Deputetja e LDK-së thotë se qeveria Kurti u dorëzua, e jo që u shkarkua

Intervista

Deputetja e LDK-së thotë se qeveria Kurti u dorëzua, e jo që u shkarkua

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 9 tetor 2020 Në ora: 11:28
Vlora Limani Hajnuni

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Limani Hajnuni, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur për situatën politike në vend, për 100 ditshin e parë të Qeverisë së Kosovës, si dhe për menaxhimin e pandeminë Covid19.

Deputetja e LDK-së është shprehur se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka arrit që të vendos në binaret e normalitetit dhe obligimit kushtetues komunikimin mes liderëve të Institucioneve të Shtetit.

Gjithashtu, ajo ka deklaruar se duhen politika të mençura dhe konkrete dhe jo politika populiste që për një moment mund të ndezin opinionin e brendshëm, por që tani më është dëshmuar që as SHBA e as BE nuk i mbështet këto politika populiste.

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Vlora Limani Hajnuni: Mendoj që kryeministri Hoti ka arritur të rikthej në normalitet jetën politike në Kosovë. Dhe kjo është e rëndësishme për funksionim normal të Shtetit. Nga përplasjet me fjalor denigrues që liderët e institucioneve të shtetit i drejtonin në adresë të njëri tjetrit sidomos në këto tre vitet e fundit, gjatë kësaj periudhe të qeverisjes kemi parë kryeministrin Hoti i cili ka arrit që të vendos në binaret e normalitetit dhe obligimit kushtetues komunikimin mes liderëve të Institucioneve të Shtetit. Fundja komunikimi i rregullt i liderëve të shtetit është obligim shtetëror e kushtetues dhe jo dëshirë personale e tyre. 

“Bota sot”: Cilat janë prioritetet e tuaja në mandatin tuaj si deputete?

Vlora Limani Hajnuni: Shëndetësia, mirëqenia sociale, arsimi dhe zhvillimi ekonomik janë disa nga fushat të cilat mendoj që i njoh dhe fokusi im si deputete përgjatë këtij mandati do jetë pikërisht në këto fusha.

“Bota sot”: Sa është e vështirë të jesh grua në politikë?

Vlora Limani Hajnuni: Pa dashtë të nënvlerësoj gjininë tjetër, të jesh grua, nënë, të ushtrosh profesionin tënd dhe në të njëjtën kohë të merresh me politikë, vërtet është e vështirë. Kur kësaj ja shtonë edhe pritshmërinë e jashtëzakonshme të publikut në rastin kur një grua udhëheq ose mbanë ndonjërën nga pozitat e rëndësishme në institucionet shtetërore, të jesh grua dhe të jesh aktive në politikë bëhet edhe me sfiduese. Por që natyrisht kjo nuk duhet të jetë sfidë e patejkalueshme dhe pengesë për të ecur tutje. Në rastet të tilla kam përshtypjen që nga gratë kërkohet shumë sepse vlerësohen më shumë nga opinioni publik. Dhe këtë unë e kam konsideruar si përparësi dhe e kam shfrytëzuar si mundësi për të ecur tutje. Natyrisht me shumë punë, përkushtim dhe sinqeritet.

“Bota sot”: Si e vlerësoni udhëheqjen e Qeverisë Hoti në 100 ditshin e parë?

Vlora Limani Hajnuni: Një qeveri normale që merret me punët dhe detyrimet për çka paguhet. Një kryeministër normal që e kupton që të jesh kryeministër nuk është vetëm privilegj por edhe përgjegjësi ligjore e kushtetuese. Një qeveri e cila përkundër situatës shumë sfiduese me pandeminë ka arritur të ndihmoj bujqësinë, bizneset në sektorin privat dhe veprimtaritë tjera përmes së cilave qytetarët e Kosovës e sigurojnë mirëqenien e tyre. Natyrisht ka vend edhe për kritikë, por duhet të jetë kritikë konstruktive duke u bazuar në mundësitë reale që i kemi si shtet.

“Bota sot”: Qeveria Hoti e ka marr pushtetin në një kohë jo të lehtë në kohën e pandemisë. Si po menaxhohet pandemia në Kosovë?

Vlora Limani Hajnuni: Qeveria Hoti, ka ardhur në pushtet në një periudhë kur të tjerët janë dorëzuar. Kryeministri Hoti ka marrë pushtetin në një periudhë të vështirë jo vetëm për shëndetin publik por edhe për ekonominë e vendit. Them kështu sepse kjo qeveri e kishte për detyrë që krahas ruajtjes së shëndetit publik të ruante edhe ekonominë e vendit. Në këtë formë menaxhimi i pandemisë në hapje totale nuk ishte e lehtë, sidomos kur kësaj ja shtojmë edhe faktin që virusi korona ishte ende i pastudiuar mirë dhe i panjohur në kuptimin se si sillej ose si pësonte mutacion gjatë zhvillimit të tij. Dhe për dallim nga situata e para disa javëve, tani kemi një numër me të ulët të të infektuarve nga COVID-19. Dhe natyrisht kjo është si rezultat i vetëdijes qytetare për të respektuar masat antiCOVID, por edhe si rezultat i përkushtimit të ministrit të shëndetësisë, Institucioneve Profesionale shëndetësore, policisë, komunave, inspektoratit dhe institucioneve tjera.

“Bota sot”: Si e shikoni marrëveshje e nënshkruar në SHBA?

Vlora Limani Hajnuni: Është një marrëveshje në formën e një zotimi që Kosova i ka bërë mikut më të madh që ka dhe ajo është SHBA. Dhe në kuadër të këtij zotimi Kosova mund të përfitoj jashtëzakonisht shumë. Vetëm se duhen politika të mençura dhe konkrete dhe jo politika populiste që për një moment mund të ndezin opinionin e brendshëm por që tani më është dëshmuar që as SHBA e as BE nuk i mbështet këto politika populiste.

“Bota sot”: A mund të ketë marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Vlora Limani Hajnuni: Nuk mund ta parashikoj një gjë të tillë, por ajo që unë mendoj është që Kosova nuk duhet të dal asnjëherë në rolin e bllokuesit të dialogut.

“Bota sot”: Si e komentoni aksionin në Karaçevë?

Vlora Limani Hajnuni: Aksion të cilin Institucionet e zbatimit të ligjit do duhej ta ndërmerrnin shumë kohë më parë. Krimi i organizuar, prostitucioni dhe vepra të tjera kriminale duhet të luftohen fuqishëm nga Institucionet e rendit dhe ligjit.

“Bota sot”: Tashmë Gjykata Speciale ka filluar punën e saj, si e komentoni këtë?

Vlora Limani Hajnuni: Është gjykatë e cila është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i takon institucioneve të drejtësisë dhe mendoj që politika nuk duhet të ndërhyjë.

“Bota sot”: Akuzat ndaj ish luftëtareve të UÇK-së, a mund të ndikojë në njollosjen e imazhit të luftës së pastër për çlirimin e vendit?

Vlora Limani Hajnuni: Lufta e UÇK -së është aq e shenjët sa nuk ka institucion i cili mund ta njollos këtë luftë. UCK është vlerë e popullit të Kosovës dhe si të tillë as nuk mund ta gjykojnë e as nuk mund ta njollosin.

 
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat