Flet deputeti shqiptar në Serbi: Pas aktakuzës nga Specialja për Thaçin e Veselin, shumëçka do jetë ndryshe për shqiptarët

Intervista

Flet deputeti shqiptar në Serbi: Pas aktakuzës nga Specialja për Thaçin e Veselin, shumëçka do jetë ndryshe për shqiptarët

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 27 qershor 2020 Në ora: 08:24
Shaip Kamberi

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi do të jetë deputet në legjislaturën e re të Kuvendit të Serbisë.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Kamberi ka folur për listën e përbashkët me partitë shqiptarë në Kosovën Lindore që garuan në zgjedhjet e fundit në Serbi

Gjithashtu, Kamberi është shprehur Kosova Lindore duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë- Serbi.

Po ashtu, ai ka folur edhe për kauzat të cilat do t`i dërgoj përpara në Parlamentin e Serbisë.

“Bota sot”: Si shkuan zgjedhjet në Serbi?

Shaip Kamberi: Mund të them se arritja e rezultatit prej dy e ndoshta me tre deputetë shqiptarë, është një e arritur e listës tonë të përbashkët, edhe pse jo gjitha partitë kanë qenë njëlloj të angazhuara në këtë fushatë.

“Bota sot”: Si ka shkuar fushata politike?

Shaip Kamberi: Në Preshevë, meqë nuk kishte zgjedhje lokale, fushata në tërësi ka qenë e qetë dhe në suaza të një normale jo të zakonshme. Në Bujanoc, ku në të njëjtën kohë janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale, fushata ka qenë më intensive, ndërsa, rezultati për listën Lugina e Bashkuar del më i mirë në Preshevë.

“Bota sot”: Pse, si ndodhi që votuesit e Preshevës dolën me masovikisht në zgjedhje Nacionale, në raport me ata të Bujnanocit, a ndiheni përgjegjës?

Shaip Kamberi: Faktet janë të thjeshta, Partia Demokratike, e cila në zgjedhjet lokale ka marrë 5 mijë vota, në një formë ka sabotuar listën parlamentare. Kandidatë të kësaj partie nga lista lokale në Bujanoc, kanë bërë ftesë publike elektoratit që në listën parlamentare të vendosin IKS, që do të thotë ta bëjnë të pavlefshme. Në jemi në përpunim të votave të çdo vendvotimi për të parë numrin e votave të pavlefshme, atyre që kanë votuar SNS por edhe atyre që kanë votuar SPS (edhe pse ky numër është më i vogël) për të parë saktësisht se pse në Buajoc ka më pak vota.

“Bota sot”: Subjektet tjera politike ne Bujanoc, pra oponentët tuaj politik kanë bërë shumë pak për të mos thënë se nuk kanë bërë fare fushate për zgjedhjet qendrore, ani pse edhe ata ishin pjesë të marrëveshjes me Ministrin Cakaj, pse ndodhi kështu?

Shaip Kamberi: Mjerisht, nuk i kanë ndenjur besnik Marrëveshjes së nënshkruar, e as ministrit Cakaj. Ekzistojnë dëshmi (video incizimet) e fushatave të tyre (me përjashtim të LPD dhe tubimit përmbyllës të APN në Bujanoc) në të cilat në asnjë moment nuk kanë ftuar për të përkrahur listën Lugina e Bashkuar. Në mënyrë drastike ka qenë PD ajo që ka injoruar këtë listë. Paradoksale do të jetë që me gjithë atë bojkot, kjo parti, mund të ketë deputetin nëse ne e fitojmë mandatin e tretë.

“Bota sot”: Subjekti juaj politik i humbi zgjedhjet lokale, megjithatë një lajm i mirë është se prap në Kuvendin Komunal në Bujanoc, shumicë janë shqiptaret me 26 këshilltarë(nëse nuk gaboj), a ka gjasa të ndodhë një pushtet i ardhshëm vetëm mes partive shqiptare në Bujanoc, ju personalisht a jeni ithtarë të kësaj?

Shaip Kamberi: Akoma nuk kanë filluar konsultimet, pritet së shpejti, ne jemi për të ulur dhe biseduar me gjithë partitë shqiptare për të parë mundësinë e një zgjidhje më të mirë.

“Bota sot”: Cilat janë kauzat të cilat do ti dërgoni përpara në parlamentin e Serbisë?

Shaip Kamberi: Ka shumë problematika të cilat ne ndër vite i kemi sensibilizuar, por, që Serbia nuk ka treguar gatishmëri për t’i zgjidhur. Prej nën përfaqësimit adekuat në strukturat e gjyqësorit, policisë organeve e organizatave shtetërore, problemeve në arsim-mosnjohja e diplomave, mungesa e teksteve shkollore, zhvillimi ekonomik që do të duhet të vazhdojmë t’i trajtojmë.

“Bota sot”: A do ta ruani unitetin e partive politike shqiptare ?

Shaip Kamberi: Sa i përket PVD-së në jemi munduar që të jemi maksimalisht të angazhuar për të arritur suksesin lista  e bashkuar. Zgjedhësit tanë në Bujanoc dhe Preshevë kanë përkrahur maksimalisht këtë listë. Prandaj edhe interesi jonë është që të ketë një unitet. Por, uniteti nuk është raport njëanësh, do të varet edhe nga të tjerët se si do të vazhdojmë më tutje. Sabotimet në zgjedhje janë një pengesë e madhe për të ruajtur unitetit e sinqertë.

“Bota sot”: Çfarë pritini nga legjislatura e re në raport me shqiptarët?

Shaip Kamberi: E jona është që të paraqesim problematikat e sipërpërmendura. Nuk dimë akoma a do të ketë klimë ndryshe ndaj shqiptarëve në Beograd. Me një shumicë absolute të arritur në parlament, Aleksandër Vuçiq, realisht nuk ka nevojë për përkrahje tjetër. Sa do të jetë ndikues procesi i dialogimit me Kosovën, rreth të cilit, ditëve të fundit shumëçka ndryshoi, mbetet të shihet. Pra, prej ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit Thaçi dhe z. Kadri Veseli, shumëçka mund të jetë ndryshe, jo në favor tonin.

“Bota sot”: Është përfolur që do të jeni partner me Qeverinë e re te Beogradit, cila është e vërteta?

Shaip Kamberi: Ne mund të jemi partner me Beogradin vetëm në një proces politik për të përmbushur kërkesat tona legjitime.

“Bota sot”: A mendoni se shqiptarët të cilët jetojnë në Kosovën Lindore duhet të marrin pjesë në dialogun Kosovë -Serbi?

Shaip Kamberi: Mendoj se çështja e Luginës së Preshevës dhe vendosja e reciprocitetit në të drejta duhet patjetër të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Bota sot”: Herë pas herë është rihapur ideja për shkëmbim territori ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, cila është komenti juaj?

Shaip Kamberi: Gjithë në Luginë të Preshevës janë për bashkim me Kosovën. Por, kjo temë e cila nxiti debate të shumta në Kosovë, nuk ka një konsensus politik as edhe në Prishtinë. Prandaj në këtë moment, ajo që është e realshme është reciprociteti për të drejta.

“Bota sot”: Çfarë kërkesa keni nga dy shtete shqiptare?

Shaip Kanmberi: Angazhimi i Tiranës për Listën e përbashkët është një shembull i mirë ashtu siç ishte shembull i mirë edhe donacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës në vlerë prej 500 mijë euro për Luginën e Preshevës. Kosova dhe Shqipëria duhet të krijojnë politikë të përbashkët shtetërore ndaj Luginës së Preshevës, nuk na mjaftojnë vetëm përkrahjet deklarative.

“Bota sot”: Si po menaxhohet situata e pandemisë në Kosovën Lindore, përkatësisht në Bujanoc?

Shaip Kamberi: Mund të them që kemi kaluar mirë, bazuar në rrezikun permanent që kemi patur. Në Buajnoc nuk kishte asnjë rast të infektimit nga radhët e shqiptarëve dhe vetëm 6 raste të serbëve lokal. Tash kur janë liruar masat e shumta të kujdesit, kur qarkullimi i njerëzve është më i madh, mund të ekzistojë rrezik më i madh nga virusi Covid 19.

“Bota sot”: Si ia dolët ta menaxhoni situatën pandemike duke e ditur faktin se Qeveria e Serbisë nuk ka ndarë fonde për këtë situatë?

Shaip Kamberi: Përmes mjeteve të buxhetit tonë lokal dhe ndihmës që morëm nga qeveria e Kosovës, ndihmuam, rastet sociale, fermerët e vegjël, dhe bizneset, po ashtu blemë një autoambulancë për Shtëpinë e shëndetit, respirator për Dispanzerin e mushkërive, EKG aparat për ambulancën në Tërnoc dhe pajisim Covid Ambulancën.

“Bota sot”: Si është situata ekonomike e qytetarëve në këtë kohë pandemie?

Shaip Kamberi: Sigurisht e rënduar, për disa muaj bizneset nuk kanë funksionuar dhe kjo edhe më tepër ka rënduar situatën. Mjetet që kemi shpërndarë janë vetëm një ndihmë fillestare. Duhet gjetur mënyra dhe mjete për të ndikuar drejtpërdrejtë në këtë situatë të rënduar sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat