Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi, në një intervistë dhënë për gazetën “Bota sot” ka folur rreth ҫështjeve aktuale në vend, duke përfshirë aktakuzat nga Gjykata Speciale, lëkundjet në koalicionin qeveritar, pjesë e të cilit është edhe Nisma si dhe për pazaret për pozitën e Presidentit të vendit.
Krasniqi thotë se Kosova është një shtet falë luftës së UҪK-së, pasi pa luftë nuk bëhen shtetet.
Krasniqi ka folur edhe për aktakuzat ndaj Thaҫit e Veselit nga Gjykata Speciale për të cilat thotë se vijnë nga akuzat e Dick Martit dhe që do të mbesin si turpi i këtij shekulli.
"Bota sot”: Si i vlerësoni arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale?
Jakup Krasniqi: Qëndrimi im është i ditur që nga dhjetori i vitit 2010. Dhomat e Specializuara kanë vështirësi për t’u marrë me përgjegjësinë e një mashtrimi të madh që rrënjët i ka në Beogradin e politikave gjenocidale! Prandaj duhet ta arsyetojnë disi kohën pesëvjeçare. Për këtë më mirë është t’i pyetni ata që e votuan dhe e kërkuan votimin e saj.
"Bota sot”: Keni qenë vetë pjesë e luftës, a mendoni se duhet të gjykohen në këtë mënyrë pjesëtarët e UҪK-së?
Republika e Kosovës është krijesë e luftës çlirimtare që e ka zhvilluar UÇK-ja. Pa UÇK-në, pa luftën e saj, Kosova nuk do të ishte shtet, pasi shtetet nuk bëhen e as janë bërë ndonjë herë me lutje! Në fakt nuk po gjykohet UCK-ja, pjella e saj – Republika e Kosovës.
“Bota sot”: Po për aktakuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli, çfarë mendoni?
Krasniqi: Unë kam qenë dhe jam i bindur, se akuzat që kanë dalë nga akuzat e Dick Martit, do të mbesin turpi i shekullit XXI. Si po duket asnjë shekull në historinë e njerëzimit nuk do të mbetet pa turpin e tij?! Populli ynë, ka qenë dhe është populli më fatkeq i Gadishullit Ilirik në kontinentin e vjetër. Popull që janë përpjekur që ta shuajnë tërësisht a pjesërisht dhe ia kanë rrëmbyer më shumë se gjysmën e trojeve të tija të banuara denbabaden.
“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për Marrëveshjen e Uashingtonit?
Ka qenë një marrëveshje që nuk ka qenë lehtë me i thënë jo. Duhet të them, ishte vazhdim i marrëveshjeve te Brukselit. E më se paku delegacioni i fundit do t’i thoshte jo, asaj që ndodhi atje.
“Bota sot”: Deklarata e fundit e Lajҫak për Asociacionin, a është sinjal i një marrëveshje të dëmshme që po bëhet ndaj Kosovës?
Krasniqi: Deklaratat si të Laҫjak-ut janë rezultat i çakordimeve tona politike. Ka vite që politika jonë udhëhiqet nga të padijshmit dhe ata kanë prodhuar ketë mjerim politik?!
“Bota sot”: Si i vlerësoni pazaret politike që po bëhen për pozitën e Presidentit të vendit?
Krasniqi: Si të gjitha pazaret e deritashme. Ky i tanishmi, pa dyshim që e ka turpin më të madhin e deritashëm.
“Bota sot”: A ka lëkundje në koalicionin qeverisës, pjesë e të cilit është edhe Nisma Socialdemokrate?
Krasniqi: Të gjitha koalicionet e deritashme i kanë pasur lëkundjet e tyre. Deri tani kemi mbajtur zgjedhje pas zgjedhjesh, por zgjedhjet nuk kanë prodhuar zgjidhje.
"Bota sot”: Po flitet se edhe PDK-ja do të futet në Qeveri, si e shihni ju këtë, a është tradhti ndaj Nismës, pasi zërat janë se nëse hynë PDK-ja, atëherë AAK-ja dhe Nisma do të largohen nga koalicioni?
Krasniqi: Si subjekt politik kemi pak mandate, por kjo nuk na pengon që të jemi realist racional. Interesin tonë nuk e qesim para interesit te shtetit tonë te krijuar me flijime të shumta. Politikën nuk bëjmë për inat e me inate.
"Bota sot”: Çfarë mund të na thoni për këtë skandalin e fundit ku u vjedhin mbi 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, a është një vazhdimësi e vjedhjeve të parasë publike kjo?
Krasniqi: Qoftë skandali i vetëm dhe i fundit i qeverive tona. Kur të qeverisurit bëhet me të paditurit, nuk pritet diçka tjetër. Qeveritë e tilla quhen: Qeveri kakistrokraciste. Qeverisje me njerëz të padijshëm, e të padijshmit janë edhe të papërgjegjshëm.
"Bota sot”: Në një video të publikuar në rrjetet sociale ju keni folur për raportet ndërmjet Thaҫit dhe Veselit. Cila është e vërteta për raportin ndërmjet tyre? Po raporti i tyre me Adem Jashari, a mund ta sqaroni edhe këtë ju lutem?
Krasniqi: Për atë që kam thënë para vitesh, në rrethanat e tanishme nuk ka vlerë që ta përsëris. Gjërat gjithnjë kam pasur dëshirë që t’i them me kohë dhe i kam thënë me kohë. Koha e jonë po i kërkon dijet për te ndryshuar të tashmen e të ardhmen.