Gratë janë qeniet që nuk na kanë zhgënjyer

Intervista

Gratë janë qeniet që nuk na kanë zhgënjyer

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 27 korrik 2020 Në ora: 17:39
Gazetari i gazetës “Bota sot”, Faton Mehmeti, dhe Kristina Gashi-Bytyçi

“Bota sot”: Çfarë ndjesi është të jeni femra e parë kryesuese e Kuvendit Komunal?

Kristina Gashi-Bytyçi: Të jesh gruaja e parë udhëheqëse e Kuvendit të komunës së Ferizajt do të thotë të punosh shumë, me nder e përgjegjësi për t'ju mundësuar shumë grave e vajzave të reja që nesër të kenë ambicie dhe të jenë më të përkrahura nga qytetarët për të qenë udhëheqëse dhe menaxhere të barabarta me burrat

“Bota sot”: Cilat janë të arriturat e Kuvendit Komunal gjatë kohës sa ju jeni në krye të saj?

Kristina Gashi-Bytyçi: Vendimi për ndërtimin Spitalit rajonal, ndarja e parcelës për varrezat e qytetit të Ferizajt, e shumë vendime të cilat kanë rezultuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në këtë mënyrë kuvendi ka prekur të gjitha grupet e interesit si: bizneset, shoqatat e personave me nevoja të veçanta, fëmijët, gratë, duke aprovuar shumë rregullore e Strategji në harmoni me ligjet në fuqi. Ne si kuvend për herë të parë në këtë mandat kemi hartuar dhe aprovuar Planin e punës së Kuvendit të Komunës, poshtu për herë të parë në Komunën tonë kemi hartuar dhe aprovuar Strategjinë komunale për personat me nevoja të veçanta dhe Planin e veprimit. Para disa ditëve për herë të parë kemi filluar komunikimin me qytetarët përmes një rubrike të veçantë në web faqe të komunës për vendimet që merren për diskutim me qytetarët. Gjithashtu, që nga fillimi i këtij mandati kemi përkrahur të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me senzibilizimin e qytetarëve për çështje të rëndësishme në komunën tonë, sidomos ato kundër dukurive negative.

“Bota sot”: Si po e përballon Ferizaj pandeminë Covid 19 ?

Kristina Gashi-Bytyçi: Edhe Ferizaj si të gjitha komunat e Republikës së Kosovës po ballafaqohet me pandeminë botërore Covid 19, ku pati shumë të infektuar e poashtu ditëve të fundit fatkeqësisht edhe viktima. Por, ne falënderojmë të gjithë stafin shëndetësor, institucionet lokale, përkatësisht shtabin emergjent dhe kreun e komunës së Ferizajt z.Agim Aliu, të cilët janë vazhdimisht në gatishmëri për t’i dalë ballë kësaj situate në të cilën gjendemi, duke ndërmarrë të gjitha masat për luftimin e kësaj pandemie. Një falënderim i veçantë për mantelbardhët, Policinë e Kosovës dhe gazetarët, të cilët janë në krye të detyrës, po gjithashtu edhe bizneset e komunës së Ferizajt, anëtarët e Kuvendit të komunës së Ferizajt, ku në çdo situatë deri më tani kanë treguar solidaritetin dhe mbështetjen për qytetarët në nevojë, duke kontribuar në mënyra të ndryshme për të lehtësuar këtë gjendje tek qytetaret.

“Bota sot”: Duke qenë se edhe vet keni qenë e prekur nga Covid 19, si e përballuat këtë, dhe cila është porosia juaj për qytetarët ?

Kristina Gashi-Bytyçi: Është e vërtetë se edhe unë kam qenë e prekur me Covid-19 si shumë kolegë e qytetarë të Republikës së Kosovës, megjithatë nuk kam pasur simptoma të theksuara. Jemi munduar t’a kalojmë kohën mirë dhe pa panik me familje, përderisa kemi qëndruar të izoluar ashtu siç rekomandohet nga IKSHP. Falënderoj të gjithë ata që më kanë kontaktuar dhe shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen shëndetësore të familjes sime. Përderisa edhe ne nuk mbetëm të pa prekur nga kjo pandemi botërore, i lus qytetarët të respektojnë të gjitha udhëzimet nga IKSHP, sepse duke u kujdesur për vetën, kujdesemi edhe për të tjerët

“Bota sot”: A ka qyteti Ferizajt mjaftueshëm kapaciteti për të përballuar Pandeminë?

Kristina Gashi-Bytyçi: Kur flasim për kapacitet për t'i dalë ballë COVID-19, shtabi emergjent koordinoi të gjitha forcat që të angazhohen përsosshmërisht për të mos rrezikuar jetën e qytetarëve , bashkë me logopedë, mjekë familjar e psikologë. Puna e palodhshme po vazhdon dhe urojmë t'ia dalim mbanë

“Bota sot”: Sa është i fuqishëm roli i gruas në vendimmarrje në Ferizaj, por edhe në nivel vendi?

Kristina Gashi-Bytyçi: Në komunën e Ferizajt në këtë mandat, roli i gruas në vendimmarrje është avancuar, ku për herë të parë Kuvendi i Komunës udhëheqet nga një grua, gjithashtu kemi tri gra drejtore të cilat udhëheqin drejtoritë me rëndesi të lartë dhe deri me tani janë treguar mjaft të suksesshme. Gjithashtu, edhe në nivel vendi roli i gruas është fuqizuar gradualisht, megjithatë le shumë për të dëshiruar. Deri më tani pozitat të cilat janë udhëhequr nga gratë kanë qenë, Presidente, kryeparlamentare, ministre, ambasadore e gjithashtu pozita tjera udhëheqëse në institucionet e vendit tonë. Gjinia femërore ka qenë e margjinalizuar edhe në shtetet më bashkëkohore siç është Zvicra, mirëpo sot ato janë zgjidhja e problemeve. Shtetet si Zvicra, Italia, Kanadaja dhe Norvegjia, duhet të shërbejnë si një shembull e një qeverisje të suksesshme ku mazhoranca qeveritare përbëhet nga gratë dhe vajzat. Edhe në politikën e sotme të Kosovës, gratë janë qeniet që më së paku na kanë zhgënjyer, por edhe gjatë gjitha kohërave si Mbretëresha Teuta, Mamica e Kastriotit, dhe shumë e shumë luftëtare që ishin krahë për krahë me burrat të barabarta përballë armikut në luftën e shenjtë të UÇK-së. Andaj popullit shqipëtar dhe politikës sonë i duhen gratë në udhëheqje.

“Bota sot”: Dhe së fundi, cilat janë synimet tuaja të ardhshme në karrierën tuaj politike?

Kristina Gashi-Bytyçi: Synimi im po edhe i shumë grave e vajzave të Republikës së Kosovës është që të kemi besimin e qytetarëve për të pasur mundësinë të japim më të mirën tonë në politikat e vendit për të kontribuar në shtyllat kyçe në shoqërinë tonë, sidomos tek rinia jonë e mrekullueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat