Petritsch: Ndryshimi i kufijve duket se nuk është në tryezën e BE-së​

Intervista

Petritsch: Ndryshimi i kufijve duket se nuk është në tryezën e BE-së​

Më: 10 korrik 2020 Në ora: 15:16
Wolfgang Petritsch

Wolfgang Petritsch, ish-përfaqësues i Bashkimit Evropian në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 1998-1999 thotë se ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë që u mbështet nga ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Frederica Mogerini dhe ekipi i saj negociues duket se nuk është më në tryezën e BE-së.

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress ambasadori Petritsch vlerëson se deklarata e fundit e Grenell është e rëndësishme dhe ekziston një tregues i qartë se SHBA dëshiron një zgjidhje evropiane për Kosovën.

Ai kujton se sa e vështirë ishte të mbledhësh të gjitha grupet politike të Kosovës para Rambujesë. Dhe thotë se, por sapo u arrit kjo, negociatat patën përparim. Kjo duhet të shërbejë si një shembull për një qasje të bashkuar sot.

Kosovapress: Z. Petritsch në të kaluarën ju keni qenë të përfshirë thellë në përpjekjet diplomatike perëndimore për të zgjidhur statusin e Kosovës. Unë e di që edhe tani ju jeni në rrjedhën e zhvillimeve. Siç mund ta shihni, Bashkimi Evropian ka intensifikuar përpjekjet për të rifilluar dialogun, dhe ju keni qenë një përkrahës i bisedimeve që do të ndërmjetësohen nga Brukseli. Nga këndvështrimi juaj, si i shihni zhvillimet rreth negociatave midis Kosovës dhe Serbisë?

PETRITSCH: Pas publikimit të parakohshëm të Gjykatës Speciale në Hagë, në lidhje me Presidentin Thaçi, gjërat në Kosovë, konkretisht e ardhmja e dialogut Beograd-Prishtinë, kanë ndryshuar. Samiti i Uashingtonit u shty dhe është në dyshim nëse ai do të zhvillohet ndonjëherë. Unë kam qenë gjithmonë një përkrahës i fortë i dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe jam akoma i bindur që vetëm një kompromis evropian do të jetë i suksesshëm, i mbështetur nga Beogradi dhe Prishtina do të sjellë normalizimin. Jam gjithashtu i bindur që SHBA-të kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë. Por meqenëse vendimi përfundimtar do të jetë në Këshillin e Sigurimit të KB, ku Rusia dhe Kina kanë veton, Moska dhe Pekini duhet të mbahen të informuara gjithashtu. Unë mbështes ndërmjetësimin e përtërirë të BE me z. Lajçak në krye dhe gjithashtu jam i lumtur për nismat franceze dhe gjermane. Një zgjidhje e qëndrueshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse - politikisht, ekonomikisht dhe nëse një standard i lartë i të drejtave të njeriut dhe pakicave është i përfshirë në këtë kompromis midis Beogradit dhe Prishtinës - dhe i mbështetur nga BE dhe KB.

KOSOVAPRESS: Aktivizimi i drejtpërdrejtë i liderëve të lartë evropianë si Presidenti Macron, Kancelarja Merkel dhe Shefi i BE-së për politikën e jashtme Z. Josep Borell në procesin e dialogut, padyshim që krijon një pritje shumë më serioze për rezultatet. Si diplomat, cilat janë përshtypjet tuaja për këtë dinamizëm, ju lutem më tregoni se çfarë prisni?

PETRITSCH: Unë jam shumë optimist tani që kur fuqitë e mëdha evropiane janë bërë aktive. Le të gjejnë terren të përbashkët Brukseli dhe Uashingtoni me ndihmën e Gjermanisë që mban Presidencën e BE-së. Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të gjetur një zgjidhje.

KOSOVAPRESS: Tani që takimi i 27 qershorit i caktuar të mbahet në Shtëpinë e Bardhë ka dështuar, por Ambasadori Grenell dje bëri një deklaratë në mbështetje të përpjekjeve evropiane, a do të thotë kjo që Brukseli përfundimisht do të jetë qendra e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

PETRITSCH: Deklarata e fundit e z. Grenell është e rëndësishme dhe ekziston një tregues i qartë se SHBA dëshiron një zgjidhje evropiane. Le të përpiqemi ta sjellim Uashingtonin në një zgjidhje që sjell me të vërtetë paqen në rajon.

KOSOVAPRESS: Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Evropës shënuan pikën më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore, për shkak të mosmarrëveshjeve se si të zhvillohet dialogu, duke pasur parasysh deklaratën e Ambasadorit Grenell a prisni që SHBA të mbështesin dialogun sipas modelit evropian?

PETRITSCH: Tani ka arsye për të besuar se SHBA dhe Evropa përsëri do të bashkojnë forcat. Ne kemi parë në të kaluarën se kur Evropa dhe SHBA ishin bashkë, ishin në gjendje të arrinin shumë. Kjo formulë duhet të ringrihet.

KOSOVAPRESS: Bashkimi Evropian ka kundërshtuar fuqishëm idenë e shkëmbimit të territorit midis Kosovës dhe Serbisë si një "mundësi për të arritur një marrëveshje paqeje" ndërmjet tyre. Tani që bisedimet duket se kanë marrë një kthesë tjetër, mendoni se ajo ide tashmë është e vdekur?

PETRITSCH: Ju keni të drejtë, ideja e një demarkacioni të kufirit të pajtuar reciprokisht, që u mbështet nga zonja Mogherini dhe ekipi i saj negociues duket se nuk është më në tryezën e BE-së. Por më lejoni t'ju them një gjë: Vetëm nëse ekziston një marrëveshje e drejtë kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës, zgjidhja do të ketë një shans të ketë sukses në të ardhmen. Pra, lërini negociatorët të bëjnë punën e tyre. Në fakt, ata duhet të punojnë shumë sepse paqja do të varet nga angazhimi i tyre. Do të jetë e vështirë por është e arritshme. Thjesht mendoni për shumë marrëveshje që janë arritur gjatë viteve të kaluara. Dihet, shumë prej tyre ende duhet të zbatohen dhe Asociacioni i Komunave Serbe është ende në pritje. Le të përdorim tani kohën dhe të zbatojmë pjesët e dakorduara tashmë të dialogut. Kjo do të krijojë besim dhe do të ndihmojë të gjithë qytetarët të ndjehen më të sigurt në atdheun e tyre.

KOSOVAPRESS: Z. Petritsch, para disa muajsh Z. Albin Kurti ishte Kryeministër dhe u krijua përshtypja se ai fitoi simpati të madhe, veçanërisht nga udhëheqja evropiane. Tani që duket se bisedimet do të ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, mendoni se imazhi i Kurtit do të mungojë në këto negociata?

PETRITSCH: Për të qenë të fortë ju duhet një qëndrim i përbashkët në dialog. Aty z. Kurti është i rëndësishëm, por edhe ai duhet të gjejë terren të përbashkët me forcat e tjera politike në vend. Mbaj mend se sa e vështirë ishte të mbledhësh të gjitha grupet para Rambujesë. Por sapo u arrit kjo, negociatat patën përparim. Kjo duhet të shërbejë si një shembull për një qasje të bashkuar sot.

KOSOVAPRESS: Delegacioni i Kosovës po udhëhiqet nga Kryeministri Hoti në bisedime. Një pjesë e opozitës në Kosovë nuk e konsideroi të ligjshme dhe të besueshme, pasi ai erdhi në këtë pozitë pas rrëzimit të Qeverisë Kurti në kulmin e pandemisë, ndërsa ata ishin në koalicion me z. Kurtin. Tani ajo që dua të ju pyes është, a besoni se lidershipi aktual është në gjendje të arrijë një marrëveshje me Serbinë, duke pasur parasysh që ato kanë një shumicë të thjeshtë parlamentare dhe është e vështirë të ratifikojë marrëveshjen në Kuvend në këtë përbërje forcash?

PETRITSCH: Trazirat e kaluara nuk ishin të dobishme për Kosovën dhe kanë demonstruar përçarjen e thellë brenda vendit. Sidoqoftë, evropianët e kanë njohur qeverinë e Hotit dhe e kanë njohur atë si përfaqësuesin e vendit të tij. Po, keni të drejtë, qeveria aktuale nuk duket të jetë shumë e fortë. Nuk e di nëse nuk do të ishte më mirë të bëheshin zgjedhje të reja së shpejti në mënyrë që të kemi një qeveri plotësisht legjitime dhe më të fortë. Kosovarët do të duhet të vendosin nëse dëshirojnë një qeveri të bashkuar politikisht, e cila përfaqëson të gjithë qytetarët e saj. Por për këtë politikanët kryesorë do të duhet të ulen së bashku dhe të marrin një vendim të tillë.

KOSOVAPRESS: Që nga dita kur Gjermania mori përsipër presidencën e Bashkimit Evropian, në Kosovë është krijuar një perceptim, ose më saktë një shpresë për liberalizimin e vizave. A mund të ndodhë një gjë e tillë brenda kësaj periudhe gjashtëmujore?

PETRITSCH: Në Gjermani shumë e mbështesin liberalizimin e vizave, disa në BE janë akoma kundër tij, përkundër faktit se Kosova ka përmbushur kërkesat e BE-së tashmë disa kohë më parë. Është e qartë, se pandemia e corona e ka bërë një vendim të tillë akoma më të vështirë. Por le të shpresojmë se Presidenca gjermane e BE-së do të ndjekë në mënyrë aktive liberalizimin e vizave. Do të ishte një hap i parë i rëndësishëm drejt integrimit të kosovarëve në Evropën më të gjerë.

/Wolfgang Petritsch është një diplomat karriere austriak. Në Ballkan ai është angazhuar në vitin 1997-1999 si ambasador i Austrisë në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë. Gjatë së njëjtës periudhë, midis tetorit 1998 dhe korrikut 1999, ai gjithashtu shërbeu si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Kosovën. Nën këtë përgjegjësi ai kryesoi ekipet negociuese të BE në shkurt dhe mars 1999 në bisedimet për Kosovën në konferencën e Rambujesë dhe Parisit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat