Haki Abazi: Duket se Thaçi ka kërcënuar dhe shantazhuar punën e Gjykatës Speciale

Intervista

Haki Abazi: Duket se Thaçi ka kërcënuar dhe shantazhuar punën e Gjykatës Speciale

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 26 korrik 2020 Në ora: 07:57
Haki Abazi

Ish zëvendëskryeministri Haki Abazi, ka thënë se së shpejti do të rrëzohet Qeveria Hoti dhe zgjedhjet mund të mbahen edhe në pandemi, sikur edhe në vendet e tjera. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se situata me pandeminë nuk po menaxhohet mirë dhe se akuzat se numri është rritur pas protestës së VV-së, i quan arsyetime të kota, duke shtuar se LDK po t’i interesonte shëndeti i qytetarëve, nuk do të rrëzonte Qeverinë Kurti në pandemi.

Ai ka folur edhe për intervistim e presidentit në Hagë, për çka thotë se ai do të duhej të jepte dorëheqje, ndërsa sa i përket Koordinatorit për dialog, Abazi thotë se ai është antikushtetues dhe ky post është shpërblim për të për kontributin në rrëzimin e Qeverisë Kurti.

“Bota sot”: Si e vlerëson gjendjen aktuale politike në vend?

Haki Abazi: Gjendja e përgjithshme në vend është e paqëndrueshme politikisht sepse ka ndodhur një tradhti dhe thikë pas shpine. Në vitin 2010 ishte bërë vjedhje industriale e votës qytetare ndërsa me 6 tetor kur votuesit votuan për agjendën e ndryshimit në Kosovë u bë OREKSTIMI i dekadës kundër demokracisë, duke e rrëzuar një qeveri legjitime me shumicë shqiptare DHE DUKE SJELLË NË QEVERI NJË GRUP NEJRËZISH që mbrojnë interesa dhe agjenda pikërisht të atyre kundër së cilëve votuesit kishin votuar me 6 tetor. Kjo situatë është e ndjerë dhe e paqëndrueshme dhe është duke rritur frustrimin qytetar.

“Bota sot”: Sipas jush, si po menaxhohet pandemia nga Qeveria Hoti dhe çka e dallon nga Qeveria e Qeverisë Kurti?

Haki Abazi: Menaxhimi është joefektiv tani në këtë përbërje jolegjitime sepse mungon premisa kryesore e suksesit dhe ai është besimi dhe bashkëpunimi qytetar me institucione. Asnjë qeveri në asnjë situatë nuk mund të jetë e suksesshme edhe sikur të përdor të gjitha masat dhe mekanizmat policor e ushtarak, nëse shumica dërmuese e qytetarëve nuk e respektojnë dhe nuk i besojnë. Në fakt fenomeni i refuzimit dhe protestës kundër qeverive të dhunshme dhe jolegjitime është i lindur në Kosovë. Qytetarët e vazhdojnë drejtimin e tyre pavarësisht se çfarë thotë qeveria kur ata nuk e përjetojnë si të tyren. Ne jemi popull me shumë konfidencë kur vije në pyetje qeveria, ose e duam e mbrojmë me çdo kusht apo e injorojmë dhe nuk e përfillim fare, rrjedhimisht kjo qeveri përveç që ka njerëz të paaftë për të menaxhuar pandeminë, këta nuk gëzohen asnjë gram besim te shumica e popullatës.

“Bota sot”: Ka pasur akuza nga ministri Zemaj dhe të tjerë se numri i rasteve me Covid-19 janë shtuar pas protestës së VV-së. Cili është komenti juaj për këtë?

Haki Abazi: Këto janë arsyetime të kota, e zhurmës që kanë krijuar për të mos u hetuar dështimi në të gjitha drejtimet është duke ju dështuar sepse qytetarët e kanë kuptuar fare mirë që kanë ardhur në pushtet si rezultat i tentimit për të mbajtur njerëzit e tyre në sistemin që ka kapur shtetin. Në fakt tani janë të ekspozuar plotësisht se kapja është bërë Nga njerëz të afër me LDK-në po aq sa edhe nga partitë tjera, d.m.th janë te bashkuar në kapjen e shtetit dhe sikur të ishte halli i tyre shëndeti apo interesi publik, nuk do të rrëzonin qeverinë në mes të pandemisë duke rrezikuar çdo deputet dhe përfaqësues institucional.

“Bota sot”: Pse mendoni se vazhdimisht ka shtim të rasteve me koronavirus?

Haki Abazi: Është rezultat i mungesës së koherencës the bashkëveprimit qeveri-qytetar. Në çdo vend ku ka pasur besim ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesve institucioneve, numri ka rënë dhe është menaxhuar më shumë sukses përhapja e pandemisë.

“Bota sot”: Aktakuza nga Specialja ndaj Thaçit dhe Veselit. A duhej të jepte dorëheqje presidenti para se të shkonte në Hagë dhe pse mendoni se u intervistua aq gjatë?

Haki Abazi: Po, mendoj që Thaçi do të duhej të jepte dorëheqje sepse shteti i Kosovës nuk mund të mbahet peng i një procesi të drejtësisë që është duke u zhvilluar në Hagë në Dhomat e Specializuara të formuara nga vet Thaçi dhe partia e tij. Nuk e di por supozoj që ky intervistim i gjatë është rezultat i negocimit të tij me Gjykatën që ka shtyrë afatin e intervistimeve dhe si duket që ka të bëjë sidomos me akuzën që ai ka përdorur pozitën e tij për të kërcënuar dhe shantazhuar punën Dhomave të Specializuara dhe aty ka qenë fokus i intervistimit të tij. Mendoj që tani është fazë delikate sepse kemi një tendencë që ai të tentojë të përfshijë emrin e UÇK-së në këtë proces, përderisa prokurori amerikan Clint Willimason edhe njëherë e ka përsëritur që janë veprimet e individëve dhe asesi të UÇK-së. Tendencë e Thaçit që përmes UÇK-së në deklarim për procesin në Hagë është i rrezikshëm për UÇK-në dhe luftën që ka bërë UÇK për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Bota sot”: Së fundmi për dialog është emëruar Koordinator nga Qeveria Skënder Hyseni. Si e komentoni këtë dhe cili është roli i tij sipas jush?

Haki Abazi: Roli i Skender Hysenit si koordinator është jokushtetues dhe si i tillë nuk mund të ekzistojë por Hoti ka dashur ta shpërblejë Hysenin për rolin e tij në rrëzimin e qeverisë Kurti dhe krijimin e një situate krejtësisht konfuze me shumë të pavërteta dhe trillime që kishte bërë Hyseni gjatë vizitës së tij në Washington në fillim të punës së qeverisë Kurti. Gënjeshtrat e tij në Washington kanë sjellë një situatë krejtësisht jo reale në Kosovë dhe rrjedhimisht është punuar në rrëzimin e qeverisë Kurti.

“Bota sot”: Qeveria ka marrë vendim që qytetarët të tërheqin 10 për nga kursimet e Trustit. A është vendim i duhur për rimëkëmbje ekonomike?

Haki Abazi: Ky është gabim që është bërë me qëllim të efekteve populiste sepse shtresa që ka më së shumti nevojë janë ata që ose nuk punojnë ose kanë pagë të vogël e që si rrjedhojë 10% është një shumë e vogël, mesatarisht 35 euro që mund t’i marrin. Ata që kanë kontribute të larta në trust, ata janë njerëz me të ardhura të larta që nuk kanë nevojë fare për këtë 10%. Në thelb trusti është fond investitor dhe kur krijohet jostabilitet me vendime politike dhe arbitrare siç është ky vendim i zbret rejtingun e trustit dhe shumë lehtë mund të sjellë deri tek dështimi i sistemit pensional që do të ishte një katastrofë e madhe dhe një humbje e jashtëzakonshme. Ky eksperimentim është joprofesional dhe i dëmshëm.

“Bota sot”: A do të merrni iniciativë për rrëzimin e Qeverisë?

Haki Abazi: Sigurisht ne duhet kthyer procesin tek qytetari për ta rikthyer demokracinë në vend dhe për ta mbrojtur interesin e vendit. Ne do të përdorim të gjitha mjetet demokratike për të shkuar në zgjedhje dhe natyrisht që rrëzimi i kësaj qeverie do të bëhet sa më parë që është e mundur.

“Bota sot”: Pse duhet të rrëzohet Qeveria Hoti?

Haki Abazi: Sepse është shumë e rrezikshme dhe e dëmshme e jo legjitime.

“Bota sot”: A do të duhej të mbaheshin zgjedhjet në këtë kohë pandemie sipas jush?

Haki Abazi: Janë me dhjetëra vende në botë që kanë mbajtur zgjedhje. Kosova nuk bën përjashtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat