Deputetja e Vetëvendosjes: Gjykata Kushtetuese të reflektojë karshi rezultatit të 6 tetorit - Bota Sot
Deputetja e Vetëvendosjes: Gjykata Kushtetuese të reflektojë karshi rezultatit të 6 tetorit

Intervista

Deputetja e Vetëvendosjes: Gjykata Kushtetuese të reflektojë karshi rezultatit të 6 tetorit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 maj 2020 Në ora: 13:48
Ilustrim

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi Murtezi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur për situatën politike në vend, për punën e qeverisë së Kosovës, si dhe për  pandeminë COVID-19 dhe menaxhimin e saj nga institucionet.

Gjithashtu, deputetja e Vetëvendosjes ka deklaruar se përmbysja e rendit të instaluar qeverisës, prioriteti i luftës së korrupsionit dhe nepotizmit, bëri që kjo qeveri të rrëzohet, bashkë me tentativën për të krijuar një qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve.

Për më tepër, Demi Murtezi ka potencuar se koalicioni  LDK dhe opozita është i pamundshëm dhe antikushtetues, dhe sipas saj nuk do t’i sillte vendit diçka të mirë.

Image
Labinotë Demi Murtezi

 “Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Labinotë Demi Murtezi: Situata politike momentale në vend, është me e polarizuar se kurrë. Madje mbi bazën e këtij polarizimi, kemi parë mosgatishmërinë e vazhdueshme, mund ta quaj edhe johumane, për të mbështetur iniciativat parlamentare ligjore, për të tejkaluar më lehtë dhe më mirë pandeminë me COVID 19.

 “Bota sot”: Si e vlerësoni 100 ditëshin e qeverisë në largim?

Labinotë Demi Murtezi: Qeveria në largim ka krijuar një standard të ri qeverisës, të cilin standard do ta ruajmë dhe do ta përforcojmë edhe në të ardhmen. Ulja e numrit të ministrive, përgjysmimi i pagave përqeverinë, pjesëmarrje mbi 30% e grave në qeveri, kujdesi në ruajtjen dhe kursimin e parasë publike, qeverisja me kuadro profesionale, transparenca në çdo aspekt pa hezitim, janë baza e standardit të ri të krijuar.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Ministrisë së Shëndetësisë në luftën kundër pandemisë COVID-19?

Labinotë Demi Murtezi: Ministria e shëndetësisë ka ftuar përbashkëpunim dhe ka ofruar bashkëpunim, me të gjitha institucionet relevante, me referencë të bazuar për çdo hap të ndërmarrë pas vlerësimeve të IKSHPK-së. Kjo edhe ka sjelle rezultate optimale përtej frikës së parashikuar për infektim të mundshëm me virusin korona, dhe kjo vjen si rezultat i reagimit të duhur në momentin e duhur të Ministrisë së Shëndetësisë, duke filluar me mbylljen e shkollave dhe masave tjera mbrojtëse.

“Bota sot”: A duhej të rrezohej qeveria në kohë pandemie, si e keni parë ju atë situatë?

Labinotë Demi Murtezi: Ne jemi rasti i vetëm në botë, janë deputetet e kuvendit që votuan për rrëzimin e qeverisë, ata që i bënë vendit shërbimin më të keq në kohë pandemie. Në të kundërtën, në shumë vende ne kemi pasur edhe mbështetje të qeverisë edhe nga opozita për të luftuar covid 19.

 “Bota sot”: Cila mendoni se është arsyeja kryesore që u rrëzua qeveria Kurti dhe a kishte skenar të përgatitur?

Labinotë Demi Murtezi: Duke e ditur se LVV ështëpër herë të parë në udhëheqjen e qeverisë, ishte befasia e cilësisë në udhëheqje, dhe në anën tjetër tregues për rritje të saj në të ardhmen e afërt. Përmbysja e rendit të instaluar qeverisës, prioriteti i luftës së korrupsionit dhe nepotizmit, bëri që kjo qeveri të rrëzohet, bashkë me tentativën për të krijuar një qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve.

 “Bota sot”: Është akuzuar presidenti Thaçi se është i përshirë në rrëzimin e Qeverisë Kurti, cili është mendimi jua?

Labinotë Demi Murtezi: Deklaratat publike të presidentit, në linjë dhe konstante me partitë në tentativë për qeverinë e re, është treguesi më i mirë i gatishmërisë se Presidentit për rrëzimin e qeverise Kurti.

 “Bota sot”: Kush është fajtor për prishjen e koalicionit LVV-LDK?

Labinotë Demi Murtezi: Duke thyer parimet e bashkëqeverisjes, duke shkelur vendimet e marra bashkë, LDK edhe inicioi mocionin e mosbesimit, dhe kësisoj mori bajrakun dhe braktisi koalicionin.

“Bota sot”: Pse po i shihni zgjedhjet si opsion të vetëm?

Labinotë Demi Murtezi: Sepse vetëm sovrani me votë e ndryshon qeverinë dhe qeverisjen.

 “Bota sot”: Ndërkohë̈ cili është̈ komenti juaj për koalicionin e formuar LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet?

Labinotë Demi Murtezi: Përveç paqëndrueshmërisë në vota brenda kuvendit, paqartësive dhe keqpërdorimeve të dëshmuara në qeverisjen e kaluar, ky koalicion për mua i pamundshëm dhe antikushtetues, nuk do t’i sillte vendit diçka të mirë.

 “Bota sot”: Cilat janë̈ pritjet tuaja lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese pas 29 majit?

Labinotë Demi Murtezi: Pres reflektimin e tyre profesional, karshi vullnetit dhe rezultateve të zgjedhjeve të 6 Tetorit.

 “Bota sot”: Janë paralajmëruar protesta pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për këtë është akuzuar nga opozita se qëndron prapa VV-ja, cila është e vërteta?

Labinotë Demi Murtezi: VV është e popullit, ece, rritet dhe punon për interesat e popullit, dhe bashke me popullin do të jetë në nivel dhe detyrë në çdo moment. Nëse VV vlerëson se duhet të marrë pjesë në protesta, këtë edhe do ta bëj publike.

 “Bota sot”: Kryeministri Kurti është kërcënuar ditë me parë nga ashtuquajtura "Garda Vullnetare Shqiptare", si e komentoni këtë? Kush mendoni se është mbrapa këtij kërcënimi?

Labinotë Demi Murtezi: Me këtë çështje merren organet e hetuesisë.

 “Bota sot”: A ka presion ndaj Qeverisë Kurti , si dhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje?

Labinotë Demi Murtezi : Qeveria Kurti, as Lëvizja Vetëvendosje, nuk merren dhe as nuk ndikohen nga asnjë lloj presioni, përveç atij për transparence dhe llogaridhënie, të cilit proces i prinë vet me dije dhe guxim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat