Makolli: Kosova ka ngecur në përballje ndërkombëtare

Intervista

Makolli: Kosova ka ngecur në përballje ndërkombëtare

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 gusht 2020 Në ora: 14:27
Vesel Makolli

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, zëvendëspresidenti i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, ka folur për situatën politike e cila ka ngjarë me zhvillime të shumta.

Po ashtu, ai ka folur edhe për situatën pandemike në të cilën gjendet ynë.

Gjithashtu, Makolli ka folur edhe për mos përfshirjen e AKR-së në Qeverinë e Kosovës.

“Në këtë qeveri e kemi votuar, duke dhënë shembull bashkëpunues dhe konstruktiviteti kur janë në pyetje interesat madhore të qytetareve të Kosovës dhe shtetit tonë”, ka thënë Veseli për gazetën “Bota sot”.

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Vesel Makolli: Situata politike në kohët e fundit ka qenë e rënduar, sidomos nga fillimi i këtij viti, kur përpos sfidave politike, u shtua edhe ajo e pandemisë me përmasa botërore, andaj lirisht mund të themi që jemi buzë asaj që quhet situatë alarmante.

Në kohën e fundit, diplomacia jonë ka pas stagnime në përballje ndërkombëtare sidomos kur kemi të bëjmë me anëtarësimin në shumë mekanizma relevant ndërkombëtar e në veçanti në bisedime me Serbinë të iniciuara nga faktori ndërkombëtar. Subjektet politike dhe liderët e tyre, janë marr kryesisht me "luftën" për pushtet, duke i lënë anash sfidat tjera jetike për shtetin. Në këtë kontekst shkaku i interesave partiake, personale dhe i popullzimit, janë injoruar sugjerimet e miqve tanë ndërkombëtar, duke ardh në situatën që askush nuk ka mund me e imagjinue, ftohjen e marrëdhënieve me SHBA-at, nunin e pavarësisë së Kosovës.

“Bota sot”: Si i shihni përplasjet brenda koalicionit qeverisës?

Vesel Makolli: Kur kemi të bëjmë me probleme jetike për vendin, siç është situata me pandeminë si dhe veprimet tjera politike që kanë të bëjnë me sigurinë dhe të ardhmen e shtetit, të gjithë duhet të jemi unik(pozitë dhe opozitë). Interesi i shtetit duhet të jetë mbi interesat individuale e partiake. Kosova mbrohet dhe prosperohet vetëm duke qenë unik dhe duke pas mbështetjen e plotë të miqve tanë ndërkombëtar.

Është shumë me rëndësi që diplomacia e Kosovës të bëjë hapa të duhur në përmirësimin e reitingut të saj në arenën diplomatike ndërkombëtare, si dhe në bashkëpunimin sa me të ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtar e në veçanti me SHBA-at.

“Bota sot”: Si e vlerësoni udhëheqjen e Qeverisë Hoti?

Vesel Makolli: Qeveria Hoti është në njëfarë forme e imponuar nga rrethanat që u krijuan gjatë veprimeve jo konstruktive dhe popullsitë të subjektit që i fitoj zgjedhjet e Tetorit, si dhe sjellja aspak konsistonte në lidhje me sugjerimet e SHBA-ve, e që sollën vendin në një situatë shumë të disfavorshme në rrafshin ndërkombëtar.

Qeveria përbehet në përgjithësi prej kuadrove profesional, me përvojë, e ne veçanti vlen për kryeministrin, i cili është një personalitet i kompletum me një kulture që përkon me vlerat perëndimore.

Por efikasiteti i qeverisë varet prej numrave në kuvend, andaj do ta ketë shumë vështirë t’i shtyj proceset përpara. Pengesë janë inatet politike dhe interesat individuale e partiake, për të cilat fatkeqësisht në shumë raste subjektet politike e sakrifikojnë edhe interesin e shtetit dhe popullatës. Në këtë kontekst qeveria ka mangësi të mëdha.

Në demokraci të mirëfilltë opozita duhet të jetë konstruktive institucionale duke i votuar të gjitha ligjet apo kërkesat tjera që tangojnë me interesin e përgjithshëm, e duke mos e bllokuar punën e kuvendit dhe angazhimet e qeverisë. "Lufta" për pushtet duhet të jetë në bazë të rregullave demokratike, me programe të avancuara zhvillimore, pa e penguar punën e qeverisë dhe proceset jetike për vendin, duke pas tolerance dhe mirëkuptim mes partive në të mirë të interesave shtetërore.

Kjo "luftë" e partive politike për pushtet pa zgjedh mjete, është jo etike dhe jashta rregullave të demokracisë, ndikon në uljen e prestigjit të vendit në rrafshin ndërkombëtar dhe ndikon negativisht në të gjitha sfidat vendore dhe ndërkombëtare që i ka vendi.

“Bota sot”: Pse AKR-nuk u bë pjesë e Qeverisë së Kosovës?

Vesel Makolli: AKR -ja si parti demokratike liberale, gjithmonë ka qenë konstruktive dhe institucionale kur kemi pasur situata të ngërçeve politike në vend dhe gjithmonë kemi kontribuar për dalje nga situata, duke e pasur primar interesin e shtetit.

Në këtë qeveri e kemi votuar, duke dhënë shembull bashkëpunues dhe konstruktiviteti kur janë në pyetje interesat madhore të qytetarëve të Kosovës dhe shtetit tonë.

Bllokimi dhe shfrytëzimi i situatave të caktuara për interesa partiake duke i krijuar dëme vendit, nuk është në kulturën tonë politike, përkundrazi ne e kemi maksimën - Kosovën duhet ta kemi mbi të gjitha.

“Bota sot”: Qeveria Hoti e ka marr pushtetin në një kohë jo të lehtë në kohën e pandemisë. Si mendoni se po menaxhohet pandemia në Kosovë?

Vesel Makolli: Situata me pandeminë, bazuar në statistika është gati alarmante, mirëpo kjo nuk po ndodh vetëm në vendin tonë por edhe gjetiu në shumë shtete të botës. Qeveria ka bërë mjaft angazhime, duke mos përjashtuar edhe shumë lëshime, por rendimi i situatës së pandemisë deri në përmasa shqetësuese, është si pasoj e hapjes së shpejt si dhe mos respektimi i masave mbrojtëse nga qytetaret. Masat mbrojtëse që i ka parapare IKSHP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë e që janë bartja e maskës dhe distanca, nuk janë respektuar në lokalet hoteliere, tregtare, e as në rrugë e gjetiu.

Kur këtu të shtojmë situatën politike dhe përplasjet partiake për qëllime primati, duke rrezikuar shëndetin e qytetareve, situata e pandemisë arrin në kufijtë alarmues. Duke pas parasysh gjendjen e bresht në sistemin tonë shëndetësor, kapacitetet e të cilit veç janë të mbushura me të sëmur nga korona virusi, është e domosdoshme që qeveria të ndërmerr masa ma radikale për të penguar përhapjen e mëtejme të pandemisë.

Është mirë që qeveria nuk ka shkuar në masën më ekstreme- gjendjen e jashtëzakonshme, por ka urdhëruar masa tjera të cilat duhet të respektohen në tërësi.

“Bota sot”: A mund të ketë marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Vesel Makolli: Stabiliteti i Ballkanit, kësaj pjese të trazuar të Europës dhe jo vetëm, varet shumë nga zgjidhja e "nyjës gordiane" mes Kosovës dhe Serbisë. Faktori relevant ndërkombëtar po tregon angazhim të madh këtë vit dhe seriozitet për zgjidhjen e problemit shekullor shqiptaro-serb me organizimin e shumë takimeve mes dy shteteve.

Faktorit politike kosovar më shumë se kurrë i nevojitet uniteti i plot koncensual për zgjidhjen e problemit jetike të shtetit tonë. Ky unitet është më se i nevojshëm gjatë takimit të Uashingtonit, dhe jo vetëm.

Uniteti i ynë, kishte për të mundësuar lehtësimin e arritjes së synimeve tona, drejt integrimeve euro atlantike, si dhe ulëses së dytë Shqiptare në OKB.

Është non-sens për neve, nëse te miqtë tanë kemi koordinim të plot për përkrahje, kurse në mes liderëve tanë ka kakofoni në qëndrime. Mendimi se zgjidhjen e problemit mund ta bëjnë dy palët kundërshtare pa implikimin e faktorit relevant ndërkombëtar është më shumë se utopi. Duke i marr parasysh sjelljet e deri tashme të palës serbe sa i përket marrëveshjeve të arritura në Bruksel, si dhe duke pasë për bazë synimet shekullore gllabëruese të elitave serbe për tokat shqiptare, liderët tanë duhet që me ngulm të kërkojnë kyçjën në bisedime dhe garancën për marrëveshjen eventuale të nunit të pavarësisë - SHBA-ave.

Faktori politike kosovar nuk duhet të jetë bllokues i këtyre iniciativave ndërkombëtare, e sidomos i asaj të SHBA-as, për arritjen e marrëveshjes, përkundrazi duhet të marrim pjesë në çdo tryezë bisedimesh ku flitet për Kosovën.

Të gjitha sinjalet që vijnë nga rrafshi ndërkombëtar kanë për qëllim arritjen e një marrëveshje të shpejtë, e cila është në të mirë të të gjithëve, e në veçanti për Kosovën dhe prosperitetin e saj.

“Bota sot”: Tashmë Gjykata Speciale ka filluar punën e saj , është marrë në pyetje edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Si e komentoni këtë?

Vesel Makolli: Faji për gjykatën speciale, kryesisht bëjnë mbi neve. Ajo që më së shumti ju ka munguar Shqiptareve gjatë gjithë historisë, është unifikimi apo siç thotë populli të qenit "me një gojë". Thuajse kurrë nuk kemi pasur unifikim, edhe kur kemi pas të bëjmë me rrethanat specifike dhe jetike për shtetin dhe kombin tonë, kakofonia ka qene prezente në vend të unifikimit. Po të kishim pasur unifikim të faktorit luftarak dhe atij paqësor, para lufte, gjatë luftës dhe pas saj, Kosova tash do të ishte shumë më e avancuar në rrugën e saj shtetformuese, zhvillimore dhe prosperuese. Mos unifikimi na ka sjell pasoja të cilat edhe sot nuk po mund t`i eliminojmë.

Po të kishte funksionuar shteti ligjor në plotëkuptimin e fjalës menjëherë pas lufte, dhe po të ishin gjykuar të gjitha vrasjet e pas luftës, nuk do të na imponohej kjo gjykatë.

Me aprovimin e raportit të Martit në parlamentin europianë, ka qenë e ditur që deri te kjo situatë do të vij. Po ashtu me votimin në parlamentin tonë, është ditur se ata që janë përmend në raport do të thirren në gjykatë. Është për tu përshëndetur veprimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve, që e kanë qit interesin e shtetit para atij personal, duke e votuar gjykatën për mos me na e imponue këshilli i sigurimit i OKB-ës.

Shpresojmë që gjykata të jetë e drejt dhe të akuzuarit eventual të shpallen të pafajshëm, pasi që lufta e jonë ka qenë e drejt, e pastër dhe çlirimtare.

“Bota sot”: Akuzat ndaj ish luftëtareve të UÇK-së, a mund të ndikojë në njollosjen e imazhit të luftës së pastër për çlirimin e vendit?

Vesel Makolli: "Asnjëherë nuk ka pasur luftë të mirë, ose paqe të keqe", thotë Benxhamin Frenklin, por lufta e jonë çlirimtare të cilës i ka pri UÇK-ja ka qenë e drejt, duke i sjell lirinë e pritur me shekuj, kosovareve që kanë përjetuar shumë vuajtje te tmerrshme.

Gjykata speciale dhe asnjë tjetër nuk mund ta njollosin luftën tonë çlirimtare.

Në çdo luftë ka gabime, e te ne ka pas edhe menjëherë pas lufte, andaj po të kishte funksionuar shteti ligjor duke i zbardh dhe gjykuar shumë vrasje që kanë ndodh, nuk do ta kishim fare këtë gjykatë.

Individët, pa marr parasysh kush janë, nuk janë UÇK-ja e as populli, se në luftën tonë të lavdishme çlirimtare ka qenë i kyçur në forma të ndryshme i tërë populli i Kosovës.

Kjo gjykatë do ti hedh poshtë shumë rrena e insinuata nga raporti i Dik Martit, duke e vërtetuar pastërtinë dhe vlerën çlirimtare të luftës sonë, të udhëhequr nga UÇK-ja.

“Bota sot”: Pasi jeni pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, si po menaxhohet kryeqyteti?

Vesel Makolli: Mendësia jo demokratike, rivalitetet politikë, interesat individuale dhe partiake që na kanë dëmtuar shumë në pushtetin qendror nga pas lufta, janë reflektuar në të njëjtën masë edhe në pushtetin lokal.

Ndërtimet e shumta menjëherë pas luftës, duke mos respektuar asnjë kriter planifikues urbanistik, pamundësia e pushtetit lokal për ti stopuar dhe për ti vu në suaza urbanistike si i ka hije një kryeqyteti, e që kjo periudhë kohore ka zgjate më shumë se një dekadë, i ka sjell këto probleme, me të cilat përballemi çdo ditë në Prishtinë. Për ti mënjanuar të gjitha këto probleme që e preokupojnë kryeqytetin, përpos që kërkon shumë kohë, duhet edhe shumë investime. Në këtë mandat qeverisës ka pas përparime në udhëheqjen me kryeqytetin, por nga fillimi i këtij viti, pandemia globale e gripit kovid 19 i ka stagnuar e besa edhe stopuar shumë aktivitete e projekte të parapara me planin zhvillimor të kryeqytetit.

“Bota sot”: Si po e përballon komuna e Prishtinës pandeminë?

Vesel Makolli: Sa i përket komunës, menaxhimi me pandeminë është në nivel të duhur. Qeveria komunale ka qenë permanent aktive në terren, duke u përballuar me problemet e shfaqura si dhe duke ndihmuar të gjithë ata që kanë qenë në nevojë. Po ashtu edhe kuvendi komunal ka mbajt disa mbledhje si dhe asamblistët kanë punuar si vullnetar në shumë grupe në terren duke u ndihmuar qytetareve në nevojë më të mira materiale dhe pako higjienike. Në rrafshin e njoftimit dhe informimit të qytetarë për tu mbrojtur nga gripi, është vepruar duke aplikuar shumë projekte e programe me karakter dhe përmbajtje të duhur për popullatën e gjerë. Kuvendi komunal me propozim të qeverisë komunale dhe të kryetarit të komunës, ka nxjerr shumë vendime që janë në kompetencë të kuvendit komunal, për të ndihmuar biznesin dhe qytetarët. Bizneset që operojnë në lokalet me pronësi komunale janë liruar nga pagesa e qerasë gjatë kohës sa kanë qenë të mbyllura(që nuk kanë punuar).

Bashkëpunimi me qeverinë qendrore ka qenë i duhur dhe permanent, në harmoni me të gjitha rregullativat legjislative.

Njësit shëndetësore komunale(shtëpitë e shëndetit) janë organizuar konformë situatës emergjente, duke ju dal në ndihmë çdo qytetari që ka pas nevoje. Është arritur që të krijohen kushtet për ti kryer testimet serologjike për kovid nga shërbimi shëndetësor komunale.

“Bota sot”: Çfarë ndryshime duhet të bëhen në kryeqytet?

Vesel Makolli: Së pari duhet pa pardon të respektohen të gjitha rregullativat urbanistike dhe legjislative.

Për t’i mënjanuar shumë problemë të shërbimeve publike, e në veçanti atyre urbanistike dhe të komunikacionit, duhet të kërkohet ndihmë edhe nga jashtë, sidomos kur kemi të bëjmë me anën financiare.

Ky stagnim i investimeve kapitale që është bërë shkaku i pandemisë, duhet të tejkalohet me angazhime permanente në të ardhmen.

Projektet e parapara para disa viteve për unazat e komunikacionit të cilat kishin me e zgjidh ngufatjen e lëvizjeve të automjeteve brenda qytetit, duhet të jenë primare në të ardhmen dhe duhet të realizohen në një afat sa më të shpejt të mundshëm.

Duhet ti jepet rendësi primare investimit në sferën e arsimit, ndërtimin e shkollave dhe çerdheve, për krijimin e kushteve për një arsim sa më cilësor dhe kualitativ. Po ashtu duhet të jetë në qendër të vëmendjes edhe jeta kulturore dhe sportive në kryeqytet, duke investuar në teatro, kinema dhe objekte sportive. Në këtë kontekst duhet sa ma shpejtë të ndërtohet teatri e operës dhe baletit, si dhe shkolla e muzikës, të cilat janë prolonguar që sa vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat