Drejtori i AKK-së: Ja cilët janë njerëzit më të korruptuar në Kosovë - Bota Sot
Drejtori i AKK-së: Ja cilët janë njerëzit më të korruptuar në Kosovë

Intervista

Drejtori i AKK-së: Ja cilët janë njerëzit më të korruptuar në Kosovë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 qershor 2020 Në ora: 11:21
Shaip Havolli

Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur rreth procesit të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë, për të cilin thotë se është vendosur që të bëhet në mënyrë elektronike për shkak të situatës me pandeminë COVID19. Havolli tregon se 80% e zyrtarëve kanë deklaruar tashmë pasurinë.

Ai tutje flet për zyrtarët e korruptuar, fushat më të ndjeshme ku politikanët po bëhen më të pasur. Poashtu, Havolli ka folur edhe për praninë e korrupsionit në vend.

“Bota sot”: Çfarë po ndodhë me deklarimin e pasurisë, a janë deklaruar të gjithë zyrtarët politikë?

Shaip Havolli: Procesi i deklarimit të pasurisë ka nisur më 01 mars 2020, ndërsa afati paraparë sipas ligjit ka qenë që procesi i deklarimit të pasurisë të përfundojë me 31 mars 2020, por, me qëllim të zbatimit të vendit Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/9, për ndërmarrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus COVID-19 dhe rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, për të ju shmangur kontakteve të drejtpërdrejta, AKK ka shtyrë afatin për një kohë të pacaktuar. Me këtë rast me datë 16 mars 2020, AKK i ka njoftuar të gjitha institucionet publike dhe i ka njoftuar për shtyrjen e afatit të deklarimit të pasurisë brenda mundësive të tyre teknike, që deklarimin e pasurisë ta bëjnë në mënyrë elektronike. Deri tani deklarimin e pasurisë e kanë bërë 80% e zyrtarëve publik, ndërsa, për vitin 2020 janë të obliguar gjithsej 4694 zyrtarë që kanë për obligim ligjor deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë ne Agjencinë kundër Korrupsionit. Në konsultim me institucionet kompetente e AKK do t’i ndërmarre veprimet e mëtutjeshme për deklarimin e pasurisë dhe do t’i njoftojë me kohë institucionet publike.

“Bota sot”: A është ndërmarrë diçka ndaj zyrtarëve të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë gjatë viteve paraprake?

Shaip Havolli: Agjencinë kundër Korrupsionit, organizon dhe mbikëqyr procesin e deklarimit të pasurisë në katër drejtime: deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë, deklarimi me marrjen e detyrës, deklarimi i pasurisë sipas kërkesës së Agjencisë dhe deklarimi pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni. Në të gjitha rastet kur zyrtarët publik nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe nuk kanë ofruar arsyetime, Agjencia kundër Korrupsionit ka ndërmarrë veprimet konform ligjit.

“Bota sot”: A po hezitojnë zyrtarët politikë në deklarimin e pasurisë?

Shaip Havolli:Në përgjithësi zyrtarët e lartë publik nuk kanë hezituar ta deklarojnë pasurinë dhe kjo mund të vërehet edhe nga raporti vjetor i punës së Agjencisë kundër Korrupsionit për vitin 2019, nga përqindja e deklarimit të pasurisë ku nga 4819 zyrtar të lartë publik, sa kanë qenë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë 4759 prej tyre kanë bërë deklarimin e pasurisë, 60 zyrtar të lartë publik, nuk e kanë deklaruar pasurinë, 34 zyrtarë kanë deklaruar pasurinë pas afatit, 12 nga ta nuk kanë deklaruar pasurinë, ndërsa 14prej tyre nuk kanë deklaruar pasurinë me arsye. Në ditët në vijim Agjencia do të dal me njoftim për afatin e fundit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.

“Bota sot”: A ka pasur raste kur ata kanë mashtruar apo kanë deklaruar rrejshëm pasurinë?

Shaip Havolli: Bazuar në përgjegjësitë ligjore, çdo vit kalendarik Agjencia kundër Korrupsionit zhvillon procesin e kontrollit të plotë të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë të cilët deklarojnë pasurinë sipas obligimit të deklarimit të rregullt vjetor dhe përgjatë këtij procesi AKK bënë kontrollin e plotë të pasurisë për 20% nga numri i përgjithshëm i deklarimeve. Procesi i përzgjedhjes së formularëve që i nënshtrohen kontrollit të pasurisë bëhet në bazë të shortit në prezencën e mediave dhe shoqërisë civile. Pas përfundimit të kontrollit të plotë të pasurisë, ndaj zyrtarëve të lartë publik të cilët deklarojnë rrejshëm pasurinë e tyre, duke mos ofruar të dhënat e sakta, ashtu sikurse kërkohen në formularë, në momentin kur konstatohen elemente të veprës penale të sanksionuara me Kodit Penal të Kosovës, të njëjtat raste AKK i përcjell me kallëzime penale në Prokurori.

Përveç informatave të evidentuara nga procesi i kontrollit të plotë të pasurisë, inicion raste për fshehjen e pasurisë ose deklarimin e rrejshëm, AKK inicon raste edhe sipas zyrtare si dhe inicon raste duke u bazuar edhe në informatat e pranuara nga qyfterët, mediat dhe shoqëria civile në tërësi.

“Bota sot”: A ka të atillë që e fshehin pasurinë, nuk e deklarojnë tërësisht?

Shaip Havolli: Siç e theksuam më lartë, në të gjitha rastet kur Agjencia kundër Korrupsionit siguron prova se subjektet deklaruese kanë fshehur deklarimin e pasurinë, ose nuk e kanë deklaruar tërësisht, Agjencia kundër Korrupsionit ndërmerr veprimet konform ligjit.

“Bota sot”: Sipas juve, a ka korrupsion në Kosovë?

Shaip Havolli: Korrupsioni në Kosovë ekziston si dukuri dhe veprim dhe vazhdon të mbetet sfida dhe problem kryesor e shtetit të Kosovës duke penguar zhvillimin e vendit në mënyrë serioze në shumë procese integruese. Këtë nuk e them vetëm unë si Drejtor i Agjencisë kundër Korrupsionit, por prezenca e korrupsionit në vend është konfirmuar edhe përmes rasteve në praktikë të cilat janë në proces gjyqësor. Niveli i korrupsionit në Kosovë, tanimë nuk ka të bëjë vetëm me perceptim publik, por me një fenomen i cili po ndodh dhe është i evidentuar edhe në raportet ndërkombëtarë dhe vendore që publikohen në mënyrë të vazhdueshme.

Masat parandaluese të luftimit të korrupsionit janë domosdoshmëri dhe si të tilla do të duhej të trajtoheshin nga institucionet e Kosovës të cilat nëpërmjet kornizës ligjore do të rrisin llogaridhënien e zyrtarëve të lartë publik gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në të gjitha nivelet e institucioneve publike.

Iniciativat dhe veprimet e institucioneve të Kosovës në mënyrë emergjente do të duhej të krijonin sistem të mirëfilltë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit që do të duhet të orientohen në ngjitjen e vetëdijes së zyrtareve publik në forcimin e integritetit personal dhe institucional gjatë ushtrimit të funksioneve publike dhe proceseve vendimmarrëse.

“Bota sot”: Kush janë njerëzit më të korruptuar në vend, qeveritarët, njerëzit e kompanive publike apo kryesuesit e bordeve ?

Shaip Havolli: Agjencia nuk kryen vlerësime të tilla por bazuar në rastet të cilat trajtohen nga Agjencia kundër Korrupsionit, personat e përfshirë në këto raste i takojnë profileve dhe niveleve të ndryshme si: Deputet, zëvendës ministër, këshilltarë të ministrave, ministra, këshilltarë e sekretarë në ambasada, kryetarë e nënkryetarë të komunave, kryesues të kuvendeve komunale, këshilltarë të asambleve komunale, kryesues, zëvendës kryesues dhe anëtarë të këshillit drejtues në universitetin publik, dekanë në fakultete të universiteteve publike, gjyqtarë, auditorë, drejtorë në agjenci ekzekutive në kuadër të ministrive, drejtorë departamentesh në ministri, menaxherë dhe zyrtarë të prokurimit, zyrtarë financiarë në nivel lokal, drejtorë klinikash, drejtorë e anëtarë bordesh të ndërmarrjeve publike, sekretarë ndërmarrjesh publike, etj.

“Bota sot”: Cila është fusha e me ndjeshme, në të cilën edhe po bëhen të pasur politikanët?

Shaip Havolli: Fushëveprimi i Agjencisë kundër Korrupsionit është i përqendruar në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit të bazuara në legjislacionin aktual që ka rregulluar kompetencat e AKK-së, puna e Agjencisë është që përqendruar në hetimet dhe aspektet administrative të bazuara në procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, deklarimit dhe regjistrimit të dhuratave të zyrtarëve publik Parandalimit të rasteve të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, monitorimit të aktiviteteve të prokurimit publik, hetimin dhe zbulimin e rasteve me natyrë të korrupsioni dhe trajtimin e rasteve të cilat lidhen me sinjalizuesit. Bazuar në informatat dhe raportet në përgjithësi që vlerësojnë këtë fenomen konsiderojmë se prokurimi publik dhe menaxhimi i financave publike vazhdojnë të jenë sektorët më të ndjeshëm ndaj veprimeve korruptive.

“Bota sot”: Sa lëndë ka dërguar AKK në prokurori, për korrupsion, konflikt të interesit dhe mos deklarim të pasurisë ?

Shaip Havolli: Gjatë vitit të kaluar AKK ka iniciuar 102 raste të cilat i ka proceduar në Prokurori dhe Policinë e Kosovës, përkatësisht në Departamentin për Hetime dhe Krime Ekonomike të Kosovës. Struktura e veprave penale të përcjella në institucionet kompetente karakterizohen me mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, keqpërdorim të Pozitës apo autoritetit zyrtar, veprimet korruptive të parapara me Kodin Penal të Kosovës dhe vepra penale të shoqëruar edhe me veprën penale të Mashtrimit gjithashtu të parapara Kodit Penal të Kosovës. Ndërsa, në mbështetje të forcimit të Ligjit dhe parandalimit të konflikt të interesit në institucioneve publike, Agjencia kundër Korrupsion, gjatë vitit 2019 ka ofruar në mënyrë të vazhdueshme mbështetje dhe këshilla për të gjitha institucionet, duke dhënë sqarime se si të veprohet në raste të shfaqura për konflikt të interesit, mënyrën e menaxhimit, parandalimit të tyre dhe zgjedhjes. Gjithashtu janë realizuar një seri të punëtorive me institucionet publike lidhur me parandalimin e konflikt të interesit.

Për vitin 2019 Agjencia kundër Korrupsionit ka trajtuar gjithsej 169 raste për konflikt të interesit. Nga 167 raste të paraqitura për konflikt interesi, për 104 prej tyre, AKK ka dhënë Opinione, Këshilla ose Përgjigje konkrete, 26 nga rastet janë shmangur situatave të konfliktit të interesit, 7 raste kanë rezultuar pa konflikt interesi, 3 raste janë përcjellë për hetim të mëtutjeshëm, ndërsa 2 raste kanë rezultuar me procedura kundërvajtëse. Nga numri i rasteve që AKK ka raportuar për kundërvajtje, është një rast të cilin Gjykata e ka përfunduar me Aktvendim të formës së prerë e me dënim me gjobë për një zyrtar të lartë publik i cili edhe është larguar nga pozita që e ka sjellë në konflikt interesi. Ndërsa për rastet e tjera për të cilat AKK ka vazhduar hetimin dhe ato për të cilat është iniciuar procesi i kundërvajtjes janë akoma në proces, në pritje të epilogut përfundimtar.

Agjencia kundër Korrupsionit, nga viti 2019, në përputhje me kërkesat e Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit, në bashkëpunim me të gjitha institucionet publike të ka themeluar autoritet përgjegjëse brenda institucioneve publike të Kosovës dhe përmes autoriteteve përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesit nëpër institucione përkatëse, gjatë vitit 2019 janë identifikuar 231 raste të mundshme të konfliktit të interesit.

“Bota sot”: A po e bën punën e vet drejtësia sa i përket rasteve të korrupsionit?

Shaip Havolli: Në raport me rastet e dërguar nga Agjencia kundër Korrupsionit në Prokurori, Konsiderojmë se, një numër i madh i tyre rezulton me aktakuza dhe pastaj edhe arrijnë të gjykohen, megjithatë mbetët shumë punë për tu bërë lidhur me rastet e korrupsionit të nivelit të lartë ku janë të përfshirë njerëz të cilët kanë ushtruar apo ushtojnë detyra të rëndësishme publike dhe kanë rol të rëndësishëm në procese të vendimmarrjes.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat