“Të fitosh besim e qytetarëve është përgjegjësi”

Intervista

“Të fitosh besim e qytetarëve është përgjegjësi”

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 28 gusht 2020 Në ora: 16:18
Gazetari i “Bota sot”, Faton Mehmeti dhe asambleistja Hysnije Mustafa-Shamolli.

Për “Bota sot” flet Hysnije Mustafa Shamolli, asambliste e LDK-së në Ferizaj.

“Bota sot”: Ju jeni profesoreshë për dymbëdhjetë vite. Çfarë ju shtyri të hyni në politikë?

Hysnije Mustafa-Shamolli: Atëherë, sinqerisht veten e gjej më së miri në profesionin e mësimdhënies. Kam një raport të sinqertë me nxënësin e edhe me prindërit. Por, ishin rrethi dhe mē së shumti ish mësuesi i nënës sime ata që më shtynë drejt politikës duke parë aktivitetet e mija dhe dëshirën për të punuar për komunitetin nē çfarëdo forme. Dhe, dola kandidate për asamble duke e fituar ulësen në Kuvendin Komunal edhe pse nuk kisha shumë njohuri rreth fushatës. Kjo fal besimit të rrethit dhe qytetarëve që kishin njohur dëshirën time për angazhim qytetar.

“Bota sot”: Duke qenë që dy mandate pjesë e asambles komunale, është privilegj apo përgjegjësi kjo për ju?

Hysnije Mustafa-Shamolli: Të fitosh dy herë besimin e qytetarëve për ti përfaqësuar në Kuvendin Komunal është nder dhe privilegj por edhe përgjegjësi e madhe, sinqerisht! Duhet të kesh kohë gjithmonë për takime me qytatarë, të kesh durimin për ti dëgjuar kërkesat e tyre dhe vullnetin për ti adresuar ato në drejtorinë përkatëse e edhe në Kuvend. Puna e asambleistes kërkon përkushtim të madh në secilën çështje, e cila lidhet me qytetin dhe qytetarët që përfaqëson.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e kryetarit Aliu, nga prizmi i opozitares ?

Hysnije Mustafa-Shamolli: Të flasësh për një kryetar komune duhet patjetër ta kesh parasysh që kryetari zgjedhet me vota të qytetarëve dhe pavarësisht numrit të votave të subjektit politik ai është kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së tij dhe kryetari aktual fatmirësisht kujdeset shumë që të jetë kryetar i të gjithëve dhe kjo gjë është e dukshme. Vazhdoj të mendoj se opozita duhet të jetë konstruktive në raport me pozitën dhe ta kritikojë me arsye pa lejuar që të hyjë në letargji dhe të ketë qasje të arsyeshme kur flet për gabimet. Realisht, për çdo vërejtje apo këshillë ne si asamblistëë mund ta shfrytëzojmë edhe foltoren e Kuvendin, por jo të abuzojmë me detyrën tonë duke i ç'orientuar qytetarët. Personalisht, bazuar edhe në takimet dhe diskutimet e përditshme me qytetarët e Ferizajt, mund të them që kryetari ka bërë veprime të mira, gjithashtu ka marrë edhe vendime goxha të guximshme për të cilat duhet përgëzuar nga cilado pozitë qofshim.

Normale që ka vend për kritika, por duke ditur edhe gjendjen e rënduar ekonomike dhe shoqërore nga pandemia, dua të them që qasja kritikuese duhet të jetë shumē më e matur apo më e menduar se në situatat e zakonshme, prandaj nuk do të ndalem në kritika kësaj here sepse të gjithë po përballemi me një sutuatë të pazakonshme dhe me rëndimin edhe të gjendjes ekonomike patjetër që vështirësohet puna e çdo iinstitucioni, përfshirë edhe kryetarin dhe asamblenë. Mendoj që në këtë kohë e rëndësishme është të jemi të gjithë bashkë duke punuar në të mirën e qytetarëve. Përfundimishtx opozita në Ferizaj nuk është nga ato që shfrytëzon situatat e jashtëzakonshme për të kritikuar, përkundrazi ne nuk po flasim as për gabime të dukshme për të mos rënduar më tej gjendjen qoftë edhe shpirtërore të qytetarëve tanë.

“Bota sot”: Jeni pjesë edhe grave asambleiste, keni qenë edhe udhëheqëse për një kohë, a mendoni se është i nevojshëm një grupacion i tillë. Dhe a ndikon një gjë e tillë në avancimin e femrës në vendimmarrje?

Hysnije Mustafa-Shamolli: Që vendi ynë ka pasë dhe ka gra të zonja e të fuqishme në cilëndo fushë, tashmë është e njohur botërisht, por edhe mungesa e përkrahjes dhe pengesat e ulëta që u dalin në rrugëtimin jetësor grave të kësaj toke janë të njohura dhe brengosëse. Realisht, në mandatin e parë si asambleiste kisha rastin të isha edhe kryesuese e Grupit të Grave Asambleiste dhe kemi punuar me përkushtim që të lehtësonim problemet me të cilat ballafaqohen gratë dhe sidomos jemi marrë me gratë, që jetojnë në vise rurale duke ju ofruar takime të ndryshme me struktura të ndryshme, qasje në shërbimet e mamografit, qasje në diskutimet e planifikimit buxhetor etj. E them me përgjegjësi që Grupi i Grave Asambleiste është një mekanizëm i fuqishëm në raport me qështje të rëndësishme, të cilat lidhen me gratë, por aktiviteti i grupit lē për të dëshiruar. Ndoshta edhe situata pandemike ka ndikuar...

“Bota sot”: A po përgatitet LDK për zgjedhjet e ardhshme komunale?

Hysnije Mustafa-Shamolli: Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj vazhdimisht punon për tu zgjeruar dhe po rritet me emra të rinjë. Si subjekt politik me vizion të qartë po krijon hapësirë për rininë duke ju dhënë mundêsi që të kenë qasje dhe trajtim të denjë brenda partisë dhe të kenë edhe rolin vendimmarrës. Ata janë e ardhmja e vendit dhe ndryshimet pozitive priten pikërisht nga një bashkēpunim pozitiv mes gjeneratash brenda subjektit politik. Përgaditjet për zgjedhje do të intensifikohen pasi të qetësohet pak situata e rënduar nga pandemia.

“Bota sot”: A keni synime për të kandiduar për kryetare të komunës nga partia në të cilën jeni ?

Hysnije Mustafa-Shamolli: Them që ambiciet personale të çdo anëtari të partisë pavarësisht postit që mban, apo edhe pa pasur post fare, duhet të gërshetohen me interesat e qytetarëve dhe të subjektit politik. LDK në Ferizaj ka kryetarin, kryesinë dhe të gjithë mekanizmat përcjellës, të cilët si struktura partiake vlerësojnë se kush duhet të jetë kandidat qoftë për asamble apo edhe për kryetar. Partia ka hierarkinë dhe statusin në të cilin mbështetet dhe vepron sipas tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat