Nëna Mbretëreshë Geraldina(Apony): Është, koha që Kombi shqiptar të marrë shembull nga Amerika

Intervista

Nëna Mbretëreshë Geraldina(Apony): Është, koha që Kombi shqiptar të marrë shembull nga Amerika

Nga: Elida Buçpapaj në Zyrih dhe Beqir Sina në Nju Jork Më: 7 gusht 2020 Në ora: 16:07
Geralidine Apony

Në këtë 105 vjetor të lindjes së “Trëndafilit të Bardhë”, Mbretëreshës Geraldine të Shqiptarëve, kam dëshirë të kujtoj jetën e gjyshes sime, plot dedikim e dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët, do të shkruante Princ Leka, dje duke kujtuar gjyshen e tij.

"Falë tregimeve të saj për atdheun që e adoptoi, kam mësuar historinë dhe kulturën tonë të vyer! Sot e falenderoj për gjithçka, mbi të gjitha që më edukoi te mos gjykoj, por ti dua njerëzit pa kushte, të jem me këmbë në tokë dhe tu qëndroj sfidave. Për ne ajo është simboli i dashurisë së sinqertë dhe të pakursyer në të mirë dhe në shërbim të të tjerëve. Sot gjyshja ime e shtrenjtë është një engjëll, një shenjtore e pashpallur që vetëm ka dhënë... "

Më mungojnë shumë këshillat e tua, me mungon dashuria që më ke dhuruar...Të dua në përjetësi!

Ndërkohë, në kujtim të këtij 105 vjetori gazeta Bota sot, risjell një intervistë të veçantë, e nga të rrallat e familjes mbretërore shqiptare, në atë kohë, e bërë posaqërisht për këtë gazetë 18 vjet më parë, kur Mbretersha Shqiptare Geraldine Apony - "Lulja e Hungarisë" , jetonte në Johanesburg - dhe po përgatiteshin për tu rikthyer në Shqipëri.

Biseda elektronike me Nanën Mbretershë Geraldine Apony - "Lulen e Hungarisë", nga Oborri Mbretëror Shqiptar - Royal Court of Albania Johanesburg Suoth Africa, u realizua për gazetën Bota Sot, nga Elida Buçpapaj në Zyrih dhe Beqir Sina Nju Jork, në 15 prill 2002

-Nëna Mbretëreshe Geralidin Apony ishte e bija e Kontit Julius Apponyi,një nga familjet më të shquara të Hungarisë,qe rrjedh nga një fis i Atilas,me lidhje gjaku me familje të shumta të Perandorisë së Shenjtë Romano - Gjermanike.Gjyshi i saj ishte Mareshall i madh i oborrit të Franz Jozefit në Budapest.E ëma,Gledis Virxhinia Stjuart,ishte motra e konsullit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara në Amsterdam.Nëna Mbretëreshë lindi në 6 Gusht të vitit 1914 në Gjenevë. Ajo i kreu studimet në kolegjin Sacre Coeur to Presburgut,për shkencat shoqërore dhe ekonomike.Më 27 prill 1983 kontesha Geraldina martohet me mbretin Ahmet Zogu, në ceremonine e organizuar nga dy dhomat e parlamentit.

Se pari na lejoni të përcjellim përgezimet dhe urimet tona të dashura e të ngrohta për ju dhe Familen Mbretërore Shqiptare, nga Drejtori e editori, kryeredaktori e stafi i gazetes kombetare Bota Sot.

Nana Mbretëreshë Geralidine Apony: Edhe unë, ju falenderoj përzëmërsisht për përkushtimin tuaj. Po kështu edhe Mbreti Leka, Mbretëresha Susan e Princ Leka. Na të gjithë e kena vlersue kurdoherë ndihmën shumë të çmueme të gazetës kombëtare Bota Sot, për kontributin e madh që po jep për të gjithë shqiptarët dhe veçmas për Çështjen Kombëtare Shqiptare. Ju urojmë nga zemra që ta vazhdoni me nder këtë detyrë fisnike.

Pas më tepër se 60 vitesh heshtje, presekucioni, padrejtësish dhe vuajtjesh, shqiptarët si në Referendum e 1997 e kanë kthyer kokën sërish edhe një herë nga Mbretëria Shqiptare. Një rol të pazëvëndësushëm ka luajtur dhe shtypi, në veçanti ai i djathtë. A ju sjell kjo shpresë e shqiptarve ndonjë kënaqësi ?

Nana Mbretëreshë Geralidine Apony: Unë i kam shkruejt edhe Kuvendit Shqiptar, duke i thënë se jamë shumë e prekun nga përkujdesja e tyne. E kam vlersue dhe e vlersoj të gjithë median shqiptare në Shqipni dhe në Kosovë, si dhe kudo ku shqiptarët kanë mundësi për të botuar gazeta e revista. Këto i kam vlersue kur kanë shkruejt me zemer për Shqipërinë tonë të dashtun dhe për të gjithë Kombin Shqiptar. Për mue keto kanë qënë lajme shumë të gëzueshme. Kam pa se po vlersohet gjithnjë e ma shumë ashtu si e meriton dhe ashtu siç ka qënë vepra e burrit tim Mbretit Zog I, për krijimin e shtetit modern Shqiptar, si dhe kontributin e Monarkisë Shqiptare në historinë e Shqipnisë. Kjo është shprehje e dinjitetit kombëtar të shqiptarve, sepse pa vlersue historinë kombëtare nuk mund të jesh e të hysh me dinjitet në Europë dhe në botën e sotme moderne

Edhe një herë unë falenderoj duke përfituar nga rasti të gjithë mediat shqiptare përzemërsisht për atë çka kanë shkruar për Mbretin Zog I, e për mue për mbretin Leka dhe për gjithë familjen Mbretënore Shqiptare.

Sa dhe si e keni ndjerë veten Shqiptare? Cilat janë momentet më të veçanta të jetës suaj? Çdo të veçonit nga vitet e Mbretërisë Shqiptare në egzil?

Nana Mbretëreshë Geralidine Apony: Unë jam shqiptare prej ditës që kam shkelë për herë të parë në tokën shqiptare. Kjo më ka dhënë gjithmonë një krenari dhe besim për Shqipërinë dhe shqiptarët tonë të dashtun. Që kur erdha ma së parit në Shqipëri, në dhjetorin e vitit 1937, unë u befasova nga ky vend i mrekullueshëm, nga njerëzit e saj trima, të besës e krenarë për emrin që mbajnë se janë shqiptarë. Unë e kam thënë edhe ma parë në një libër, që është shkruar për mua nga shkrimtarja franceze zonja Josephine Dedet në Paris në vitin 1996 dhe që është përkthyer tani vonë në Tiranë (vitin e kaluar),por po them edhe për gazetën tuaj, se për t'i vlersue shqiptarët, duhet t'i njohësh mirë ata në vendin e tyre, në Atdheun e Shqipeve. E pra, unë atje i takova të gjithë shqiptarët dhe i njoha të gjithë shqiptarët. Nuk ishte vetëm Kurora Mbretërore që na bashkoi zemrat, por ishte dhe vazhdon me qënë dhe sot e kësaj dite bashkë, dashuria e madhe për Atdheun dhe krenaria për flamurin Kombëtar Shqiptar, për Atdhenë, për atë vend të mrekullueshëm. Me kët rast po ju tregoj se e kam mësuar gjuhën shqipe vetëm për dy muaj dhe këtë e kam treguar ma së mirit kur kam pasë rast të flasë edhe para mikrofonit të Radio Tiranës.

Martesa ime me Mbretin Zog I ka qënë ngjarja ma e rëndësishme e jetë sime të dashtun. Ai vetë ishte një shëmbull i pakrahasushëm se si punonte dhe sa sakrifikonte për popullin shqiptar. Jo vetëm por kohën kur ishim bashkë në Shqipëri punonte, por edhe në egzil ai s'pushoi së punuarit për Atdheun e tij. Tashmë dihen takimet dhe korespondecat e Tij me presidentin amerikan Rusvelt, me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Çurçill, e me presidentin francez De Gol.Po jo vetëm me këto, por dhe me të gjitha Mbretërit e asaj kohe të Europës dhe Mesdheut e Azisë deri në Amerikën e Jugut, Afrikë e Australi.

Ngjarje tjetër e madhe ka qënë për mua lindja e djalit tim, Mbretit Leka, nuk e harroj kurrë atë ditë se si u përshëndet kjo lindje, me të shtënat e artilerive dhe se si festonte i gjithë populli shqiptar. Edhe pse gëzimi i madh u ndërpre nga pushtimi fashist, për mua dhe për Mbretin Zog I, ajo mbetet një ditë e paharruar. Djali ynë na ka dhënë veç gezime me të gjitha cilësitë e mrekullueshme që kishte, me krenarinë, mënçurinë dhe besnikërinë që ka për Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar. Unë jam krenare për të dhe për punën e tij të madhe që ka bërë për Atdheun tonë.

Martesa e tij me mbretëreshën Susan, ka qënë një gëzim tjetër i madh për mua. Ajo është një grua e mrekullueshme, që di me respektue dhe me mbajt detyrime karshi burrit e familjes, është si një shoqe e vërtet e burrit të saj Mbretit Leka I. Kjo më kë dhënë vazhdimisht gëzim dhe kënaqësi të veçantë sepse i shikoj gjithmon bashkë tue punue për Kombin Shqiptar.

Ndër gëzimet e mia ma të mëdha ka qënë edhe lindja e nipit Prinici Leka në vitin 1982. Atëher kam ardhë nga Spanja në Afrikën e Jugut dhe jam lumturuar kur e kam parë atë djalë. Ai i ngjan shumë Mbretit Zog. Natyrisht dhe babait të vet Mbretit Leka. Por mue më duket se tani, që ai sapo mbushi 20 vjet po i ngjan gjithmon e ma shumë Mbretit Zog. Prinici më jep gëzim të madh sepse është shumë intiligjent dhe me dashuri të madhe për Shqipërinë, me krenari për emrin shqiptar.

Ju i keni përjetuar të gjitha format e qeverisjes shqiptare. Krahasuar me kohën e pas mbarimit të luftës e deri më sot. Me Monarkinë, drejtësia filloi në stilin e botës së qyteteruar. Reforma e legjislacionit shqiptar qe shëmbullore. Projektligjet hartoheshin nga Këshilli i Shtetit, një nga entet më të vlefshme të funksionimit të Monarkisë. U aprovuan një rradhë ligjesh dhe kodesh të adaptuar nga më të përparuarit e Perendimit. Kodi Civil, Kodi Penal, Kodi Tregtar dhe Këshilli Kontrollues janë disa nga veprat më të çmushme të periudhës së pavarësisë në kohën e Monarkisë. Përdorimi i sitemit metrik, përdorimi i operacionit bankar, barazia e burrit me gruan etj.Si do ti komentonit ju këto vlera sot që atëhere e kishin bërë Shqipërinë në perudhën e Monarkisë të ishte e barabartë me vendet më të civilizuara të Europës Perendimore?

Nana Mbretëreshë Geralidine Apony: Duke qenë Mbretëresha e Shqiptarve edhe si njeri që kam punue vite të tëra bashkë me Mbretin Zog I, me ndreqë ato ligje që e respektojnë gruan shqiptare, jo vetëm me e barazue me burrin, sepse kjo është bërë edhe me ligj të veçantë. Por duhet vlerësuar se, duke i detyruar për të hequr për herë të parë edhe ferexhenë, gruaja shqiptare hyri në familjen e qyteruar. Por tek shqiptarët gruaja është edhe Nanë edhe diçka ma shumë se sa kjo. Kjo ka shumë rëndësi me e kuptue. Vetë Mbreti Zog I këtë e kuptonte dhe ka dhënë një shembull të madh për të gjithë shqiptarët. Unë kam pa si si ai i respektonte nanat shqiptare, si e nderonte kujtimin e Nanës Mbretëreshë Sadije, që ka qenë model i nanës shqiptare me edukatën dhe shpirtin që i dha birit të vet, Mbretit Zog I.

Për kohën e Mbretërisë Shqiptare më kujtohet boll mirë se kishte ligje që zbatoheshin me drejtësi. Kishte rregull dhe filloi me u ndërtue një kryeqytet Europian. Pra një Tiranë moderne, me bulevardin e bukur dhe me shumë ndërtesa moderne dhe të kohës, atëherë kur Tirana kishte veçse 50 mijë banorë, ndërkohë, siç kam mësuar tani, ajo shkon aty afër tek një milon banorë. Dhe të gjitha këto kanë vlera se po prapë Bulevardi dhe disa ndërtesa kryesore administrative, si ministritë që u ndërtuan në kohën e Mbretit Zog I, janë edhe sot ma të bukurat. E pra kjo tregon se asht punuar me plan nga Mbretëria dhe Mbreti Zog I. Mund me përmend edhe shumë gjëra të tjera për Mbretërinë Shqiptare e për burrin tim Mbretin Zog I. Po një gjë ka rëndësi me e kuptue Mbretërinë se ku e ka bazën e saj - tek Drejtësia shëmbullore, Bashkimi dhe Devocioni për popullin dhe për Kombin e tij.

Çështja shqiptare ka hyrë në fazat me interesante të saj. Kosova ka presidentin, parlamentin e qeverinë e saj, disa probleme shqiptare po marrin rrugë drejt zgjidhjes. Cili duhet të jetë roli i nënës dhe gruas shqiptare në këto zhvillime historike? Kur në të njëtën kohë ligjistacioni i monarkisë e përcaktonte shumë bukur këtë duke thënë se "Nëna, deri diku përfaqeson Atdheun për njerinë. Nëna bën njerinë për Atdheun, Kombin.

Nana Mbretëreshë Geralidine Apony: Kombi asht i pandamë edhe kur kufijtë nuk e lejonë këtë gjë. Por Kosova na ka dhënë gjithmonë një shëmbull të madh të atdhedashurisë. Fitorja e lirisë në Kosovë, ndihma e madhe që u dha nga NATO-ja dhe kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e gjithë Europa e qytetëruar e demokratike, treguan se Kosova dhe populli shqiptar kishin të drejtën e vet dhe luftonin për drejtësi. Siç i kamë shkruar kohët e fundit shkrimtarit tonë gjenial Ismail Kadare, shpirti i një populli nuk mundet me humbë kurrë, kur ai lufton për lirinë e vet, për gjuhën e vet, për nanat dhe fëmijët vet. Vet z. I. Kadare e ka shkruajtë me shumë art këtë të vërtetë të madhe në veprat e veta. Por janë dhe shumë shkrimtarë të tjerë që kanë shkrue për këto, si në Kosovë e në Shqipëri, prej nga Naimi e Patër Gjergj Fishta. Mirë e kanë thanë këtë vetë Nanat Shqiptare, që me qumështin e gjinit i rritën këta fëmijë që janë sot e që dinë me i dalë zot vatanit, pra të gjitha nënat shqiptare që rritën këta djem e vajza shqiptare të mrekullushem. Kjo ka qenë vetë Shqipëria që unë e njoh dhe që i kam shërbye me jetën time. Siç thoshte Mbreti Zog I" Nana ban fëmijën, Atdheu ban Kombin". Këtë e dinë mirë të gjitha nanat shqiptare dhe nuk ka nevojë me i mësue kërkush në botë. Ato e kanë mbajtë gjallë Kombin Shqiptar.

Përsa i përket Çështjes Shqiptare, Kosovës apo edhe vëllezërve dhe motrave në Tetovë, Kumnanovë, e në të gjitha trojet etnike shqiptare, ne mundet me thënë se ato që kanë bërë nanat e tyre për të gjithë shqiptarët, ata dhe të gjithë ne duhet t'i respektojnë në jetën e tyre dhe të jenë krenarë se janë fëmijët e këtyre nanave shqiptare, se janë fëmijët tanë. Duke punue vetëm për Atdheun tim jam munduar gjithmonë të arrihen liritë dhe të drejtat që kërkon bota edhe tek shqiptarët. Veç sot nuk duhet me lejuar kurrë për të shkuar drejt luftërave. Sepse paqja për ne shqiptarët është kryesorja dhe imperative pas gjithë atyre vuajtjeve. Ndihma e botës së qyteruar, e Amerikës së Madhe, superfuqisë së vetme të botës, Europës për Shqipërinë, kurrë nuk ka munguar në atë kohë - edhe sot me Kosovën. Prandaj ne duhet ta shfrytëzojmë këtë të mirë, sepse gjithmonë shqiptarët kanë treguar se janë një komb i civilizuar dhe i qytetëruar pjesëtar i denjë i familjes Europiane. Nga vetë historia dihet se shqiptarët nuk i kanë filluar dhe as që i kanë dashur luftërat kundër një populli tjetër, por kanë luftuar dhe kanë mbrojtur gjithmonë kombin dhe vendin e tyre nga armiqët e shqiptarëve. E pra ky është një shembull i madh dhe një provë që i kemi dhënë botës duke ju imponuar asaj të na dojë dhe respektojë si popull shqiptar.

Dua t'ju them edhe diçka tjetër. Ju e dini se në fillim shkuan nga e gjithë bota dhe më së shumti nga Europa në kontinetin e ri, Amerikën. Shkuan të gjithë këta njerëz nga anembanë botës për të kërkuar lirinë dhe demokracinë, dhe krijuan një liri e demokraci në këtë kontinet - Amerikë, që sot është shëmbull e simbol i lirisë e demokracisë i të gjithë botës pjeëstar të së cilës jemi edhe ne shqiptarët. Dhe kjo liri dhe demokraci mbanë gjallë sot edhe Amerikën e 50 shtetet e saj, vetëm me ligje e me drejtësi për të gjithë, por edhe me kërkuar më shumë punë për amerikanët. Me këtë desha të them se jam edhe një nanë amerikane, nga Nju Jorku (këtu aludohet për origjinën e saj si bijë e kontit të Nju Jork-ut,Gledis Virxhinia Stjuart,ishte motra e konsullit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara në Amsterdam.(shënim i yni) ) dhe e di ta vlerësoj më shumë këtë që ka arritë sot SHBA dhe duhet tani me arritë populli shqiptar duke marr shëmbull nga Amerika. Edhe në Europë ka shembuj të mëdhenj se si shtetet e vogla e të mëdha pavarësisht nga rrethanat e kushtet që kanë, mundet të prosperojnë dhe përparojnë vetëm me punë, me ligje, e me drejtësi për të gjithë qytetarët e vet. Ky pra është edhe shembulli gjenial i lirisë dhe demokracisë së sotme. Kjo na duhet edhe ne shqiptarëve. Dhe po të shohim sot çështjen shqiptare ajo duket sikur është në rrugë të mbarë, po të shohim gjithmonë Kosovën.

Si do ta përjetonit Ju dhe familja Juaj rikthimin tuaj në Shqipëri? Çfarë mesazhi keni përgatitur për t'ju drejtuar popullit shqiptar në këto zhvillime?

Nana Mbretëreshë Geralidine Apony: Unë rikthehem në shtëpinë time - Shqipërinë e dashtun, në Shqipërinë e bukur që i kushtova jetën time. Kështu që dhe gjithë Familja Mbretërore Shqiptare është përpara një inspiracioni të madh, por edhe të një dashurie të madhe për Atdhenë tonë Shqipërinë. Unë kam vetëm një dëshirë që të shihemi sa më shpejt në Shqipëri. Aty do të kemi mundësi me bisedue edhe ma gjatë dhe se si do të përjetojmë ato momente që do të jenë fantastike për mua dhe familjen time që sërish të rikthehemi në Shqipëri.

Mirupafshim në Shqipëri . Zoti i Madh i bekoftë të gjithë Shqiptarët dhe ju të gazetës kombëtare Bota Sot. Ju faleminderit!

Ju falenderojme per biseden, Zoti ju bekoftë Ju familjen tuaj dhe gjithë kombin shqiptar!!!

Oborri Mbretëror Shqiptar - Royal Court of Albania
Johanesburg Suoth Africa

April 15- 2002

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat