhe se janë vrarë veprimtarët e LDK-së!"Akademik Hoti i ka parë me dyshim edhe shkarkimet e bordeve nga kryeministri Kurti! Por, ndryshimi nuk bëhet me ecje breshkore, sepse nuk do të mjaftonte, jo vetëm mandati 4-vjeçarë, por, as dekadat. Kosova përballet me defektin e madh. Tashmë, krimi i organizuar vrastar ka ndodhur. Dhe varret janë anekënd Kosovës. Për rrjedhojë, kemi gjendje mjerane, në nivel shtetëror e pushtetar. PAN-i ka qenë dhe mbetet i shantazhuar nga Serbia dhe Gjykata Speciale. Ndërsa LDK-ja, më saktë, klani i saj brenda Kryesisë, vazhdon të shantazhohet nga PAN-i, përkatësisht, SHIK-u i tij. Përndryshe, ngulmimi i LDK-së, për ta kthyer në pushtet PAN-in, nuk ka një arsye të dytë!

Bota sot: A besoni se LVV e PDK mund të bashkëpunojnë si opozitë?

Idriz Zeqiraj: Bërthama drejtuese e LVV shquhet për ngarkesë ideologjike majtiste, tërësisht, paradoksale, në kohë dhe hapësirë. Denoncimet e bëra nga të rebeluarit, brenda saj, tani, në PSD, për shkak të protagonizmit të ekstrem të liderit Albin Kurti, janë për të qarë dhe për të qeshur. Kthimi ke citatët demagogjike të Leninit dhe të Enver Hoxhës, janë anakronizëm, për epokën digjitale. LVV nga një organizatë grupore, dikur, rritja e saj gjeometrike, sot është masive, deri në fitoren e zgjedhjeve qendrore. Elektorati i saj është hetoregjen. "Ndër këto troje është përzier gjithfarë ujemi", - shkruan Azem Shkreli në romanin "Karvani i bardhër". Përveç të majtëve të rreshkur nga PDK-ja, të cilët nuk duruan liberalizmin, zbutjen e majtizmit në atë parti dhe u strehun në LVV, si bastion ekstrem majtist, tashmë, këtë subjekt e kanë begatuar edhe të tjerë. Janë brezi i ri, përfshi këtu edhe nga LDK-ja, të cilët nuk kanë asnjë ngarkesë ideologjike majtiste dhe, aq më pak bazë familjare të kësaj ideologjie. Thjeshtë, janë zhgënjyer nga sjelljet teknokrate, pasiviteti dhe vasaliteti i LDK-së, ndaj Hashim presidentit dhe partisë së tij. Kjo lëvizje e të rinjve, ka polarizuar edhe familjet, tradicionalisht të djathta, tani, fëmijët e tyre votojnë ndryshe nga prindërit. Mendoj se koalicioni LVV-LDK ishte nga më të qëlluarit, më të pranuarit nga shqiptarët, madje, më shpresëdhënësit për shqiptarët. Nga LDK-ja, si parti e vjetër, e matur në vendime, mund të mësonte dhe përfitonte shumë LVV. Numrat e bollshëm për qeverisje, garantonin përmbylljen e mandatit qeverisës, madje, mund të pretendonin edhe mandatin plus katër. Dibranët kanë një urtësi: "Një mendje - asnjë mendje; dy mendje - gjysmë mendje; tri mendje - një mendje". Dështimi spektakular i Kurtit në qeverisje, flet për egon e tij individuale, një mendësinë e tij në marrjen e vendimeve. Kur Prof. Mazllum Baraliu dhe ndoca figura tjera, iu bashkëngjitën LVV, mendova se do të ushtrojnë ndikim pozitiv, në maturimin e Kurtit. Por, çuditërisht, nuk ndodhi! Përkundrazi, Kurti i aktivizoi militantët ideologjikë, të cilët veçsa e nxitnin drejt së greminës.  Kur Albini nuk mundi të qeverisë me LDK-në urtake, vështirë do ta bëjë edhe opozitën me PDK-në zevzeke. Megjithatë, duke hyrë në folenë e SHIK-ut, për interesa në perspektivë, PDK-ja mund të bëjë kompromise, jashtë natyrës së saj. Në provën e parë të koalicionimit, LVV dështoi. Korri fitore meritore, por, nuk diti ta menaxhojë fitoren dhe zhgënjeu me fund. Lë të shpresohet në urtinë "pësimi të shërbejë si mësim". Kurti duhet të ndryshojë, sepse pa ndryshuar vet, nuk mund ta bëjë as ndryshimin e premtuar. Të bëhet më tokësor dhe kjo do të ishte e shëndetshme për atë dhe Kosovën. Bashkëpunimi në opozitë, është më i lehtë, se sa në pozitë. Kundërshtia ndaj pozitës, është më pak e përgjegjshme, se sa qeverisja, marrja e vendimeve. LVV ka dëshmuar se opozitarizmin e ka filluar me të tjerët. Dhe, kur të tjerët kanë stopuar, ajo ka vazhduar, madje, suksesshëm, e vetmuar. Kujtoni protestën e 29 shtatorit 2019, kur, edhe e vetme, mrekulloi me shumësinë e protestuesve, me stërmbushjen e bulevardit qendror të Prishtinës, në mbrojtje të territorit tokësor të Kosovës, të vënë në anëkand nga Hashim presidenti.  Lëvizja Vetëvendosje ishte e vetme në mbrojtje të Republikës. U përgjak në mbrojtje të Veriu të Mitrovicës; kundërshtoi 6-pikësin e Ban Ki Munit; ishte zëshme, deri në ndalimin e Zajednicës; kundërshtoi me forcën e protestimit zgjedhjen e Hashimit president; ngulmoi në kundërshtinë e Demarkacionit e, deri në kundërshtimin e ndarjes të Kosovës, dje dhe sot. Përgjatë mbrojtjes të Republikës, në protestat e dhunshme, LVV i bëri "kurbanë" edhe tre djemtë, aktivistë të saj të devotshëm. Pra, LVV, e specializuar në opozitarizëm; si fillestare, e suksesshme në qeverisje; por, dështake në menaxhimin e fitores meritore./Fund

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat