Ish deputeti i LDK-së: Deri në fund të vitit arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi, pres nga Specialja të kryejë punën e saj të drejtë

Intervista

Ish deputeti i LDK-së: Deri në fund të vitit arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi, pres nga Specialja të kryejë punën e saj të drejtë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 26 qershor 2020 Në ora: 13:14
Naser Rugova

Publikisht shkroi se nënkryetarja e LDK-së dhe anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm, njëherësh kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani, duhet të ndalojë së luajturi zëdhënësen e VV-së. E ish deputeti Naser Rugova, beson se Osmani do të kthehet aty ku e ka vendin e merituar në reformimin dhe forcimin e LDK-së. Në një intervistë për gazetën “Bota sot” ai ka komentuar dhe aktakuzën ndaj presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit, duke thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe kishte karakter çlirimtar, ndërsa për përgjegjësitë individuale drejtësia duhet ta bëjë punën e vet. Ndërsa, sa i përket marrëveshjes finale me Serbinë, duhet të arrihet deri në fund të vitit.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Naser Rugova: Gjendja aktuale politike në vendin tonë vlerësoj se po shkon drejt normalizimit, edhe në ndërtimin e një konsensusi politik në rrafshin e brendshëm edhe në artikulimin dhe unifikimin e qëndrimeve shtetërore në rrafshin e jashtëm. Pres zhvillime pozitive në të dy drejtimet.

“Bota sot”: Po atë shëndetësore, derisa e dimë që së fundmi kemi pasur rritje të numrit të personave të infektuar me koronavirus?

Naser Rugova: Pandemia Globale e COVID 19 ka sfiduar dhe vazhdon të sfidoj shtete shumë të zhvilluara me sisteme shëndetësore shumë të konsoliduara. Deri në këto ditët e fundit Kosova e ka menaxhuar mirë situatën me pandeminë. Rritja enorme e numrit të rasteve 10 ditët e fundit korrespondon me lirimin e masave, hapjen e ekonomisë dhe bizneseve, mosrespektimi i rregullave dhe manualit të ri të IKSHP-së, neglizhimi i situatës nga qytetarët por edhe papërgjegjësia qytetare. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm ditët në vijim. Nëse vazhdon ky ritëm i rasteve pozitive rrezikohet seriozisht shëndeti publik por rrezikojmë edhe kollabimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga Qeveria Hoti?

Naser Rugova: Pres efikasitet, pragmatizëm, zbatim të programit qeverisës, menaxhim profesional dhe angazhim serioz për ta mundur pandeminë, hapa konkret për rimëkëmbjen ekonomike, sundim të rendit dhe ligjit, unitet funksional dhe arritje e konsensusit politik, udhëheqje dinjitoze dhe konform kushtetutës së Kosovës sa i takon procesit të dialogut me Serbinë.

“Bota sot”: A ishte i drejtë rrëzimi i Qeverisë Kurti nga LDK në kohë pandemie?

Naser Rugova: Kam përshtypje se Kurti me veprimet e veta rrëzoj vetveten. Papërvoja politike dhe koncepti populist si dhe fiksioni i liderit që thuajse kishte fituar mbi 50% të votave e futën Kurtin në një labirint pa rrugëdalje. Sjellja autoritare dhe jo korrekte me partnerin kryesor të koalicionit dhe refuzimi i bashkëpunimit me partnerët strategjik ishin veprime që nuk kishin si ta shpëtonin Kurtin dhe atë qeveri pa rënë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni ngritjen e aktakuzave nga Prokuroria e Specializuar e Gjykatës së Hagës për Thaçin dhe Veselin?

Naser Rugova: Konsideroj se ne si politikanë nuk duhet të komentojmë dhe të japim vlerësime për punën e organeve të drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe kishte karakter çlirimtar. Këtë vlerë të vendit dhe popullit tonë nuk mund ta njollosë askush. Për përgjegjësitë individuale drejtësia duhet ta bëjë punën e vet. Unë besoj në drejtësi.

“Bota sot”: Kur mendoni se do të kemi një marrëveshje finale me Serbinë?

Naser Rugova: Mendoj se ka ardhur koha që edhe këtij procesi t’i vije fundi. Serbia duhet të lirohet nga “kompleksi” i Kosovës dhe duhet ta pranoj realitetin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Është interes i joni si shtet dhe si popull ta përfundojmë këtë kapitull me Serbinë si etapë e fundit e përmbylljes së shtetndërtimit, njohja reciproke, parimet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi ekonomiko-tregtar dhe integrimet euro-atlantike duhet të jenë parimet bazë të marrëveshjes finale Kosovë - Serbi. Pres finalizim të të marrëveshjes deri në fund të këtij viti.

“Bota sot”: Keni qenë pro largimit të Vjosa Osmanit nga posti i nënkryetares së partisë dhe anëtares së kryesisë. A ishte i drejtë ky largim i saj?

Naser Rugova: Në fakt unë e kam këshilluar dhe sugjeruar znj.Osmani që mos ta luaj rolin e zëdhënëses së VV-së duke qenë zyrtare e lartë e LDK-së, bile i kam shkruar publikisht se po dukesh keq në atë rol. Besoj se znj.Osmani e ka të qartë se si funksionon një subjekt politik, pas vendimit të KP të LDK-së pres reflektim nga të gjithë, besoj edhe znj. Osmani do të kthehet aty ku e ka vendin e merituar në reformimin dhe forcimin e LDK-së.

“Bota sot”: Ka pasur edhe deputetë që kanë votuar kundër qeverisë Hoti. A do të merren masa edhe për ata?

Naser Rugova: Ata deputetë i kam miq dhe kolegë të mirë, kanë bërë gabim edhe partiak edhe politik, por në politikë ndodhin veprime dhe vendime të tilla, nuk pres asnjë masë ndaj tyre, pres që edhe këta kolegë t’i kthehen angazhimeve politike në funksion të rritjes, forcimit dhe avancimit të LDK-së.

“Bota sot”: A mendoni se është dashur të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, kur zgjedhjet në dy komuna në venin tonë nuk janë lejuar të mbahen për shkak të pandemisë?

Naser Rugova: Të jemi realist, që nga pas lufta me mbikëqyrje ndërkombëtare në të gjitha proceset elektorale të organizuara në Serbi janë mbajtur edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kjo do të zgjasë deri në arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, me pranimin e shtetit të Kosovës nga Serbia atëherë manovrimet e tilla politike dhe elektorale nuk do kenë as efekt politik e as juridik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat