Syla: Të bëhen më shumë testime për COVID-19 dhe vaksinime kundër gripit sezonal

Intervista

Syla: Të bëhen më shumë testime për COVID-19 dhe vaksinime kundër gripit sezonal

Më: 6 shtator 2020 Në ora: 12:56
Skender Syla

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se situata epidemiologjike në Kosovë është mjaft e rëndë dhe numri i lartë i vdekjeve është shqetësues.

Ai shtoi se vendet që kanë pasur sukses në menaxhimin e pandemisë kanë pasur një gërshetim të zbatimit të masave të ndërmarra nga qeveritë dhe përqafim e qasje pro-aktive nga komuniteti.

Syla thotë se meqë gradualisht po i afrohemi sezonit të vjeshtës dhe dimrit e që do të kemi në qarkullim edhe viruse të tjera të gripit, një hap i rëndësishëm është që Kosova të vaksinojë një numër sa më të madh të personave ndaj gripit sezonal.

Sipsa tij, po ashtu duhet të bëhet shtimi i ndjeshëm i testimeve, izolimi dhe karantimi rigoroz i rasteve, zbatimit të masave të tjera të parandalimit siç janë mbajtja e distancës, pastrimi i duarve dhe mbajtja e maskës.

Si e vlerësoni gjendjen me pandemi në Kosovë, gjashtë muaj pas paraqitjes së rastit të parë me koronavirus?

Skender Syla: Aktualisht gjendja është mjaft e rëndë në Kosovë kur dihet numri i rasteve që raportohet në baza ditore, dhe kjo rritje e theksuar e rasteve është rritur pas lirimit të masave e që sot e kësaj dite kemi raportim treshifror të rasteve pozitive nga mostrat e analizuara.

Fakt tjetër që pjesa dërmuese e shtretërve të njësive spitalore është e zënë me pacientë që trajtohen nga pasojat e sëmundjes COVID-19 e rëndon edhe më shumë sistemin shëndetësor, për të adresuar problemet tjera shëndetësore me të cilat ballafaqohet popullata e Kosovës në baza ditore.

Rritja e numrit të viktimave në Kosovë nga COVID-19

Në Kosovë në dy javët e fundit kanë vdekur mbi 100 njerëz. Si e vlerësoni këtë situatë?

Skender Syla: Kjo e dhënë është mjaft shqetësuese dhe unë shfrytëzoj rastin t’ju shpreh ngushëllime gjithë familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre.

Kosova fatkeqësisht ka një numër relativisht të lartë të vdekjeve dhe deri me datën 3 shtator konsiderohet në bazë të rasteve të raportuara janë 320 të vdekur për 1 milion banorë, e që është numër më i lartë nëse krahasohet me shtetet fqinje që e rrethojnë Kosovën, kur dihet se Kosova e ka popullatën më të re në Evropë, këto shifra janë shqetësuese dhe brengosëse.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, pjesa dërrmuese e viktimave nga koronavirusi janë mesatarisht të moshave prej 30 deri 50 vjeç. Si e vlerësoni këtë fakt, marrë parasysh popullatën e re te Kosovës?

Skender Syla: Unë nuk kam parë ndonjë raport zyrtar lidhur me grupmoshat e pacientëve të cilët kanë përfunduar me fatalitet, dhe gjendjen e tyre që mund të kenë qenë shoqëruese, andaj nuk mund të komentoj interpretimet e profesionistëve shëndetësorë lidhur me këtë çështje.

Por, unë konsideroj që duhet bërë një analizë e mirëfilltë e të gjitha rasteve që kanë përfunduar me fatalitet për të ardhur në përfundim për këto aspekte dhe nuk mund të bëj komente në mënyrë hipotetike pa pasur mundësi të analizoj ndonjë raport zyrtar që i analizon të gjitha vdekjet në bazë të kritereve të përcaktuara shkencërisht.

Në Kosovë vazhdimisht ka qenë numri i lartë të infektuarve, kurse numri i testeve nuk ka kaluar 500 në ditë? A do duhej të rritet numri i testimeve?

Skender Syla: Duhet theksuar se testimi është vetëm një hallkë në kontrollin e pandemisë. Në situatën aktuale të gjendjes epidemiologjike nëpër të cilën po kalon Kosova pa dyshim që duhet shtuar në mënyrë të ndjeshme testet (Real Time PCR), të cilat tregojnë infeksionin akut ose aktual të individit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk rekomandon teste serologjike për ndonjë qëllim tjetër përveç për studime apo hulumtime epidemiologjike ose për të studiuar imunitetin e popullatës.

Këto studime, nëse realizohen, duhet bërë me metodologji rigoroze shkencore. Unë konsideroj që në situatën aktuale epidemiologjike duhet bërë shtim i ndjeshëm i testimeve dhe ngritje e kapaciteteve testuese në kuadër të Instituteve Rajonale të Shëndetit Publik.

Përpos testimit duhet vazhduar me gjurmimin aktiv të rasteve duke zbatuar me rigorozitet izolimin e tyre e që është parakusht i domosdoshëm për kontrollin e pandemisë, krahas masave tjera të parandalimit që janë të rekomanduara në baza ditore nga autoritetet e Kosovës, siç janë pastrimi i rregullt i duarve, mbajtja e distancës dhe përdorimi i maskës kur nuk mund të respektohet distanca.

Numri i madh i të infektuarve është edhe në mesin e punëtoreve shëndetësor në Kosovë – rreth 1300 mjekë e infermierë. Si e komentoni këtë?

Skender Syla: Fillimisht unë dua që të shpreh një falenderim të thellë për gjithë profesionistët shëndetësorë të të gjitha niveleve të cilët për këta muaj kanë bërë një punë titanike në ofrimin e kujdesit shëndetësorë për personat e prekur me COVID-19.

Edhe në nivelin global kemi numër alarmues të të infektuarve në kuadër të profesionistëve shëndetësorë andaj Kosova nuk bën përjashtim. Nëse i referoheni shifrave globale të raportuara, konsiderohet që 10 për qind e të gjitha rasteve të raportuara deri më tani janë në mesin e profesionistëve shëndetësorë.

Janë mjaft shqetësuese shifrat e infeksionit në kuadër të profesionistëve shëndetësorë dhe në këtë drejtim, OBSH është duke ofruar gjithë asistencën e duhur për t'i informuar vendimmarrësit, por edhe profesionistët shëndetësorë për mënyrën e parandalimit të infeksioneve në kuadër të institucioneve shëndetësore.

Në rajonin evropian vendet kanë raportuar deri në 27 për qind të infeksioneve që kanë ndodhur në kuadër të profesionistëve shëndetësorë dhe pa dyshim që është një shqetësim i madh pasi ata janë vija e parë e frontit për të ofruar ndihmën për pacientë.

Cilat mendoni se janë arsyet? A duhet trajnim i posaçëm për infermierë e mjekë të cilët janë në kontakt me persona të infektuar?

Skender Syla: Arsyet janë të shumta dhe virusi është i përhapur gjerë në komunitet në Kosovë dhe profesionistët shëndetësorë, përpos që mund të infektohen në vendin e tyre të punës ata mund të infektohen në familje, komunitet dhe mjedise të tjera.

Në këtë kuadër duhet kushtuar një rëndësi e veçantë mbrojtjes së punëtorëve shëndetësorë në vendin e punës në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësorë. Maskat duhet përdorur vazhdimisht nga të gjithë pa përjashtim, përfshirë edhe personelin teknik ndihmës si dhe pacientët që frekuentojnë institucionet shëndetësore.

OBSH ka zhvilluar trajnime të shumta online për parandalimin e infeksioneve brenda institucioneve shëndetësore si dhe përdorimin adekuat të pajisjeve mbrojtëse për stafin shëndetësor.

Unë i rekomandoj fuqishëm stafit shëndetësor në Kosovë që të ndjek këto trajnime online në baza ditore për të përditësuar njohuritë e tyre lidhur me mënyrat e parandalimit të infeksioneve dhe të mbrojtjes së personelit shëndetësor nga COVID-19.

Si e vlerësoni menaxhimin e pandemisë në Kosovë nga institucionet e Kosovës?

Skender Syla: Kuptohet se kjo është një sfidë e madhe për të gjitha shtetet, madje edhe për ato shtete që kanë burime më të mëdha financiare dhe njerëzore. Edhe në Kosovë janë bërë përpjekje të shumta që nga fillimi për të adresuar problemet, por mendoj se duhet edhe angazhim shtesë në zbatimin e masave të parapara.

Kosova ka ligje të mira, strategji madje edhe material shumë të mirë për komunikim me publikun, por si duket po ngecim për t'i zbatuar në mënyrë adekuate këto strategji të cilat janë të përpiluara. Vendet që kanë pasur sukses në menaxhimin e pandemisë kanë pasur një gërshetim të zbatimit të masave të ndërmarra nga qeveritë dhe përqafim e qasje pro-aktive nga komuniteti. Kjo qasje do duhej të ishte edhe në Kosovë, sepse kjo është një maratonë dhe nuk është sprint.

Kur mund të pritet vaksina kundër koronavirusit?

Skender Syla: Saktësisht ende nuk kanë dalur me datë ose muaj se kur do ta kemi vaksinën kundër COVID-19, por aktualisht shkencëtarët e botës janë duke bërë përpjekje mbinjerëzore për të pasur një vaksinë efikase dhe të sigurt.

Gara për të zbuluar një vaksinë kundër COVID-19

Aktualisht, mbi 200 kandidatë të vaksinave janë në stade të ndryshme të zhvillimit dhe tre apo katër prej tyre janë në stadin e tretë final, dhe ne mund të presim që para fundit të vitit të kemi në dispozicion vaksinën e cila kuptohet që do të jetë e sigurtë dhe efikase dhe vitin e ardhshëm të fillojë vaksinimi në vende të ndryshme të botës. Më pas nevojiten edhe kapacitete logjistike për prodhimin e tyre.

Si mund ta sigurojë Kosova vaksinën kur ajo të hyjë në përdorim?

Skender Syla: Jo nuk ka kushte. OBSH që nga fillimi i pandemisë ka lobuar që vaksina të jetë e qasshme në të gjitha vendet e botës pavarësisht kushteve materiale dhe burimeve të tjera. Andaj në nivelin global është krijuar një platformë e quajtur COVAX e cila ndihmohet nga shtetet e pasura në mënyrë që t’ju ndihmohet vendeve që kanë resurse më të kufizuara dhe në këtë drejtim Kosova nuk do të mbetet prapa sikurse ka qenë rasti edhe gjatë pandemisë H1N1 kur në atë kohë është siguruar vaksina për popullatën e Kosovës.

Edhe këtë herë kur do të jetë në dispozicion për vendet e rajonit po ashtu do të jetë në dispozicion edhe për Kosovën, sepse qasja e OBSHsë është që askush nuk duhet të mbetet prapa. Kuptohet që vaksina merret në disa stade, fillimisht një përqindje më e vogël për të vaksinuar kategoritë prioritare, siç janë profesionistët shëndetësorë dhe më pas në bazë të dispozicionit edhe kategoritë tjera. Por, jam i bindur që kur do të jetë në dispozicion vaksina për pjesën tjetër të botës Kosova nuk do të mbetet prapa.

Në fund, cilat janë rekomandimet tuaja për institucionet shëndetësore të Kosovës, për një menaxhim më të mirë?

Skender Syla: Meqë gradualisht po i afrohemi sezonit të vjeshtës dhe dimrit e që do të kemi në qarkullim edhe viruse të tjera të gripit, një hap i rëndësishëm është që Kosova të vaksinojë një numër sa më të madh të personave ndaj gripit sezonal.

Po ashtu duhet të bëhet shtimi i ndjeshëm i testimeve, izolimi dhe karantimi rigoroz i rasteve, zbatimit të masave të tjera të parandalimit siç janë mbajtja e distancës, pastrimi i duarve dhe mbajtja e maskës.

Maska nuk është dekor, për tu vendosur në mjekër apo bërryl të dorës. Ajo duhet të përdoret ashtu siç është paraparë me udhëzimet që jepen edhe përmes videove të shumta. Mirëpo nuk mjafton të zbatohet vetëm një masë, të gjitha duhet zbatuar dhe atë në mënyrë të drejtë, për të pasur suksesin e duhur./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat