“Hashim Thaçi vuan që nuk ishte, nuk është dhe kurrë nuk do të jetë si Albin Kurti”

Intervista

“Hashim Thaçi vuan që nuk ishte, nuk është dhe kurrë nuk do të jetë si Albin Kurti”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 24 tetor 2020 Në ora: 18:44
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes Enver Dugolli, ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi për deklarata të “pavërteta dhe qëllimkeqe” ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se nuk do të ketë destabilizim të situatës së sigurisë në Kosovë, nëse konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit nga Gjykata Speciale.

Dugolli ka thënë se Specialja është e padrejtë, duke akuzuar Thaçin se e krijoi vet atë dhe tani duhet të përballet vet me të.

ka kritikuar edhe Ministrin e Mbrojtjes, duke thënë se ai më shumë po i kushton vëmendje gjërave periferike të luksit e të dukjes se sa atyre përmbajtjesore që kanë të bëjnë me përmbushjen e misionit dhe detyrave të FSK-së.

Enver Dugolli në intervistë ka folur edhe për Asociacionin dhe shkarkimet e fundit nga Qeveria e Avdullah Hotit, të cilat i lidh me arrestimin e nënkryetarit të LDK-së, njëherit Kryetarit të Istogut Haki Rugovës.

Ai ka treguar poashtu edhe një nga momentet e kaluara me Albin Kurtin në burg.

Image
Ish-zëvendësministri i Mbrojtjes Enver Dugolli

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Dugolli, si i komentoni shkarkimet e fundit nga kryeministri Avdullah Hoti?

Enver Dugolli: Deri më tani nuk ka ndonjë arsyetim bindës për arsyen e vërtetë të shkarkimeve nga pozita disa pozita shumë të rëndësishme shtetërore. E vërteta rreth këtyre shkarkimeve (ndonëse nuk u tha), mund të ketë ndonjë lidhje me arrestimin e nënkryetarit të LDK-së, njëherit Kryetarit të Istogut z. Haki Rugova. Edhe pse policia në këtë rast ka zbatuar ligjin. Deri më tani, nuk është raportuar ndonjë vërejtje ndaj Drejtorit të Policisë z.Rashit Qalaj për neglizhencë apo moskryerje të detyrave. Përkundrazi, edhe vetë qeveria e lavdëronte në disa aksione të zhvilluara në luftën kundër krimit të organizuar (rasti i Karaçevës) dhe për një moment vjen deri te shkarkimi i tij me disa arsyetime jo bindëse. E njëjta ndodhi edhe me dy shkarkimet tjera në ATK dhe Dogana. Shkarkimi i drejtorit të ATK-së gjithashtu ndodhi pa ndonjë arsyetim bindës, mirëpo nga ajo që pamë me pastaj (prononcimi i z.Murtezi për publikun) do ishte dashur që prokuroria të vihej menjëherë në aksion, sepse dyshohet për keqpërdorime dhe zhvatje ku humbjet, sipas z. Murtezi llogariten me miliarda euro.

“Bota sot”: A mund të ketë destabilizim të situatës së sigurisë në vend, nëse Gjykata Speciale konfirmon aktakuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit?

Dugolli: Gjykata Speciale (ndonëse shumë e padrejtë, sepse gjykon vetëm krimet e supozuara të UCK-së, pra një etnike), është një fakt i kryer për të cilën një kohë vetë Hashim Thaçi ishte angazhuar maksimalisht që ta bënte, madje duke bërë një presion të jashtëzakonshëm mbi deputetët e PDK-së. Tani kur kanë kaluar 5 vite nga ai moment, është shumë e pritshme që veprimet e gjykatës do të godasin dikë. Nuk ekziston asnjë arsye që tani të ketë destabilizim që situatës. Konfirmimi eventual i aktakuzës nuk mund të prodhojë destabilitet të situatës së sigurisë, sepse ishte pikërisht Thaçi ai i cili na tha se po “krijojmë një gjykatë për të dëshmuar pastërtinë e UÇK-së”. Nëse ai ka menduar se dikush tjetër duhet të shkojë atje dhe të dëshmojë për luftën e UÇK-së, po del se e ka pasur gabim. Prokuroria e Dhomave të Specializuara po mendon se pikërisht Thaçi duhet të shkojë. Tani, pra, le të shkojë dhe të shohim si po e mbron luftën e UÇK-së. Çdo përpjekje për të penguar këtë gjykatë është e kotë dhe do të ishte një gabim. Këtë gjykatë vetë Thaçi dhe mbështetësit e tij e kanë futur edhe në Kushtetutë. Kur Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtonte fuqishëm formimin e kësaj gjykate, nga po këta që sot vajtojnë, quheshin me lloj-lloj epitetesh, si njerëz të Rusisë, Serbisë e çka jo.

“Bota sot”: Si i cilësoni akuzat dhe deklaratat fundit të presidentit Thaçi ndaj Albin Kurtit?

Dugolli: Hashim Thaçi ka kohë që është komplet jashtë kontrolli. Si president i vendit, ai do duhej që të paktën të ruante institucionin që përfaqëson, i cili me Kushtetutë garanton unitetin e popullit dhe duke shprehur paanësi politike. Që nga fillimi i mandatit të tij, ai na ka treguar se nuk mund të largohet nga diskursi politik i një partie dhe ka vepruar si një kundërshtar politik i përbetuar ndaj LV-së dhe Albin Kurtit. Në kushte normale të një vendi normal, vetëm për këtë do të duhej të shkarkohej, e lëre më që ai me vetëdije ka shkelë Kushtetutën dhe ligjet e vendit me projektet e tij dhe të Vuçiqit për shkëmbim territoresh e të tjera. Prandaj, çdo deklaratë e tij për Albinin dhe LV-në, është qëllimkeqe dhe mbi të gjitha e pavërtetë. Ai vuan që nuk ishte, nuk është dhe kurrë nuk të do jetë si Albin Kurti.

“Bota sot”: Keni njoftuar se jeni kërcënuar nga një person në rrjetet sociale, pas deklaratës për presidentin Thaçi dhe se rastin do ta njoftoni në Polici. Çfarë ka ndodhur me kërcënuesin?

Dugolli: Po, është vërtetë (por jo vetëm një herë) që jam kërcënuar për bindjet e mija politike të shprehura publikisht. Përveç tjerash, kjo vjen si rezultat i një klime politike të vjetër të mbarsur me urrejtje dhe shantazhe. Zakonisht kërcënimet vijnë si pasojë e injorancës politike, por ka edhe të atilla të porositura për “disiplinim”. Unë nuk jam një njeri që mund të më frikësoj dikush me asnjë kërcënim. Frikën e kam mundur moti. Por, natyrisht besoj që mendësia e tillë kërcënuese duhet denoncuar, prandaj edhe unë e kam bërë një gjë të tillë në Polici.

“Bota sot”: A duhet Kosova të ndryshojë Kushtetutën për themelimin e Asociacionit? Çka nëse dështon themelimi i ASK-së dhe Kosovës i kërkohet diçka tjetër për marrëveshjen finale me Serbinë?

Dugolli: Asociacioni (Zajdenica) është një produkt i gabimeve të shumta që klasa politike e stërvjetër (PDK-LDK) i sollën vendit. Fatbardhësisht, Gjykata Kushtetuese e dha mendimin për këtë marrëveshje të dëmshme dhe e nxori në 23 pika në kundërshtim me frymën kushtetuese, të cilat cenojnë rregullimin e brendshëm të Republikës sonë. Prandaj, kjo temë është e mbyllur dhe kushdo që tenton ta hapë, nuk do të ketë sukses. Kosova ka dhënë tepër shumë. Nuk kemi më çka të japim. Vetëm një klase politike të sojit Hoti, e të atyre që ishin qe 20 vite u kërkohet një gjë e tillë, sepse janë të paftë, të paditur e mbi të gjitha të shantazhuar. Prandaj, për t’u ndalur ky degradim i mëtejmë, vendit i duhet një qeveri dhe kryeministër legjitim, i cili interesin e vendit e vendosë para çfarëdolloj kalkulimi. Qytetarët e panë që shpresa ekziston. Ajo quhet Vetëvendosje! me Albin Kurtin Kryeministër.

“Bota sot”: Keni akuzuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes e udhëhequr nga Anton Quni, për tenderin e 25 mijë eurove për marrjen me qira të tri veturave. Pse as ky dikaster s’po mund të mos bie pre e zhvatjes së parasë publike?

Dugolli: Fatkeqësisht, edhe ky dikaster i rëndësishëm i Kosovës nuk është imun ndaj veseve të këqija të kësaj qeverie dhe ish-qeverisjeve të kaluara. Sa do që në qeverisjen Kurti filluam me punë të mira, për shkak të kohës tejet të shkurt, nuk arritëm të bëjmë më shumë. Interesi i vendit është që të kemi një forcë ushtarake sa më të përgatitur dhe të kompletuar, prandaj Qeveria Kurti e kishte në prioritet zhvillimin e forcës. Nuk kishte asnjë shkurtim të projekteve dhe mbizotëronte vullneti për t’i shtuar investimet ashtu siç ishim zotuar. Mirëpo, sapo u larguam ne, aty filloi avazi i vjetër. Në vend të menaxhimit më të mirë dhe llogaridhënies, filloi keqmenaxhimi. Në vend të investimeve, filloi shkurtimi i shpenzimeve për investime në FSK. Sipas një dokumenti të dalë nga Ministria e Mbrojtjes, kjo qeveri ka paraparë që në kornizën afatmesme të shpenzimeve (KASH), për tri vitet e ardhshme buxhetit të FSK-së (edhe ashtu te pamjaftueshëm), t’i hiqen mbi 92 milionë euro. Një element që qytetaret e vendit do të duhej të dinin, është fakti se ka mungesa të mëdha të përkrahjes dhe investimeve në ushtrinë tonë, prej atyre bazike e deri te ato kapitale siç janë armatimi dhe pajisjet. Edhe ky buxhet i pamjaftueshëm nuk shpenzohet ashtu siç duhet. Më shumë vëmendje i kushtohet disa gjërave periferike të luksit e të dukjes se sa atyre përmbajtjesore që kanë të bëjnë me përmbushjen e misionit dhe detyrave të FSK-së.

“Bota sot”: A mund të na rrëfeni ndonjë moment interesant nga koha e kaluar në burg me ish-kryeministrin Albin Kurti?

Dugolli: Për këtë pyetje po shkëpus pak rreshta nga libri im i botuar vitin e kaluar “Qark i (Pa)mbyllur Burgjesh”.

“...Paragjykimi im për njeriun me flokë të gjatë u zbeh në pak minutat e ditës së parë. Diskutimet e ditëve në vazhdim e zhdukën prej imazhit të fotove paragjykimin tim. Takimi me të, për mua qe vendimtar. Kisha fatin të takoja shumë veprimtarë të çështjes, në liri dhe burg, në burg të parë e në burg të dytë. Aq më tepër që burgjet ishin përqendrim i madh i rezistencës. Por takimi me Albinin, përshtypjet që formova për personalitetin e tij, ishin të jashtëzakonshme. Albini më fliste shumë për familjen time që nuk e kisha parë, për luftën e UÇK-së, për demonstratat e Studentëve të vitit 1997, për bashkëpunimin me bacën Adem Demaçi, e çka jo. Thellësia e mendimit politik e kombëtar tek Albini, më pasiononte. Ndonëse në moshë shumë më të re se unë, mezi prisja të hapej ndonjë temë diskutimi. Dhe me Albinin, temat nuk mungonin kurrë. Çdo temë kishte përmasën e horizontit. Ishin ditët më të mira në burgun e Nishit. Nuk e kisha menduar kurrë se do të më shijonte ndonjëherë burgu.

Por ja që pashë atëherë edhe xhelozinë në disa njerëz, bashkëveprimtarë dhe të burgosur. E shfaqnin kur diskutonim tema të ndryshme. Për Albinin rezervoja admirimin për zgjuarsinë, talentin, thellësinë e mendimit dhe vendosmërinë e palëkundur në parimet dhe të drejtën për liri. Rastësisht mësova edhe për atë natën e 9 qershorit në burgun e Lipjanit, atë natën e rrahjes në njërën prej dhomave. Vetëm tani po mësonim se kush e kishte pësuar. Kishim dëgjuar goditjet aq gjatë, sa thellë brenda nesh atë të burgosur e kishim shënuar të vdekur të paemër në arkivin e mendjes sonë. Ndërsa tani po rrinim bashkë me të në burgun e Nishit. Edhe një tjetër i kthyer prej fushës së pamat të vdekjes.

Në fakt, hamendja jonë kishte brenda një gjysmë të vërtete. Albinin e kishin lënë gjysmë të vdekur. Por, siç na tregonte vetë Albini, një gardian, i cili, duket se kishte qenë me shpirt njeriu, kur e pa në atë gjendje frymëmarrjeje të vështirë nga goditjet e marra në gjoks – sipas përshkrimit, gjoksi i ishte fryrë nga goditjet – i kishte lënë hapur derën dhe dritaret që të hynte sa më shumë ajër. Ndoshta ky gjest i thjeshtë kishte qenë vendimtar që Albini të shpëtonte. Ajo që më befasonte, dhe njëkohësisht më mrekullonte, ishte se Albini nuk kishte dëshirë të fliste për veten. Ishte thellësisht modest...”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat