Bulliqi “godet” ish-partinë dhe Agim Veliun: LDK-ja e kapur nga disa njerëz pa legjitimitet popullor

Intervista

Bulliqi “godet” ish-partinë dhe Agim Veliun: LDK-ja e kapur nga disa njerëz pa legjitimitet popullor

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 maj 2020 Në ora: 14:24
Shpejtim Bulliqi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i saj për kryetar të Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, pasi nevojitet legjitimitet i ri për shkak se është devijuar vota qytetare.

Ai duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” për çështjen e mandatarit, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të jap verdikte të ndryshme për çështje të njëjtë nga ato që ka dhënë nga viti 2010 dhe 2017 pa i humbur kredibilitetin vetvetes.

Bulliqi ka thënë se VV-ja është e zhgënjyer nga LDK-ja, duke deklaruar se kjo e fundit është e kapur nga disa njerëz pa legjitimitet popullor, por që kanë fuqi të madhe brenda subjektit dhe bëjnë pjesë tek plaçkitja e buxhetit të Kosovës.

Zyrtari i VV-së ka theksuar se duhet të largohen nga pushteti njerëzit e rrezikshëm, të cilët tregtojnë me me tokat dhe pasuritë e Kosovës. Ai ka paralajmëruar se pasojat mund të jenë të pashmangshme.

Bulliqi ka treguar pse e sheh qershorin të përshatshëm për zgjedhjet në komunën e Podujevës dhe i është përgjigjur akuzave të nënkryetarit të LDK-së Agim Veliut.

Ai poashtu ka akuzuar LDK-në në Podujevë për keqpërdorime gjatë kohës së pandemisë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Keni kërkuar që zgjedhjet në komunën e Podujevës të mbahen në gjysmën e qershorit. Sa do të jetë e mundshme kjo, duke marrë parasysh kufizimet për pandeminë COVID-19?

Shpejtim Bulliqi: Po, është e vërtetë. E kam konsideruar se situata me pandeminë është nën kontroll të plotë nga organet shëndetësore si dhe në komunën tonë nuk janë paraqitur raste të reja dhe nuk ka asnjë të infektuar. Megjithatë, fjalën përfundimtare duhet ta jap IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë së bashku me KQZ-në.

“Bota sot”: Çka do të bëjë Shpejtim Bulliqi për qytetarët e Podujevës nëse i fiton zgjedhjet?

Shpejtim Bulliqi: Unë si kryetar i ardhshëm do të angazhohem maksimalisht për të sjellë një frymë të re të punës, të transparencës dhe të sjellim njerëz me integritet të lartë profesional për t'u dhënë hapësirën e nevojshme për të punuar dhe bërë ndryshimet e nevojshme.

“Bota sot”: Si e vlerësoni menaxhimin e situatës nga institucionet dhe Qeveria e Kosovës për pandeminë e Koronavirusit, me theks në Komunën e Podujevës?

Shpejtim Bulliqi: Organizatat ndërkombëtare kredibile e kanë vlerësuar Kosovën si një prej vendeve që ka menaxhuar më mirë me pandeminë dhe parandalimin e përhapjes së coronavirusit. Sa i përket Komunës së Podujevës, qytetarët i kanë respektuar masat e vendosura nga qeveria, ndërsa institucionet lokale nuk është se kanë vepruar drejtë me tenderimin për pajisjet mjekësore që janë blerë për parandalimin e përhapjes së virusit duke i blerë mbi vlerën e tregut. Poashtu, sipas informatave që kam, shpërndarja e pakove ushqimore nga buxheti që është ndarë nga Kuvendi Komunal, janë keqpërdorur dhe nuk i kanë shfrytëzuar familjet në nevojë, por i kanë shfrytëzuar njerëzit e afërm me partinë në pushtet dhe klientela e tyre.

“Bota sot”: Jo rrallëherë kemi parë deklarata të Agim Veliut kundër VV-së, respektivisht ndaj juve, duke iu quajtur “antirugovistin më të madh në Kosovë”. Si i komentoni ato?

Shpejtim Bulliqi: Agim Veliu, përmes shpifjeve të ulëta ndaj meje po shpërfaqë frikën që ka nga humbja e pushtetit në Podujevë dhe e fuqisë së tij politike, ai ka humbur toruan tërësisht dhe nuk dua të merrem me të.

“Bota sot”: Pse Vetëvendosje zgjidhje të vetme pas rrëzimit të Qeverisë, po i sheh zgjedhjet?

Shpejtim Bulliqi: Kuvendi i njëjtë nuk bënë të zgjedhë dy qeveri, nevojitet legjitimitet i ri për shkak se është devijuar vota qytetare. Si dhe duhet t'i kthehemi edhe një herë qytetarëve për të fituar legjitimitet të ri qeveria e ardhshme.

“Bota sot”: A do ta respektojë VV-ja çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e presidentit për mandatarin për formimin e Qeverisë? A do të ketë veprime nga LVV-ja?

Shpejtim Bulliqi: Gjykata Kushtetuese nuk mund të jap verdikte të ndryshme për çështje të njëjtë nga ato që ka dhënë nga viti 2010 dhe 2017 pa i humbur vetvetes kredibilitetin. Nuk mund të paragjykoj veprimet e mëtutjeshme të subjektit tim politik, jemi duke e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Bota sot”: A ka vija të kuqe Lëvizja Vetëvendosje për koalicion me partitë tjera, a mund të ketë një koalicion të dytë VV-LDK?

Shpejtim Bulliqi: Lëvizja Vetëvendosje ka pas vija të kuqe ndaj partive të PAN-it, ndërsa ndaj LDK-së ka qenë e hapur dhe e ka afirmuar bashkëpunimin me këtë subjekt, ndonëse tash jemi të zhgënjyer për shkak se kjo parti është e kapur nga disa njerëz pa legjitimitet popullor, por kanë fuqi të madhe brenda subjektit dhe bëjnë pjesë tek plaçkitja e buxhetit të Kosovës dhe pjesë e proceseve që e kanë dëmtuar shumë Republikën tonë. Nuk kam shumë shpresë për një bashkëpunim në të ardhmen pa ndryshuar strukturat udhëheqëse të partisë.

“Bota sot”: A mund të përsëritet një histori e dytë sikur ajo e Çakorrit, nëse Kosova i jep territor Serbisë për marrëveshjen finale ndërmjet të dyja vendeve? Çka mund të pasojë?

Shpejtim Bulliqi: Ne duhet t'i largojmë njëherë e mirë nga pushteti njerëzit, të cilët janë të shantazhueshëm dhe tregtojnë me tokat dhe pasuritë e Kosovës, këta persona janë të rrezikshëm dhe i bëjnë shumë dëm vendit. Pasojat janë të pashmangshme me njerëz që për interesa të veta personale e grupore dëmtojnë interesat e përgjithshme dhe cenojnë integritetin dhe sovranitetin e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat