Jo vetëm PDK, kërkohet që edhe kjo parti t’i bashkohet Qeverisë Hoti - Bota Sot
Jo vetëm PDK, kërkohet që edhe kjo parti t’i bashkohet Qeverisë Hoti

Intervista

Jo vetëm PDK, kërkohet që edhe kjo parti t’i bashkohet Qeverisë Hoti

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 14 gusht 2020 Në ora: 15:31
Naim Murseli

Aleanca Kosova e Re nuk do të përkrah mocionin për rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hoti, i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo është konfirmuar nga Naim Murseli, këshilltar i kreut të AKR-së Behgjet Pacollit, në një intervistë dhënë gazetës “Bota sot”.

Megjithatë, AKR-ja kërkon Qeveri me bazë të gjerë ku do të hynte edhe Vetëvendosje.

Në këtë intervistë, Murseli ka treguar se a do të kandidojë i pari i AKR-së për president të Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Qeverisë Hoti dhe menaxhimin e saj me luftën kundër pandemisë, kur tashmë Kosova renditet e para në botë për vdekjet ditore me Covid-19?

Murseli: Është ende herët të flasim për sukses apo dështim të menaxhimit të situatës. Faza e dytë e Covid-19 ka filluar pothuajse në të gjitha shtetet e botës dhe shpresojmë që qeveria aktuale do t’ia dal në këtë sfidë.

“Bota sot”: A do ta përkrah AKR-ja mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë Hoti?

Murseli: AKR-ja nuk do të përkrah asnjë mocion të LVV-së ndaj Qeverisë. Kjo qeveri ende nuk ka arrit të tregojë për mundësitë e saj. Nevojitet edhe pak kohë!

“Bota sot”: Me çfarë kushtesh do të pranonte AKR-ja të hynte në qeverinë aktuale, nëse partnerët e koalicionit i bëjnë ofertë partisë tuaj?

Murseli: AKR ka pasur oferta ende pa u formuar Qeveria Hoti dhe ka vendosur të qëndrojë në opozitë. Ajo çfarë do të ishte e pranueshme për ne, do të ishte një Qeveri me bazë të gjerë ku do të hynte edhe LVV për të mirën e vendit.

“Bota sot”: A është dashur të dorëhiqej presidenti Hashim Thaçi, para se të shkonte të intervistohej në Hagë?

Murseli: Presidenti Thaçi do të jap dorëheqje në momentin që i ngrihet aktakuza. Dorëheqja e tij më herët do të krijonte një situatë jo të mirë politike në vend.

“Bota sot”: Pse duhet të bëhet president i ri Behgjet Pacolli, e jo Ramush Haradinaj ose ndonjë nga kandidatët e partive tjera?

Murseli: Behgjet Pacolli ka qenë President për një kohë të shkurtër dhe ka dëshmuar se ai ishte personi i duhur për atë post të lartë shtetëror. Është po ashtu emër i pranuar nga ndërkombëtarët, duke pasur parasysh aktakuzat e Gjykatës Speciale.

“Bota sot”: Si mendon t’i sigurojë votat për presidenti kryetari juaj, Behgjet Pacolli?

Murseli: Ai ende nuk është deklaruar që do të kandidojë kësaj radhe.

“Bota sot”: Kush duhet ta udhëheq dialogun dhe si duhet të zhvillohet ky proces, duke marrë parasysh përçarjet e thella mes partive për këtë temë?

Murseli: Dialogu duhet të udhëhiqet nga Kryeministri, ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës, por nevojitet një konsensus politik si dhe përfshirja e opozitës.

“Bota sot”: Në rast se thellohet përçarja mes partnerëve të koalicionit aktual, a do të kërkojë AKR-ja zgjedhje të reja, apo një qeveri teknike?

Murseli: AKR-ja ndjek zhvillimet politike në vend me seriozitet të madh dhe do të veprojë sipas vendimit të këshillit partiak.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat